Lajmet

Ofensiva në Gaza, zyrtarët izraelitë paralajmërojnë vazhdimin e sulmeve

Zyrtarët izraelitë thanë se do të ndërmarrin gjithë masat e duhura për shkatërrimin e Hamasit, por Izraeli nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Gazë.

Published

on

Forcat izraelite vazhduan sulmet ndaj Gazës ndërkohë që zyrtarët e Izraelit paralajmëruan se ofensiva mund të vazhdojë me javë apo muaj përkundër thirrjeve globale për armëpushim dhe izolimit në rritje të Izraelit dhe aleatit të tij kryesor, Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët izraelitë thanë se do të ndërmarrin gjithë masat e duhura për shkatërrimin e Hamasit, por Izraeli nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Gazë.

Sulmet izraelite, që shkatërruan pothuaj plotësisht pjesën veriore të Gazës, lanë 18 mijë të vrarë dhe zhvendosen rreth 80 për qind të popullatës së Rripit të Gazës, vazhduan edhe gjatë ditës së martë në pjesën jugore të enklavës. Në qytetin kufitar Rafah, një zonë e miratuar për strehim të civilëve, ndërtesa banimi u rrafshuan nga sulmet ajrore izraelite, duke lënë të paktën 23 të vdekur.

Tre fëmijët e Islam Harbit u vranë në këtë sulm ndërkohë që po strehoheshin në shtëpinë e tyre me nëntë refugjatë të tjerë.

“Katër shtëpi u bombarduan me tre raketa të hedhura nga aeroplanët F16. Nëntë të zhvendosur nga pjesët tjera të Gazës dhe vajzat e mia binjake Maria e Jude u vranë, edhe djali im i vogël Ammar u vra”, tha ai.

Në pjesën qendrore të Gazës, spitali Al-Aqsa ka konfirmuar 33 viktima nga sulmet ajrore ndaj ndërtesave pranë kampit të refugjatëve Maghazi, në mesin e të cilëve 16 gra dhe katër fëmijë.

Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara sot pritet të votojë një rezolutë jo-të detyrueshme që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm humanitar, që palestinezët shpresojnë do të dëshmojë përkrahjen e gjerë botërore në favor të përfundimit të luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, që tashmë ka hyrë në muajin e tretë.

“Mesazhet e Asamblesë janë gjithashtu shumë të rëndësishme dhe reflektojnë opinionin e botës”, deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është një gjest simbolik, që vjen pas kundërshtimit të Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të rezolutës së mëparshme me peshë ligjore për armëpushim.

Sipas Ministrit izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, kjo fazë e ofensivës me luftime e ashpra tokësore dhe sulme ajrore mund të zgjasë me javë, ndërkohë që paralajmëroi që ushtria izraelite do të vazhdojë aktivitetet ushtarake me muaj në Gazë.

“Izraeli do të ndërmarrë të gjitha masat për të shkatërruar Hamasin, por ne nuk synojmë të qëndrojmë përgjithmonë në Rripin e Gazës. Po kujdesemi për sigurinë tonë dhe të qytetarëve tanë përgjatë kufijve me Gazën”, deklaroi ministri izraelit Gallant.

Izraeli dhe SHBA-të thonë se armëpushimi i mundëson Hamasit, organizatës së shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara, të mbetet në pushtet në Gazë, që do të ishte një fitore për grupin militant që synon shkatërrimin e Izraelit dhe që ekspertët konsiderojnë se ka një bazë të thellë të mbështetjes te palestinezët në Gazë dhe Bregun e pushtuar Perëndimor./ VOA

Vendi

FSK pasurohet me 12 kamionë të rinj ushtarakë

Published

on

By

Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar sot 12 kamionë ushtarakë të tipit UNIMOG 5T, 4×4, të blerë për nevojat logjistike të ushtrisë. Në ceremoninë e pranimit morën pjesë Kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe ambasadori gjerman Rainer Rudolph.

Kryeministri Kurti bëri të ditur se me këto prurje të reja, si dhe me 8 kamionët e tjerë KX 8×8 të blerë së fundmi nga “Rheinmetall”, numri i përgjithshëm i mjeteve të pranuara të këtyre kategorive arrin në 35. Ai paralajmëroi se dhjetëra kamionë të tjerë të blerë të këtyre tipave do të arrijnë gjatë vitit 2027.

Sipas Kurtit, një forcë moderne nuk ndërtohet vetëm përmes armatimit, por edhe përmes kapaciteteve që mundësojnë lëvizshmëri dhe furnizim efikas. Mjetet e reja janë të projektuara për terrene të vështira e malore dhe rrisin dukshëm mbështetjen logjistike të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s.

Kreu i Qeverisë e vlerësoi këtë si një javë të suksesshme për ushtrinë, duke kujtuar se pas betimit të 515 rekrutëve të rinj të premten e kaluar dhe nisjes së trajnimit për 209 të tjerë në fillim të javës, pranimi i këtyre kamionëve përmbyll me sukses përpjekjet për fuqizimin e mbrojtjes dhe sigurisë në vend./E.A/

 

Continue Reading

Vendi

KPK pezullon nga detyra kryeprokuroren e Pejës pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka votuar sot unanimisht për suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.

Vendimi erdhi pas rekomandimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, lidhur me trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.

Ngjarja e rëndë ka nxitur reagime të shumta dhe pikëpyetje mbi dështimin e institucioneve të drejtësisë për t’i ofruar mbrojtje viktimës.

Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj. Vetëm tri ditë para se të vritej, ajo i kishte dërguar një letër zyrtare kryeprokurores Vuçetaj, ku e njoftonte se jeta e saj ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë. /E.A/

Continue Reading

lajme

Kuvendi miraton rishikimin e buxhetit për vitin 2026 midis kritikave të opozitës

Published

on

By

Me 62 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rishikimin e buxhetit për vitin 2026. Nga shtatë amendamentet e propozuara gjithsej, mbështetjen e shumicës parlamentare e morën vetëm dy prej tyre, ndërsa të gjitha propozimet e opozitës u rrëzuan.

Miratimi u parapri nga një debat i ashpër në sallë. Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e cilësoi propozimin e Qeverisë si një mbulesë për 120 milionë euro të vendosura që në fillim të vitit, duke theksuar se ligji ka probleme procedurale dhe përmbajtësore.

Po nga kjo parti, deputetja Hykmete Bajrami kërkoi sqarime nga Ministria, duke pretenduar se ndryshimi po bëhet për të mbuluar koston e pagës së 13-të. Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, i quajti ndryshimet e propozuara ligjore si dinakëri të ministrit të Financave.

Të gjitha këto pretendime e akuza u hodhën poshtë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili mbrojti rishikimin e buxhetit para deputetëve.

Continue Reading

Lajmet

Dy të mitur arratisen nga Qendra Edukuese Korrektuese në Lipjan

Published

on

By

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës është bërë e ditur se dy persona janë arratisur nga Qendra Edukuese Korrektuese (QEK) për të mitur në fshatin Grackë e Vjetër të Lipjanit.

Rasti është raportuar nga mbikëqyrësi i kësaj qendre, sipas të cilit të miturit, të cilët ishin duke vuajtur dënimin apo masën edukative, kanë arritur të largohen nga institucioni në drejtim të panjohur.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për rastin e cilësuar si “arratisje e personit të privuar nga liria” dhe po punon për lokalizimin e kapjen e tyre. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara