Lajmet

Nuk e dini çfarë lëkure keni? Zbuloni tani!

Published

on

90% e femrave nuk janë të afta të përcaktojnë me saktësi se ç`lloj lëkure kanë. Këtë e thonë edhe sondazhet.

Gratë e pyetura në grupmoshën 25-44 vjeç nuk arrijnë të dallojnë nëse lëkura e tyre është e yndyrshme, e thatë, e ndjeshme apo mikse. Në mungesë të njohurive bazë, ato rrezikojnë të përdorin produkte të papërshtatshme që mund ta përkeqësojnë gjendjen e lëkurës.

Përcaktimi i saktë i tipit të lëkurës është hapi i parë drejt kujdesit të shëndetshëm e të suksesshëm për fytyrën. Një lëkurë e trajtuar mirë jo vetëm që duket bukur, por është edhe më rezistente ndaj plakjes dhe ndotësve të ambientit.

Testet për lëkurën

Disa kompani kanë zhvilluar testime të thjeshta në shtëpi, që ndihmojnë për të identifikuar tipin e lëkurës e për të sugjeruar produkte të përshtatshme. Këto teste mund të kryhen dhe në farmaci apo qendra estetike me pajisje të specializuara që matin lagështinë, yndyrën dhe ndjeshmërinë e lëkurës.

Si reagon lëkura kur përdoren kremra të gabuar?

Kur përdoren produkte të papërshtatshme, lëkura aktivizon mekanizmat e saj mbrojtës, duke shfaqur simptoma të ndryshme:

▪ Lëkura e yndyrshme zhvillon akne kozmetike: pika të zeza, të bardha, puçrra dhe skuqje.
▪ Lëkura e ndjeshme reagon me skuqje të përhapura, kruarje dhe ndjesi djegieje.
▪ Lëkura e thatë irritohet shpejt, duke krijuar ndjesi shtrëngimi dhe zbokth të lehtë në sipërfaqe.

Gjëja e parë që duhet bërë është ndërprerja e menjëhershme e produktit, larja me ujë të bollshëm dhe, nëse shenjat vazhdojnë, konsultimi me një dermatolog.

Udhëzime për të identifikuar llojin e lëkurës

▪ Lëkura e yndyrshme është e lehtë për t’u dalluar: shkëlqen, ka pore të zgjeruara dhe shpeshherë puçrra. Por, mund të mashtrojë, duke u dukur e thatë, kur poret janë të bllokuara dhe yndyra nuk del në sipërfaqe.

▪ Lëkura e thatë është e varfër në ujë dhe yndyra, prandaj irritohet lehtë dhe rigjenerimi i qelizave është i ngadalësuar. Ndjesia e shtrëngimit pas larjes është një nga shenjat kryesore.

▪ Lëkura mikse është një kombinim: zona T (balli, hunda dhe mjekra) janë të yndyrshme, ndërsa faqet mund të jenë normale ose të thata

▪ Lëkura e ndjeshme reagon me skuqje të menjëhershme, kruarje a djegie pas ekspozimit në produkte të caktuara apo faktorë të jashtëm

Produktet që duhen shmangur dhe ato që rekomandohen:

▪ Për lëkurë të yndyrshme: zgjidh produkte pa vajra, jo-komedogjenike pa parafinë apo vajra mineralë. Ideal janë përbërësit si acidi salicilik dhe niacinamide, që ndihmojnë në kontrollin e yndyrës.

▪ Për lëkurë të thatë: kërkohen vajra me bazë bimore, si vaji i jojobës ose bajames, që hidratojnë dhe forcojnë barrierën e lëkurës. Përbërës si acidi hialuronik, glicerina dhe ceramidet janë thelbësorë.

▪ Për lëkurë të ndjeshme: shmang alkoolin, acidet agresive dhe aromatizuesit. Kërko produkte me aloe vera a kamomil që kanë veprim qetësues.

▪ Për lëkurë mikse: përdor krem të lehtë hidratues gjatë ditës dhe një krem ushqyes në mbrëmje që nuk ngarkon zonat e yndyrshme.

Këshillë shtesë:

▪ Mos e mbingarko rutinën me shumë produkte njëherësh.

▪ Bëj patch test para çdo produkti të ri: vendos sasi të vogël në pjesën e brendshme të parakrahut dhe vëzhgo për 24-48 orë.

▪ Kujdes nga ekspozimi i tepërt në diell, sidomos nëse lëkura është e ndjeshme ose përdoren acide (AHA, BHA).

Lajmet

Nga ‘Fadil Vokrri’ në Madrid: Një orë, dy sfida të mëdha

Published

on

By

Sot futbolli kosovar përjeton një moment unik pasi në të njëjtën kohë kur ekipi A zbret në fushën e “Fadil Vokrrit” për ndeshjen finale ndaj Turqisë, Kosova U21 do të sfidojë Spanjën në Madrid.

Të rinjtë tanë po luftojnë për një vend në “Europianin Shqipëri-Serbi 2027”, duke u përballur me liderin e grupit A që mban 18 pikë, ndërsa Kosova renditet në vendin e katërt me 8 pikë.

Pas humbjes 1-3 në ndeshjen e parë në Prishtinë, dardanët e rinj kërkojnë hakmarrjen ndaj spanjollëve, duke u mbështetur në formën e mirë që treguan me fitoret bindëse 4-0 ndaj Qipros dhe 7-0 ndaj San Marinos, si dhe barazimet pa gola kundër Rumanisë dhe Finlandës.

Kjo pasdite i gjen tifozët me vëmendje të ndarë mes Prishtinës dhe Madridit, në një përpjekje të dyfishtë për sukses ndërkombëtar.

Continue Reading

Lajmet

Kurti pret ekipin e OKB-së: Diskutohet Plani Strategjik 2026–2030 dhe forcimi i bashkëpunimit

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), të udhëhequr nga Koordinatori për Zhvillim, Stephen O’Malley. Gjatë këtij takimi, vëmendje kryesore iu kushtua prioriteteve të Planit Strategjik të UNKT-së për periudhën 2026–2030, si dhe zbatimit të Agjendës 2030 për zhvillim të qëndrueshëm.

Kryeministri Kurti vlerësoi lart faktin që prioritetet e këtij plani janë në përputhje të plotë me agjendën kombëtare të zhvillimit, duke mirëpritur vazhdimësinë e mbështetjes së OKB-së në vend. Gjatë diskutimit, ai vuri në dukje se ky partneritet është dëshmuar edhe përmes veprimeve konkrete financiare.

“Qeveria ka kontribuar edhe përmes bashkëfinancimit në programet e OKB-së në vend, duke nënvizuar përkushtimin e fortë të Kosovës ndaj bashkëpunimit me këtë organizatë,” ka thënë Kurti.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e UNKT-së prezantuan synimet për vitin 2026, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur institucionet e Kosovës si në aspektin zbatues, ashtu edhe në atë normativ. Fokus i veçantë në bisedë u vu mbi reformat dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, ku agjencitë e OKB-së mund të japin kontributin e tyre profesional.

“Jemi të gatshëm të mbështesim Qeverinë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e reformave, duke u fokusuar në fushat ku agjencitë tona mund të japin kontributin më të madh,” u theksua nga ana e përfaqësuesve të UNKT-së.

Takimi u përmbyll me dakordimin e të dyja palëve për të forcuar më tej mekanizmat e koordinimit dhe për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në dobi të proceseve zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet

27 vjet nga mizoria serbe në Rahovec e Malishevë, Osmani: Pa drejtësi s’ka paqe

Published

on

By

Sot, kur shënohet 27-vjetori i masakrës së Pastaselës së Rahovecit dhe asaj në Burim të Malishevës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rikujtuar viktimat e krimeve barbare të kryera nga regjimi serb në marsin e vitit 1999.

Përmes një komunikate për media, Presidentja Osmani ka theksuar se këto akte ishin pjesë e një makinerie vrasëse që synonte shfarosjen e popullit shqiptar, duke rikujtuar se më 31 mars 1999, në fshatin Pastaselë të Rahovecit, forcat serbe ekzekutuan brutalisht 106 civilë të pafajshëm.

E para e shtetit u shpreh se në Pastaselë u shpërfaqën përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor, duke e cilësuar këtë si një akt të qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli.

“Në Pastaselë të Rahovecit, 106 civilë të pafajshëm u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke shpërfaqur përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor. Ishte një akt i qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli,” u shpreh Osmani.

Ajo kujtoi gjithashtu se nga kjo masakër mbijetuan vetëm 13 persona, të cilët sot mbajnë mbi supe peshën e rëndë të dëshmisë për tmerrin e përjetuar.

Në të njëjtën ditë, makineria vrasëse e Serbisë goditi edhe fshatin Burim të Malishevës, ku u ekzekutuan mizorisht 42 civilë të tjerë.

Presidentja potencoi se pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, duke bërë thirrje që autorët e këtyre krimeve të dalin para përgjegjësisë dhe duke përfunduar mesazhin e saj me nderimin se qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët për liri.

Continue Reading

Lajmet

REL: Tarifat e reja të rrymës shtyhen për 1 maj

Published

on

By

Tarifat e reja të energjisë elektrike të parapara të hyjnë në fuqi më 1 prill, pritet të shtyhen deri më 1 maj, ka bërë të ditur kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu.

“Tarifat aktuale të energjisë elektrike do të mbesin në fuqi gjatë muajit prill, ndërsa tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj”, tha Fejzullahu për Radion Evropa e Lirë.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe përcaktimin vjetor të tarifave të energjisë elektrike, të cilat zakonisht shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Tre operatorët energjetikë në Kosovë, në muajin janar të këtij viti kanë kërkuar rritjen e tarifave të rrymës për vitin 2026.

Rritja e çmimit të rrymës është kërkuar nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).

KESCO ka kërkuar rritje mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, por nga ZRRE-ja thanë se ende nuk ka ndonjë shifër se sa do të jetë përqindja e rritjes së çmimit.

Për rritjen e kësaj përqindjeje, KESCO është thirrur në sasinë e madhe të importit të energjisë elektrike.

Po ashtu, Korporata Energjetike e Kosovës, (KEK), thuhet në aplikim, ka paraparë vazhdimin e projekteve të rehabilitimit të njësive gjeneruese, kësaj radhe në termocentralin Kosova B, njësia B1, me një kohëzgjatje të planifikuar prej rreth tetë muajsh, krahasuar me pesë muaj më 2025 për njësinë B2.

Kjo situatë sipas KESCO-s pritet që të kufizojë edhe prodhimin vendor dhe të rrisë varësinë nga importi.

Arsye tjetër në dokument përmendet edhe rritja e pagës minimale nga Qeveria e Kosovës.

Zyrtarë të ZRRE-së, në janar të këtij viti, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se “kërkesat do t’iu nënshtrohen shqyrtimit dhe se do të aprovohen vetëm kostot që vlerësohen si të arsyeshme”.

Sipas aplikimit të dorëzuar në ZRRE, KESCO ka kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale për vitin e ardhshëm të jenë 528.78 milionë euro.

Vitin e kaluar, KESCO kishte kërkuar të hyra të lejuara maksimale rreth 448 milionë euro, ndërsa ZRRE-ja kishte aprovuar rreth 436 milionë euro.

Ndërkaq, KEDS-i ka kërkuar 235 milionë euro apo 21 milionë euro më shumë se sa kërkesa fillestare e vitit të kaluar që ishte 214 milionë euro. Ndërsa, vitin e kaluar, ZRRE-ja i kishte aprovuar këto të hyra në vlerën prej 180.653 milionë euro.

Kurse kërkesa e KOSTT-it, që tha se synon të ofrojë shërbime më cilësore për konsumatorët, është mbi 99 milionë euro, nga rreth 102 milionë euro sa ishte vitin e kaluar. Vitin paraprak, ZRRE-ja kishte aprovuar këto të hyra në vlerën prej 88 milionë euro.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.

Kurse tarifat e lira që shfrytëzohen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovat paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë.

Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë paguajnë 7.28 centë për kilovat./REL/

Continue Reading

Të kërkuara