Lajmet

Ofensiva në Gaza, zyrtarët izraelitë paralajmërojnë vazhdimin e sulmeve

Zyrtarët izraelitë thanë se do të ndërmarrin gjithë masat e duhura për shkatërrimin e Hamasit, por Izraeli nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Gazë.

Published

on

Forcat izraelite vazhduan sulmet ndaj Gazës ndërkohë që zyrtarët e Izraelit paralajmëruan se ofensiva mund të vazhdojë me javë apo muaj përkundër thirrjeve globale për armëpushim dhe izolimit në rritje të Izraelit dhe aleatit të tij kryesor, Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët izraelitë thanë se do të ndërmarrin gjithë masat e duhura për shkatërrimin e Hamasit, por Izraeli nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Gazë.

Sulmet izraelite, që shkatërruan pothuaj plotësisht pjesën veriore të Gazës, lanë 18 mijë të vrarë dhe zhvendosen rreth 80 për qind të popullatës së Rripit të Gazës, vazhduan edhe gjatë ditës së martë në pjesën jugore të enklavës. Në qytetin kufitar Rafah, një zonë e miratuar për strehim të civilëve, ndërtesa banimi u rrafshuan nga sulmet ajrore izraelite, duke lënë të paktën 23 të vdekur.

Tre fëmijët e Islam Harbit u vranë në këtë sulm ndërkohë që po strehoheshin në shtëpinë e tyre me nëntë refugjatë të tjerë.

“Katër shtëpi u bombarduan me tre raketa të hedhura nga aeroplanët F16. Nëntë të zhvendosur nga pjesët tjera të Gazës dhe vajzat e mia binjake Maria e Jude u vranë, edhe djali im i vogël Ammar u vra”, tha ai.

Në pjesën qendrore të Gazës, spitali Al-Aqsa ka konfirmuar 33 viktima nga sulmet ajrore ndaj ndërtesave pranë kampit të refugjatëve Maghazi, në mesin e të cilëve 16 gra dhe katër fëmijë.

Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara sot pritet të votojë një rezolutë jo-të detyrueshme që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm humanitar, që palestinezët shpresojnë do të dëshmojë përkrahjen e gjerë botërore në favor të përfundimit të luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, që tashmë ka hyrë në muajin e tretë.

“Mesazhet e Asamblesë janë gjithashtu shumë të rëndësishme dhe reflektojnë opinionin e botës”, deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është një gjest simbolik, që vjen pas kundërshtimit të Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të rezolutës së mëparshme me peshë ligjore për armëpushim.

Sipas Ministrit izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, kjo fazë e ofensivës me luftime e ashpra tokësore dhe sulme ajrore mund të zgjasë me javë, ndërkohë që paralajmëroi që ushtria izraelite do të vazhdojë aktivitetet ushtarake me muaj në Gazë.

“Izraeli do të ndërmarrë të gjitha masat për të shkatërruar Hamasin, por ne nuk synojmë të qëndrojmë përgjithmonë në Rripin e Gazës. Po kujdesemi për sigurinë tonë dhe të qytetarëve tanë përgjatë kufijve me Gazën”, deklaroi ministri izraelit Gallant.

Izraeli dhe SHBA-të thonë se armëpushimi i mundëson Hamasit, organizatës së shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara, të mbetet në pushtet në Gazë, që do të ishte një fitore për grupin militant që synon shkatërrimin e Izraelit dhe që ekspertët konsiderojnë se ka një bazë të thellë të mbështetjes te palestinezët në Gazë dhe Bregun e pushtuar Perëndimor./ VOA

Lajmet

Rinumërim i votave në gjithë Kosovën, shkarkohen përfaqësuesit e partive politike në KKZ-në e Prizrenit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të rinumërohen votat për kandidatë në tërë Kosovën. Përveç rinumërimit edhe në 28 komuna tjera, u është ndërprerë mandati përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.

Ky vendim erdhi pas manipulimit të votave, të cilat janë vërtetuar nga rinumërimi i votave të kandidatëve në 10 komuna të Kosovës.  

Në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, është rekomanduar rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera dhe ndërprerja e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.

Kështu ka thënë kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi i cili tha se të gjeturat do të t’i adresojnë në Prokurorinë e Shtetit.

Sot, para mbledhjes së KQZ-së, ky raport është diskutuar në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, nga ku kanë dalë dy rekomandime kryesore: Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera; Ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit. Në fund, në emër të KQZ-së, ritheksojmë se gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe në të njëjtën kohë ofrojmë bashkëpunimin e plotë institucional në procesin hetimor”, u shpreh Radoniqi.

Ai tha se procesi i rinumërimit të votave në 10 komunat është në zhvillim e sipër.

Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve për rinumërimit, Radoniqi tha se tregon se procesi i i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi

“Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi. Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29,343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16,366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN. Megjithatë, në komunat tjera të rinumëruara nuk vërehen dallime të mëdha në votat e kandidatëve. Ndryshimet përfshijnë gabimet eventuale të regjistrimit të votave të kandidatëve dhe shtimin e votave si rezultat i rivlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme, por në vendvotime të caktuara janë evidente ndryshime të mëdha tek disa kandidatë“, ka shtuar Radoniqi.

Continue Reading

Lajmet

UBT prezanton Platformën e Reagimit të Sigurisë Kombëtare – NSRP

Published

on

By

UBT ka lansuar NSRP (National Security Response Platform), një sistem interaktiv i dizajnuar për të trajnuar studentët dhe profesionistët në menaxhimin e krizave të sigurisë dhe reagimin ndaj incidenteve kibernetike. Ky sistem lejon përdoruesit të simulojnë situata reale të krizave dhe të marrin vendime strategjike në kohë reale, duke i përgatitur për sfidat komplekse të sigurimit kombëtar.

Karakteristikat kryesore të platformës:

  • Simulatori Interaktiv i Krizave: Ofron simulime të detajuara të krizave kombëtare, përfshirë sulme kibernetike, kriza diplomatike dhe emergjenca të sigurisë.
  • Harta Interaktive Globale: Një hartë botërore interaktive vizualizon vendndodhjen e krizave, aktorët e përfshirë dhe lëvizjet gjeografike të ngjarjeve në kohë reale, duke ndihmuar studentët të kuptojnë dimensionin gjeografik të sigurisë kombëtare.
  • Sistemi i Vendimmarrjes Multialternative: Çdo krizë ofron vendime kritike me pasoja të ndryshme. Platforma analizon zgjedhjet e përdoruesve dhe ofron feedback të detajuar mbi ndikimin e vendimeve.
  • Panel Administrimi: Instruktorët mund të krijojnë, modifikojnë dhe fshijnë skenarë simulimi, duke personalizuar përvojën edukative sipas nevojave akademike.
  • Sistemi i Vlerësimit dhe Feedback: Përdoruesit marrin një analizë të performancës së tyre, përfshirë pasojat afatshkurtra dhe afatgjata të vendimeve, si dhe sugjerime për përmirësim.
  • Skenarizimi i Ngjarjeve Dinamike: Krizat evoluojnë në mënyrë dinamike në bazë të vendimeve të përdoruesit, duke krijuar një përvojë realistike dhe të përqendruar në praktikë.

Platforma është krijuar nga UBT-CERT (Computer Emergency Response Team), e projektuar për programin e Studimeve të Sigurisë në UBT dhe ofron një mjet praktik për të kuptuar kompleksitetin e menaxhimit të krizave kombëtare. Studentët mund të testojnë strategji të ndryshme, të mësojnë nga gabimet dhe sukseset e tyre, dhe të zhvillojnë aftësi kritike të mendimit strategjik, të gjitha brenda një mjedisi të sigurt dhe të kontrolluar.

Kjo iniciativë e UBT synon të forcojë aftësitë praktike të studentëve dhe t’i përgatisë ata për sfidat reale të sigurisë kombëtare dhe teknologjive moderne.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Mekatronikës në UBT realizojnë vizitë studimore në “Auto Kaçandolli” në Prishtinë

Published

on

By

Studentët e vitit të tretë të programit Inxhinieri e Mekatronikës në UBT kanë realizuar një vizitë studimore në kompaninë e mirënjohur “Auto Kaçandolli” në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve praktike që synojnë ndërlidhjen e dijes akademike me industrinë.

Të shoqëruar nga profesori i lëndës, Betim Shabani, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset moderne të diagnostikimit, mirëmbajtjes dhe servisimit të automjeteve, si dhe me teknologjitë bashkëkohore që përdoren në fushën e mekatronikës automobilistike.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e kompanisë prezantuan pajisjet e avancuara teknologjike, sistemet elektronike të automjeteve dhe mënyrën e integrimit të mekanikës, elektronikës dhe informatikës – fusha këto që përbëjnë thelbin e programit të Mekatronikës në UBT.

UBT është lider në ofrimin e programeve inovative dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit me industrinë, duke e bërë programin e Inxhinierisë së Mekatronikës një nga drejtimet më të kërkuara dhe me perspektivë të lartë punësimi.

Continue Reading

Lajmet

Ministria e Financave me njoftim për pagën minimale në sektorin privat

Published

on

By

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe njëherë janë deklaruar për çështjen e pagës minimale në sektorin privat, ku thonë se tashmë është rritur nga 350 euro bruto në 425 euro bruto, duke hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti.

Ata tregojnë për dy fazat, duke thënë se kjo rritje përbën një masë të rëndësishme për rritjen e mirëqenies së punëtorëve dhe përafrimin e pagës minimale me kushtet aktuale të tregut të punës.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se paga minimale në sektorin privat është rritur nga 350 € bruto në 425 € bruto, duke hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti.

🔹Zbatimi i vendimit për rritjen e pagës minimale do të realizohet në dy faza ashtu që të jetë më e lehtë për punëdhënësit t’i përshtaten ndryshimit në mënyrë graduale.

🔹Faza e dytë do të fillojë më 1 korrik, kur paga minimale do të arrijë në 500 € bruto.

Kjo rritje përbën një masë të rëndësishme për rritjen e mirëqenies së punëtorëve dhe përafrimin e pagës minimale me kushtet aktuale të tregut të punës.

Institucionet përgjegjëse do të sigurojnë zbatimin e plotë dhe të rregullt të këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Continue Reading

Të kërkuara