Ambasada e Shqipërisë në Bernë organizoi në bibliotekën Kornhausbibliothek një mbrëmje të veçantë kushtuar 95-vjetorit të lindjes së poetit dhe shkrimtarit shqiptar Dritëro Agolli.
Në aktivitet morën pjesë nxënës shqiptarë, mësues dhe dashamirës të kulturës shqiptare në Zvicër, të cilët u njohën me jetën dhe veprën e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe.
Ambasadori Ermal Dredha e vlerësoi Agollin si një krijues që e shndërroi përvojën e njeriut të zakonshëm në art, duke theksuar se veprat e tij mbeten aktuale për shkak të trajtimit të vlerave universale si dinjiteti njerëzor, dashuria dhe raporti i njeriut me kohën.
Mbrëmja u pasurua me recitime nga nxënësit e shkollave shqipe në Zvicër, interpretime muzikore nga Mimoza Nazarko dhe nxënësit, si dhe me materiale filmike dhe incizime nga zëri i vetë Agollit.
Ambasada falënderoi Brikela Andera, bibliotekën Kornhausbibliothek dhe Muzeu Kadare–Agolli për kontributin në realizimin e aktivitetit, i cili mundësoi ekspozimin e dorëshkrimeve dhe materialeve krijuese të autorit.
Pas Bernës, aktivitetet e Vitit të Agollit dhe Kadaresë do të vazhdojnë në Gjenevë, ku gjatë vjeshtës pritet të organizohet një veprimtari kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare.
/A.K/