Lajmet

OKB: Talibanët po bëjnë kontrolle derë më derë

Grupi islamik pati deklaruar se nuk do të ketë hakmarrje ndaj kundërshtarëve.

Published

on

Talibanët kanë filluar gjithnjë e më shumë të kërkojnë për të gjetur personat që kanë punuar me forcat e NATO-s ose Qeverinë afgane, thuhet në një dokument të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, transmeton BBC.

Në dokument thuhet se talibanët kanë shkuar “derë më derë” për të kërkuar këta persona dhe për të kërcënuar anëtarët e familjeve të tyre.

Grupi islamik pati deklaruar se nuk do të ketë hakmarrje ndaj kundërshtarëve dhe atyre që kanë punuar me forcat e huaja. Megjithatë ekziston një frikë në rritje se talibanët ndryshe flasin por krejt ndryshe veprojnë.

Paralajmërimi që militantët janë vënë në “gjueti” të bashkëpunëtorëve të forcave të huaja u paraqit në një dokument konfidencial të Qendrës Norvegjeze për Analiza Globale (RHIPTO), e cila është një organizatë jofitimprurëse e formuar për të mbështetur OKB-në me informacione të reagimit të shpejtë në fushën e mjedisit, zhvillimit, paqes dhe sigurisë.

“Kërcënimi është i qartë dhe janë një numër i madh i individëve që aktualisht janë në shënjestër të talibanëve”, tha për BBC, Christian Nellemann, i cili kryeson grupin që e përgatiti raportin.

Sipas tij, kushdo që është në listën e zezë të talibanëve, është në rrëzik të madh dhe se mund të ketë ekzekutime masive.

Fuqitë perëndimore po vazhdojnë përpjekjet për të nxjerrë shtetasit e tyre nga Afganistani. Një zyrtar i NATO -s tha të premten (20 gusht) se në pesë ditët e fundit më shumë se 18.000 njerëz janë evakuuar nga aeroporti i Kabulit.

Zyrtari, që nuk pranoi të identifikohej, tha për agjencinë Reuters se mijëra njerëz kërkojnë që të hyjnë në aeroport, edhe pse talibanët po i kthejnë ata që janë pa dokumente legjitime.

Jashtë aeroportit situata mbetet kaotike. Talibanët kanë bllokuar afganët që përpiqen të ikin. Të premten presidenti amerikan, Joe Biden, pritet të flasë për procesin e evakuimit.

Talibanët kanë bërë thirrje për unitet duke ftuar imamët që të bindin njerëzit të mos largohen nga Afganistani.

Në disa pjesë të Afganistani ka pasur edhe protesta që përkuan me shënimin e 19 gushtin, Ditën e Pavarësisë së Afganistanit.

Një dëshmitar i tha Reuters se disa njerëz u vranë në qytetin lindor të Asadabad të enjten pasi militantët talibanë qëlluan mbi një turmë.

Protesta ka pasur edhe në dy qytete të tjera – Xhalalabad dhe Khost.

Një dëshmitar tjetër raportoi për të shtëna me armë pranë një tubimi në Kabul, por dukej se ishin talibanët që qëllonin në ajër.

Talibanët morën kontrollin e kryeqytetit Kabul të dielën më 15 gusht, pasi më parë kishin shtrirë ndikimin në pjesën më të madhe të vendit.

Fitorja e tyre i kthen ata në pushtet 20 vjet pasi u rrëzuan nga një intervenim ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Liderët talibanë kanë thënë se ata duan paqe dhe një qeveri gjithëpërfshirëse – në kuadër të parimeve të Islamit. Ata po ashtu janë zotuar se nuk do të hakmerren ndaj kundërshtarëve dhe do të respektojnë të drejtat e grave, bazuar në ligjin islam.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka thënë më herët se qëllimi i misionit në Afganistan nuk ka qenë shtet-ndërtimi por parandalimi i terrorizmit.

Ndërsa më 19 gusht, Biden tha se ai nuk beson se talibanët kanë ndryshuar dhe se, sipas tij, ata tani po kalojnë nëpër një “krizë ekzistenciale” lidhur me atë nëse duan legjitimitet në skenën botërore pasi morën pushtetin në Afganistan.

Continue Reading

Lajmet

Kuriozitetet e ditës

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Në Singapor është e ndaluar të përtypësh çamçakëz në vende publike, për të mbajtur qytetin më të pastër.
  2. Netflix dikur u ofroi themeluesve të Blockbuster ta blinin kompaninë për vetëm 50 milionë dollarë, por ata refuzuan.
  3. Në Australi ekziston një gardh mbi 5 mijë kilometra i gjatë, i ndërtuar për të mbajtur larg qentë e egër.
  4. Trupi i njeriut krijon aq shumë nxehtësi në 30 minuta sa mund të vlojë rreth 2 litra ujë.
  5. Në Japoni ekziston një tren që ndalon vetëm për një nxënëse, vetëm që ajo të mund të shkojë në shkollë.

Continue Reading

Lajmet

PDK dërgon sërish në Kushtetuese zgjedhjen e Qeverisë: Albin Kurti dhe partia e tij shkelën afatet me qëllim

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar sërish sot Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar ligjshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.

Kërkesa zyrtare është dorëzuar nga deputetët e këtij subjekti politik, Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, të cilët kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë në tërësi ligjshmërinë e procedurave të ndjekura gjatë votimit në Kuvend.

Sipas përfaqësuesve të PDK-së, mënyra e konstituimit të Kuvendit dhe hapat e ndërmarrë menjëherë pas tij përmbajnë shkelje seriosaze kushtetuese. Nga partia më e madhe opozitare janë shprehur se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shkelur afatet kushtetuese me qëllim gjatë këtij procesi.

Kjo lëvizje e PDK-së vjen vetëm një ditë pasi ky subjekt politik dërgoi një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, e cila lidhej me procedurën e konstituimit të legjislaturës së 11-të ku u zgjodh kryetarja dhe katër nënkryetarët e Kuvendit procedurë kjo që i hap rrugë edhe votimit të kabinetit të ri qeveritar. /Ekonomia online/

Continue Reading

Lajmet

IBM dhe NASA publikojnë modelin e ri të AI për Hënën

Published

on

IBM dhe NASA kanë publikuar një model të ri të Inteligjencës Artificiale, të trajnuar me të dhëna nga dekada të tëra vëzhgimesh të Hënës, i cili do të jetë i qasshëm publikisht për studiuesit dhe zhvilluesit.

“NASA-IBM Lunar Foundation Model” është publikuar në platformën Hugging Face, së bashku me një bazë të unifikuar të të dhënave hënore, të përgatitur posaçërisht për përdorim në teknologjitë e machine learning.

Për dekada, misionet hapësinore kanë mbledhur sasi të mëdha të dhënash për Hënën, por ato janë ruajtur në formate dhe rezolucione të ndryshme, duke e vështirësuar analizimin e tyre në mënyrë të integruar.

Për të adresuar këtë problem, ekipet e IBM dhe NASA kanë kombinuar më shumë se 30 shtresa të dhënash nga nëntë instrumente të përdorura në katër misione të ndryshme. Në mesin e tyre janë Lunar Reconnaissance Orbiter dhe GRAIL të NASA-s, si dhe misioni japonez SELENE/Kaguya.

Një nga përdorimet më interesante të modelit është identifikimi i zonave ku mund të ketë depozita akulli në Hënë. Krateret që ndodhen vazhdimisht në hije konsiderohen ndër zonat më premtuese për praninë e akullit nën sipërfaqe, por analizimi i tyre është veçanërisht i vështirë.

Sipas IBM, modeli i ri ka ulur me 23 për qind gabimin në identifikimin e zonave me potencial të lartë për akull, krahasuar me modelin e përgjithshëm të vizionit kompjuterik SwinV2-B.

Modeli i ri pritet t’u ofrojë studiuesve dhe zhvilluesve një mjet të hapur për analizimin e të dhënave hënore dhe për zhvillimin e aplikimeve të reja në eksplorimin e Hënës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Javier Bardem nderohet me “Çmimin për Arritje Jetësore” në Festivalin e Filmit në Romë

Published

on

Aktori i njohur spanjoll, Javier Bardem, do të nderohet me “Çmimin për Arritje Jetësore” në Festivalin e Filmit në Romë, një nga ngjarjet e rëndësishme kinematografike në Itali. Çmimi do t’i dorëzohet nga regjisori i njohur italian, Paolo Sorrentino.

Festivali do të mbahet nga 13 deri më 25 tetor, ndërsa Bardem do të prezantojë edhe filmin “The Beloved”, me regji të Rodrigo Sorogoyen.

Filmi, i cili pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Kanë, rrëfen historinë e regjisorit Esteban Martinez, të interpretuar nga Bardem, i cili pas shumë vitesh ribashkohet me vajzën e tij, një aktore në ngritje.

Bardem së fundmi ishte pjesë edhe e Festivalit të Filmit në Venecia, ku prezantoi filmin “Bunker”, me regji të Florian Zeller.

Aktori spanjoll pritet të rikthehet në ekran në rolin e Stilgarit në filmin e shumëpritur “Dune: Part Three”, me regji të Denis Villeneuve.

Ndërkohë, Bardem ka përfunduar edhe xhirimet e filmit “Hello & Paris” të Amazon MGM Studios, ku interpreton përkrah aktores Kate Hudson./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara