Lajmet

Një lugë uthull molle para gjumit për shëndet të mirë

Të mirat që vijnë nga uthulla.

Published

on

Lajmi se uthulla është e shkëlqyer për shëndetin ka marrë dhenë, por ky produkt të befason çdo ditë. Kur vjen puna tek uthulla, ka gjithmonë një dilemë e cila ka të bëjë kryesisht me kohën kur uthulla duhet pirë. Shumë njerëz rekomandojnë pirjen e uthullës në mëngjes, mundësisht me stomak bosh. Të tjerë, betohen për të mirat që vijnë nëse uthulla pihet në mbrëmje.

Në shumicën e rasteve, sistemi tretës nuk arrin të përballojë diçka më shumë se kafeja apo tërshëra dhe për uthullën as që bëhet fjalë. Ekspertët bien dakord se efikasiteti i uthullës, kryesisht asaj të mollës varet jo vetëm nga koha kur e pini, por edhe nga mënyra se si e përballon dhe kërkon trupi.

Më poshtë do të gjeni të listuara disa përfitime që vijnë nëse e pini uthullën përpara se të shtriheni për të fjetur.

Uthulla stabilizon nivelet e sheqerit në gjak

Studimet shkencore kanë treguar se pirja e uthullës përpara gjumit mund të jetë jashtëzakonisht mirëbërëse për pacientët e diagnostikuar me diabet. Një studim i Arizona State University tregoi se pirja e dy lugëve gjelle me uthull dhe pak djathë përpara gjumit së bashku me ilaçet kundër diabetit ulte ndjeshëm nivelet e sheqerit në gjak të nesërmen.

Uthulla shëron fytin e thatë

Gjatë stinës së ftohtë,  gjasat që të prekeni nga simptomat e gripit dhe të të ftohurës janë të mëdha.

Bakteret përgjegjëse që përthajnë fytin shkatërrohen nga aciditeti i uthullës së mollës.

Ekspertët rekomandojnë pirjen e një gllënke me uthull molle gjysëm deri në një orë përpara gjumit që në mëngjes të jeni si kokrra e mollës.

Uthulla për një gjumë të mirë

Gjumi është i domosdoshëm për të përballuar me sukses sfidat e ditës.

Sekreti i një nate të qetë dhe gjumi të patrazuar mund të jetë uthulla e mollës.

Një lugë gjelle me uthull molle të shkrirë në një gotë me ujë të ngrohtë e mjaltë ju vë në gjumë.

Kundër erës së keqe të gojës

Era e keqe e gojës mund të jetë e tmerrshme në mëngjes.

Por ju mund të merrni masa për ta parandaluar atë duke pirë një lugë çaji me uthull në mbrëmje për të shkatërruar bakteret që lulëzojnë në gojë.

Uthulla zhbllokon hundët

Pamundësia e të thithurit ajër përmes hundës është e tmerrshme.

Uthulla ju vjen në ndihmë për të zhbllokuar hundën dhe rrugët e frymëmarrjes sepse është e pasur me kalium, magnez, vitaminat A, B1, B2 dhe E.

Shtoni një lugë çaji me uthull molle në një gotë me ujë dhe pijeni ngadalë përpara gjumit.

Uthulla ndihmon tretjen

Nëse zgjoheni në mëngjes me dhimbje abdominale, fajin e ka tretja.

Ky lëng fantastik zgjidh problemet me tretjen, zorrët dhe urthin.

Pini një lugë çaji me uthull molle të tretur në një gotë me ujë përpara se të flini.

Me gjithë këto të mira, uthulla puro e mollës nuk duhet të mungojë në sirtarin e kuzhinës.

Vendi

LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend

Published

on

By

Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.

Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.

Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.

Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Vendi

Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.

Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.

Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.

Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.

Continue Reading

Lajmet

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Të kërkuara