Lajmet

Numërimi i votave të diasporës! Kryeson LVV, pasohet nga LDK

Published

on

Nga numërimi i 19 kutive të votimit prej 43 sa janë në total nga votimi i diasporës në përfaqësitë diplomatike prin Lëvizja Vetëvendosje me 81.9% të votave apo 3305, pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 7.21% apo 291 vota.

E treta nga votat e diasporës në përfaqësitë diplomatike del Partia Demokratike e Kosovës me 5.75% me apo 232 vota, pasohet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që ka marrë 1.54% apo 62 vota nga diaspora që votoi në përfaqësitë diplomatike në 19 shtete të botës.

Gjithsej në procesin e votimit jashtë vendit në ambasada dhe konsulata morën pjesë në votim 15,352 shtetas të Kosovës që u regjistruan për votim fizik në përfaqësi diplomatike.

Pas numërimit të votave në përfaqësi diplomatike, do të nis numërimi i votave me postë të ardhura nga diaspora.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon të shpallë rezultatet përfundimtare deri më 5 mars dhe t’i certifikojë ato deri më 18 mars.

Lajmet

Arrestohet i dyshuari për vrasje në Podujevë

Published

on

Zyrtarë të Stacionit Policor Veriu në Prishtinë kanë lokalizuar dhe arrestuar një person i dyshuar i kërkuar për vrasje, në rastin e ndodhur më 6 shtator, në Llapashticë e Epërme e Podujevës.

Njësitet policore kanë ndërmarrë këtë operacion në Prishtinë, i cili ka rezultuar me arrestimin e A.H., (31).

I dyshuari është shtetas i Kosovës, i shpallur në kërkim nën dyshimin e bazuar për përfshirje në veprën në fjalë.

“Veprimet e mëtejme lidhur me personin e dyshuar do të merren në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në njoftim nga Policia e Kosovës./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Ndeshja Drita-Omonia përfundoi me barazim

Published

on

Drita e Gjilanit dhe Omonia Nikozi zhvilluan mbrëmë betejë të ashpër në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Të dyja skuadrat luftuan për fitoren e parë në Ligën Konferenca, ku Drita në ndeshjen e parë kishte nxjerrë një barazim, ndërsa ekipi nga Qipro ndeshjen e parë e kishte humbur.

Skuadra e Zekiria Ramadanit nisi mirë duelin duke shënuar qysh në minutën e 12-të me golin e Art Manajt, pas asistimit të Besnik Krasniqit, raporton KosovaPress.

Në minutën e fundit të pjesës së parë mysafirët erdhën deri te barazimi përmes mbrojtësit Giannis Masouras.

Drita në pjesën e dytë kërkoi golin për fitore, por futbollistët gjilanas nuk arritën të konkretizojnë rastet, teksa edhe mysafirët u treguan të rrezikshëm.

Pas kësaj ndeshje, Drita e Gjilanit ka dy pikë nga dy ndeshje të zhvilluara në Ligën Konferenca.

Ndeshjen e tretë gjilanasit do ta zhvillojnë kundër skuadrës irlandeze Shelbourne, në “Tallaght” Dublin, më 6 nëntor, nga ora 21:00.

Liga Konferenca ka gjithsej 36 ekipe ku secila luan gjashtë ndeshje kundër kundërshtarëve të ndryshëm, me tri ndeshje në shtëpi dhe tri jashtë. Tetë ekipet e para në ligë avancojnë direkt në raundin e 16 në fazën eliminuese.

Ekipet e renditura nga vendi i 9-të deri në të 24-tin hyjnë në një raund eliminator, ku skuadra me renditjen më të lartë përballet me atë me renditjen më të ulët në një barazim me dy ndeshje, ndërsa ekipet që përfundojnë nga vendi i 25-të deri në të 36-tin eliminohen nga gara.

Pas fazës së ligës dhe eliminatoreve, turneu kalon në fazën eliminuese, e cila përfshin barazime me dy ndeshje, përveç finales, e cila është një ndeshje e vetme./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Mblidhet KQZ-ja, pritet të vendosë për fushatën zgjedhore të raundit të dytë

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhjen e radhës dhe pika kryesore në rend të ditës do të jetë miratimi i planit të aktiviteteve për organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

Ky lajm është konfirmuar mëngjesin e së premtes nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, duke thënë se sot fillojnë nga ora 11:00.

Në mesin e këtyre aktiviteteve për të cilat do të vendosë KQZ janë edhe koha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025.

Gjithashtu, KQZ do të vendosë për periudhën e aplikimit dhe konfirmimit të vëzhguesve të subjekteve politike garuese si dhe për konfirmimin e vëzhguesve të mediave, OJQ-ve, përfaqësive diplomatike, etj.

Deri më tani, sipas rezultateve jopërfundimtare, raundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Xabi Alonso: Guler është një kombinim në mes Ozilit dhe Gutit

Published

on

Trajneri i Real Madridit Xabi Alonso e ka lavdëruar Arda Gulerin. Ylli i ri turk hasi në vështirësi për t’u ambientuar në Spanjë në fillim të eksperiencës së tij me “Los Blancos”, por ai po ia sheh hairin largimit të trajnerit Carlo Ancelotti, i cili nuk i jepte hapësira të mjaftueshme.

Me trajnerin e ri, Xabi Alonso, 20-vjeçari është bërë lojtar i rëndësishëm i “Merengues” duke startuar shpesh nga minuta e parë.

E ish-futbollistin e Fenerbahçes e ka ngritur në qiell trajneri i ri i Realit, të cilin e sheh si një kombinim mes ish-yjeve të madrilenëve.

“Për shkak të talentit që ai e ka, Arda është një përzierje në mes të Gutit dhe Ozilit. Guti sepse ai kishte pasur mundësi që të luante në shumë pozita sulmuese dhe Ozil sepse më pëlqente që luajta me të. Ne na duhet që ta mbështesim, ne jemi të lumtur me nivelin e tij të lojës”, deklaroi ish-trajneri i Bayer Leverkusenit për të përditshmen spanjolle “Marca”.

Mesfushori madrilen e pati një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen kundër Bardhezinjve ku edhe u shpall lojtari i ndeshjes.

Guler kishte pasur 96% të pasimeve të kompletuara, 10 prej tyre ishin në zonën e rrezikut.

Po ashtu, ai kishte kontribuar edhe në aspektin defanziv ku edhe e ka rrëmbyer topin 10 herë dhe i ka fituar 5 duele.

Sezonin e kaluar Arda kishte startuar vetëm në një ndeshje në grupe dhe nuk e ka pasur asnjë paraqitje në fazën eliminuese./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara