Grupi Parlamentar i PDK-së ka lëshuar sallën e Kuvendit, pas atij të LDK-së, raporton Ekonomia Online.
Në Kuvend është parandaluar një përleshje fizike ndërmjet ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit dhe deputetëve të PDK-së, Ardian Kastrati dhe Memli Krasniqi.
Kastrati e ka quajtur “legen” ministrin Peci.
Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Hajdar Beqa për pak sa nuk është përleshur fizikisht me deputetin e VV-së, Besim Muzaqi, krejt për shkak të Gjykatës Speciale.
Menjëherë kanë ndërhyre deputetët tjerë që të mos vazhdojë përplasja.
Pas replikave të ashpra pozitë-opozitë, kryesuesja e Kuvendit, Saranda Bogujevci dha pauzë deri në ora 12:00.
Replika të ashpra erdhën pas deklaratës së ministres Donika Gërvalla dhe deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri lidhur me Gjykatën Speciale.
Gërvalla tha se Gjykata Speciale nuk është instaluar nga Serbia, por është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe për këtë iu drejtua deputetëve të PDK-së “fajtor jeni ju”.
Ndërkaq, Tahiri i ka reaguar ministres Gërvalla, duke shtuar se është përfaqësuese e Serbisë në Kosovë dhe se është turpi i diplomacisë.
Më pas situata u tensionua edhe pas fjalimit të Arben Gashit, për çka LDK lëshoi seancën.
Tahiri, ka kërkuar gjithashtu që seancat të mos i udhëheq Saranda Bogujevci, pasi sipas tij po krijohet situatë e pakëndshme.
Ai tha se për shkak të saj një pjesë e opozitës e lëshoi sallën, e prezentë nuk do të jenë as deputetet e PDK-së.
“Ju sot degjeneruat me udhëheqjen e kësaj seance, opozita e lëshoj seancën. Ti nuk je ai që na tregon neve çka me fole sepse e degjenerove seancë”.
“Kërkojmë që kryesia të mbledhet dhe mundësisht ti mos mi mbajt seancat e rradhës se po shkakton degjenerim, pra pakujdesia e padinjejia juaj e krijoi një situatë të pakëndshme, edhe ashtu po i vononi seancat”.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Kosovë më 12 qershor 2026, në orët e mbrëmjes.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për rregullimin e trafikut gjatë lëvizjes së eskortës dhe aktiviteteve të delegacionit.
Për shkak të itinerarit të lëvizjes së eskortës nga pika kufitare në Vërmicë dhe aktiviteteve zyrtare gjatë ditës, pritet të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore, si dhe riorientim të trafikut në rrugë alternative në intervale të shkurtra kohore.
Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik gjatë zhvillimit të vizitës./A.K/
Ka nisur edicioni i tetë i festivalit “Mitrovica Guitar Days”, i cili po sjell në Mitrovicë artistë dhe kitaristë të njohur ndërkombëtarë, koncerte dhe aktivitete të ndryshme artistike që po e pasurojnë jetën kulturore të qytetit.
Festivali është hapur me një performancë nga artistja me renome botërore Carlotta Dalia, e cila ka sjellë një mbrëmje të veçantë me interpretime mbresëlënëse për publikun.
“Mitrovica Guitar Days” vazhdon të afirmohet si një prej festivaleve më të rëndësishme të kitarës në vend, duke krijuar hapësirë për shkëmbim artistik, zhvillim profesional dhe promovim të muzikës.
Ngjarja mbështetet nga Ministria e Kulturës përmes një financimi trevjeçar, me synim zhvillimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të festivalit. Në koncertin hapës ka marrë pjesë edhe zëvendësministrja Nora Arapi-Krasniqi./A.K/
Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për programin bërthamor dhe Ngushticën e Hormuzit pritet të nisin vetëm pas nënshkrimit të një marrëveshjeje paraprake mes dy vendeve, sipas raportimeve të mediave iraniane dhe ndërkombëtare.
Sipas IRNA, Teherani ka paraqitur një paketë kushtesh që duhet të përmbushen para se të kalohet në negociata të plota. Dokumenti konsiderohet paraprak dhe ende nuk është miratuar përfundimisht nga autoritetet iraniane, ndërsa bisedimet e detajuara pritet të zhvillohen brenda 60 ditëve pas arritjes së kornizës fillestare.
Në këtë fazë fillestare, Irani kërkon garanci politike, ekonomike dhe ushtarake nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, si dhe një qasje të re ndaj sanksioneve dhe pranisë ushtarake në rajon. Zhvillimet po ndiqen nga afër edhe nga tregjet ndërkombëtare për shkak të ndikimit që mund të kenë në sigurinë e Lindjes së Mesme dhe furnizimin global me energji.
14 kushtet e paraqitura nga Irani janë:
Ndalim i menjëhershëm i luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin
Angazhim i SHBA-së për mosndërhyrje në punët e brendshme të Iranit
Respektim i sovranitetit të Iranit
Heqje e plotë e bllokadës detare brenda 30 ditësh
Rifillim i lundrimit në Ngushticën e Hormuzit brenda 30 ditësh
Angazhim i SHBA-së për tërheqjen e trupave nga zonat kufitare me Iranin
Pezullim i sanksioneve ndaj naftës, petrokimikës dhe derivateve
Qasje e plotë e Iranit në burimet e tij financiare
Plan rindërtimi për Iranin me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë
Fillimi i negociatave për marrëveshjen përfundimtare bërthamore brenda 60 ditëve
Konfirmim i angazhimit të Iranit ndaj Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore
Mosvendosje e sanksioneve të reja gjatë negociatave
Zhbllokim i 24 miliardë dollarëve asete iraniane gjatë procesit
Krijimi i një mekanizmi monitorues për zbatimin e marrëveshjes
Sipas IRNA-s, këto kushte përbëjnë bazën e dokumentit paraprak, ndërsa SHBA dhe Irani ende nuk kanë arritur një dakordim përfundimtar.
Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje reale prej 5.43 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Sipas ASK-së, rritjen më të madhe e kanë shënuar sektori i administratës publike, arsimit, shëndetësisë dhe aktiviteteve të punës sociale me 22.11 për qind, ndërsa rritje është regjistruar edhe në sektorin e arteve, argëtimit dhe çlodhjes me 13.11 për qind.
Kontribut në rritjen ekonomike kanë dhënë gjithashtu aktivitetet financiare dhe të sigurimit, sektori i industrisë, informacioni dhe komunikimi, ndërtimtaria, bujqësia dhe tregtia.
Sa i përket qasjes së shpenzimeve, ASK bën të ditur se eksporti i mallrave dhe shërbimeve ka shënuar rritjen më të lartë, prej 17.26 për qind./A.K/