Sport

Një finale patriotike për BE-në

ky ka qenë një kampionat i mbushur me kundërthënie politike.

Published

on

Teksa Kampionatit Evropian të Futbollit “Euro 2020” po i vije fundi me finalen e shumëpritur që mbahet të dielën, është koha t’i bëhet një vështrim këtij turneu që mbërtheu kontinentin evropian me drama të minutës së fundit dhe një mori golash. Por, gjithashtu ky ka qenë një kampionat i mbushur me kundërthënie politike, pasi kjo ngjarje sportive njëmujore është bërë një mikrokozmos për shumë çështje me të cilat Evropa po përballet për momentin.

Dhe ndoshta narrativi më i madh, që Brukseli dëshpërimisht dëshiron të shmangë, mund të ndodhë në finale: suksesi i Anglisë së Brexit-it.

Por, le të fillojmë nga e para: përzierja e sportit me politikën nuk është diçka e mirë. Këtë e thonë vazhdimisht zyrtarët e lartë sportivë, sportistët dhe shumë tifozë. Mund të mos jetë “luftë me mjete të tjera”, por në një kontinent, që në pjesën më të madhe nuk është i përfshirë në konflikt të përgjakshëm dhe ku të paktën teoria e Zonës Shengen do të duhej të hiqte kontrollet në kufijtë kombëtarë në mes të shumë shteteve, “Euro 2020” ofroi një hapësirë të pranueshme për të kanalizuar patriotizmin e zjarrtë.

Vetëm nëse e analizoni pak kampionatin “Euro 2020”, mund të vëreni shumë lajme politike, që përzihen edhe me goditjet nga këndi në fushën e gjelbër dhe me kartonët e kuq, që ishin të diskutueshëm.

Tek e fundit, ky kampionat pandemik, u mbajt një vit më vonë sesa fillimisht ishte planifikuar, por për kuriozitet prapëseprapë u quajt “Euro 2020”. Shumë menduan se ishte çmenduri që kjo ngjarje të zhvillohej në 11 shtete të ndryshme, teksa ende ka njerëz që po vdesin nga koronavirusi. Po ashtu, ky turne u bë edhe më komik dhe më politik kur disa qytete lejuan që stadiumet të mbusheshin me tifozë dhe që tifozët e huaj të lejoheshin në tribuna, ndërsa disa qytete të tjera kishin masa më të ashpra. E vetmja gjë për të cilën duket se të gjithë pajtohen është se ky kampionat do të jetë një ngjarje super-shpërndarëse, kur një valë e re e pandemisë COVID-19 ta godasë kontinentin evropian më vonë gjatë stinës së verës.

Por, ka edhe më shumë. Fillimisht u shfaq problemi se cili ekip apo lojtarët e cilës kombëtare do të uleshin në gjunjë para fillimit të lojës për të kundërshtuar padrejtësitë racore – një gjest ky që u përdor më shumë pas vrasjes së George Floyd vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara. Turmat, ndërkaq, kanë brohoritur ose fishkëllyer pothuajse në masë të njëjtë – ndoshta duke treguar kështu edhe tensionet që ekzistojnë lidhur me të drejtat e pakicave kombëtare, që mund të jenë problem në kontinentin evropian.

Pastaj ishte rasti i fanellës së ekipit të Ukrainës, ku u vendosën kufijtë shtetërorë dhe ku përfshihej edhe Krimea dhe në të ishte edhe slogani “lavdi Ukrainës”, që Rusia fuqishëm e kundërshtoi. Ky slogan u cilësua politik nga UEFA dhe u hoq nga fanellat e ekipit ukrainas, por e gjithë kjo gjë ishte një kujtesë e zymtë e luftës që po vazhdon.

Sulmuesi i Austrisë, Marko Arnautoviq, babai i të cilit është serb, ka fyer në baza racore shqiptarët etnikë në kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, gjë për të cilën u suspendua për një lojë. Ky rast, shpërfaqi edhe një herë tensionet që ende ekzistojnë në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, loja e shumëpritur Angli-Skoci u luajt në sfondin e zhurmës për shkëputjen e Skocisë. Dhe për më tepër, ishin edhe kundërthëniet që e përcollën të ashtuquajturin “ligj kundër LGBTI+” të Hungarisë, ku u vendosën flamujt me ngjyra të ylberit dhe bilborde në stadiume. Kjo ndoshta është çështja më e ndjeshme politike që tash për tash e ka kapluar Evropën.

Por, në fund të fundit, fituesi i këtij kampionati do ta shkruajë narrativin kryesor. Është e vërtetë që gazetarët dhe komentatorët janë ata që shpesh e shkruajnë narrativin, duke gjetur paralele në politikën bashkëkohore. Merreni shembullin e fitores së Kupës së Botës nga Franca më 1998 dhe 2018. Në të dy rastet, Franca u lavdërua pasi iu përmbajt motos së saj “Liberté, égalité, fraternité” (Liri, barazi, vëllazëri) përmes një ekipi multi-etnik në kohën e nacionalistit Jean-Marie Le Pen më 1998 dhe 20 vjet më pas, në kohën e bijës së tij, Marine.

Danimarka ende e kujton verën e vitit 1992, kur pa e kuptuar, fitoi një biletë falas për në “Euro”, teksa Jugosllavia kishte shpërthyer në luftë. Ata e fituan kampionatin, vetëm disa javë pasi ata kishin refuzuar Traktatin e Mastrihtit të BE-së dhe më pas draftuan rrugët ligjore për vete sa i përket këtij traktati. Danezët po fluturonin. Fitorja e Gjermanisë më 2014 në Kupën e Botës ofroi mundësinë që të prezantohej një fytyrë më e butë para botës, pas viteve të shumta me akuza se gjermanët janë të ashpër – ata u prezantuan si një shtet që mund të integrojë të tjerët dhe të zbusë patriotizmin e publikut, kurse fitorja e Greqisë më 2004 në Kampionatin Evropian, dhe mbajtja e Lojërave Olimpike në Athinë në po të njëjtin vit, ishte fillimi i asaj që do të përfundonte me kolapsimin e ekonomisë greke disa vjet më vonë.

Tani, papritur Brukseli gjendet para mundësisë së fitores së Anglisë. Dhe nuk është kjo Anglia normale, me tifozë të zhurmshëm që këndojnë “po kthehet në shtëpi”, duke iu referuar fitores së kampionatit, pas 55 vjetësh, kur kjo kombëtare për herë të fundit kishte triumfuar në Kupën e Botës që u mbajt në Angli.

Kjo është Anglia e Brexit-it. Anglia që e mposhti BE-në më herët gjatë këtij viti në garën e vaksinimit. Shumë pak persona do të mund ta duronin pamjen e kryeministrit britanik, Boris Jonson duke buzëqeshur e mbajtur trofeun dhe duke sugjeruar se ky është sukses i “Britanisë globale”, që nuk zmbrapset nga diktatet e BE-së. Pavarësisht se disa lojtarë anglezë luajnë në liga të tjera evropiane dhe të gjithë morën mësimet e futbollit kur Anglia ishte ende pjesë e bllokut evropian, një fitore e Anglisë në këtë kampionat do të ishte thjesht një pilulë e hidhur për t’u gëlltitur.

Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe bashkëshortja e tij, Carrie shikojnë ndeshjen Angli-Danimarkë. Londër, 7 korrik, 2021.
Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe bashkëshortja e tij, Carrie shikojnë ndeshjen Angli-Danimarkë. Londër, 7 korrik, 2021.

BE-ja më shumë do të preferonte që të fitonte ekipi i përtërirë i Italisë, kombëtare e cila do të linte pas fiaskon e tre vjetëve më parë në Kupën e Botës. Italia në këtë kampionat ka luajtur padyshim futbollin më të mirë në të gjitha kampionatet evropiane që ka marrë pjesë, ku tash ka pak stil mbrojtës, një element për të cilin kombëtarja italiane është e njohur.

Shtoja kësaj edhe rrëfimin që ky shtet, që më 2020 u gjunjëzua dhe tani është shtet që qëndron në këmbë dhe udhëhiqet nga kryeministri Mario Draghi – njeriu që Brukseli e vlerëson si personin kyç që shpëtoi euron në kohën sa ishte president i Bankës Qendrore Evropiane. Nuk është çudi që burokratët po iu luten zotave të futbollit për fitoren e Italisë në finalen e të dielës.

Sport

Bashkimi pëson humbjen e pestë në FIBA Europe Cup, Manchesteri triumfon në Prizren

Published

on

By

Bashkimi i Prizrenit ka pësuar humbjen e pestë në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, pasi të mërkurën mbrëma u mposht nga skuadra angleze Manchester me rezultat 95:84.

Përballja e zhvilluar në kuadër të Grupit F ishte e para ndërmjet këtyre dy skuadrave, ndërsa Manchesteri arriti të marrë fitoren pas një paraqitjeje më të mirë në pjesën më të madhe të ndeshjes.

Bashkimi ishte konkurrues vetëm në çerekun e parë, i cili përfundoi me epërsinë minimale të mysafirëve, 23:22. Në periudhën e dytë, anglezët e rritën ritmin dhe fituan 25:18, duke shkuar në pushim me epërsi prej tetë pikësh, 48:40.

Manchesteri vazhdoi me lojë të mirë edhe në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 32:25, duke krijuar një avantazh të konsiderueshëm.

Nënkampioni i Kosovës tentoi të rikthehej në lojë dhe arriti ta ngushtonte diferencën në dhjetë pikë, tri minuta e 30 sekonda para fundit, por nuk arriti ta përmbyste rezultatin.

Shannon Shorter ishte më i dalluari te Bashkimi me 18 pikë, gjashtë asistime dhe një kërcim. Adrio Bailey kontribuoi me 13 pikë, Divine Myles me 12, ndërsa Lejson Zeqiri dhe Gavin Dwayne Kensmil realizuan nga dhjetë pikë.

Në anën tjetër, Keon Thompson udhëhoqi Manchesterin me 19 pikë, pesë asistime dhe tri kërcime, ndërsa Jordan Johnson shtoi 18 pikë.

Kjo ishte disfata e pestë për Bashkimin në Grupin F, ku deri më tani ka regjistruar vetëm një fitore.

Dy skuadrat do të përballen sërish më 2 dhjetor, këtë herë në Angli. Ndeshja ishte paraparë të zhvillohej më herët, por u shty për shkak të problemeve me pajisjen e vizave te skuadra prizrenase.

Me këtë rezultat, Bashkimi mbetet pa gjasa për ta siguruar pozitën e dytë në grup.

D.L

Continue Reading

Sport

Shaqiri për festimin me shqiponjë: Ishte reagim emocional pas provokimeve

Published

on

By

Ish-reprezentuesi i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, ka folur sërish për festimin e tij ikonike me shqiponjën dykrenare në ndeshjen e Kupës së Botës kundër Serbisë, duke e cilësuar atë si një reagim emocional të nxitur nga tensionet dhe provokimet para e gjatë takimit.

Duke reflektuar mbi atë episod, Shaqiri u shpreh se synimi i tij i vetëm ishte suksesi sportiv, por situata mori përmasa politike për shkak të rrethanave dhe trajtimit mediatik të asaj kohe. Ai pranoi se të gjitha palët e tepruan me reagimet, ndërsa shtoi se publiku në Zvicër nuk e njihte prapavijën historike që çoi te ai gjest, të cilin e bënë edhe Granit Xhaka dhe Stephan Lichtsteiner.

“Besoj se mediat kanë shkruar shumë. Ka pasur provokime para dhe gjatë ndeshjes. Në fund, për mua ishte e rëndësishme të fitoja në aspektin sportiv, jo politik, edhe pse më pas gjithçka mori një dimension politik. Po, ishte një reagim emocional. Pas gjithë asaj që ishte shkruar dhe provokimeve që kishin ndodhur, besoj se të gjithë e tepruam, përfshirë edhe mediat”, tha Shaqiri.

Sipas futbollistit me prejardhje nga Kosova, perceptimi rreth atij momenti do të ishte krejtësisht ndryshe nëse do të ndodhte sot.

“Shumë zviceranë nuk e kuptuan dhe nuk e njihnin historinë që qëndronte pas këtij veprimi, arsyen pse unë, Graniti dhe Stephani e bëmë atë gjest. Besoj se kishte shumë emocione të përfshira. Mendoj se sot ky veprim nuk do të konsiderohej aq i rëndë“, tha Shaqiri. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Fitore dramatike e Trepçës në “Minatori”: Përmbys Splitin dhe mban gjallë garën në FIBA Europe Cup

Published

on

By

Trepça ka regjistruar një fitore të madhe dhe dramatike ndaj skuadrës kroate Split, duke triumfuar me rezultat 94:88 në kuadër të xhiros së shtatë të Grupit A në FIBA Europe Cup. Në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, kampionia e Kosovës, e mbështetur fuqishëm nga tifozët, arriti ta përmbysë rezultatin në çerekun e fundit pas një përballjeje plot kthesa.

Mitrovicasit e nisën takimin me vështirësi, duke e mbyllur çerekun e parë në disavantazh prej tetë pikësh, 19:27. Megjithatë, reagimi ishte i menjëhershëm në periudhën e dytë, të cilën Trepça e dominoi 32:19, duke shkuar në pushim me epërsi prej pesë pikësh, 51:46.

Në pjesën e dytë, Spliti u rikthye fuqishëm dhe me një seri prej 12 pikësh radhazi mori kontrollin e lojës (51:58), duke e çuar avantazhin deri në dhjetë pikë gjatë çerekut të tretë. Trepça nuk u dorëzua dhe rreth dy minuta para fundit të kësaj periudhe realizoi një seri 7:0, për ta ngushtuar rezultatin në 67:69.

Përmbysja e madhe ndodhi në çerekun vendimtar. Pesë minuta e 52 sekonda para fundit, Drilon Hajrizi shënoi nga vija e gjuajtjeve të lira për ta kaluar Trepçën në epërsi, 77:76, avantazh të cilin mitrovicasit e ruajtën me kujdes deri në sirenën e fundit për fitoren 94:88.

Më i dalluari te Trepça ishte Jean-Pierre Tokoto me 16 pikë, tetë kërcime dhe katër asistime. Kontribut vendimtar në çastet kyçe dhanë edhe Drilon Hajrizi, me 18 pikë, dy kërcime e dy asistime, si dhe Andrew Thelwell, i cili realizoi gjithashtu 18 pikë, katër kërcime dhe tri asistime. Në anën tjetër, lojtari më efikas te Spliti dhe në gjithë ndeshjen ishte Nick Johnson me 30 pikë, gjashtë kërcime dhe gjashtë asistime, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.

Me këtë sukses — i dyti ndaj Splitit pas fitores edhe në Kroaci — Trepça arrin në kuotën e 11 pikëve, me bilanc prej katër fitoreve dhe tri humbjeve. Mitrovicasit barazohen kështu me pikë me vetë skuadrën kroate, duke e lënë krejtësisht të hapur garën për vendin e dytë në Grupin A. /E.A /

 

Continue Reading

Sport

KV Ferizaj kërkon përmbysjen evropiane ndaj Volejbal Brno

Published

on

By

KV Ferizaj zhvillon sonte ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës çeke Volejbal Brno, në kuadër të 1/32 së finales së CEV Challenge Cup.

Pas humbjes 3:0 në ndeshjen e parë, të zhvilluar më 10 nëntor në Çeki, skuadra ferizajase synon të bëjë përmbysjen para tifozëve të saj dhe të vazhdojë rrugëtimin në garat evropiane.

Misioni nuk do të jetë i lehtë, pasi Ferizajt i duhet fillimisht një fitore 3:0 për ta barazuar rezultatin e përgjithshëm dhe për ta dërguar çështjen e kualifikimit në “Golden Set”.

Në rast të çdo rezultati tjetër, skuadra kosovare do të eliminohej nga gara.

Përballja zhvillohet nga ora 19:00, në palestrën sportive “Bill Clinton” në Ferizaj, ku vendasit do të kërkojnë përkrahjen e tifozëve për ta realizuar një përmbysje të madhe evropiane.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara