Inspektorati Qendror i Punës ka ndërmarrë një aksion të gjerë inspektues në të gjithë territorin e Kosovës, duke u fokusuar në sektorët me rrezikshmëri të lartë. Në raportin e fundit 48-orësh, i cili shënon ditën e gjashtë të këtij aksioni, fokusi ka qenë tërësisht te sektori i ndërtimtarisë, ku janë realizuar 100% e inspektimeve.
Gjatë kësaj periudhe, inspektorët kanë shqiptuar masa të menjëhershme ndaj subjekteve ku janë hasur shkelje. Çdo rast ku është urdhëruar ndalimi i punimeve, shoqërohet automatikisht me kërkesë për dënim në Gjykatën për Kundërvajtje.
Ky proces synon që të gjitha bizneset që nuk respektojnë rregullat e sigurisë dhe shëndetit në punë, të përballen me pasojat ligjore menjëherë pas përfundimit të aksionit.
Inspektorati bën me dije se në ditët në vijim do të nisin riinspektimet për të parë nëse janë eliminuar parregullsitë e konstatuara. Punimet do të lejohen të vazhdojnë vetëm atëherë kur subjektet të vërtetojnë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të përmirësuar gjendjen e sigurisë në kantiere. Ky angazhim i Inspektoratit mbetet pjesë e përpjekjeve për të garantuar një mjedis më të sigurt për të gjithë punëtorët në vend.