Lajmet

Normalizimi me Kosovën, ndër kushtet e BE-së për avancimin e Serbisë

Published

on

Hapja e grupit të tretë të kapitujve për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, do të merret në konsideratë pasi ky vend të bëjë përparim të rëndësishëm në fushën e sundimit të ligjit – kapitujt 23 dhe 24 – si dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Kështu është thënë në versionin e përditësuar të draft-konkluzioneve për Serbinë, të cilat do të diskutohen të premten nga ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Në këtë dokument përsëritet se përparimi i Serbisë në fushën e sundimit të ligjit dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën “do të vazhdojë të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave të anëtarësimit”.

Konkluzionet për zgjerimin duhet të miratohen në nivel ambasadorësh dhe më pas të miratohen formalisht në takimin e ministrave për Çështje Evropiane, që do të mbahet më 17 dhjetor në Bruksel.

Negociatat mes Brukselit dhe Beogradit për anëtarësim të Serbisë në bllok, janë të ngrira kryesisht për shkak të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë nga ana e palës serbe.

Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull që nga dhjetori i vitit 2021.

Hungaria, e cila kryeson Bashkimin Evropian deri më 31 dhjetor, e ka lënë të hapur mundësinë për hapjen e grupit të tretë të kapitujve për Serbinë, për të cilin Komisioni Evropian konsideron se vendi është teknikisht i gatshëm.

Megjithatë, Hungaria është përballur me rezistencë nga një numër i caktuar shtetesh anëtare që, përveç problemit të harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së, këmbëngulin për përparim në sundimin e ligjit dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Për çdo vendim mbi mundësinë e hapjes ose mbylljes së kapitujve apo grupit të kapitujve në procesin e anëtarësimit, është i nevojshëm pëlqimi i të gjitha shteteve anëtare të BE-së.

Prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian, ndonëse ka aplikuar.

Lajmet

Sot deklaratat përfundimtare në lidhje me akuzat për administrim të drejtësisë

Published

on

Në Gjykatë Speciale gjatë ditës së sotme do të mbahen deklaratat përfundimtare në çështjen Thaçi dhe të tjerve, në lidhje me akuzat për administrim të drejtësisë.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësi ka vendosur që deklaratat përmbyllëse në çështjen “Prokurorja e Specializuar kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit” të jepen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026, duke filluar nga ora 09:30.

Caktimi i deklaratave përmbyllëse shënon përfundimin e paraqitjes së argumenteve të palëve në këtë proces gjyqësor, para se gjykatësi të marrë vendimin për rastin.

Sipas dosjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, veprat penale të paraqitura në aktakuza kanë lidhje me proceset zyrtare të Dhomave të Specializuara, përfshirë këtu hetimet e Zyrës së prokurorit të specializuar.

Aktakuza thotë se së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, Thaçi zbuloi informacion të fshehtë që i ishte bërë i njohur në gjykimin e tij, dhe së bashku me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn e Hajredin Kuçin, bashkërenduan për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen Thaçi dhe të tjerët./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vdekje e dyshuar në Leposaviq, trupi dërgohet për obduksion

Published

on

Një grua kosovare është gjetur pa shenja jete në Leposaviq.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 9 shtator, rreth orës 07:00. Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i gruas është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Rasti është duke u hetuar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Shoferi godet policin me veturë në Bërnjak, rasti nën hetim

Published

on

Një zyrtar policor është goditur nga një automjet gjatë një kontrolli në fshatin Bërnjak të Zubin-Potokut.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 9 shtator, rreth orës 16:25, në pikën e kontrollit kufitar në Bërnjak, ku ishte ndaluar një automjet me targa vendore.

Gjatë kontrollit të dokumenteve, vozitësi i dyshuar, mashkull kosovar, ka filluar lëvizjen me veturë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, me ç’rast ka goditur zyrtarin policor.

Viktima, zyrtar policor mashkull kosovar, ka pranuar tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit, rasti vazhdon të hetohet./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tri raste të dhunës në familje raportohen në Graçanicë, Prishtinë dhe Fushë Kosovë

Published

on

Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në rajonin e Prishtinës dhe në Graçanicë, ndërsa në njërin prej rasteve i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Graçanicë, më 9 shtator rreth orës 02:10, është raportuar se një grua kosovare është sulmuar fizikisht nga një burrë kosovar. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Ndërkohë, në Prishtinë, më 9 shtator është intervistuar një burrë kosovar, i dyshuar se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje kosovare. Pas konsultimit me prokurorin, i dyshuari është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.

Rasti i tretë është raportuar në Fushë Kosovë, më 9 shtator rreth orës 07:15, ku një burrë kosovar dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje kosovare.

Pas intervistimit të palëve dhe me vendim të prokurorit, rasti vazhdon të procedohet në procedurë të rregullt./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara