Lionel Messi ishte sërish në qendër të vëmendjes, duke shënuar dy gola të mrekullueshëm në ndeshjen e fundit, ndërsa Inter Miami arriti një fitore dramatike 3-2 ndaj Columbus Crew, duke siguruar kështu MLS Supporters Shield, titulli që jepet për skuadrën më të mirë gjatë sezonit të rregullt.
Në një ndeshje që mbante tensionin deri në fund, Messi tregoi përsëri aftësitë e tij të jashtëzakonshme. Ai shënoi golin e parë në minutën e 22-të, duke shfrytëzuar një asist të saktë nga Luis Suarez, dhe më pas shtoi golin e tij të dytë në minutën e 67-të me një goditje spektakolare nga jashtë zone. Luis Suarez gjithashtu kontribuoi në fitoren e ekipit duke shënuar golin e tretë, duke e çuar rezultatin në 3-1 para se Columbus Crew të ulte diferencën me një gol të vonshëm.
Ky titull përfaqëson suksesin e dytë në historinë e shkurtër të Inter Miami, pas fitimit të Kupës së Ligës në vitin 2023, vetëm disa javë pas ardhjes së Messi-t, Sergio Busquets dhe Jordi Alba në skuadër.
Për Lionel Messin, ky është trofeu i 46-të në karrierën e tij, duke e konsoliduar akoma më tej vendin e tij në mesin e futbollistëve më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Ai tani ka arritur 17 gola në 17 ndeshje në sezonin e tij të parë në MLS, duke shtuar gjithashtu 15 asistime në këtë periudhë. Pavarësisht se humbi 15 ndeshje të sezonit për shkak të angazhimeve me kombëtaren e Argjentinës dhe një dëmtimi, ai ka arritur të tregojë një formë të jashtëzakonshme.
Ky titull i siguron Inter Miami avantazhin e fushës në të gjitha play-offet e MLS, përfshirë finalen eventuale. Me dy ndeshje të mbetura në sezonin e rregullt, skuadra po kërkon të thyejë rekordin e më shumë pikëve në një sezon të vetëm, aktualisht me 68 pikë. Nëse arrijnë të fitojnë të dyja ndeshjet e mbetura, ata do të tejkalojnë rekordin e New England Revolution prej 73 pikësh, vendosur në vitin 2021.
Inter Miami tani shpreson të përfitojë nga ky momentum në play-offet, me Messi dhe Suarez në formën më të mirë të tyre, duke ndihmuar skuadrën të synojë suksesin në turneun e ardhshëm./UBTNews/
Përfaqësuesja U17 e Kosovës po vazhdon rrugëtimin në kualifikimet për Kampionatin Evropian U17, me ndeshjet që po zhvillohen në Kroaci.
Një prej elementeve më pozitive të kësaj gjenerate është numri i madh i talenteve shqiptare nga diaspora, të cilët po i përgjigjen ftesës së Kosovës nga vende të ndryshme evropiane, si Zvicra, Gjermania dhe shtete të tjera.
Në mesin e tyre është edhe Erdon Zeqiri, i lindur në vitin 2010, i cili është pjesë e klubit gjerman HFC Halle (Hallescher FC) dhe aktivizohet në futbollin gjerman.
Zeqiri përfaqëson një tjetër shembull të talenteve të reja shqiptare që po zgjedhin ta përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Prania e futbollistëve të rinj nga diaspora dëshmon se Kosova ka një potencial të madh për të ardhmen, ndërsa ftesat e përfaqësueses po shërbejnë si një mundësi që këta talentë të zhvillohen dhe të kontribuojnë me fanellën dardane.
Talenti i ri është një nga pasuritë më të mëdha të futbollit kosovar, ndërsa diaspora vazhdon të jetë një burim i rëndësishëm për gjeneratat e ardhshme të përfaqësueses.
Kombëtarja e Kosovës U21 është mposhtur me rezultat 2:0 nga Luksemburgu U21, në ndeshjen miqësore ndërkombëtare të zhvilluar sot.
Dardanët e rinj nuk arritën të marrin rezultat pozitiv në këtë përballje, duke e mbyllur ndeshjen pa gola të shënuar.
Golat për skuadrën mysafire i realizuan Mick Kirsch në minutën e 6-të dhe shqiptari Flavjo Hoxha në minutën e 65-të, i cili përfaqëson grupmoshat e reja të Luksemburgut.
Kosova pati mundësinë të barazonte në minutën e 25-të përmes Eliot Bujupit, por goli i tij u anulua për pozitë jashtë loje.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
D.L
Anulimi i takimit të planifikuar në Athinë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” ka nxitur reagime në Kosovë.
Për këtë çështje ka reaguar edhe Përparim Rama, i cili përmes një postimi ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti, duke kërkuar përgjegjësi për situatën e krijuar.
Sipas njoftimit të Komitetit Olimpik të Kosovës, takimi me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare është anuluar për shkak të mungesës së përgjigjeve, obligimeve të papërmbushura dhe moskonfirmimit të delegacionit brenda afatit të caktuar.
Rama ka shprehur shqetësimin për rrezikun që kjo situatë paraqet për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë më 2030, duke e cilësuar anulimin si një skandal dhe duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme nga kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës.
“Ky është skandal! Ky është turpi i shtetit tonë!”, ka shkruar Rama në reagimin e tij.