Lajmet

Njohja e diplomave të Luginës – Nagavci: Jemi të angazhuar maksimalisht për të gjetur zgjidhje

Nagavci: Jemi duke e trajtuar me prioritet njohjen e diplomave.

Published

on

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, tha se janë duke punuar për njohjen e diplomave të studentëve nga Lugina e Preshevës, duke shtuar se nuk do ta neglizhojnë këtë çështje, raporton Ekonomia Online.

 Në një intervistë për Ekonomia Online, Nagavci, tha se janë duke i trajtuar me prioritet njohjen e diplomave për të gjithë studentët që kanë përfunduar studimet jashtë vendit.

“Po njohja e diplomave është një proces i cili menaxhohet nga Ministria e Arsimit dhe kjo është jo vetëm për studentët e Luginës por këtu tek ne edhe për studentët e tjerë që i kanë kryer studimet në vendet e ndryshme të Botës apo edhe ata që në të kaluarën kanë pasur disa vështirësi. Janë probleme te kamotshme të cilat ne jemi duke i trajtuar me prioritet, besoj do angazhohemi fort që të gjejmë një zgjidhje ashtu që për të gjitha ato çështje dhe studentët mos të pësojnë që pa fajin e tyre kanë ardhur në një situatë ku për shkak të neglizhencës, pakujdesisë apo edhe dështimit të qëllimshëm të personave që kanë pasur përgjegjësi, t’i vuajnë pasojat tashmë studentët”, tha ajo.

Tutje, Nagavci ka folur edhe rreth mësimit plotësues që po mbahet nëpër shkolla për kompensimin e ngecjeve në mësimnxënie.  Ajo tha se ka qenë sfidë, pasi ka qenë përvojë e re për mësimdhënësit.

“Po mund të jetë, por përveç që është sfidë, është më tepër angazhim për mësimdhënësit, dhe ka shumë shkolla që edhe ashtu shumë mësimdhënës kanë mbajtur mësimin plotësues për nxënësit që kanë pasur vështirësi në nxënie, ashtu edhe për pjesën tjetër, pra ka qenë një përvojë e re për mësimdhënësit, por në anën tjetër ajo se çfarë pajtohem është se ka qenë vendosja e nxënësve nëpër klasë të ndryshme që ka sjell nevojë për kujdes më të shtuar dhe që duhet të menaxhohet më mirë në të ardhmen”.

Ministrja Nagavci tha se do duhet një kohë e gjatë që të kompensohen dëmet e shkaktuar nga pandemia në arsim.

“Po ka qenë mjaft sfiduese, nuk është se janë bërë hulumtime të sakta edhe të plota, por që pandemia ka sjell mjaft pasoja dhe do të na duhet një kohë e gjatë që t’i plotësojmë dëmet e shkaktuara nga pandemia”, theksoi tutje ajo.

Tutje, ajo tha se janë duke punuar maksimalisht që të kompensojnë humbjet nga pandemia dhe të përmirësojnë gjendjen në arsim.

“Po pranimi i detyrës time ka qenë edhe ashtu në një gjendje jo të mirë, ku përveç sfidave që ballafaqohet arsimi ndër vite e me dekada tashmë kemi filluar punën me kohën kur jemi përballë edhe me kushtet e pandemisë kështu që jemi munduar për sa është e mundur të kompensojmë edhe humbjet që janë krijuar nga pandemia dhe të sigurohemi për shëndetin e nxënësve dhe të mësimdhënësve që të mos na mungojnë edhe rezultatet në mësimdhënie dhe mësimnxënie”, deklaroi Nagavci për Ekonomia Online.

Continue Reading

Lajmet

Rutte nga Shkupi: KFOR-i mbetet garantues i fuqishëm i sigurisë në Kosovë

Published

on

By

Gjatë një vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka rikonfirmuar se misioni i KFOR-it do të mbetet i fuqishëm dhe plotësisht i aftë për të përmbushur detyrat e tij në Kosovë.

Rutte vlerësoi lart partneritetin me Shkupin, duke theksuar se ky shtet ka qenë një mbështetës i kahershëm i forcave paqeruajtëse.

“Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it dhe për këtë ju falënderoj. KFOR-i vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij”, deklaoroi Rutte.

Nga ana tjetër, vetë misioni i KFOR-it ka sqaruar se për momentin nuk ka ndryshime rrënjësore në strukturën apo numrin e forcave të saj, por aleanca rishikon dhe përshtat periodikisht praninë e saj në varësi të zhvillimeve në terren.

Për momentin, në Kosovë shërbejnë mbi 4,600 trupa të KFOR-it, ku Italia prin me mbi 900 ushtarë, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një rol kyç me rreth 600 trupa të dislokuara.

Continue Reading

Lajmet

UBT sjell në Kaçanik një reflektim akademik mbi trashëgiminë moderne përmes ekspozitës ‘Modernizmi në Kaçanik 1945–1990’

Published

on

By

Në praninë e përfaqësuesve të institucioneve lokale nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Hanit të Elezit, stafit akademik dhe studentëve të interesuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, u bë hapja solemne e ekspozitës “Modernizmi në Kaçanik 1945–1990”, një projekt hulumtues dhe prezantues i kushtuar zhvillimit arkitektonik, urban dhe kulturor të periudhës së modernizmit në qytetin e Kaçanikut.

Ekspozita, e organizuar, punuar dhe kuruar nga profesori Kujtim Elezi në bashkëpunim me një grup studentësh të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, përfaqëson një angazhim të drejtpërdrejtë akademik dhe praktik të studentëve në dokumentimin, analizimin dhe interpretimin e trashëgimisë moderne arkitektonike.

Përmes hulumtimeve në terren, mbledhjes së materialeve arkivore, analizave grafike dhe prezantimeve vizuale, studentët kanë sjellë një pasqyrë të strukturuar të transformimeve urbane dhe arkitektonike që kanë shënuar Kaçanikun në periudhën 1945–1990.

Ky projekt dëshmon qasjen bashkëkohore të Departamentit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, i cili integron mësimdhënien teorike me punën kërkimore dhe angazhimin praktik në komunitet.

Përmes kësaj ekspozite, studentët jo vetëm që kanë zhvilluar aftësitë e tyre profesionale në analizë urbane dhe interpretim arkitektonik, por kanë kontribuar edhe në ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e ruajtjes dhe rivlerësimit të trashëgimisë moderne. Ekspozita synon të nxisë reflektim akademik dhe diskutim profesional mbi vlerat e modernizmit dhe ndikimin e tij në formësimin e identitetit arkitektonik bashkëkohor, duke e vendosur dialogun mbi trashëgiminë në një kontekst aktual të zhvillimit urban.

Continue Reading

Lajmet

REL: Kosova në valën e shtrenjtimit global të karburanteve

Published

on

By

Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë.

Më 3 mars, një litër naftë në disa pika karburanti arriti në 1.39 euro, ndërsa benzina në 1.38 euro.

Një ditë më parë, çmimet ishin deri në 1.25 euro për naftë dhe 1.24 euro për benzinë.

Lëvizja e shpejtë e tregut vendor nuk është rastësi – ajo pasqyron përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe tronditjen e zinxhirit global të furnizimit me energji.

Tensionet gjeopolitike dhe efekti domino

Rritja u nxit nga tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, që shtynë çmimin e naftës Brent – standardi global i referencës – të rritet deri në 10 për qind më 1 mars.

Pasiguria për ndërprerje të furnizimeve u shtua veçanërisht pas pezullimit të një pjese të dërgesave përmes Ngushticës së Hormuzit.

Kjo ngushticë, përmes së cilës kalon mbi një e pesta e furnizimeve ditore globale me naftë, shërben si arterie eksporti për vende si Irani, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku.

Çdo rrezik për bllokim apo kufizim të qarkullimit përkthehet menjëherë në rritje të kostove të sigurimit dhe transportit dhe, për rrjedhojë, në çmime më të larta në tregjet botërore.

Kosova, plotësisht e varur nga importi

Kosova nuk ka rafineri të saj dhe furnizohet tërësisht nga importet.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, vendi importoi mbi 478 milionë euro naftë dhe më shumë se 51 milionë euro benzinë.

Furnizimet kryesore vijnë nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës.

Kjo varësi strukturore e bën tregun vendor jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëkundjeve globale.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet mund të vazhdojnë të lëvizin, pasi kompanitë furnizohen sipas çmimeve aktuale të bursës dhe nuk mbajnë rezerva të mëdha.

Ai shton se nuk ka vend për panik dhe se nuk priten mungesa në treg, por thekson se dinamika e çmimeve mbetet e varur nga zhvillimet ndërkombëtare.

Institucionet mes paralajmërimeve dhe masave të përkohshme

Përballë rritjes së shpejtë të çmimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Kosovës njoftoi për një intensifikim të inspektimeve dhe përgatitje të raporteve ditore mbi çmimet.

Sipas ministrisë, në rast të rritjeve të pajustifikuara mund të aplikohen masa mbrojtëse dhe rregullim i përkohshëm i çmimeve, me mbikëqyrje nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore.

Një vendim i ngjashëm u mor më 16 dhjetor 2025 nga ministrja e atëhershme Rozeta Hajdari, duke përcaktuar marzhë maksimale tregtare prej 2 centësh për litër në shitje me shumicë dhe prej 12 centësh për litër në shitje me pakicë. Ky vendim qëndroi në fuqi vetëm 30 ditë. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Mbishkrime nacionaliste serbe në Ambasadën e Kosovës në Berlin

Published

on

By

Mbishkrime me përmbajtje fyese dhe shoviniste në gjuhën serbe janë vendosur në objektin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin.

Për këto veprime ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.

“Mbishkrimet e vendosura përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si ‘Nuk ka dorëzim’, ‘Kosova është Serbi’ dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD njofton se, pas identifikimit të këtij akti, janë informuar autoritetet gjermane.

“Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve”, bën të ditur Ministria.

Gjithashtu, MPJD ka dënuar këtë akt vandalizmi dhe çdo përpjekje tjetër për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike, si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Të kërkuara