Lajmet

Oda Amerikane shprehet e shqetësuar me marrëdhëniet aktuale të Kosovës me aleatët e saj

Published

on

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me iniciativat e fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, e të cilat nuk janë koordinuar me aleatët dhe partnerët strategjikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Në reagimin e kësaj Ode thuhet se veprimet e tilla kanë ngritur shqetësime tek shtetet që e kanë mbështetur me vendosmëri Kosovën përgjatë gjithë rrugëtimit të saj drejt shpalljes së pavarësisë dhe në procesin e vazhdueshëm të shtet ndërtimit.

“Oda Amerikane është veçanërisht e shqetësuar me deklaratat e partnerëve kryesorë të Kosovës në lidhje me zbehjen e entuziazmit për mbështetjen e rrugës euroatlantike të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, duke përfshirë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Dështimi i fundit për të siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës është një shembull i qartë i rënies së mbështetjes”, thuhet në reagim.

Më tej OEAK shprehet se ‘suksesi i Kosovës në skenën ndërkombëtare ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me marrëdhëniet e forta që ajo ka kultivuar me aleatët e saj. Këto partneritete jo vetëm që kanë forcuar pozitën politike të Kosovës, por gjithashtu kanë qenë jetike në nxitjen e rritjes ekonomike. Kur Kosova vepron në përputhje me pritjet dhe udhëzimet e partnerëve të saj strategjikë, ajo dërgon një sinjal të fuqishëm të stabilitetit, besueshmërisë dhe përkushtimit ndaj vlerave të përbashkëta, cilësi këto thelbësore për tërheqjen dhe ruajtjen e investitorëve’.

“Veprimet e pakoordinuara, veçanërisht ato që janë në kundërshtim me këshillat e aleatëve kryesorë, rrezikojnë ta izolojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe të dobësojnë pozitën e saj në negociatat e rëndësishme. Ato gjithashtu mund të krijojnë një mjedis pasigurie që mund të dekurajojë investitorët potencialë, të cilët kërkojnë garanci se klima politike dhe ekonomike është e qëndrueshme dhe e parashikueshme. Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare ka qenë e rëndësishme në përparimin e Kosovës dhe çdo cenim i kësaj mbështetjeje mund të ketë pasoja me shtrirje të gjerë, si për ambiciet diplomatike ashtu edhe për ato ekonomike të vendit”.

Gjithashtu, Oda Amerikane është thellësisht e shqetësuar me diskursin e promovuar nga Qeveria, i cili po i kontribuon sentimenteve jomiqësore ndaj partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës. Një retorikë e tillë është e rrezikshme dhe mund të minojë ndjenjat e forta proamerikane dhe properëndimore që janë pasqyruar vazhdimisht në sondazhet e organizatave të njohura, duke përfshirë edhe atë të kryer së fundmi nga Instituti Republikan Ndërkombëtar. Çdo përkeqësim në këtë aspekt mund të ketë implikime serioze për të ardhmen e Kosovës, ndërsa qeveria aktuale duhet të jetë e vetëdijshme se do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo gërryerje të këtij besimi dhe mbështetjeje në mesin e popullatës.

“Oda Amerikane beson fuqishëm se Qeveria e Kosovës duhet t’i japë përparësi qasjes bashkëpunuese, duke shfrytëzuar fuqinë e aleancave të saj. Duke ruajtur kursin historik, i cili u ndërtua mbi bazën e besimit, dialogut dhe respektit të ndërsjellë me aleatët e saj, Kosova mund të vazhdojë të avancojë integrimin e saj euroatlantik, të përmirësojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe të krijojë një klimë më të favorshme biznesi dhe investimi”, thuhet në reagim.

Oda Ekonomike Amerikane i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në dialog të hapur dhe të sinqertë me partnerët e saj ndërkombëtarë, duke siguruar që të gjitha nismat e rëndësishme koordinohen me kujdes, me qëllim të mbrojtjes së interesave afatgjata të shtetit dhe ruajtjes së marrëdhënieve të forta të krijuara ndër vite./UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen dy zyrtarë të MPB-së, kundërligjshëm lëshonin lejeqëndrimi për shtetas të huaj

Published

on

Tre persona, prej tyre dy zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “falsifikim i dokumentit”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas disa muajsh hetime dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Sipas Prokurorisë, njëri nga të ndaluarit është zyrtar në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).

Të dyshuarit me inicialet F.Sh. dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa D.K. dyshohet për falsifikim të dokumenteve.

Sipas hetimeve fillestare, F.Sh. dhe G.J. dyshohet se kanë lëshuar lejeqëndrime për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacion përkatës dhe duke përfituar, dyshohet, dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërkaq, D.K. dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme për t’iu mundësuar personave të tjerë aplikimin dhe pajisjen në mënyrë të kundërligjshme me lejeqëndrim në Kosovë.

Për rastin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili ka mirëpritur aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe AKI-së, duke thënë se çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion apo cenim të besimit të qytetarëve do të trajtohet me seriozitet të plotë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

SHBA heton nëse Rusia ndihmoi Iranin në sulmet ndaj objekteve të CIA-s

Published

on

Shërbimet amerikane të inteligjencës po hetojnë nëse Rusia e ka ndihmuar Teheranin në kryerjen e sulmeve ndaj objekteve të CIA-s, kanë bërë të ditur për agjencinë e lajmeve Reuters katër burime amerikane.

Të paktën dy objekte të CIA-s në Lindjen e Mesme u goditën nga sulme me dronë iranianë në muajin mars.

Sipas burimeve, të cilat folën në kushte anonimiteti, zyrtarët amerikanë ende nuk kanë arritur në përfundime përfundimtare lidhur me përfshirjen e mundshme të Rusisë.

Megjithatë, efikasiteti dhe saktësia e sulmeve mund të jenë tregues se Irani ka marrë nga Rusia të dhëna për shënjestrimin ose teknologji të avancuar për dronë.

Sipas raportimeve, një stacion i CIA-s i vendosur në ambasadën amerikane në Riad të Arabisë Saudite, si dhe një objekt tjetër në lindje të Irakut, u goditën gjatë këtyre sulmeve.

Disa nga burimet i thanë Reuters se janë goditur edhe objekte të tjera të CIA-s, por nuk dhanë detaje të mëtejshme.

Duke dëshmuar para një komisioni të Senatit amerikan në Uashington, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, la të kuptohet se Rusia po ndihmon operacionet ushtarake të Iranit.

I pyetur nëse Rusia dhe Kina po e ndihmojnë Iranin, Hegseth u përgjigj: “Ka mënyra në të cilat të dyja këto vende, në nivele të ndryshme, po mundësojnë atë që Irani po bën, po”. /Reuters/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Moti sot, temperaturat deri në 29 gradë

Published

on

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta lokale.

IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8 deri 11 gradë Celsius, ndërkaq temperaturat maksimale nga 24 deri 29 gradë.

Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja, e lehtë deri mesatare 2–7 m/s./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rama: Shtëpia në “Rrugën A” është ndërtuar pa leje dhe në pronë komunale

Published

on

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me çështjen e shtëpisë në Rrugën A, duke sqaruar se ajo është ndërtuar pa leje dhe ndodhet në pronë komunale.

Rama ka bërë të ditur se familjet që kanë banuar në këtë shtëpi janë evakuuar para dy vitesh, për shkak të punimeve në “Rrugën A” dhe rrezikut nga rrëshqitja e dheut.

Sipas tij, pavarësisht se shtëpia është ndërtuar pa leje në pronë komunale, Komuna e Prishtinës ka paguar dhe vazhdon të paguajë shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara.

“Kryeqyteti ka paguar dhe vazhdon të paguajë shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara”, ka deklaruar Rama.

Ai u ka bërë thirrje personave që të mos hyjnë në këtë zonë, duke theksuar se ajo mbetet e rrezikshme për shkak të punimeve dhe mund të paraqesë rrezik për jetën e tyre dhe të ekipeve në terren.

Rama ka theksuar se prona komunale duhet të respektohet dhe të mbrohet sipas ligjit, njësoj si çdo pronë tjetër.

“Prona është e shenjtë. E tillë është edhe kjo pronë, pronë komunale, në pronësi të Komunës dhe si e tillë meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit”, ka thënë Rama. /A.K/

Continue Reading

Të kërkuara