Lajmet

Nga bojleri deri te furra: Si ta kursejmë rrymën?

KEDS-i e ka identifikuar bojlerin si pajisjen që shpenzon më së shumti energji elektrike.

Published

on

Shfrytëzimi i lavatriçes, enëlarëses e bojlerit pas orës 22:00 do të ndihmonte që qytetarët e Kosovës të paguajnë më pak për rrymën e shpenzuar, thonë nga Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

Skemën e shpenzuesve të energjisë elektrike në Kosovë, 68 për qind e përbëjnë konsumatorët shtëpiakë.

Mesatarja e faturës së tyre mujore është rreth 30 euro, apo 450 kilovatë në orë energji elektrike.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00.

Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.

Konsumatorët e Kosovës paguajnë rregullisht 6.75 centë për kilovat në orë, por me tarifën e ulët paguajnë 4 centë më lirë.

KEDS-i e ka identifikuar bojlerin si pajisjen që shpenzon më së shumti energji elektrike gjatë gjithë vitit. Bojleri përbën 44 për qind të shumës së faturës.

Për të kursyer rrymë nga kjo pajisje, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) u ka rekomanduar qytetarëve t’i ndërrojnë “bojlerët e vjetër”, pasi ata shpenzojnë më shumë.

“Bojleri të përdoret atëherë kur ju nevojitet, kurse termostati i bojlerit të jetë midis 50°- 55°C”, ka rekomanduar ZRRE-ja.

Gjatë dimrit, ndërkaq, shpenzuesi më i madh i energjisë elektrike në shtëpi e banesa është ngrohja me rrymë, e cila përbën deri në 70 për qind të shumës totale të faturës mujore.

Për të kursyer nga ngrohja, ZRRE-ja u ka rekomanduar qytetarëve t’i izolojnë objektet e banimit, t’i mbajnë mbyllur dyert e dritaret, të akumulojnë nxehtësi në termo gjatë natës dhe t’i ndalin mjetet e ngrohjes nëse nuk janë në shtëpi.

Sipas llogaritjeve të KEDS-it, fatura e rrymës rritet për 19 për qind nga pajisjet elektrike për zierje në kuzhinë, nëse nuk shfrytëzohen në mënyrë të duhur. Përdorni i furrave me mikrovalë thuhet se është më efikas dhe se ato shpenzojnë më pak.

Rekomandimet tjera që jep ZRRE-ja, përfshijnë: mosvendosjen e frigoriferit afër burimeve të nxehtësisë, fikjen e dritave në hapësira që nuk shfrytëzohen dhe përdorimin e poçeve elektrike kursyese.

Muajve të fundit, Kosova është futur në krizë energjetike, si pasojë e krizës së ngjashme që ka përfshirë Evropën.

Kriza në Evropë është thelluar kah mesi i vitit 2021, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.

Kjo ka bërë që Kosovës t’i rriten çmimet e importit. Kosova nuk mund t’i përballojë e vetme kërkesat – kryesisht për shkak të vjetërsisë së termocentraleve që ka.

ZRRE-ja ka dalë me propozimin që nga muaji shkurt të rritet çmimi i rrymës.

Sipas propozimit, që pritet të finalizohet deri në fund të muajit, rritja do t’i prekë vetëm qytetarët që shpenzojnë mbi 800, përkatësisht mbi 1000 kilovatë në orë.

Kjo ka bërë që institucionet energjetike, por edhe Qeveria e Kosovës, të bëjnë thirrje për kursim të rrymës.

Por, Visar Azemi, nga iniciativa rajonale “Balkan Green Foundation”, e cila synon promovimin e zhvillimit të energjisë, thotë se konsumatorët nuk mund të kursejnë rrymë kur nuk kanë alternativa për ngrohje.

Mundësia eventuale për kursim, sipas tij, është që Qeveria e Kosovës t’i subvencionojë pompat termike – apo kaldajat qendrore për ngrohje – për qytetarët.

Këto pompa, thotë ai, konsumojnë më pak energji elektrike.

“Kërkesa më e madhe në këtë periudhë është për ngrohje – këtu është problemi më i madh, sepse nuk ka ndonjë subvencionim të mirëfilltë ose alternativa për qytetarët që t’i ngrohin shtëpitë e tyre”, thotë Azemi.

Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë, thonë se mundohen të kursejnë, porse jo gjithmonë e kanë të mundur.

Rejhane Behxheti, e cila me familjen e saj 4-anëtarëshe jeton në një banesë në Prishtinë, thotë se gjatë sezonit të dimrit nuk mund kursejë, për shkak të ngrohjes me rrymë.

“Unë i kam dy fëmijë të vegjël, nuk e ndal ngrohjen se tani fëmijët mund të sëmuren nga të ftohtët”, thotë Rejhanja, e cila për rrymë paguan mbi 50 euro në muaj.

Arbeni, me profesion ekonomist, thotë se nuk i shfrytëzon tarifat e ulëta dhe të larta të rrymës, por shton se, kohëve të fundit, ka nisur të kursejë rrymë.

“Nuk i lë dritat e ndezura, bojleri nuk qëndron në rrymë gjithmonë, edhe ngrohjen e përdor në rast nevoje, nuk mbaj temperatura të larta në ambient të shtëpisë”, thotë Arbeni.

Për të lehtësuar barrën e qytetarëve nga rritja e pritshme e çmimit të rrymës, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 75 milionë eurosh në formë subvencionimi për ta.

Subvencionet e Qeverisë do të shfrytëzohen për një periudhë njëvjeçare.

Faturat me rritje, në rast se propozimi i ZRRE-së kalon, do të shpërndahen nga data 1 shkurt, 2022, dhe shqyrtimi i rregullt i tyre do të bëhet në muajin mars të vitit 2023.RFE

Live

Presidentja Osmani në Samitin Botëror të Qeverisjes: Sundimi i ligjit dhe dinjiteti njerëzor në zemër të inovacionit

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin e saj të tretë në kuadër të Samitit Botëror të Qeverisjes, ku trajtoi rrugëtimin e Kosovës nga rindërtimi pas luftës drejt ndërtimit të një shteti demokratik, të bazuar në sundimin e ligjit, forcimin e të drejtave dhe vendosjen e dinjitetit njerëzor në qendër të inovacionit dhe qeverisjes moderne.

Në fjalën e saj, Presidentja Osmani falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për organizimin e këtij forumi ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një hapësire ku përvoja, idetë dhe përgjegjësia globale bashkohen për të adresuar sfidat e së ardhmes.

Ajo e cilësoi Kosovën si një shtet të ndërtuar mbi guximin, duke përshkruar tranzicionin e saj “nga mbijetesa në sovranitet”, nga një vend i shkatërruar nga lufta në një shtet që sot krijon rregulla në shërbim të qytetarëve të vet. Sipas Presidentes, me mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, Kosova ka ndërtuar një arkitekturë ligjore dhe institucionale që e vendos demokracinë në qendër dhe drejtësinë si shtyllë kryesore.

“Sot, Kosova nuk është më vetëm përfitues i solidaritetit ndërkombëtar. Ne jemi një kontribues në të, një vend që ka mësuar shpejt, ka ndërtuar mençurisht dhe tani flet me besim. Nga ndërtimi i institucioneve nga zeroja deri te përmirësimi i tyre me qëllim të vërtetë, Kosova është bërë një shembull i gjallë se shoqëritë rezistente, të bazuara në rregulla dhe të orientuara nga qëllimi, nuk janë vetëm trashëguar, ato gjithashtu projektohen në mënyrën më pozitive”, theksoi Osmani.

Presidentja vuri theks të veçantë në rëndësinë e sundimit të ligjit dhe ndërtimit të besimit të qytetarëve në institucione, duke nënvizuar se drejtësia nuk duhet të mbetet e largët dhe e pakuptueshme për qytetarët. Ajo theksoi se digjitalizimi i drejtësisë nuk është vetëm një përmirësim teknik, por një imperativ i të drejtave të njeriut, që synon ta afrojë drejtësinë më pranë qytetarëve.

Në këtë kontekst, Osmani paralajmëroi se teknologjia dhe inovacioni duhet të jenë gjithmonë të ankoruara në të drejtat, barazinë dhe mbikëqyrjen demokratike, duke theksuar se inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja nuk duhet të thellojnë pabarazitë apo të dobësojnë të drejtat themelore.

“Transformimi digjital duhet ta afrojë drejtësinë më pranë njerëzve, duke mundësuar që qytetarët tanë të kenë qasje të lehtë në informacion, të ndjekin çështjet e tyre dhe të ndërveprojnë me institucionet pa barriera të panevojshme. Kur udhëhiqet nga vlerat, teknologjia bëhet një urë midis institucioneve dhe njerëzve që ato shërbejnë. Në të njëjtën kohë, ne qasemi tek digjitalizimi me përgjegjësi”, tha Osmani.

https://www.facebook.com/reel/844451768553854

Continue Reading

Aktualitet

Deputeti Shaip Kamberi pranon në Uashington ligjin për vlerësimin e diskriminimit në Luginën e Preshevës

Published

on

By

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se në Uashington ka pranuar personalisht nga Kongresisti amerikan Keith Self projektligjin H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, një akt i rëndësishëm që për herë të parë adreson në mënyrë zyrtare diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Sipas Kamberit, ky ligj nuk ka karakter simbolik, por përbën një instrument shtetëror amerikan, i cili synon të vlerësojë, dokumentojë dhe ekspozojë forma të ndryshme të diskriminimit që përjetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në fokus të këtij vlerësimi janë praktika si pasivizimi administrativ, përjashtimi nga institucionet publike, shtypja e përdorimit të gjuhës shqipe, diskriminimi në arsim dhe margjinalizimi ekonomik.

“Për herë të parë, kjo padrejtësi nuk mbetet në periferi të diplomacisë, por futet në zemrën e politikës amerikane, jo si protokoll, por si detyrim moral”, ka theksuar Kamberi në reagimin e tij.

Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj Kongresistit Keith Self, duke theksuar se mbështetja e tij për këtë nismë përfaqëson një qëndrim parimor në një kontekst ndërkombëtar ku, sipas Kamberit, shpeshherë heshtja diktohet nga interesat.

Continue Reading

Vendi

Aktgjykimi i Kushtetueses: Nënkryetari serb i Kuvendit propozohet nga shumica e deputetëve serbë

Published

on

By

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke theksuar se nënkryetari propozohet nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti.

Aktgjykimi i plotë publikohet disa ditë pasi Kushtetuesja publikoi një njoftim lidhur me këtë vendim sa i përket zgjedhjes së Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit gjatë legjislaturës së kaluar, duke gjetur se ai ishte zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Kandidati/ja për nënkryetar/e të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb; përderisa kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë propozohet, nga shumica e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë, në përputhje me kërkesat formale dhe në mirëbesim”, thuhet në aktgjykim.

Rashiq, udhëheqës i partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u zgjodh nënkryetar nga radhët e komunitetit serb në tetor të vitit 2025, përmes shortit të iniciuar nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

Shorti u organizua pasi Lista Serbe – që kishte nëntë deputetë dhe po aq do të ketë edhe në legjislaturën e re – nuk morën votat e nevojshme, dhe u organizua shorti.

Zgjedhja e tij u kontestua nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Që atëherë, Kuvendi është shpërndarë dhe vendi ka mbajtur zgjedhje dhe Kushtetuesja ka thënë se aktgjykimi i saj nuk ka efekt prapaveprues”.

Pra, kjo do të thotë se ky vendim nuk vlen edhe për rastet para hyrjes në fuqi, por për ato që do të merren në të ardhmen.

Gjykata tha se e drejta për të propozuar nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij minoritet.

Në aktgjykim u tha se aktivizimi i mekanizmit zhbllokues të shortit, “duhet të vijnë në shprehje rrethana përjashtimore, me ç’rast shumica e deputetëve nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë nuk do të propozonte kandidatët”.

Institucioni më i lartë juridik në shtet tha se në rastin konkret nëntë kandidatë nga komuniteti serb u votuan nga tri herë, pas propozimit nga ana e përfaqësuesit të tyre.

“Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, si dhe pas kërkesës nga kryetari i zgjedhur i Kuvendit që të propozohet deputeti i mbetur i pa votuar nga radhët e komunitetit serb, përfaqësuesi i shumicës së deputetëve në radhët e komunitetit Serb kërkoi ripropozimin e kandidatëve nga kjo shumicë bazuar në të drejtën e përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 67 të Kushtetutës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit”, u tha në aktgjykim.

Në vendim thuhet se përderisa i takon Kuvendit që të vlerësojë rrethanat që e bëjnë të domosdoshëm aktivizimin e mekanizmave debllokues, “Gjykata thekson fuqishëm që këto mekanizma nuk mund të përdoren si procedurë e rregullt e zgjedhjes së kryetarit/nënkryetarëve, por vetëm në rrethana të caktuara, kur një gjë e tillë është e domosdoshme për të debllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe vetëm në masën që një gjë e tillë i shërben qëllimit kushtetues për çka këto mekanizma janë përcaktuar”.

“Në parim, ashtu siç është theksuar më herët, propozimet nga grupet parlamentare apo deputetët që gëzojnë të drejtën e propozimit, në frymën e mirëbesimit dhe bashkëpunimit, duhet të synojnë arritjen e konsensusit, të sigurojnë votat e nevojshme dhe të rezultojnë në zgjedhjen e kandidatëve ashtu siç janë propozuar dhe siç parashihet me Kushtetutë. Për më tepër, duke u mbështetur në përcaktimet kushtetuese të lartcekura, ky parim ka rëndësi të veçantë për garantimin e së drejtës së përfaqësimit të komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat nuk disponojnë numrin e nevojshëm për të siguruar vetë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në kryesinë e Kuvendi”, thuhet në aktgjykim.

Kushtetuesja thotë se shorti nuk mund të përdoret si mekanizëm në rrethanat kur shumica e deputetëve të Kuvendit do të përcaktonte përfaqësuesin e një komuniteti joshumicë, pa propozimin e këtij komuniteti, pasi argumenton se kjo, “në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit”.

Pas njoftimit për aktgjykimin, të publikuar nga Kushtetuesja më 28 dhjetor, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte kritikuar atë, duke vlerësuar se përmbante “gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse”.

Ai vlerësoi se pretendimet e Gjykatës Kushtetuese “janë të pabaza” sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Basha deklaroi se Rashiq nuk u propozua nga shumica e deputetëve serbë, pasi siç argumentoi ai, nga shumica e këtyre deputetëve nuk ka pasur propozim.

“Me fjalë të tjera, vetë Gjykata Kushtetuese po e pranon se shumica e deputetëve nga komuniteti serb nuk e kanë propozuar zotin Rashiq, pra kemi pasur të bëjmë me refuzim, apo ndryshe thënë mospropozim nga ana e tyre”, shkroi Basha në rrjetet sociale.

Më 16 tetor 2025, Lista Serbe iu drejtua Kushtetueses me ankesë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese, shkruan REL.

Gjykata më e lartë në vend veçse kishte trajtuar një ankesë të Listës Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kryeparlamentari Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.

Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.

Në atë vendim, Kushtetuesja tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb./KosovaPress/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Osmani takon presidentin e Etiopisë, shtet ky që ende nuk e ka njohur Kosovën

Published

on

By

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani – Sadriu, ka takuar presidentin e Etiopisë, Taye Atske Selassie, gjatë qëndrimit të saj në Samitin Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Osmani shprehet se potenciali i bashkëpunimit mes dy shteteve është i madh.

“Potenciali i bashkëpunimit midis dy vendeve tona është i madh e në dobi të popujve tanë paqedashës, prandaj shpresojmë që ky bashkëpunim do të rritet e thellohet në të ardhmen e afërt”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Kujtojmë se Etiopia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.

Ndërsa, gjatë vitit 2025, Kosova është njohur nga Kenia, Sudani, Siria dhe njohja e fundit nga shteti i Bahamas.

https://www.facebook.com/share/p/1MunKA4uVS/

Continue Reading

Të kërkuara