Aktualitet
Nisen në orbitë dy satelitë evropianë, pritet të shkaktojnë “eklipse” të Diellit
Published
11 months agoon
By
UBTnewsDy satelitë evropianë u hodhën në orbitë sot si pjesë e misionit të parë për të shkaktuar një eklips diellor artificial.
Sipas Associated Press operacionet e tyre do të fillojnë vitin e ardhshëm, dhe secila nga “eklipset” e shkaktuara duhet të zgjasë gjashtë orë.
“Proba-3”, një program i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, synon të studiojë koronën diellore, pra atmosferën që rrethon yllin më të afërt me ne, gjë që do të na lejojë të kuptojmë më mirë motin diellor. Sfida më e madhe e këtij projekti është fluturimi i satelitëve në formim me saktësi të lartë dhe përvoja që ESA do të fitojë në kuadër të këtij misioni do të jetë e vlefshme edhe për projektet e ardhshme.
Avionët “Coronagraph” dhe “Occulter” do të vendosen në një formacion, saktësia e të cilit matet në milimetra, në një distancë reciproke prej 144 metrash e më shumë.
Occulter do të fluturojë më afër Diellit dhe do të bllokojë diskun e Diellit, duke hedhur një hije për një satelit tjetër, në të njëjtën mënyrë që Hëna hedh një hije në sipërfaqen e Tokës gjatë një eklipsi të vërtetë.
Kjo do të lejojë që “Coronagraph” të fotografojë pjesën e brendshme të rajonit të koronës, gjë që është e pamundur në rrethana normale për shkak të dritës verbuese të Diellit.
Kur satelitët të kenë përfunduar fotografimin, ekipi në Tokë do të dërgojë një komandë për të ndarë satelitët në një distancë të mjaftueshme, në mënyrë që ata të mos përplasen.
Studimi i koronës së Diellit do t’i ndihmojë shkencëtarët të parashikojnë motin diellor, siç janë stuhitë diellore gjeomagnetike, të cilat mund të ndikojnë në satelitët në orbitë, si dhe komunikimet dhe rrjetet e energjisë në Tokë.
Vlen të theksohet se eklipsi i shkaktuar nga satelitët nuk do të jetë i dukshëm në Tokë.
Pasi të përfundojnë misionin e tyre, të dy satelitët do të zbresin gradualisht derisa të digjen në atmosferë, ndoshta brenda pesë viteve, por përpara kësaj, misioni prej 210 milionë dollarësh do t’i lejojë shkencëtarët të studiojnë qindra “eklipse”.
Rajoni
UBT organizoi me sukses Konferencën e parë Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive
Published
2 hours agoon
October 24, 2025By
Driton Iseni
Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, u mbajt me sukses Konferenca e parë Ndërkombëtare e Mjekësisë Sportive (IC-SM 2025) – një ngjarje e nivelit të lartë që shënoi një moment historik për zhvillimin e kësaj fushe në Kosovë dhe rajon.

Në këtë konferencë morën pjesë figura të njohura ndërkombëtare të mjekësisë sportive, përfshirë Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS), Prof. Dr. Fabio Pigozzi nga Italia, Prof. Dr. Norbert Bachl nga Austria, Annika Hangleiter, M.Sc. nga Universiteti Teknik i Mynihut (Gjermani), dhe Prof. Dr. Gobert von Skrbensky nga Austria, së bashku me shumë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Në hapje të konferencës, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se që nga themelimi, UBT ka qenë e përkushtuar ndaj dijes, inovacionit dhe krijimit të një shoqërie të zgjuar, ku shkenca, teknologjia dhe praktika bashkohen për të krijuar ndikim të qëndrueshëm në shoqëri.
“Mjekësia sportive është një nga fushat që mishëron më së miri këtë filozofi – duke bashkuar shëndetin, edukimin, performancën dhe inovacionin teknologjik”, u shpreh Rektori Hajrizi, duke theksuar se përmes Themelimit të Qendrës për Mjekësi Sportive në UBT, është hapur një kapitull i ri për zhvillimin e kësaj fushe në Kosovë.
Ai gjithashtu përmendi se falë kësaj nisme, Kosova është bërë për herë të parë anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS), përmes Shoqatës së Mjekësisë Sportive dhe Ushtrimeve të Kosovës (KASEM) — një arritje që e rendit vendin përkrah mbi 117 shteteve anëtare të kësaj organizate prestigjioze.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Prof. Dr. Fabio Pigozzi, President i FIMS-it, vlerësoi kontributin e UBT-së në zhvillimin e mjekësisë sportive dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për avancimin e kërkimit dhe praktikave klinike në këtë fushë.

Në hapje të konferencës morën fjalën edhe: Fitim Arifi, përfaqësues i Komitetit Olimpik të Kosovës; Agim Ademi, Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës; Agim Krasniqi, Kryetar i KASEM; Iber Alaj, Drejtor i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Pjesa kryesore e konferencës përfshiu sesionet shkencore me ligjërata nga:
Prof. Dr. Fabio Pigozzi (Itali) – “Sudden Cardiac Death in Sports and Exercise”
Prof. Dr. Norbert Bachl (Austri) – “Sports Medicine as a Specialty in Europe: Shaping Precise Prevention”
Prof. Dr. Edmond Hajrizi (Kosovë) – “UBT Smart City – An Integrated Platform of Emerging Technologies and Smart Support for Sports Medicine Education, Research, Innovation, and Clinical Services”
Annika Hangleiter, M.Sc. (Gjermani) – “Wearable Technologies in Personalized Prevention: The Future is Already Present”
Prof. Dr. Gobert von Skrbensky (Austri) – “Concepts in Sports Surgery Following Knee Trauma: The Role of Activity Level and Biological Age”

Prezantimet shkencore dhe punimet kërkimore
Në sesionin e dytë të konferencës, të udhëhequr nga Dr. Milaim Berisha dhe Dr. Agron Thaqi, u prezantuan punime shkencore të recenzuara, ndër të cilat:
“The New Era FitScore Test: A Comprehensive General Fitness Assessment” – Era Deva, Milaim Berisha
“The Success Ratio of Non-Surgical Management of Proximal Hamstring Injury in Judo: The Case of Olympic Gold Medalist” – Nora Gjakova, Milaim Berisha
“Beyond Consensus, Into Action: Kosovo’s Response to Elite Athlete Mental Health Challenges” – L.J., Zhu., J., Hell & V. Klissouras
“Comparative Analysis of Body Composition in Elderly Residents of Nursing Homes in Kosovo” – Agron Thaqi
Konferenca IC-SM 2025 shërbeu si një platformë e rëndësishme ndërkombëtare për bashkëpunim, shkëmbim përvojash profesionale dhe prezantim të trendeve më të fundit në mjekësinë sportive. Ngjarja synon të nxisë kërkimin shkencor, inovacionin në rehabilitim, edukimin profesional dhe ndërtimin e rrjeteve ndërkombëtare në fushën e sportit dhe shëndetit.
Konferenca u organizua nga UBT, në bashkëpunim dhe mbështetje të:
- Kosovo Association of Sports and Exercise Medicine (KASEM),
- International Federation of Sports Medicine (FIMS),
- Komitetit Olimpik të Kosovës, dhe
- Sport, Health and the People – A Western Balkan University Network (SHAPE Project).
IC-SM 2025 u vlerësua si një ngjarje që shënon fillimin e një tradite të re shkencore në Kosovë, duke e pozicionuar vendin në hartën ndërkombëtare të kërkimit në mjekësinë sportive dhe shëndetin publik.
Vendi
Rektori Hajrizi mori pjesë në Konferencën CIGRE Kosova mbi “Formësimin e fuqisë punëtore të së ardhmes: Perspektiva e universitetit mbi tregun e punës”
Published
1 day agoon
October 23, 2025By
Driton Iseni
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në konferencën e organizuar nga CIGRE Kosova, me temën “Formësimi i fuqisë punëtore të së ardhmes: Perspektiva e universitetit mbi tregun e punës në sektorin e energjisë”. Në këtë ngjarje u bashkuan ekspertë të energjisë, akademikë dhe përfaqësues të industrisë, për të diskutuar ndikimin e transformimeve teknologjike në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi theksoi se universitetet duhet të kenë një rol udhëheqës në përgatitjen e fuqisë punëtore të digjitalizuar, duke ndërtuar ura bashkëpunimi midis arsimit, inovacionit dhe industrisë. Ai nënvizoi rëndësinë e edukimit ndërdisiplinar dhe zhvillimin e programeve studimore që përfshijnë fusha si energjia e zgjuar, inteligjenca artificiale, teknologjia 5G dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve.
Rektori Hajrizi po ashtu theksoi rëndësinë e studimeve të doktoratës dhe akreditimit të programeve në këtë nivel, si domosdoshmëri për zhvillimin e kërkimit shkencor të avancuar dhe përgatitjen e ekspertëve të nivelit të lartë që i nevojiten tregut të punës. Ai potencoi se akreditimi i doktoraturave në fushat e energjisë, teknologjisë dhe inovacionit është një hap i rëndësishëm për të forcuar lidhjen mes universiteteve dhe industrisë, si dhe për të krijuar një bazë të qëndrueshme të zhvillimit akademik dhe profesional.
Gjithashtu, Rektori prezantoi arritjet e UBT Smart City, e cila ka integruar teknologjinë 5G dhe sistemet e mençura të energjisë, duke e bërë UBT-në një ndër institucionet e para në rajon që po e zbatojnë në praktikë konceptin e qytetit të mençur (Smart City). Këto zhvillime lidhin drejtpërdrejt kërkimin shkencor me nevojat e ekonomisë moderne dhe krijojnë terren të përshtatshëm për përfshirjen e studentëve dhe stafit akademik në projekte të avancuara.
Rektori theksoi se sektori i energjisë është ndër më dinamikët në procesin e digjitalizimit dhe zhvillimit të qyteteve të mençura, duke hapur mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet universiteteve dhe industrisë, si dhe për krijimin e vendeve të punës të orientuara drejt inovacionit, qëndrueshmërisë dhe kërkimit shkencor të avancuar.
Konferenca CIGRE Kosova shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve, nxitjen e kërkimit shkencor dhe forcimin e partneriteteve ndërmjet akademisë dhe sektorit energjetik, në funksion të përgatitjes së brezave të rinj për tregun dinamik të punës së së ardhmes.

Rajoni
Studim i përbashkët UBT – Universiteti i Mynhenit publikohet në revistë ndërkombëtare shkencore
Published
1 day agoon
October 23, 2025By
Driton Iseni
Një bashkëpunim i rëndësishëm ndërmjet UBT-së dhe Universitetit Teknik të Mynhenit (Technical University of Munich) ka rezultuar me publikimin e një punimi shkencor në një revistë prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus dhe Web of Science, me faktor impakti 2.2.
Punimi me titull “Microbiological Analysis of Traditional Sausage in Prishtina, Republic of Kosovo, During Production and Storage”, është publikuar në revistën Microbiological Research (MDPI) dhe përfaqëson një nga studimet e para të këtij lloji në Kosovë, duke analizuar aspektet mikrobiologjike dhe të sigurisë ushqimore të suxhukut tradicionalë kosovarë gjatë prodhimit dhe ruajtjes.
Studimi është realizuar nga një ekip ndërdisiplinar studiuesish, përfshirë:
Prof. Dr. Flutura C. Ajazi – UBT, autore e parë dhe correspondent e punimit
Prof. ass. Veton Haziri-UBT, autorë correspondent
Bashkëautorët: Rreze M. Gecaj, Sarah Shaqiri, Idriz Vehapi, Namik Durmishi, Xhavit Bytyçi dhe Violeta Lajqi-Makolli, në bashkëpunim me Prof. Dr. Matthias A. Ehrmann nga Universiteti Teknik i Mynhenit, Gjermani.
Qëllimi i studimit ka qenë vlerësimi i ndryshimeve mikrobiologjike gjatë fazave të fermentimit dhe ruajtjes së suxhukut tradicional të prodhuar në Prishtinë, me fokus në bakteret e acidit laktik (LAB) dhe familjen Micrococcaceae, të cilat kanë rol kyç në sigurinë dhe cilësinë e produktit.
Rezultatet treguan se gjatë procesit të ruajtjes ndodh një ulje e ndjeshme e baktereve patogjene si Enterobacteriaceae, ndërsa bakteret e dobishme (LAB) dhe Micrococcaceae mbeten stabile, duke dëshmuar se produktet tradicionale të prodhuara sipas metodave lokale ruajnë cilësi dhe siguri të lartë mikrobiologjike.
Gjetjet e këtij studimi ofrojnë dokumentacion të vlefshëm të praktikave lokale që mund të ndikojnë në cilësinë e produktit dhe afatin e ruajtjes. Në kontekstin e këtij studimi, autoret bejne thirrje tek autoritetet e sigurisë ushqimore të Kosovës qe të zbatojnë programe ndërgjegjësimi për prodhuesit e produkteve tradicionale të mishit, për të promovuar praktikat më të mira dhe për të siguruar prodhimin e produkteve të sigurta dhe me cilësi të lartë. Kjo është e nevojshme për të rritur cilësinë e suxhukut dhe produkteve të tjera të mishit të prodhuara me metoda tradicionale, përmes përmirësimit të parametrave të tyre higjienikë, etiketimit dhe paketimit, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e eksportit dhe të vlerës së produktit.
Punimi është pranuar më 26 gusht 2025 dhe publikuar më 3 shtator 2025, nën redaktimin akademik të Prof. Dr. Beniamino T. Cenci-Goga.
Lajmet
UBT organizon ligjëratë ndërkombëtare dhe hap Panairin e Materialeve në Arkitekturë dhe Konstruksione
Published
1 day agoon
October 23, 2025By
Driton Iseni
UBT njofton se të premten, më 24 tetor 2025, duke filluar nga ora 09:00, në Kampusin Inovativ të UBT-së në Lipjan (Objekti I), do të mbahet një ligjëratë tematike ndërkombëtare me titull: “Environmental Sustainability of Concrete Structures”, që do të udhëhiqet nga Prof. Bruno Dal Lago nga Universiteti i Insubrias dhe Politekniku i Milanos, Itali.
Ligjërata do të trajtojë praktikat bashkëkohore të qëndrueshmërisë mjedisore në ndërtimet prej betoni, duke sjellë njohuri shkencore dhe përvoja profesionale nga universitetet më prestigjioze evropiane.
Pas ligjëratës, nga ora 10:00, do të zhvillohet Ceremonia e Hapjes së “Panairit të Materialeve”, që do të mbahet në hollin e Objektit I, dhe do të vazhdojë deri në ora 14:00.
Ky panair do të prezantojë materiale dhe teknologji inovative në fushën e arkitekturës, inxhinierisë dhe ndërtimtarisë, si dhe do të shërbejë si platformë për ndërveprim ndërmjet studentëve, profesorëve dhe kompanive bashkëpunëtore.
Gjithashtu, në të njëjtën ditë, nga ora 12:40, do të mbahet prezantimi i kompanisë ndërkombëtare “PENETRON”, e cila do të paraqesë materiale inovative që lidhen me ndërtimet prej betoni, arkitekturën dhe qëndrueshmërinë strukturore.
Ky prezantim do të zhvillohet po ashtu në Objektin I të Kampusit të UBT-së në Lipjan.
Ligjërata është obligative për studentët e programeve “Materialet në Arkitekturë” dhe “Konstruksionet e Betonit” (niveli Bachelor), ndërsa janë të ftuar të marrin pjesë edhe studentët e lëndës “Bazat e Konstruksioneve të Betonit” në Arkitekturë dhe të gjithë studentët e interesuar nga vitet tjera të studimeve.
Kjo ngjarje përfaqëson një mundësi unike për studentët dhe profesionistët e rinj që të njihen nga afër me risitë bashkëkohore të qëndrueshmërisë në ndërtim, materialet inteligjente dhe zhvillimet më të fundit teknologjike në këtë fushë.
UBT organizoi me sukses Konferencën e parë Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive
Apple shënon 20 vjet, iPhone me serinë e re në 2027
Kombinim i ri ilaçesh ngadalëson përparimin e kancerit të avancuar të prostatës
Johnny Depp rikthehet në Hollywood me film të ri
Kusari-Lila: Të dielën seanca e jashtëzakonshme për Qeverinë, ftesa është dërguar tashmë tek të gjithë deputetët
Në Kroaci po futet shërbimi i detyrueshëm ushtarak, parlamenti voton pro
Harroni emra, fikjen e shporetit apo takimet? Mjekët shpjegojnë shkaqet që e ngadalësojnë kujtesën
Liam Hemsworth dhe e fejuara e tij mahnitin në premierën e “The Witcher”
Armëpushimi në Gaza, Rubio: Izraeli ka përmbushur detyrën, Hamasi duhet të çarmatoset
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Bahri Gashi, pjesë e rrjetit prestigjioz ndërkombëtar të recensimit shkencor në Taylor & Francis
-
Rajoni4 weeks agoPolicia, FSK-ja dhe Shërbyesit Civilë përfitojnë bursë 20 për qind në programet Master Shkenca Politike dhe Studime të Sigurisë në UBT
-
Lajmet nga UBT2 months agoVotoni për UBT-në dhe Rektorin Hajrizi në Triple E Awards: Dy nominime të reja ndërkombëtare për institucionin dhe Kosovën
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së fiton grant prestigjioz kërkimor në Universitetin Çarls të Pragës
