Mjalti klasifikohet sipas llojeve të luleve nga të cilat është mbledhur nektari. Cilësia, ëmbëlsia dhe vetitë medicinale varen nga burimi natyral i luleve, duke bërë që çdo lloj mjalti të ketë karakteristika dhe përfitime të veçanta.
Disa varietete kanë aromë të butë dhe delikate, ndërsa të tjerë ofrojnë shije më të forta dhe intensive.
Po ashtu, disa lloje njihen për fuqinë e tyre shëruese ndaj plagëve apo infeksioneve, ndërsa të tjerë ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut apo lehtësimin e dhimbjeve të fytit.
Mjalti i tërfilit: Vetitë e tij ndryshojnë sipas zonës ku prodhohet. Mund të ketë ngjyrë qelibari ose të bardhë. Ky lloj është i pasur me antioksidantë, përmban flavonoide që mbështesin funksionin e zemrës dhe mushkërive, si dhe acide fenolike që ndihmojnë sistemin nervor.
Mjalti i sherebelës: Ka ngjyrë të lehtë dhe kristalizohet ngadalë. Përveç vetive të tij antioksiduese, njihet edhe për ndihmën që jep në tretje dhe qetësimin e stomakut.
Mjalti i boronicës: Një zgjedhje ideale për përdorim të përditshëm. Ka veprim antibiotik natyral dhe studimet tregojnë se mund të ndihmojë në trajtime kundër sëmundjeve kronike.
Mjalti i luleradhiqes: Ka ngjyrë qelibari të errët dhe aromë karakteristike të luleve pranverore. Forcon sistemin imunitar, ndihmon shëndetin e zorrëve dhe traktit tretës.
Mjalti i hikërrorit: Me ngjyrë kafe të errët dhe shije të fortë, është i pasur me antioksidantë dhe substanca antibakteriale.
Ndihmon në trajtimin e kollës, uljen e kolesterolit, si dhe në shërimin e plagëve dhe kujdesin ndaj lëkurës.
Mjalti i luleve të egra: Përftohet nga nektari i shumë llojeve të luleve të egra, ndaj ngjyra dhe shija ndryshojnë sipas stinës. Ka efekte antioksiduese, ndihmon në qetësimin e kollës dhe besohet se lehtëson alergjitë sezonale.
Mjalti i shqopës: Ndër varietetet më të pasura me acide fenolike, ky mjaltë ndihmon në parandalimin e dëmtimeve qelizore që shkaktohen nga radikalet e lira. Përdorimi i tij lidhet me mbrojtjen e zemrës dhe forcimin e organizmit.
Përndryshe, mjalti mbetet një dhuratë natyrore me vlera të jashtëzakonshme, jo vetëm si ëmbëlsues, por edhe si aleat për shëndetin e trupit dhe forcimin e sistemit imunitar. /A.Z/UBT News/