Kulturë

Ngritja e një kompanie, përqendrohuni në dy qëllime

“Ju duhet ta ndërtoni sikur do ta keni atë përgjithmonë”.

Published

on

Sipërmarrësit e rinj shpesh pyesin, cila është gjëja më e rëndësishme për t’u përqendruar teksa po ndërtoj një biznes? Ju themi: “Ju duhet ta ndërtoni sikur do ta keni atë përgjithmonë dhe në të njëjtën kohë ta ndërtoni në mënyrë që të mund ta shisni nesër për sa më shumë para të jetë e mundur edhe nëse nuk e keni ndërmend”. Një sipërmarrës i ri mund të pyesë si mund t’i bëjë të dyja. Në të vërtetë, ato janë pothuajse të njëjta.

Ndërtimi i një kompanie që do të zgjasë përgjithmonë do të thotë që nuk ndiqni një rrugë që i bie shkurt. Ju gjithmonë merrni vendime afatgjata të biznesit. Për shembull, ju nuk punësoni shitës nga konkurrentët. Është një tundim sidomos kur po fillon, pasi mund të mendoni se duke punësuar shitës të një konkurrenti kurseni kohë dhe para. Ata janë të trajnuar tashmë për një gjë dhe e njohin industrinë. Gjithashtu kanë shembuj që mund t’i përdorni, madje mund të jenë në gjendje të sjellin klientë.

Por, duhet të kuptoni se shitësit nga konkurrentët kanë shumë zakone të këqija që nuk mund t’i ndryshoni. Ata kanë mësuar të gjitha truket e tregtisë, duke përfshirë ato më të këqija, dhe do të bënin gjithçka që ishte e nevojshme për të bërë një shitje të shpejtë. Nëse përpiqesh t’u mësosh një pikëpamje më të gjatë, ata nuk do t’ju dëgjojnë. Madje, mund të mendojnë se e dinë më mirë se ju se si niset një biznes.

Me kohën mund ta kuptoni se nuk janë shitësit më të mirë se ata që mund të punësoni nga jashtë industrisë dhe i trajnoni vetë. Norm Brodsky, sipërmarrës shkruan për Inc se, “kur mora shitës të konkurrentëve, të cilët më treguan për gjëra të mëdha që ata kishin bërë në punët e tyre të mëparshme, mësova se nuk duhet t’i kisha besuar. Kam mësuar gjithashtu se çdo shitës që tradhëton një punëdhënës të mëparshëm duke vjedhur klientët, një ditë do të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë me ju”.

Përvoja të tilla të mësojnë se nuk është ide e mirë të zgjedhësh rrugën më të shkurtër për të nisur një biznes. Sidoqoftë, ju nuk do të jeni të fokusuar në ndërtimin e një kompanie që mund të zgjasë përgjithmonë.

Nëse po e ndërtoni atë në mënyrë që ta shisni për sa më shumë para që është e mundur – e cila është në të vërtetë një ide e ngjashme me ngritjen e një kompania për ta pasur për vete- do të zbatoni praktikat më të mira. Me praktikat më të mira, nënkuptohen gjëra që i shtojnë vlerë kompanisë duke rritur mundësinë që çdo pronar i ardhshëm të jetë në gjendje të fitojë vlerën maksimale- edhe nëse pronari i ardhshëm do të jesh ti. Nuk ka rrugë shkurt për praktikat më të mira, të cilat do të ndihmojnë biznesin tuaj të lulëzojë, pavarësisht nëse vendosni ta shisni atë.

Një praktikë e mirë për shembull, është të qëndroni në kontakt të drejtpërdrejtë me klientët tuaj dhe të mbani marrëdhëniet e përditësuara, mundësisht në formën e kontratave të rinovueshme. Blerësit e zgjuar do t’i shqyrtojnë këto marrëdhënie nga afër, për arsye të thjeshtë se ata duan të jenë të sigurtë se konsumatorët do të qëndrojnë me kompaninë pasi të jetë shitur. Ju duhet të jeni të mençur të këmbëngulni për të njëjtin nivel sigurie në biznesin tuaj. Është shumë e lehtë të lejohet që këto lidhje të zbehen me neglizhencë dhe më pas të zbuloni për habinë tuaj se një klient i rëndësishëm ka humbur.

