I pyetur nga një gazetar në Shtëpinë e Bardhë të dielën nëse ishte gati të kalonte në “fazën e dytë” të sanksioneve kundër Rusisë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u përgjigj: “Po, jam”.
Presidenti amerikan nuk tha qartë nëse ishte i angazhuar ndaj një vendimi të tillë apo çfarë do të përfshinte faza e dytë, raporton The Guardian.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një emaili të dërguar të dielën ku pyetej për hapat që Trump po mendonte të ndërmerrte.
Trump tha të dielën në mbrëmje se “disa liderë evropianë do të vijnë në vendin tonë të hënën ose të martën individualisht” dhe se ai do të fliste së shpejti edhe me Vladimir Putinin.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha të dielën se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mund të vendosin “tarifa dytësore ndaj vendeve që blejnë naftë ruse”, duke e shtyrë ekonominë ruse në prag të kolapsit dhe duke e detyruar Vladimir Putinin të ulet në tryezën e negociatave. Kina është një blerës kryesor i eksporteve të energjisë ruse.
Trump ka vendosur një tarifë prej 50 për qind mbi mallrat indiane – zyrtarisht sepse India importon naftë ruse, megjithëse presidenti amerikan ka edhe pakënaqësi të tjera ndaj Indisë, të cilat raportohet se përfshijnë refuzimin e kryeministrit të saj për ta nominuar për çmimin Nobel të Paqes./D.B/KP