Lajmet

Oficeri britanik nis dëshminë në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve

Ai është dëshmitari i katërmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Published

on

Në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, filloi të dëshmojë Francis Ledwidge, oficer i ushtrisë britanike i cili kishte shërbyer në Kosovë gjatë periudhës së luftës.

Ai është dëshmitari i katërmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe po dëshmon pa masa mbrojtëse në seancë publike.

Prokurori Nico Baarlink tha se Ledwidge ka shërbyer në misionin e OSBE-së nga nëntori 1998 deri në mars 1999, si dhe nga korriku 1999, që sipas tij kishte hetuar rastet e personave të cilët pretendohet se janë ndaluar në zonën e Rahovecit.

Sipas prokurorit, dëshmitari kishte zhvilluar intervista me të ndaluarit dhe familjarët e të zhdukurve.

“Dëshmitari ka hetuar rastet e personave të cilët janë ndaluar nga UÇK dhe të cilët janë zhdukur më ose rreth datës 17 korrik 1999 në Rahovec dhe në zonat përreth. Ai ka kryer intervista që kanë të bëjnë me këto ngjarje përfshirë këtu edhe të ndaluar të mëparshëm dhe anëtar të familjeve të viktimave. Dy persona i kanë thënë dëshmitarit se me ta ka folur Jakup Krasniqi, dëshmitari është ndaluar shkurtimisht nga forcat serbe pas zhdukjes së vëllezërve më datë 27 shkurt 1999 dhe dëshmitari gjithashtu ka hetuar të paktën në rrëmbimin e 5 serbëve nga ushtarë të uniformuar dhe armatosur të UÇK-së në Rahovec rreth datës 16 qershor 1999. Më ose rreth nëntorit 1999 dëshmitari ka dëgjuar nga shumë persona se Hashim Thaçi ka dhënë një fjalim në një miting të organizuar në Rahovec“, tha ai.

Ndërsa sipas dëshmitarit, shumë nga intervistat janë zhvilluar në Hoçë të Madhe.

Ai tha se dokumentet nuk janë të nënshkruara nga dëshmitarët sepse sipas tij qëllimi nuk ka qenë që të përdoreshin në salla gjyqi.

“Kanë kaluar 25 vite që prej asaj kohe kështu që procesi përmes të cilit i kemi përkthyer shënimet në dokumente të shkruara sa i takon personave të zhdukur nuk më kujtohet ekzaktësisht, megjithatë nuk do isha i surprizuar i habitur që të diskutonim ndërmjet nesh apo t’ia lexonim mbrapsht dëshmitarit dhe po ashtu ne nuk i kemi kërkuar që të nënshkruajnë fatkeqësisht këtyre dëshmitarëve sepse synimi i këtyre dokumenteve nuk ishte që të përdoreshin në sallë gjyqi, kështu që për pasojë është informacion që është përdorur vetëm thjesht në shtabet apo zona tona. Besoj që menjëherë pasi është bërë intervista e kemi shtypur atë pasi ka kaluar një kohë e shkurtër mbase i kemi shtypur në të njëjtën ditë, megjithatë kam pas një kopje elektrike”, theksoi ai.

Ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit deklaroi se dëshmitari i ZPS-së është autorizuar nga kolonel Milan Petroviq që të mbledh informacione dhe t’i kalojë në Hagë.

“Ka disa sugjerime nga deklarata e këtij dëshmitari në faqen 12, ai është autorizuar që t’i mbledh informacionet dhe t’i kaloj në Hagë dhe ka marr një autorizim për të bërë një gjë të tillë. ‘Gjatë dy bisedave me këtë person koloneli Milan Petroviq më pyeti nëse kam autoritet që të transferoj informacione në Hagë unë përpara këtij takimi kam marr autorizim për të bërë këtë gjë i thash kolonelit të paktën prej disa informacioneve të mbledhura janë bërë për këtë qëllim për të quar më tej një hetim”, theksoi avokati i Veselit.

Pas pyetjeve për disa raporte, më pas Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbaruar pyetjet e saj për dëshmitarin, Francis Ledwidge.

Me kundërpyetjet vazhdoi mbrojtja e Hashim Thaçit ku avokati Gregory Kehoe pyeti dëshmitarin e ZPS-së për dislokimin e tij në Rahovec.

Më pas, Ledwidge tregoi se ai vetë i katërti ishte zhvendosur në një shtëpi në Rahovec në një zonë të banuar me serbë.

“Ledwidge: Ne u dislokuam një ekip prej 4 vetash dhe më pas na u bashkuan edhe të tjerë këtij grupi të vogël i gjithë grupi përbëhej prej 22 personave kurse të tjerët në atë kohë nuk kishim punonjëse gra sepse ishin të shpërndara nëpër qytet dhe më pas u dislokuam nëpër këto baza në terren”,

Kehoe: Ky vendi ku u vendosët ishte i banuar me serbë në Rahovec?

Ledwidge: Po kjo është e saktë siç kam thënë në deklaratën time kam qenë para shumë kohësh atje dhe e di që ishin dy pjesë të qytetit pjesa në kodër ishte e banuar prej serbëve, kurse pjesa më e madhe shumica e banorëve jetonin në pjesën e qytetit

Kehoe: Personit sipas hierarkisë së OSBE që i raportonit ishte Syzan Peterson a e është kjo e saktë?

Ledwidge: Linja e raportimit ishte mjaftë jo zyrtare në atë kohë ishim një grup i shpërndarë në gjithë Kosovën, unë i raportoja shefit tim i cili ishte Ijen Mechlaud më pas George…dhe teknikisht gjatë kohës së konfliktit Syzan Peterson.

Ndërsa mbrojtja e avokatit të viktimave nuk kishte pyetje për këtë dëshmitar.

Para fillimit të kësaj dëshmie, mbrojtja kundërshtoi shënimin zyrtar të ZPS-së për këtë dëshmitarin, duke pretenduar se ka deklarime të reja të cilat i janë ofruar mbrojtjes gjatë fundjavës dhe se të njëjtit nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur.

Ekipet mbrojtëse thanë gjithashtu se dëshmitari gjatë dëshmisë së tij para ZPS-së ka dhënë shumë opinione.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe tha se dëshmia e këtij dëshmitari është plot me opinione dhe se dëshmitari nuk është ekspert.

“Personalisht jam i shqetësuar lidhur me atë çfarë është bërë praktikë e pranueshme deri tani në kuptimin që kolegët lejohen që të shtojnë deklaratat e dëshmitarëve dhe kemi këtu një dokument të ri që siç e thash e kemi marr vetëm të shtunën në darkë dokument I cili ka informacion të ri”, theksoi ai.

Ndërsa, avokati mbrojtës i Veselit, Ben Emmerson u shpreh se një dëshmitar faktik nuk mund të jap opinione, prandaj kërkoi që këto opinione të dëshmitarit të 14-të të mos nxirren nga prokuroria.

“Deklarata fillestare përmbajnë opinione të dëshmitarit dhe me kalimin e kohës këto janë rritur në kuptimin që kemi edhe shënime të cilat përmbajnë një sasi të konsiderueshme opinione, edhe një dëshmitarë ekspert nuk lejohet që të jap opinionet për çështjet që duhet të merret vendim shembull prania ose ekzistenca e një policie për të ndjekur bashkëpunëtorët tjerë. Një gjë më e rëndësishme se kaq është se opinionet nuk duhet të nxirren nga dëshmitarë fakti… opinionet nuk duhet të nxirren ose nuk duhet të jepen nga dëshmitarët e faktit kur nuk është e qartë se cila është baza faktike e dëshmitarëve, palëve u kërkohet që të eksplorohet më tej në bazën e njohurive të dëshmitarit në varësi që thotë ai…nuk bëhet një dëshmitar ekspert por kemi të bëjmë me një dëshmitarë fakti kështu që si rezultat është shumë I rëndësishëm që opinionet e tij të jenë sa më të kufizuara të jenë të mundur”, theksoi ai.

Pas këtyre shqetësimeve, trupi gjykues dha urdhër gojor që opinioni nuk duhet të nxjerrët nga prokuroria por të mbështetet në fakte që verifikohen si dhe urdhërojë ZPS-në që të redaktojë informacionin që përmban shënimi zyrtar.

Më pas kryesuesi i trupit gjykues, Charles Smith njoftoi se nëse nxirren si prova nga ZPS-së atëherë kjo dëshmi nuk do të merret parasysh.

“Trupi gjykues pajtohet se shqetësimi i mbrojtjes se opinioni i dëshmitarit nuk duhet të bjerë nën fushën e përgjegjësisë së veprimit të trupit gjykues. Kështu që trupi gjykues vëren më tej se opinioni nuk duhet të nxirret nga prokuroria dhe është e rëndësishme që kjo dëshmi të mbështetet në fakte dhe rrethanat që do të verifikohen. Nëse ndodh e kundërta dëshmia thjesht nuk do të merret parasysh ose do të jepet shumë pak peshë. Trupi gjykues si rezultat urdhëron ZPS që të redaktoj informacionin që përmbahet në shënimet e veta për përgatitjen e dëshmitarit dhe i kujtojnë ZPS se nëse kërkon që të nxjerr apo mbështetet në prova të tilla nga dëshmitari ato duhet të nxjerrën nga dëshmitari mbi bazën që dëshmitari ka formuar opinionin e vetë“, tha ai.

Paraprakisht, dëshminë e ka përfunduar ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa.

Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Lajmet

Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat kryesore të profesionit të gazetarit

Published

on

By

Me mbi 35 vite përvojë në gazetari, profesori dhe gazetari Musa Sabedini vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e gazetarisë përmes botimeve shkencore dhe përvojës profesionale. Në një bashkëbisedim në podcast-in e mediave të UBT-së, ai foli për rrugëtimin e tij në gazetari, librat universitarë që ka botuar, sfidat e gazetarisë hulumtuese dhe ndikimin e teknologjisë në profesion.

Në këtë intervistë, Sabedini ndan përvojën e tij shumëvjeçare në gazetarinë hulumtuese, rëndësinë e etikës në profesion dhe rolin që inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi po luajnë në transformimin e mediave.

*****

Pjesë nga intervista:

Driton Hyseni: Pas mbi 35 vite përvoje në gazetari, çfarë ju shtyu që këtë përvojë ta ktheni në libra universitarë?

Musa Sabedini: Vetë fakti që kam një periudhë kaq të gjatë në gazetari më ka shtyrë që përvojën time profesionale ta ndaj me të tjerët. Kam dashur që përvojën e gjatë dhe profesionalizmin që e kam treguar gjatë viteve – përfshirë katër çmime të fituara në gazetari dhe shumë raste të trajtuara si gazetar hulumtues – ta përcjell edhe te gjeneratat e reja.  Kam menduar se është e rëndësishme që studentët, gazetarët e rinj dhe redaktorët e mediave të kenë në dispozicion literaturë profesionale. Prandaj kam vendosur t’u dhuroj katër libra. Libri i fundit, i katërti, që trajton gazetarinë hulumtuese dhe për të cilin po flasim sot, ishte i domosdoshëm, sepse ka shumë mungesë literature në këtë fushë. Pak studiues dhe ekspertë kanë guximin ose vullnetin të merren me libra të tillë. Ky libër ka jo më pak se 718 faqe.

Driton Hyseni: Libri i fundit është mjaft voluminoz dhe përfshin literaturë të gjerë si dhe përvojën tuaj në gazetarinë hulumtuese. Çfarë e bën atë të ndryshëm nga literaturat e tjera?

Musa Sabedini: Libri përbëhet nga tre kapituj. Në kapitullin e parë trajtoj përkufizimet dhe nocionet kryesore të gazetarisë hulumtuese. Kapitulli i dytë fokusohet te digjitalizimi dhe ndikimi i tij në gazetarinë hulumtuese. Ndërsa kapitulli i tretë trajton teknikat e raportimit hulumtues. Ky kapitull i fundit është veçanërisht i rëndësishëm, sepse libri nuk është vetëm studimor, por edhe praktik. Ai përmban shumë shembuj konkretë dhe analiza të mediave dhe portaleve, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Në kapitullin e parë, për shembull, studentët – qoftë në bachelor, master apo doktoraturë – mund të gjejnë përkufizime dhe nocione të qarta pa pasur nevojë të kërkojnë shumë burime të tjera. Libri është i veçantë sepse përmban shumë materiale praktike dhe qindra raste konkrete. Në fakt, deri tani nuk ekziston një libër i tillë as në Ballkan. Mund të ketë dispensa të shkurtra, por një libër i këtij lloji nuk ka pasur më parë.

Driton Hyseni: Meqenëse përmendët se libri është i veçantë në rajon, a përfshin ai edhe shembuj ndërkombëtarë të mediave që fokusohen në gazetarinë hulumtuese? A ka krahasime me gazetarinë në Kosovë?

Musa Sabedini: Po, patjetër. Kjo është një nga veçantitë e librit. Kam përfshirë shembuj ndërkombëtarë dhe vendorë. Nëse kam marrë një rast nga Amerika, e kam krahasuar me një rast në Ballkan dhe më pas me Kosovën. E njëjta gjë vlen edhe për rastet nga Evropa. Kam përfshirë shembuj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe madje edhe nga Serbia. Pra, libri është unik sepse ka materiale të bollshme dhe të kuptueshme, dhe secila pjesë e plotëson tjetrën.

Driton Hyseni: Sot po shohim që inteligjenca artificiale po hyn gjithnjë e më shumë në industrinë e mediave dhe po e transformon gazetarinë. Si e shihni këtë zhvillim?

Musa Sabedini: Digjitalizimi ka anët e veta pozitive dhe negative. Inteligjenca artificiale mund të jetë shumë e dobishme nëse përdoret në mënyrë profesionale dhe analitike, por ajo nuk mund ta zëvendësojë gazetarin. Një gazetar duhet të dijë ta orientojë temën hulumtuese vetë. Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në analizë dhe verifikim, por nuk mund ta krijojë vetë gazetarinë. Gazetaria hulumtuese në thelb është proces hulumtimi dhe verifikimi. Nëse gazetarët e rinj dhe studentët dinë ta përdorin teknologjinë në mënyrë profesionale, ajo mund të ndihmojë shumë në avancimin e gazetarisë hulumtuese. Por në shumë raste po keqpërdoret, sidomos në portalet online.

Driton Hyseni: Në librat tuaj shpesh e theksoni rëndësinë e etikës. A mund të ketë gazetari të mirë pa etikë personale?

Musa Sabedini: Për mua etika është thelbi i gazetarisë. Madje e quaj edhe mbretëresha e gazetarisë. Mund të jesh gazetar shumë i aftë dhe shumë i fortë në hulumtim, por nëse nuk ke etikë, gazetaria e humb vlerën e saj. Etika nuk e ndalon gazetarinë. Përkundrazi, ajo të mëson si të sillesh profesionalisht në çdo situatë, madje edhe kur interviston persona të dyshuar për krime. Gazetari duhet të arrijë te informacioni me profesionalizëm dhe jo me fyerje ose paragjykime. Gazetaria nga A deri në Zh lidhet me etikën.

Driton Hyseni: Në librin e fundit keni përfshirë 101 pyetje dhe udhëzime për gazetarinë hulumtuese. Pse mendoni se një gazetar i ri ka nevojë për udhëzime të tilla ose një udhërrëfyes praktik në fillim të karrierës?

Musa Sabedini: Arma e dytë e fuqishme e librit janë pikërisht këto 101 pyetje dhe 101 këshilla apo udhëzime. Këto janë pyetje që i kam ndërtuar vetë nga përvoja ime shumë e gjatë në gazetari. Nuk dua të them që kam “vuajtur” për ta përjetuar gazetarinë hulumtuese, sepse tashmë jam shumë i vjetër në këtë profesion, por kam dashur që gjeneratave të reja t’u lë një lloj testamenti profesional – një dokument apo udhëzues që ua bën më të lehtë realizimin e një interviste hulumtuese, një hetimi hulumtues apo një hulumtimi të gjatë, pavarësisht temës. Nëse i lexoni këto pyetje dhe këshilla, ato janë vërtet shumë të dobishme profesionalisht. I kam përgatitur me shumë dashuri dhe me shumë vullnet dhe besoj se do të ndihmojnë çdo gazetar që dëshiron të merret me gazetari hulumtuese, por edhe studiues dhe ekspertë të fushës. Gjatë mbledhjes së materialeve dhe literaturës për këtë libër kam vërejtur se te ne mungojnë jo vetëm librat, por edhe udhëzuesit e shkurtër praktikë – për shembull një agjendë me 10 apo 20 pyetje që mund ta ndihmojnë gazetarin në terren. Gazetaria hulumtuese nuk është e lehtë. Është një sfidë e madhe. Nëse një gazetar hulumtues nuk e ka përjetuar në praktikë këtë profesion, është shumë e vështirë të shkruajë një libër për të. Këtu teoria është e lidhur ngushtë me praktikën. Unë mund të flas shumë për teorinë e gazetarisë hulumtuese, por kur vjen puna te praktika, duhet shumë punë dhe përkushtim. Është një profesion shumë delikat, por edhe shumë i bukur, me sfida dhe vështirësi të ndryshme.

Driton Hyseni: Si keni arritur t’i ndërthurni të gjitha këto përvoja – nga sfidat dhe kërcënimet deri te përvoja profesionale – në një libër kaq voluminoz universitar?

Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese i ka edhe rreziqet e veta. Në libër e kam përmendur këtë në disa vende dhe kam dhënë edhe shembuj konkretë. Unë personalisht kam rreth 35 raste kërcënimesh me vdekje nga njerëz të ndryshëm. Të gjitha këto raste janë të evidentuara në polici dhe në databaza përkatëse. Megjithatë, asnjëherë nuk jam frikësuar dhe as sot nuk frikësohem. E vetmja frikë që mund të ketë ekzistuar ndonjëherë për mua ka qenë nëse pa dashje i kam hyrë dikujt në hak, por nuk besoj se kjo ka ndodhur, të paktën jo me vetëdijen time. Gazetaria hulumtuese nuk ka kompromis. Këtu gjithmonë ekziston një palë tjetër dhe një e vërtetë që duhet zbuluar. Kur shkruan për gazetari hulumtuese duhet të jesh jashtëzakonisht i saktë. Parimi im ka qenë gjithmonë: verifiko ose beso – por gjithmonë verifiko. Këto dy elemente janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Një gazetar nuk mund të merret me hetimin e njerëzve, kompanive të mëdha, universiteteve, profesorëve, bizneseve apo institucioneve publike pa pasur fakte dhe dëshmi. Nëse nuk ke dëshmi, është shumë e rrezikshme për një gazetar. Prandaj këshilla ime është që fokusi i gazetarit duhet të jetë gjithmonë te e vërteta. Mos i paragjykoni njerëzit dhe mos i akuzoni pa nevojë. Hulumtoni, verifikoni dhe pastaj publikoni. Kur them “beso”, nënkuptoj të besosh në dokumente konkrete: një dokument zyrtar, një incizim, një video, një fotografi, një aktakuzë, një aktgjykim apo çdo material tjetër që e mbështet informacionin. Gazetari duhet të shkojë te pala tjetër i përgatitur mirë dhe me fakte në dorë, në mënyrë që të mos duket qesharak as para palës dhe as para publikut.

Driton Hyseni: Përveç botimeve akademike, ju vazhdoni të kontribuoni edhe në gazetari dhe të realizoni tekste hulumtuese. Çfarë ju motivon të vazhdoni në këtë profesion?

Musa Sabedini: Të drejtën me thënë, nuk mund të jetoj pa gazetari. Edhe kur kam filluar angazhimet e mia akademike, një nga kushtet e mia ka qenë që të mos e ndal gazetarinë. Edhe pse sot nuk jam aq aktiv sa kam qenë më herët, vazhdoj të kontribuoj në këtë fushë. Kam fituar katër çmime në gazetarinë hulumtuese dhe për këtë arsye kam vendosur ta ul pak intensitetin e punës, për t’u dhënë hapësirë edhe gazetarëve të tjerë të rinj. Megjithatë, unë e njoh shumë mirë frymën e gazetarisë hulumtuese. E di saktësisht se si funksionon dhe sa përkushtim kërkon ky profesion. Gazetaria hulumtuese kërkon shumë vullnet, shumë përkushtim, ndërgjegje profesionale dhe kujdes të madh. Gazetari duhet të ketë intuitë të fortë, integritet profesional dhe ndikim publik. Duhet të jesh një figurë që kur dikush dëgjon emrin tënd, ta kuptojë se përballë ka një gazetar serioz që merret me të vërtetën. Fatkeqësisht, sot në hapësirën online kjo pjesë e gazetarisë hulumtuese shpesh nuk trajtohet me seriozitetin e duhur. Edhe pse vetë kam qenë pjesë e kësaj fushe dhe kam portal, shpesh vërehet se baza profesionale mbi të cilën duhet të ndërtohet gazetaria hulumtuese po anashkalohet.

Continue Reading

Vendi

PDK i përgjigjet Kurtit: Së pari vendimi i Kushtetueses

Published

on

By

Kërkesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim të mundshëm në ditët në vijim për çështjen e presidentit, i është përgjigjur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me të njëjtin ton si ai i LDK-së.

Në përgjigje të kësaj thirrjeje, PDK ka konfirmuar vullnetin për dialog, mirëpo jo para një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

“PDK e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

PDK e përmbyll reagimin duke theksuar se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitetin e vërtetë politik dhe institucional në Kosovë.

 

Continue Reading

Rajoni

Shqipëria synon ta shpallë Iranin shtet sponsor të terrorizmit

Published

on

By

Shqipëria do të votojë për një rezolutë për ta shpallur Iranin shtet sponsor të terrorizmit, ndërsa Gardën Revolucionare dhe Hezbollahun, organizata terroriste, njoftoi të premten kryeministri i vendit, Edi Rama.

Duke folur në një konferencë për gazetarë, Rama tha se vendimi do të merret javën e ardhshme.

“Parlamenti i Shqipërisë do të ftohet ta votojë një rezolutë për ta shpallur Republikën e Khomeiniste të Iranit – unë me gojë nuk e them dot islamike, sepse ajo nuk ka asnjë lidhje me islamin sipas asaj që unë di dhe çmoj te islami – shtet sponsor të terrorizmit. Bashkë me këtë do të shpallen organizata terroriste Garda Revolucionare e Iranit dhe Hezbollahu”, theksoi Rama.

Hezbollahu është grup militant në Liban i mbështetur nga Irani. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

Ndërsa, Bashkimi Evropian muaj më parë e shpalli terroriste Gardën Revolucionare të Iranit.

Synimi i Shqipërisë vjen pak ditë pasi Kuvendi i saj ish në shënjestër të një sulmi kibernetik, për të cilin Rama, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, thanë gjatë raportimit në Komisionin për Sigurinë, se erdhi nga Irani.

Kreu i Qeverisë tha se sulmet kibernetike nga Irani janë të vazhdueshme, madje, sipas tij, të përditshme, që prej vitit 2022.

Kryeministri shtoi Shqipëria ka kapacitete mbrojtëse kibernetike, dhe atë ndër më të mirat në Evropë, por tregoi se Kuvendi nuk është përfshirë ende në to.

“Problemi ynë është që nuk kemi përfshirë ende të gjithë sistemin brenda rrjetit të mbrojtjes. Nuk ka probleme me zonat kritike ku ata mund të sulmojnë. Ne sulmohemi nga Irani, çdo ditë, jo njëherë. Nuk kanë ndalur asnjëherë sulmet. Këto janë të dhëna sensitive, në sistemet e mbrojtjes kibernetike ka lexim dhe gjurmë të çdo sulmi, por s’kanë pasur sukses në pjesën e infrastrukturës kritike”, tha Rama.

Ndërsa, Hoxha tha se “fakti që arritën të cenojnë infrastrukturën teknologjike të Kuvendit do të thotë që duhet të jemi shumë të vëmendshëm”.

Ai tha se kjo çështje është ngritur në NATO dhe Shqipëria ka marrë garancinë se nuk është vetëm.

Hoxha theksoi se Shqipëria mbështet politikën e jashtme të sigurisë kolektive dhe renditet krah SHBA-së për ndalimin e programit bërthamor dhe raketave balistike nga Irani.

Marrëdhëniet midis Iranit dhe Shqipërisë janë të tensionuara dhe praktikisht të ngrira prej se Shqipëria u ofroi anëtarëve të MEK-ut strehë të sigurt, mbi një dekadë më parë.

Sulmet kibernetike iraniane prej vitit 2022, për të cilat Shqipëria beson se janë hakmarrje ndaj saj për strehimin e disidentëve iranianë, bëri që Qeveria shqiptare t’i pezullonte marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Përgjegjësinë për sulmin e 9 marsit e mori një grup hakerësh, i identifikuar si Homeland Justice, i cili theksoi në llogarinë e tij në Telegram se “nuk do t’i lëmë mbështetësit e terroristëve të MEK të flenë të qetë asnjë çast”.

MEK, apo Mojahedin-e-Khalq, është grup opozitar iranian që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit dhe është strehuar në Shqipëri kamotshëm.

Homeland Justice është faqe e internetit me shtrirje ruse që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022.

Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet./REL/

Continue Reading

Vendi

Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Takohemi “një orë pas” verdiktit të Kushtetueses

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar zyrtarisht pas ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim rreth zgjedhjes së Presidentit të ri.

Abdixhiku ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës, por ka vendosur një kusht të qartë: takimi mund të ndodhë vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të japë verdiktin e saj.

Lideri i LDK-së ka theksuar se përderisa çështja e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është në duart e Gjykatës, politika duhet të heshtë për t’i lënë radhën drejtësisë kushtetuese.

“E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim, koha jonë politike ndalon përkohësisht”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sipas tij, respektimi i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe shmangia e proceseve politike paralele është një nder që i bëhet Republikës dhe institucioneve të saj.

“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka përfunduar kreu i LDK-së.

Kjo përgjigje vjen vetëm pak orë pasi Kryeministri Kurti njoftoi se do të nisë ftesat për opozitën me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për Presidentin, për të evituar kështu shkuarjen në zgjedhje të reja.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara