Ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare Alush Gashi, një nga figurat qendrore të skenës politike dhe shëndetësisë në Kosovë, i njohur si një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-ministër i Shëndetësisë. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e kanë bërë të ditur familjarët, të cilët njoftuan se për detajet e ceremonisë së varrimit do të njoftojnë me kohë.
I lindur më 4 tetor 1950 në fshatin Prigodë të komunës së Istogut, Alush Gashi la gjurmë të thella si në fushën e mjekësisë, ashtu edhe në atë të shtetndërtimit të Kosovës. Ai përfundoi studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës në vitin 1974, ndërsa gradën e doktorit të shkencave mjekësore e mori në Universitetin e Zagrebit në vitin 1979, duke u bërë një nga profesorët dhe kirurgët e njohur në vend.
Në vitin 1989, derisa shërbente si dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Gashi iu bashkua lëvizjes kombëtare për liri dhe pavarësi, duke u bërë pjesë aktive e themelimit të LDK-së.
Gjatë viteve të ’90-ta, ai luajti një rol kyç si sekretar për marrëdhënie me jashtë i LDK-së dhe shërbeu si këshilltar i lartë dhe bashkëpunëtor shumë i afërt i presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Gashi ishte pjesë e delegacioneve të rëndësishme që përfaqësonin Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe mori pjesë në procese të shumta negociatash diplomatike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë, ai vazhdoi kontributin e tij në institucionet e Republikës së Kosovës, ku ndër të tjera shërbeu edhe si Ministër i Shëndetësisë, duke u angazhuar në reformimin e sistemit mjekësor pasluftës. Ndarja e tij nga jeta cilësohet si një humbje e madhe për komunitetin akademik, mjekësor dhe politik në Kosovë.