Kryeministri Edi Rama, ka prezantuar kabinetin e ri qeveritar, duke konfirmuar Belinda Ballukun si numrin dy të qeverisë, në rolin e zëvendëskryeministres dhe ministre të Infrastrukturës dhe Energjisë.
Risia e këtij kabineti është edhe emërimi i një gruaje në krye të Ministrisë së Brendshme për herë të parë. Rama ia besoi këtë post Albana Koçiut, e cila ka një përvojë të gjatë në administratën publike.
“Në drejtimin e Ministrisë së Brendshme do të vijë Albana Koçiu, e cila ka një karrierë tanimë të gjatë në administratë, ka filluar nga shkalla më e ulët, e njeh si pakkush në këtë vend administratën publike, ka qenë për 10 vjet, në mos gabohem drejtore e Administratës Publike dhe në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, më ka krijuar bindjen që jo vetëm ka ambicien dhe këmbënguljen, por ka dhe një kapacitet të veçantë motivues të njerëzve”. është shprehur Rama.
Ndërsa Elisa Spiropali do të drejtojë Ministrinë e Jashtme, ndërsa mjekja e njohur Evis Sala, e angazhuar prej vitesh në qendrat spitalore më prestigjioze në Evropë dhe SHBA, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Nga kabineti Rama 4 mbetën jashtë Ulsi Manja, Igli Hasani, Arbjan Mazniku dhe Anila Denaj, ndërkohë që në vend të tyre erdhën Besfort Lamallari (Ministër i Drejtësisë), Elisa Spiropali (Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme), Ervin Demo (Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor) dhe Andis Salla (Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural).
Mirela Kumbaro, një prej ministreve më jetëgjata në qeverinë socialiste, do të kalojë nga Mjedisi në Arsim, ndërsa Blendi Gonxhja do të drejtojë Kulturën, Turizmin dhe Sportin. Delina Ibrahimaj u emërua ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Niko Peleshi do të drejtojë Kuvendin, ndërsa Taulant Balla rikthehet si kryetar i grupit parlamentar socialist./D.B/TopChannel