Shqipëria po hedh hapin e radhës drejt modernizimit financiar me nismën kombëtare “Cashless Albania 2030”, që synon të rrisë ndjeshëm përdorimin e pagesave digjitale nga qytetarët dhe bizneset.
Programi parashikon ndërtimin e një infrastrukture të avancuar, të sigurt dhe funksionale, ku terminalet POS, platformat online, pagesat me QR dhe transfertat e menjëhershme të bëhen pjesë e përditshmërisë.
Në tryezën e prezantimit të programit, Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, theksoi se objektivi kryesor është rritja e përdorimit të pagesave elektronike dhe reduktimi i informalitetit në ekonomi.
Sipas saj, është e domosdoshme koordinimi i të gjitha iniciativave ekzistuese dhe bashkimi i aktorëve publikë e privatë për të arritur objektivat e përbashkëta.
“Ka iniciativa të ndryshme të cilat është e nevojshme t’i kokrrizojmë dhe t’i bashkojmë forcat për arritjen e objektivit. Qëllimi i programit është rritja e përdorimit të pagesave, reduktimi i informalitetit, përmirësimi i edukimit financiar dhe krijimin e një infrastrukture efikase elektronike, ku të gjithë aktorët të punojnë sëbashku, duke përmendur këtu terminalet, platformën qeveritare të pagesave apo QR kodin e përbashkët që duhet të na unifikojë të gjithëve. Ne duhet të kemi një komunikim të të dhënave zyrtare që ta ndihmojnë procesin e politikbërjes”, theksoi ajo.
Ministrja Ibrahimaj nënvizoi disa prej synimeve kryesore të “Cashless Albania 2030”.
“Rritja e përdorimit të pagesave elektronike në të gjithë vendin; Reduktimi i informalitetit dhe rritja e transparencës; Përmirësimi i edukimit financiar për qytetarët dhe bizneset; Krijimi i një infrastrukture efikase elektronike, me terminale POS dhe platforma të unifikuara; 60% e pagesave të jenë digjitale deri në vitin 2030; 100% e institucioneve publike të pranojnë pagesa elektronike“.
Ajo bëri të ditur se janë hartuar 12 masa konkrete, ndër të cilat përfshihet edhe krijimi i Këshillit për Pagesat Digjitale, një strukturë koordinuese që do të formalizohet me urdhër të Kryeministrit dhe që do të mbikëqyrë zbatimin e programit. Ministrja bëri të ditur se Këshilli për Pagesat Digjitale pritet të ngrihet zyrtarisht brenda muajit dhjetor, ndërsa mbledhja e parë synohet të zhvillohet më 19 dhjetor. Nga janari 2026, pritet të nisë implementimi i disa prej masave të para.
“Është një këshillë që do të formalizohet me një urdhër kryeministri, por që ka kompetenca të limituara dhe bëhet me qëllim të zbatimit të këtij projekti të përbashkët. Brenda muajit dhjetor dum të ngremë zyrtarisht Këshillin për Pagesat Digjitale dhe duam të propozojmë që mbledhja e parë e Këshillit të jetë në datën 19 dhe nga janari i 2026, presim fillimin e implementimit të disa prej masave”, tha Ibrahimaj.
Në këtë tryezë, Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se hapat e parë drejt reduktimit të parasë fizike tashmë kanë nisur, në përputhje me prioritetet e qeverisë dhe Paketën Fiskale që pritet të miratohet.
“Kemi filluar dhe jemi në linjë me prioritetet e vendosura nga qeveria, me Paketën Fiskale që po kalon. Janë ndërmarrë hapat e parë për reduktimin e cash. Është një objektiv i qeverisë që deri në vitin 2030 të eliminojmë cash, në mënyrë që të bëjmë një formalizim më të madh të ekonomisë shqiptare”, u shpreh Malaj./S.K/KP/