Një praktikë tjetër më e mirë është të siguroheni që keni financa të tilla të sakta që bankat dhe të aktorët e tjerë të jashtë, mund të kenë besim absolut në to. Natyrisht, të gjithë përfitojmë nga të pasurit financa të mira, thotë Brodsky, “por unë po flas për të marrë një hap më tej dhe për të certifikuar financat. Po! Procesi i certifikimit do t’ju kushtojë para e do t’ju marrë kohë, por financat e certifikuara rrisin vlerën e kompanisë. Një gjë, ata do ta bëjnë shumë më të lehtë për ju për të marrë një kredi në qoftë se papritmas keni nevojë. Ato gjithashtu e bëjnë biznesin shumë më tërheqës ndaj blerësve potencialë.

Ndiqni këto rregulla dhe do arrini të keni një biznes të mirëmenaxhuar dhe të vlefshëm që mund të vazhdojë të rritet dhe të përmirësohet për një kohë të gjatë. Injoroni ato, dhe ju do të kufizoni aftësinë e kompanisë tuaj për të arritur ndonjëherë potencialin e saj të plotë.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 21 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

21 tetor 1993

Nga fshati Stançiq u shpërngulën dhjetë familje

Disa fshatra të Karadakut, komuna e Gjilanit, në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, pas njohjes së këtij shteti, janë vënë në një trajtim të posaçëm ushtarak e policor. Njëri nga më të goditurit, gjthsesi, është Stançiqi, prej ku, në katër-pesë muajt e fundit, u shpërngulën dhjetë familje shqiptare në rrethinën e Kumanovës e të Shkupit, për shkak të lidhjeve farefisnore e gjeografike me këto treva. Për shkak të presionit policor e ushtarak në këtë brez kufitar, ka rrezik për shpërngulje edhe më të mëdha nga fshatrat përreth kësaj zone.

Sipas të dhënave të Këshillit për mbrojtjen e të drejtave e lirive të njeriut në Gjilan, për këto arsye, prej qershorit e deri para dy ditësh, nga Stançiqi u shpërngulën familjet e Kadri Bajramit (me 8 anëtarë), Destan Bajramit me 11 anëtarë, Shefki Dautit me 6 anëtarë, Isuf Veliut me 10, Salih Ajetit, gjithashtu me 10 anëtarë, pastaj familjet e Sejdi Osmanit, Baftiar e Naip Osmanit, Fehmi Murselit dhe familja e Rabit Latifit. Pra, një lagje e tërë shqiptarësh braktisi fshatin e lindjes dhe u vendos në Haraqinë, Qerkez, Kumanovë e gjetiu nëpër Maqedoni, pos dy familjeve të fundit, të cilat u vendosën në Zhegër, përkatësisht në Gjilan, njofton gazeta e sotme “Bujku”.

 

21 tetor 1994

Në komunën e Mitrovicës në nëntë muajt e fundit u bastisën 228 familje

Në komunën e Mitrovicës në nëntë muajt e fundit, policia serbe kryesisht nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi gjithësej 228 familje shqiptare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Policia serbe gjatë kësaj kohe ndërhyri 44 herë në institucione shkollore, në pyetje i mori 46 persona, plaçkiti 55 tregtarë dhe qytetarë shqiptarë, i konfiskoi 22 pasaporta, maltretoi në forma të ndryshme 39 persona, nën pretekst të dorëzimit të armëve dhe në forma të tjera i arrestoi dhe i mbajti deri në 3 ditë në burg 140 persona, u bë hapja e procedurave gjyqësore kundër 33 personave, u rrahën 218, u dënuan me burg 12 persona, ndërsa u dërguan me dhunë në ushtrinë serbe 13 të rinj shqiptarë.

21 tetor 1995 

New York Times: A është në rend eksplodimi në Kosovë?

Gazeta autoriative amerikane “The New York Times” botoi në numrin e sotëm (21 tetor 1995) një vështrim për Kosovën të autorit Julie Mertus (Xhuli Mertës) me titull “A është në rend eksplodimi në Kosovë?”. Në artikull thuhet:

“Iniciativa paqësore amerikane në ish-Jugosllavi po sjell një lehtësim të nevojshëm në Bosnjë-Hercegovinë, por ajo gjithsesi nuk do të arrijë të vendosë paqe afatgjatë në Ballkan po qe se në negociata nuk përfshihen të gjithë liderët e grupeve më të mëdha etnike në rajon. Duke i dhënë përparësi pragmatizmit para drejtësisë, ndihmëssekretari amerikan i shtetit Hollbruk e ka lënë pasdore përbërësin kryesor në zgjidhjen e problemit të Ballkanit: shqiptarët etnikë në Kosovë.

Ndonëse shqiptarët përbëjnë më tepër se 85 për qind të popullsisë së Kosovës, e cila ishte rajon autonom në ish-Jugosllavi, ata qe një kohë të gjatë po kontrollohen nga minoriteti etnik serb.

