Izraeli dhe grupi militant, Hamas kanë filluar së zbatuari armëpushimin në Gaza të arritur me ndërmjetësimin e Egjiptit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përshëndeti arritjen e armëpushimit, duke thënë se masa u pasua nga diskutimet intenzive mes Shteteve të Bashkuara, Egjiptit, Autoritetit Palestinez dhe vendeve tjera të Lindjes së Mesme.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti, Joe Biden, tha se ai e ka telefonuar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilin e ka përgëzuar për arritjen e armëpushimit.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër sulmeve me raketave nga Hamasi dhe grupe të tjera terroriste me bazë në Gaza që kanë marrë jetën e viktimave të pafajshme në Izrael”, tha presidenti Biden.
Biden tha se Qeveria e Egjiptit luajti një rol vendimtar në ndërmjetësimin e marrëveshjes dhe tha se diplomacia amerikane operoi “orë pas ore” për të ndalur luftimet.
Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në orën 2:00 të së premtes, palestinezët dolën për të festuar nëpër rrugët e Gazës. Në një fjalim para mijëra personave, një zyrtar i lartë i Hamasit pretendoi se grupi e ka fituar luftën.
“Ky është një gëzim i fitores”, tha Khalil al-Hayya, një anëtar i byrosë politike të lëvizjes islamike në Rripin e Gazës. Ai u premtoi palestinezëve se do të ndërtohen shtëpitë e shkatërruara nga sulmet ajrore izraelite.
Palestinezët duke festuar në rrugët e Gazës
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bëri të ditur se gjatë ditëve në vijim ai do të udhëtojë në rajon për të takuar ministrin e Jashtëm izraelit dhe atë palestinez si dhe udhëheqës të tjerë.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht presion që të ndalen luftimet.
Presidenti Biden tha se ai ka folur gjashtë herë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe gjithashtu me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas.
Shtetet e Bashkuara mbesin të angazhuara për të punuar me Kombet e Bashkuara dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë që të dërgojnë ndihmë humanitare për njerëzit e Gazës në partneritet me Autoritetin Palestinez “në atë lloj mënyrë që nuk mundëson armatosjen e Hamasit”, tha Biden.
Uashingtoni është gjithashtu i përkushtuar për të ndihmuar Izraelin të rimbushë sistemin e mbrojtjes raketore, shtoi presidenti.
Kabineti i sigurisë i Izraelit tha më herët se kishte votuar njëzëri në favor të një armëpushimi “të ndërsjellë dhe të pakushtëzuar” të propozuar nga Egjipt.
Hamas dhe Xhihadi Islamik konfirmuan armëpushimin përmes një deklarate.
Sipas burimeve diplomatike dy delegacione egjiptiane do të dërgohen në Izrael dhe territoret palestineze për të monitoruar armëpushimin.
Luftimet shpërthyen në 10 maj pas disa javësh tensionesh izraelito-palestineze në Jerusalem që kulmuan me përleshje në një vend të shenjtë të nderuar nga myslimanët dhe hebrenjtë.
Hamasi, që udhëheq me Gazën dhe konsiderohet si grup terrorist nga Izraeli, SHBA-ja BE-ja dhe vende tjera, filloi të qëllonte me raketa në drejtim të Izraelit.
Të paktën 232 njerëz, përfshirë më shumë se 100 gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza, sipas zyrtarëve shëndetësorë, të kontrolluar nga Hamasi.
Izraeli ka thënë se të paktën 150 militantë janë midis atyre që u vranë në Gaza. Hamasi nuk jep shifra të viktimave në mesin e luftëtarëve.
Në Izrael, 12 njerëz, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë, tha shërbimi mjekësor. Izraeli thotë se rreth 4.000 raketa janë shkrepur drejt territorit të tij nga militantët në Gaza.
Këto ishin luftimet më të rënda midis Hamasit dhe Izraelit, në vitet e fundit dhe kanë nxitur rritjen e dhunës në qytetet izraelite midis hebrenjve dhe arabëve.
Teksa amerikanët po u drejtohen masivisht kutive të votimit në këto zgjedhje përcaktuese, Presidenti Donald Trump ka shfrytëzuar fjalën e tij për t’u bërë thirrje votuesve që të mbështesin kandidatët e partisë së tij.
Përmes një sërë mesazhesh në platformën Truth Social dhe një interviste telefonike për Fox News, Trump veçoi atë që e cilësoi si përparim ekonomik nën administratën e tij, ndërsa pretendoi gjithashtu se ka “kontroll të plotë” mbi situatën në Lindjen e Mesme.
Sondazhet e fundit tregojnë se ekonomia dhe çmimet e larta mbeten faktori kryesor që po përcakton votën e qytetarëve, ku një pjesë e mirë e elektoratit po shprehet e shqetësuar për menaxhimin e sfidave ekonomike dhe efekteve të konflikteve ndërkombëtare.
Rezultati i këtij votimi do të jetë përcaktues për të ardhmen e legjislativit amerikan, pasi do të vendosë nëse Republikanët do të ruajnë shumicën në Kongres apo nëse Demokratët do të marrin kontrollin e dhomave përfaqësuese.
Ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka takuar zinxhirin komandues të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe trajtimin e rasteve të ndjeshme.
Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.
Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /
Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.
Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.
Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.
Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.
Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.
“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.
Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.