Lajmet

​Nisin punimet në stadiumin e Suharekës, Kurti: Përfundon brenda 750 ditësh

Published

on

Në Suharekë kanë nisur punimet për ndërtimin e stadiumit të këtij qytetit i cili do t’i ketë mbi 6 mijë ulëse dhe do të kushtojë 11 milionë euro.

Në vënien e gurthemelit,kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se ky stadium pritet të përfundojë brenda 750 ditësh dhe do të jetë i kategorisë D sipas standarteve të UEFA-s.

“Jemi bashkë në Suharekë për vënien e gurthemelit të stadiumit i cili është i kategorisë D sipas UEFA-s, do të ketë më shumë se 6 mijë e 500 ulëse, një lajm i jashtëzakonshëm për Suharekën dhe futbollin e sportin e Kosovës. Morëm vesh që për 750 ditë do të kryhen të gjitha punimet e nevojshme në mënyrë që ashtu siç duket në projekt, të duket edhe në realitet. Ne me këtë stadium i cili e ka vlerën e gjithmbarshme të investimit rreth 11 milionë euro, lajmë një pjesë të borxhit shtetëror për këtë ekip të jashtëzakonshëm që padyshim se po frymëzon që sa më shumë të rinj e të reja të merren me sport”, theksoi Kurti.

Ndërsa, ministri në detyrë i Minsitrisë së Sportit, Hajrulla Çeku, deklaroi se ky është një investim shumë i rëndësishëm për qytetin e Suharekës, derisa shtoi se investime të tilla janë pjesë e një programi shumë më të madh të Qeverisë së Kosvës për përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend.

“Ky investim është pjesë e një programi shumë më të madh të Qeverisë së Kosovës, jo vetëm i ministrisë, buxheti për infrastrukturën e futbollit ka kërkuar zotim të veçantë dhe kryeministrit sepse e ka kuotuar rëndësinë që e ka futbollit për shtetin tonë. Jemi duke investuar në shumë qytete të Kosovës, disa stadiume tashmë në realizim, disa përfundojnë shumë shpejtë, të tjerat nisin ndërkohë. Jam shumë i lumtur që Suharekës po ia nisim këtë investim shumë të rëndësishëm bashkë me fushën ndihmëse që tashmë është në përfundim e sipër”, deklaroi Çeku.

I lumtur me këtë projekt u shpreh edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj i cili tha se ky qytet e meriton të ketë kushte shumë më të mira infrastrukturorë në sport.

Në këtë stadium pritet që ndeshjet t’i zhvillojnë skuadra e Ballkani, ajo e Suharekës por edhe klube të tjera të kësaj komunës.

/S.K/KP

Continue Reading

Lajmet

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Lajmet

Nora Gjakova diplomon në UBT, xhudistja përmbyll me sukses studimet në Shkencat e Sportit

Published

on

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka diplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.
Gjakova, e cila ndër vite ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, ka përfunduar studimet me një temë diplome që lidhet drejtpërdrejt me sportin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.
Tema e punimit të saj ishte “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.
Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës.
Me këtë arritje akademike, Nora Gjakova i shton një tjetër sukses rrugëtimit të saj, kësaj radhe në fushën e arsimit dhe shkencës sportive.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një zyrtar që dyshohet se mori ryshfet nga pronarë biznesesh

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Rahovec, i dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas Policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, në periudha dhe lokacione të ndryshme në zonën e Rahovecit, dyshohet se kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të bizneseve, në këmbim të moskryerjes së kontrolleve apo mosndëshkimit për shkeljet e ligjit.

Gjatë hetimeve, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, janë siguruar dëshmi se i dyshuari dyshohet se kishte pranuar në disa raste shuma prej 300 deri në 500 euro nga pronarë të ndryshëm biznesesh.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, më 24 shtator janë kontrolluar ambienti i punës dhe veturat që i dyshuari kishte në shfrytëzim. Gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një telefon celular.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni del nga GJKKO, iu komunikua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”

Published

on

Ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni sapo ka dalë nga GJKKO pas më shumë se 2 orësh.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se Hysenit i është komunikuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ajo u pyet nga gazetarët në lidhje me përgjimet e SPAK, por ka refuzuar të flasë.

Ndryshe, para se të hynte në gjykatë gjatë kalimit nga rruga drejt godinës, Hyseni është shprehur shkurtimisht ndaj pyetjes së gazetarëve nëse Agasit i janë kaluar nga ana e saj dokumente të klasifikuara, duke u shprehur: “Si kalon ti në takime me agjentët serb në dhomat e hotelit Rogner”. /Tch/

Continue Reading

Të kërkuara