Presidenti serb Sllobodan Millosheviq hypi në pushtet pas një fjalimi në Kosovë më 1989 me të cilin ai denonconte, siç thoshte ai, brutalitetin e shqiptarëve ndaj serbëve të Kosovës. Fjalët e tij çuan në një dhunë të tmerrshme policore kundër shqiptarëve; arrestime masive, gjykime të montuara në bazë të deklaratave të nxjerra me dhunë. Shumë shqiptarë u përzunë nga puna pasi që refuzonin të nënshkruanin deklarata të lojalitetit ndaj Jugosllavisë së re.

Kështu, shqiptarët kanë organizuar shoqërinë e tyre paralele dhe shkollat, spitalet, qeveritë lokale etj. Komisioni i të Drejtave të Njeriut i OKB-së thotë: “Pjesa dërrmuese e popullsisë jeton me frikë konstante”.

Millosheviqi ka kundërshtuar të bisedojë rreth Kosovës në takimet ndërkombëtare, duke e quajtur këtë çështje të brendshme. Ai ka penguar OKB-në që të njohë Ibrahim Rugovën, i zgjedhur kryetar i Kosovës në zgjedhjet e vitit 1992, të cilat nuk njihen nga autoritetet serbe. Nëse përkrahja për presidentin Millosheviq në Serbi bie pas marrëveshjes paqësore në Bosnjë dhe disfatave ushtarake në Kroaci, ai mund të përpiqet të forcojë pushtetin e vet duke provokuar një konflikt në Kosovë. Luftimet në Kosovë padyshim do të përhapeshin në Shqipëri dhe do të mund të përfshinin edhe Maqedoninë (me 23 për qind popullsi shqiptare), Greqinë dhe Bullgarinë. Në rrafshin diplomatik, kjo do të vinte Amerikën kundër Rusisë, e cila mbështet regjimin serb në Kosovë.

Për të evituar këtë skenar, Kosova duhet të jetë e pranishme në tryezën ndërkombëtare të negociatave. Kjo mund të arrihet vetëm po qe se Shtetet e Bashkuara e injorojnë qëndrimin e OKB-së, sipas të cilit Qeveria e zgjedhur e shqiptarëve të Kosovës nuk meriton karrikë në tryezën e negociatave.

Një rol negociues (i SHBA-ve) nuk është i pamundur. Shtetet e Bashkuara, të brengosura për Kosovën, kanë dërguar atje miliona dollarë në vit për shërbime shëndetësore.

Për më tepër, tashmë është bërë presedan që të bisedohet me liderë të cilët nuk udhëheqin shtete të njohura ndërkombëtarisht. Zoti Holbruk po rropatet me Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin, liderë të serbëve të Bosnjës, të cilët akuzohen për krime të luftës. Prandaj, zoti Rugova nuk mund të përjashtohet nga negociatat vetëm pse ka fituar në zgjedhjet “e paligjshme”.

Çka mund të shpresojnë shqiptarët e Kosovës? Shtetet e Bashkuara do të duhej së paku të përkrahnin kërkesat e tyre për mbikëqyrje ndërkombëtarë të shkeljeve drastike të të drejtave të njeriut. Zoti Rugova, sipas të gjitha gjasave, po ashtu do të kërkojë një palë të tretë, helmetkaltërit e OKB-së ose trupat e NATO-s, për të ndihmuar normalizimin e një procesi në rajon, i cili do të zbuste praninë policore serbe dhe do të mundësonte rihapjen e shkollave lokale, spitaleve, shërbimeve qeveritare e të tjera. Duhet të jemi të sigurtë se një vend rreth tavoline për shqiptarët do ta iritonte Millosheviqin, por të përpiqesh të arrish paqe në Ballkan pa e pasë shqyrtuar çështjen e Kosovës është sikur të përpiqesh ta fikësh zjarrin duke e lënë thëngjillin të ndezur”, përfundon shkrimi i autorit Xhuli Mertës, që po shkruan një libër për Kosovën.

 

21 tetor 1997 

Policët e stacionuar në Morinë keqtrajtojnë kalimtarët

Që nga 17 tetori, Skenderaj e sidomos rruga në drejtim të Gllogocit po vërshohet nga patrulla të policisë, të përcjella me autoblinda e armatim të ndryshëm. Viktimë e policëve janë të gjithë qytetarët që kalojnë në këtë drejtim pas orës 20.

KI i Degës së LDK-së në Skenderaj njofton se tash pesë netë me radhë policët stacionohen në afërsi të deposë së materialit ndërtimor të Nuredin e Kajtaz Deliut nga Rrezala, e cila ndodhet në fshatin Morinë. Në këtë vend policia nga orë 20 deri në orën 24 maltreton kalimtarët. Nga policët ka pësuar rëndë edhe vetë Kajtazi. Policët madje djegin dërrasa dhe material tjetër të kësaj depoje, duke dëmtuar kështu pronarët e deposë edhe materialisht.

Në këtë vend, më 17 tetor u keqtrajtuan Petrit Murtezaj, student nga Klina e Poshtme, Vezir Ymeri nga Kopriva e Mitrovicës dhe Bajram Haziraj nga Llausha. Ata po udhëtonin me veturë dhe u keqtrajtuan pa ndonjë pretekst. Në Morinë u keqtrajtuan rëndë edhe Musa, Musdtafë e Mehdi Koca nga Polaci dhe Tafil e Daut Gjinofci nga Makermali.

Po në Morinë, siç njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogoc, më 17 tetor, pas orës 22, u keqtrajtua fizikisht edhe Adem M. Kiqina (40) nga Baica e kësaj komune, punëtor në Ferronikel. Sipas deklaratës së tij, këtu është keqtrajtuar edhe një punëtor tjetër.

21 tetor 1998

Vdiq edhe një anëtare e familjes Deliu nga Obria e Epërme

Mbrëmë, në shok dhomën e spitalit të Prishtinës vdiq Bedrie Deliu (25) nga Obria e Epërme e Skënderajt, nënë e katër fëmijëve.

Burime nga spitali bëjnë të ditur se ajo ishte sjellë në spital me lëndime të rënda në kokë, si pasojë e torturës fizike.

Bedria është anëtare e familjes Deliu, 25 pjesëtarë të së cilës u vranë e u masakruan gjatë një aksioni të forcave serbe në fund të muajit të kaluar.

Foto: New York Times

 

Continue Reading

Lajmet

Galeria Kombëtare e Kosovës hap thirrjen për Programin Vjetor 2027

Published

on

Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) ka hapur thirrjen për propozime për Programin Vjetor 2027, duke ftuar artistë, kuratorë, hulumtues dhe profesionistë të tjerë të arteve pamore të aplikojnë me projektet e tyre.

Thirrja përfshin propozime për ekspozita ndërdisiplinare në fusha si piktura, skulptura, grafika, instalacioni, fotografia, videoja dhe performanca. Gjithashtu, pranohen projekte edukativo-arsimore, hulumtuese, botuese dhe multimediale.

Projektet mund të realizohen brenda ose jashtë hapësirave të Galerisë, në bashkëpunim me stafin e saj. Për aplikim janë të ftuara edhe kolektivet, organizatat dhe komunitetet kulturore, ndërsa kontratat do të lidhen me individë.

Programi do të zhvillohet në dy hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës: GKK Qendrore dhe GKK QAFA.

Afati i fundit për aplikim është 30 dhjetor 2026. Informacionet e hollësishme për thirrjen dhe mënyrën e aplikimit mund të gjenden përmes kanaleve zyrtare të Galerisë Kombëtare të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Restaurohet Mulliri i Cermjanit në Gjakovë, rikthehet një pjesë e trashëgimisë kulturore

Published

on

Mulliri i Cermjanit në Gjakovë është restauruar, duke rikthyer në jetë një pjesë të trashëgimisë kulturore që dëshmon traditën dhe mënyrën e jetesës së brezave të kaluar.

Përmes këtij restaurimi synohet ruajtja e vlerave historike dhe kulturore, si dhe përcjellja e tyre te brezat e ardhshëm.

Puna për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore vazhdon, me qëllim që monumentet dhe traditat që përbëjnë identitetin tonë të ruhen edhe në të ardhmen./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“WALL NOT I”, projekt artistik në Muzeun e Burgut të Prishtinës

Published

on

Një ligjëratë performative dhe videoinstalacion i frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Samuel Beckett do të prezantohet më 16 tetor në Muzeun e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.

Projekti “WALL NOT I”, i realizuar nga autori dhe përkthyesi Idlir Azizaj dhe artisti Mentor Berisha, nis në orën 19:00 dhe ndërthur ligjëratën, imazhin dhe videoinstalacionin për të eksploruar raportin mes trupit, hapësirës, kujtesës dhe rrëfimit.

Përmes dialogut mes veprës së Beckettit dhe historisë së Burgut të Idealit, projekti trajton temat e mbylljes, mungesës së lirisë dhe rezistencës njerëzore.

Aktiviteti do të mbahet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Burgut të Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara