Kulturë

Njerëzit e kënaqur nuk ua prishin jetën të tjerëve

Nuk kanë arsye të përpiqen të sabotojnë rrugët e njerëzve të tjerë.

Published

on

Njerëzit që janë të kënaqur me ekzistencën e tyre, ata që kanë një ndërgjegje të pastër dhe që përballen me ditët me një buzëqeshje, nuk e shkatërrojnë jetën e të tjerëve, nuk kanë arsye të përpiqen të sabotojnë rrugët e njerëzve të tjerë.

Njerëzit e kënaqur me ekzistencën e tyre, me siguri nuk përpiqen as të shkatërrojnë jetën e të tjerëve. Shumë njerëz të cilët janë të mërzitur gëzojnë kur pengojnë të tjerët, duke i bërë ata të ndjehen të paaftë. Në realitet kjo sjellje pasqyron jetën e tyre të trishtuar, sepse ata që janë të lumtur nuk e humbasin kohën duke u përpjekur të sabotojnë ata që takojnë.

Me siguri do të humbnim një ditë të tërë nëse secili prej nesh fillon të llogarisë se sa njerëz përpiqen për të na distancuar nga qëllimet tona. Për fat të keq, shumë nuk kanë drejtim, ata nuk kanë asnjë ide se çfarë të bëjnë me jetën e tyre. Pra, në vend që të përdorin kohën e tyre për t’u rritur, ata preferojnë të provokojnë ata që bëjnë diçka produktive në një përpjekje për të minuar besimin e tyre.

Dhe është trishtuese, sepse çdo herë që jemi të lumtur për diçka të mirë, pothuajse nuk e shijojmë momentin për shkak të dikujt që përpiqet të minimizojë suksesin tonë. Dhe ai e bën atë qëllimisht, për të na ndotur me energjitë e tij negative. Dhe është e kuptueshme të ndihemi të zemëruar, por duhet të përpiqemi të jemi më të fortë, të buzëqeshim dhe të shkojmë përpara në rrugën tonë.

Në fakt, shumica e këtyre njerëzve nuk e kanë kuptuar ende atë që dëshirojnë në jetë, ata nuk e dinë se cilën rrugë të marrin, zgjohen në mëngjes dhe nuk dinë se për çfarë të buzëqeshin. Ata nuk janë armiq për t’u mposhtur, por njerëz që duhet të kërkojnë ndihmë për të mposhtur këtë pakënaqësi të përjetshme që i godet ata. Për veten tonë, ne nuk mund të bëjmë asgjë, por vetëm t’i injorojmë ato.

Dhe është e vërtetë, duhet shumë durim për të jetuar nën shoqërinë e tyre, por duhet të mendojmë se provokimet e tyre të vazhdueshme, gërmimet e tyre, janë një simbol i qartë i suksesit tonë, se po bëjmë diçka të mirë. Njerëzit të cilët janë të kënaqur dhe të fokusuar në vetvete zhvillojnë një forcë që nuk mund të shkatërrohet nga askush dhe që i sjell ato më afër qëllimit tjetër. Të frustuarit kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë gjithmonë, varet nga ne nëse do t’i lejojmë që të vjedhin paqen tonë apo jo.

Lajmet

Shtatë dekada nga lindja e “Godzilla-s”: Si lindi ikona japoneze e kinemasë nga hijet e epokës bërthamore

Published

on

By

Kur në kinematë e Japonisë u shfaq për herë të parë filmi Godzilla (Gojira), më 3 nëntor 1954 ndërsa në fund të nëntorit po atij viti nisën shfaqjet e gjera dhe jehona ndërkombëtare — pakkush mund ta parashikonte se një krijesë gjigante e dalë nga thellësitë e oqeanit do të shndërrohej në një nga simbolet më të njohura dhe më jetëgjata të kulturës botërore. Shtatëdhjetë e dy vjet pas premierës, vepra e regjisorit Ishirō Honda mbetet shumë më tepër sesa një film me efekte speciale të kohës; ajo është një dokument kulturor dhe një alegori e fuqishme e frikës njerëzore përballë fuqisë shkatërruese të teknologjisë bërthamore.

Konteksti historik në të cilin lindi filmi ishte thellësisht i ndjeshëm. Japonia po dilte ngadalë nga plagët e Luftës së Dytë Botërore dhe nga traumat e bombardimeve atomike në Hiroshima dhe Nagasaki në gusht të vitit 1945. Vetëm pak muaj përpara xhirimeve, në mars të vitit 1954, një incident i rëndë në oqeanin Paqësor e riktheu panikun: anija japoneze e peshkimit Daigo Fukuryū Maru (Dragoi me Fat 5) u ekspozua ndaj rrezatimit radioaktiv pas testimit të bombës hidrogjenore amerikane Castle Bravo në atolin Bikini. Ekuipazhi pësoi helmim të rëndë nga rrezatimi dhe njëri prej marinarëve humbi jetën, duke shkaktuar tronditje të madhe publike në mbarë vendin.

Pikërisht mbi këtë ankth kolektiv, producenti Tomoyuki Tanaka, regjisori Ishirō Honda dhe mjeshtri i efekteve speciale Eiji Tsuburaya ndërtuan konceptin e Godzilla-s. Në rrëfimin origjinal të vitit 1954, përbindëshi nuk është thjesht një armik i zakonshëm, por një qenie e lashtë e zgjuar dhe e shpërfytyruar nga testet bërthamore nënujore. Përmes imazheve bardh e zi, qytetit të Tokios në flakë dhe spitalit të mbushur me të plagosur nga rrezatimi, Honda solli në ekran një reflektim moral mbi përgjegjësinë e shkencës. Edhe personazhi i shkencëtarit Daisuke Serizawa, i cili shpik një armë tjetër shkatërruese të quajtur “Shkatërruesi i Oksigjenit”, përballet me dilemën etike nëse zbulimi i tij do të përdoret sërish për luftë nga njerëzimi.

Një rol të pazëvendësueshëm në identitetin e filmit luajti edhe muzika e kompozitorit Akira Ifukube. Motivet e rënda orkestrale, marshi ritmik dhe ulërima karakteristike e krijesës e krijuar duke fërkuar një dorezë lëkure të lyer me rrëshirë mbi telat e një kontrabasi u bënë menjëherë të njohura në mbarë botën. Ndërkohë, në mungesë të teknologjisë digjitale, Eiji Tsuburaya përdori teknikën e njohur si suitmation, ku aktori Haruo Nakajima veshi një kostum të rëndë prej gome dhe shkatërroi makete të punuara me imtësi të ndërtesave të Tokios.

Me kalimin e dekadave, Godzilla kaloi kufijtë e Japonisë, duke u përshtatur në dhjetëra filma, seriale televizive, libra komikë dhe videolojëra. Ndonëse në disa periudha u shndërrua në hero mbrojtës të Tokës apo figurë argëtuese për publikun e gjerë, esenca e tij e parë mbeti e gjallë, duke u rikthyer fuqishëm edhe në prodhimet bashkëkohore që fituan vlerësime kritike dhe çmime ndërkombëtare. Kështu, në fundjavat e kulturës botërore, historia e lindjes së Godzilla-s kujton se si arti dhe kinematografia mund ta shndërrojnë frikën më të madhe të një epoke në një gjuhë universale që flet për paqen dhe kujdesin ndaj planetit. /E.A/

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Kosova zë vendin e parë në rajon për edukimin joformal në Çmimin e Vullnetarizmit Edukativ

Published

on

Kosova ka zënë vendin e parë në kategorinë e edukimit joformal në kuadër të Çmimit Rajonal për Vullnetarizmin Edukativ, në mesin e nëntë shteteve pjesëmarrëse.

Çmimi iu nda Klubit të Super-Vullnetarëve “Dituria”, nga shkolla “Dëshmorët e Kombit” në Suharekë, për kontributin në promovimin e vullnetarizmit dhe edukimit joformal.

Vlerësimi u bë gjatë ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare, të organizuar nga TOKA, Instituti i Psikologjisë, Universiteti i Prishtinës dhe New Horizons Foundation. Konferenca mblodhi përfaqësues institucionalë, organizata dhe profesionistë nga Kosova dhe rajoni, me fokus promovimin e vullnetarizmit, edukimit joformal dhe mirëqenies së të rinjve.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe zëvendësministri i Sportit dhe Rinisë, Sejnur Veshall, zëvendësudhëheqësi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Alexis Hupin, ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Lirim Daci, si dhe drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe Çmimet Rajonale për Shëndetin Mendor, me të cilat u vlerësuan nismat që kontribuojnë në mirëqenien dhe mbështetjen e të rinjve.

Ndërkaq, zëvendësministri Veshall ndau edhe Çmimet e Vullnetarizmit të Vitit 2026 në kategorinë e rinisë. Për punën dhe ndikimin e tyre përmes angazhimit vullnetar u vlerësuan Hekuran Mustafa, Ernest Dula dhe Mjalta Lezi.

Ky vlerësim nënvizon kontributin e të rinjve nga Kosova në promovimin e solidaritetit, aktivizmit dhe përgjegjësisë shoqërore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Rikthim në traditë” sjell në Prishtinë fotografi historike të veshjeve popullore shqiptare

Published

on

Ekspozita “Rikthim në traditë – Veshjet popullore të shqiptarëve” është hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare Kosovë–Shqipëri.

Ekspozita është organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ku janë prezantuar fotografi historike nga fondet arkivore të të dy institucioneve.

Përmes këtyre fotografive, publiku pati mundësinë të shohë larminë dhe veçantinë e veshjeve tradicionale shqiptare, si dhe të njihet me aspekte të jetës së përditshme dhe figura të njohura të historisë, artit e kulturës shqiptare.

Përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, dr. Denald Prifti, vlerësoi kontributin e fotografëve të hershëm shqiptarë, përfshirë edhe fotografët e familjes Marubi, për dokumentimin e kësaj pasurie të trashëgimisë kombëtare.

Ai theksoi rëndësinë e fotografive historike në ruajtjen dhe përcjelljen e traditës te brezat e rinj, si dhe vlerën e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Ndërkaq, zëvendësdrejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Mehmed Xhemajli, i cilësoi veshjet popullore si një nga shprehjet më të pasura të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke veçuar xhubletën si dëshmi të rrallë të mjeshtërisë tradicionale.

Ekspozita synon të kontribuojë në ruajtjen, promovimin dhe përcjelljen e vlerave të përbashkëta të trashëgimisë kulturore shqiptare./A.K/

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Biblioteka e UBT-së pasurohet me romane dhe novela nga Ambasada Italiane

Published

on

By

Biblioteka e UBT-së në kampusin universitar është pasuruar me një donacion të ri nga Ambasada Italiane, i cili përfshin romane, novela dhe DVD.

Materialet e dhuruara do të jenë në dispozicion të studentëve të fakulteteve të UBT-së, si dhe të nxënësve të shkollave të mesme, duke u ofruar atyre mundësi shtesë për lexim, mësim dhe njohje me kulturën italiane.

Me këtë rast, rektori i UBT-së ka pritur ambasadorin italian dhe përfaqësuesit e Ambasadës Italiane në ambientet e kampusit. Gjatë takimit është bashkëbiseduar rreth donacionit dhe rëndësisë së pasurimit të fondit bibliotekar me materiale të reja edukative dhe kulturore.

Ky donacion kontribuon në promovimin e leximit, edukimit dhe shkëmbimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Italisë, duke krijuar më shumë mundësi për studentët dhe gjeneratat e reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara