Aktualitet

Një 17-vjeçare sulmon një arushë për të mbrojtur qentë e saj (VIDEO)

Published

on

Nëse jeni person që mendoni se do të bënit gjithçka për qenin tuaj, ju me siguri do të lidheni me këtë video të një adoleshente e cila është bërë virale ku shtyn një arushë të madhe për të mbrojtur qentë e saj.

Në një video të postuar në internet së fundi, një arushë shihet duke ecur përgjatë një muri me tulla, e ndjekur nga dy këlyshë. Katër qen fillojnë të lehin dhe gjëmojnë, dhe vrapojnë te arinjtë. Ndërsa fillojnë të bëhen më agresivë, arusha e rritur fillon të rrëshqas tek qentë.

Papritmas, 17-vjeçarja Hailey Morinico vrapon shpejt drejt saj, e shtyen atë nga muri dhe merr njërin këlysh që po përpiqej ta merrte arusha, ndërsa qentë e tjerë largohen.

Video, të cilën kushërira e saj Brenda Lopez Rincon e postoi në TikTok dhe Instagram, është bërë virale, me shumë njerëz që komentojnë se sa të befasuar ishin nga trimëria e Morinico.

“Ndjeva një përzierje tronditjeje por edhe krenare me të për shkak të asaj se sa e guximshme ishte ajo,” tha ajo. “Ne menjëherë i thamë asaj që të mos e bënte kurrë më atë”, tha kushërira e 17 vjeçares.

Lopez Rincon e përshkroi kushëriren e saj, që jeton në Bradbury, California, si një person i ndrojtur dhe i ëmbël që “normalisht nuk do të dëmtonte një mizë” – kjo është arsyeja pse videoja ishte aq tronditëse për të.

Në një video vijuese që Lopez Rincon postoi në TikTok, Morinico shpjegoi se ajo jeton në male dhe arinj që shfaqen në shtëpitë e njerëzve është “me të vërtetë normale”, veçanërisht në verë.

Morinico tha se dëgjoi qentë e saj të lehin, gjë që nuk ishte e pazakontë. “Unë shkova t’u them atyre të ndalojnë dhe kur të shkoj atje për të parë se çfarë po lehin, unë mendova se cfarë është ky qen me pamje qesharake”, tha me shaka ajo.

Ajo tha se arusha po tentonte të merrte një nga qentë e saj më të vegjël në kohën kur e kuptoi se çfarë po ndodhte.”Shkova te ajo, e shikova në sy dhe gjëja e parë që mendova të bëj është ta shtyj atë”, tha ajo, duke shtuar se nuk e goditi shumë fort , por mjaftueshëm saqë humbi ekuilibrin e saj.

Lopez Rincon tha se familja ka qenë paksa e mbingarkuar me gjithë vëmendjen nga videoja, por në fund të ditës, “ne të gjithë jemi thjesht krenarë që kemi një vajzë të mrekullueshme”./UBTNews

Continue Reading

Vendi

Haxhiu takohet me kryeministrin çek, i kërkon mbështetje tutje për Kosovën

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në margjinat e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, u takua me kryeministrin e Çekisë, Andrej Babish, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Çekia i ka dhënë Kosovës në shtetndërtim, në proceset euroatlantike dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Ajo vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, duke theksuar se avancimi i përfaqësimit diplomatik me ambasadorë të plotë pasqyron nivelin e bashkëpunimit dhe besimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.

Presidenca njoftoi se në takim u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës dhe për rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit.

Haxhiu kërkoi mbështetjen e Çekisë edhe për hapat e ardhshëm të Kosovës, përfshirë dërgimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian dhe ecjen drejt statusit të vendit kandidat.

“U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova e sheh Çekinë si partnere të rëndësishme edhe në fushën ekonomike, me mundësi të reja bashkëpunimi në energji, teknologji të gjelbra, inovacion, digjitalizim, shëndetësi, infrastrukturë dhe industri të avancuar”, u njoftua nga zyra.

Continue Reading

Vendi

FSK realizon ushtrimin fushor “Ujku i Pamposhtur 01” në Gjakovë dhe Babaj të Bokës

Published

on

Në kuadër të ngritjes dhe avancimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Komanda e Forcave Tokësore dhe njësi të kombinuara, përfshirë togun e IVR-së, Kompaninë Mbështetëse të RML-së, togjet e Komandës së Logjistikës dhe Policisë Ushtarake, kanë realizuar ushtrimin fushor validues “Ujku i Pamposhtur 01”.

Ushtrimi është zhvilluar në zonat e Aeroportit të Gjakovës dhe Babaj të Bokës.

FSK ka publikuar edhe fotografi nga ushtrimi përmes një postimi në Facebook.

Sipas njoftimit, qëllimi i ushtrimit ishte validimi i aftësive operacionale, rritja e gatishmërisë luftarake, forcimi i koordinimit ndërmjet njësive si dhe zhvillimi i kapaciteteve për përmbushjen e detyrave në përputhje me standardet më të larta profesionale.

Continue Reading

Vendi

Samiti BE-Ballkani Perëndimor nis sot në Tivat, Kosova kërkon trajtim të drejtë në procesin e zgjerimit

Published

on

Sot, 5 qershor, në Tivat të Malit të Zi do të organizohet samiti i liderëve të BE-së me ata të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila do ta përfaqësojë Kosovën në këtë ngjarje, ka thënë se do të kërkojë trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit.

Në një njoftim të Presidencës është treguar qëndrimi që do të shprehë Haxhiu në samit.

“Në këtë samit, u.d. presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Samiti mbledh udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit, Planin e Rritjes, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit.

Para samitit, shtetet e rajonit janë vizituar nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Të mërkurën ai ka qëndruar në Prishtinë, ku ka thënë se nëse Kosova përmbush obligimet e saj përkitazi me eurointegrimin, nuk do të ketë probleme nga ana e BE-së.

“Secili problem e ka kohën e vet. Jemi pajtuar në agjendën e reformave, në procesin drejt anëtarësimit në BE. Është shumë e rëndësishme që Kosova hap pas hapi të japë rezultate te ato që jemi pajtuar. Vlerësimi është që në fund të procesit më s’do të kemi asnjë problem nga ana e BE-së. Ajo që duhet për momentin është ky konsensus i madh kombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE, e kjo mund të përkthehet në veprime konkrete”, ka thënë Costa.

Nga vendet e rajonit, vetëm Kosovës BE-ja nuk ia ka dhënë statusin e vendit kandidat. Problem për këtë vendimmarrje shihet fakti që shteti nuk është njohur nga pesë vende anëtare: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Në samitin në Tivat, Kosova do të kërkojë të hiqen pengesat e kësaj natyre.

E, nisjes së samitit i kanë paraprirë tensione mes Malit të Zi dhe Serbisë.

Për shkaqe sigurie, autoritetet malazeze nuk ua kanë lejuar hyrjen në këtë shtet 87 serbëve me precedentë penalë e histori dhune në protestat në Serbi.

Të mërkurën, një ditë para Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, ata janë kthyer mbrapsht nga autoritetet malazeze me po të njëjtin aeroplan – atë të kompanisë shtetërore “Air Serbia”.

Si kundërpërgjigje, Serbia ka arrestuar 30 shtetas malazezë në aeroportin e Beogradit dhe ua ka pamundësuar hyrjen shumë të tjerëve përmes pikave kufitare rrugore.

Samiti i së premtes pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme diplomatike në historinë e Malit të Zi. Në të do të marrin pjesë liderë të lartë evropianë dhe rajonalë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Ndërkohë, në BE është konfirmuar se në samit nuk do të marrë pjesë Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, për shkaqe shëndetësore.

Continue Reading

Lajmet

SHBA: Kosova të veprojë shpejt për sigurimin e furnizimit me energji

Published

on

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka deklaruar se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji elektrike dhe se në të ardhmen do të varet gjithnjë e më shumë nga vendet fqinje.

Në një editorial të publikuar së fundmi, Prattipati theksoi se Kosova duhet t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror që janë planifikuar në rajonin e Ballkanit, duke vlerësuar se ato mund të ofrojnë një burim të qëndrueshëm energjie për vendin.

Sipas saj, gazi natyror i lëngshëm amerikan (GNL) do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve energjetike, do të plotësonte kapacitetet vendore dhe do të forconte partneritetin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji. Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj”, ka shkruar Prattipati.

Ajo paralajmëroi se Kosova duhet të veprojë shpejt për t’u bërë pjesë e këtyre projekteve, pasi mundësia për përfshirje po ngushtohet.

Sipas saj, vonesa në marrjen e një vendimi mund të bëjë që furnizimet amerikane me gaz natyror të lëngshëm të orientohen drejt vendeve të tjera, duke e lënë Kosovën si të vetmin vend në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikane.

Prattipati theksoi se administrata e presidentit Donald Trump ka prioritet uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse dhe ftoi Kosovën të ndërtojë një partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara.

“Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krahu”, ka deklaruar ajo.

Continue Reading

Të kërkuara