Lajmet

Nga Blair tek Babis, “Kutia e Pandorës” zbulon thesaret e fshehta të VIP -ave

Sa para janë të fshehura në oazet fiskale dhe ku?

Published

on

Konsorciumi ndërkombëtar i gazetarëve investigativë (ICIJ) dhe një grup prej 150 mediash përfshirë edhe seksionin turqisht të DW, zbuluan, se 330 zyrtarë publikë në të gjithë botën kanë lidhje me llogaritë offshore.

Investigimi i “Pandora Papres” ka zbuluar, se 35 përqind e udhëheqësve të sotëm dhe të mëparshëm botëror, përfshirë edhe ish-kryeministrin Britanik Tony Blair, mbretin e Jordanisë dhe presidentin e Kenias, Uhuru Kenyatta, si edhe miliarderë të fuqishëm janë partnerë në kompani që shfrytëzojnë parajsat fiskale offshore. Llogaritë offshore shpesh herë janë përdorur për të menaxhuar në mënyrë sekrete dhe për të lëvizur shuma të mëdha parash me qëllim që të fshehin pasurinë e vërtetë të personit. Investigimi i kryer nga konsorciumi ndërkombëtar i gazetarëve investigativë (ICIJ) dhe një grup prej 150 mediash përfshirë edhe seksionin turqisht të DW, zbuluan, se 330 zyrtarë publikë në të gjithë botën kanë lidhje me llogaritë offshore. Dokumentat e ekzaminuara tregojnë shtrirjen, në të cilën operacionet sekrete offshore kanë prekur politikat financiare globale. Ministrat e financave të Pakistanit, Holandës dhe Brazilit kanë të gjithë lidhje me kompanitë offshore, ashtu si edhe ministrat e mëparshëm të financave të Maltës dhe Francës duke përfshirë edhe ish-shefin e FMN-së, Dominique Strauss-Kahn.

Sipas ICIJ Pandora Papers tregojnë, se njerëzit e fuqishëm me pushtet, që mund të ndihmojnë t’i jepet fund sistemit të ofshoreve, në fakt janë përfitues prej këtyre sistemeve. Ata fshehin asete në kompani dhe truste të fshehta ndërkohë që qeveritë e tyre përkatëse bëjnë pak për të ndaluar qarkullimin global të parave ilegale duke pasuruar kriminelët dhe varfëruar vendet.

Nga Blair tek Babis: Elita evropiane zbulohet

Ish-kryeministri britanik Tony Blair është deklaruar kundër evazionit fiscal për dekada të tëra, por këto dokumenta zbulojnë se ai dhe gruaja e tij arritën të kenë në pronësi një godinë 8,8 milionë Dollarë amerikanë  (7,6 milionë Euro) kur ata blenë një kompani real estate offshore nga famlija e ministrit të Industrisë dhe Turizmit të Bahrenit, Zayed bin Rashid al Zayani. Duke blerë aksionet e kompanisë dhe jo godinën direkt, Blair dhe gruaja e tij Cherie arritën të mënjanojnë pagesën e taksës për pronën në shumën 400.000 Dollarë amerikanë. Blair dhe al Zayani thanë, se fillimisht ata nuk dinin për implikimin e njeri-tjetrit në këtë marrëveshje, Cherie Blair tha, se burri i saj nuk ishte i involvuar në transaksion. Kompania tani është mbyllur. Emri në Pandora Papers i del gjithashtu kryeministrit çek Andrej Babis, një miliader që erdhi në pushtet më 2017 me premtimin për të luftuar korrupsionin. Regjistrimet e bëra publike tregojnë, se më 2009 Babis pagoi 22 milionë Dollarë në një zinxhir kompanish guaskë për të blerë rezindencë me dy pishina dhe një kinema në një fshat në majë të kodrës në rivierën franceze pranë qytetit të Kanës. Investigace.cz zbuloi se pronësia e kompanive guaskë dhe e shtëpive nuk ishte e përmendur në deklarimin e pasurisë së kryeministrit. Babis nuk iu përgjigj kërkesës së gazetarëve për prononcim lidhur me këtë.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy gjithashtu ka aksione në një kompani guaskë të regjistruar në British Virgil Islands. Një muaj përpara zgjedhjes së tij si president në prill 2019 politikani i shiti qetësisht aksionet e kompanisë së tij Malteks si përfitues një personi që është mik i tij i ngushtë dhe partner biznesi, Sergiy Shefir. Një dokument i datuar në qershor 2019 tregon, se Shefiri i mori aksionet në Malteks pasi ai kishte nisur të punonte në administratën e Zelenksit.

Enigma e Kenyatta-s

Presidenti Kenyatta që vjen nga një prej dinastive më të njohura politike të Kenias ka bërë fushatë për një platformë antikorrupsioni dhe ka bërë presion për transparencë në politikë. Por regjistrimet e publikuara tregojnë se Kenyatta dhe nëna e tij janë përfitues të kompanive të firmave offshore të fondacioneve sekrete në Panama. Antarë të tjerë të familjes përfshrirë edhe vëllezër e motra zotërojnë pesë kompani e firma offshore me vlerë më shumë se 30 milionë Dollarë, sipas regjistrimeve. Kenyatta dhe familja e tij nuk iu përgjigjën pyetjeve të ICIJ-së.

Mbretëria arabe: Kurora peshon rëndë

Pandora Papers zbulojnë pronarët e vërtetë të më shumë se 29 mijë kompanive e firmave offshore. Disa nga këto firma janë përdorur për të fshehur llogari bankare me emra të tjetërsuar, jet-e private, jahte, rezidenca dhe vepra arti të nivelit të Picasso-s dhe Banksy-t. Mbreti Abdullahu i II i Jordanisë ka blerë në kohën e revoltave të pranverës arabe tri rezidenca në bregdet në Malibu, Kaliforni me një shumë totale prej 68 milionë Dollarësh përmes firmave offshore, në një kohë që jordanezët mbushnin rrugët duke protestuar kundër korrupsionit dhe papunësisë. Dokumentat sekrete kanë demaskuar gjithashtu princeshën e Marokut Lalla Hasnaa si pronare e një kompanie guaskë që bleu një rezidencë 11 milionë Dollarë në afërsi të pallatit Kensington në Londër. Hasnaa e realizoi blerjen duke përdorur fonde nga “familja mbretërore marokene”. Sipas informacionit të rrjedhur nga këto dokumenta ajo është listuar me profesionin “princesa”.

Kryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe emiri i Duabit, Mohammed bin Rashid Al Maktoum, ishte një aksioner i tri kompanive të regjistruara në fshehtësi. Emiri i Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, vazhdon të përdorë kompanitë offshore për të bërë investime, të menaxhojë pasurinë e tij duke e ruajtur atë në favor të familjes së tij.

Panama Papers kanë zbuluar, se super jahti i tij  me vlerë 300 milionë Dollarë është menaxhuar nga kompani offshore.

Yje të sportit dhe të muzikës pop – këngëtarja kolumbiane Shakira dhe ish-super ylli i cricket-it Sachin Tendulkar nga India janë ndër emrat e tjerë që janë të implikuara në asetet offshore. Avokati i Shakirës tha, që llogaritë e saj offshore janë të deklauara dhe nuk i kanë sjellë asaj ndonjë avantazh përsa u përket tatimeve.

Ndërkohë avokati i Tendulkar-it nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve.

Mbi 130 miliarderë janë të ekspozuar

Udhëheqësi populist çek Babis nuk është i vetmi miliadrer i zbuluar. Më shumë se 130 të tjerë nga Turqia, Rusia, India, SHBA, Meksika dhe vende të tjera kanë lidhje me llogaritë offshore. Miliarderi dhe ndërtuesi i niveleve të larta Erman Ilicak nga Turqia ka lidhje me dy kompani offshore, të dyja këto të regjistruara në emër të mamasë së tij në vitin 2014. Njëra nga kompanitë ka asete nga konglomerati familjar i ndërtimit me fitim 105,5 milionë Dollarë nga dividentët gjatë vitit të parë të aktivitetit. Këto të dhëna zbulohen nga regjistrime konfidenciale financiare. Që nga koha e bërjes publike të këtyre të dhënave z. Illicak nuk iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me këtë.

Kompania turke e Ilicak Ronesans Holding ishte përgjegjëse për ndërtimin e pallatit presidencial të shumë përfolur me 1150 dhoma për presidentin e Turqisë Rexhep Taip Erdogan. Seksioni i DW-së në gjuhën turke është i vetmi që ka marrë pjesë në këtë investigim, sepse në Turqi vazhdon përndjekja dhe censurimi i gazetarëve dhe redaksive vendase të lajmeve.

Pse janë problematike oazet fiskale

Kështu mund të shpjegohet përmbledhtas se si funksikonojnë kompanitë offshore: Me një çmim fillestar prej vetëm disa qindra dollarësh ofruesit mund të ndihmojnë klientët të themelojnë një kompani offshore, poseduesit real të së cilës mbeten konfidencialë. Ose kundrejt një pagese prej 2.000 deri në 25.000 ata mund të themelojnë një trust, i cili në rrethana të caktuara u krijon mundësi përfituesve të kontrollojnë paratë e tyre duke mos qenë legalisht përgjegjës.

Vetëm disa manovrime me dokumentacionin dhe pak kreativitet ndihmon të mbrosh asetet nga kredidhënësi, nga detyrimet ligjore, nga mbledhësit e taksave dhe nga ish-bashkëshortet ose bashkëshortët.

Zotërimi i kompanive offshore dhe veprimet e transaksioneve financiare përmes këtyre oazeve fiskale  janë në disa vende mëse legale, por praktikat se si realizohet kjo janë nën investigim. Personat që përdorin këto kompani thonë, se janë të nevojshme për të operuar bizneset e tyre. Kritikët nga ana tjetër thonë, se oazet fiskale dhe operacionet offshore duhet të monitorohen më nga afër për të luftuar korrupsionin, larjen e parasë dhe mosbarazinë globale. 

Sipas Gabriel Zucman, një ekspert i oazeve fiskale dhe profesor i asociauar i ekonomisë në Universitetin e Berkeley në Kaliforni, thotë se dhjetë përqind e totalit botëror të GDP-së është depozituar në oazet fiskale.

Lakshmi Kumar, drejtore politike e Integritetit Global Financiar, i tha ICIJ-së dhe medieve se kur të pasurit fshehin paratë e tyre përmes evazionit fiskal, kjo ka një imapkt direkt në jetën e njerëzve. „Ajo prek mundësinë e fëmijëve tuaj për edukim, prek shëndetësinë, prek çdo shtëpi”, thotë ajo.

Sa para janë të fshehura në oazet fiskale dhe ku?

Për shkak të natyrës sekrete dhe komplekse të sistemit offshore nuk është e mundur të dihet shuma e saktë e pasurisë, që lidhet me evazionin fiskal dhe krimet e tjera, si edhe se deri në ç’masë autoritetet janë në dijeni.

Shuma e përgjithshme e parave të nxjerra nga vendet me nivel të lartë taksimi drejt oazeve fiskale me taksa shumë më të ulëta nuk dihet. Sidoqoftë sipas një studimi të bërë në vitin 2020 nga OECD me seli në Paris së paku 11,3 biliardë Dollarë mbahen offshore. Oazet fiskale automatikisht lidhen me vendet e Karaibeve. Por Pandora Papers tregon, se sistemet offshore veprojnë anë e mbanë globit edhe në vende si Singapori, Holanda, Irlanda, Hongkongu e madje edhe disa shtete në SHBA.

Si ndodhi rrjedhja e informacionit dhe verifikimi i tij?

Konsorciumi ndërkombëtar i gazetarëve investigativë ia doli të sigurojë 11,9 milionë skedarë konfindecialë dhe krijoi një ekip prej më shumë se 600 gazetarësh nga 150 media, që analizuan dhe investiguan për dy vjet mbi këto skedarë. Ata kanë rrëmuar, gjurmuar dhe zbuluar në shumë skedarë gjykatash dhe regjistrime të tjera publike nga shumë vende. Informacionet e rrjedhura vijnë nga 14 shërbime firmash offshore nga i gjithë globi, që përbëjnë kompani guaskë dhe rrjete të tjera offshore për klientët që kërkojnë të mbajnë në hije aktivitet e tyre financiare. Pandora Papers vijnë pesë vjet pas investigimeve të Panama Papers që u bënë stuhishëm publike më 2016. Zbulimet e atëhershme çuan në kontrolle policore, ligjvënësit në shumë vende kaluan shumë ligje të reja, që gjithashtu bënë të shkarkoheshin shumë politikanë të nivelit të lartë si p.sh. kryeministrat e Islandës dhe Pakistanit. /DW/

Continue Reading

Vendi

Rritet numri i viktimave në Poloni, të paktën gjashtë të vrarë nga të shtënat në Krakov

Published

on

Numri i viktimave nga të shtënat me armë zjarri në Poloni është rritur sërish.

Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë nga të shtënat në qytetin jugor të Krakovit, ka bërë të ditur administrata rajonale, raporton SkyNews.

Ndërkohë, të paktën 15 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Më herët, policia kishte raportuar për të paktën pesë viktima dhe rreth një duzinë të plagosurish, transmeton Ekonomia Online

Ndwrkobw, agjencia Kosovapress ka njoftuar se autori i vrasjes së gjashtë personave sot në qendër të Krakov ishte i veshur me uniformë kamuflazh dhe, sipas portalit polak Wirtualna Polska, ai mbante veshur edhe një jelek antiplumb.

Ish-specialisti i policisë kundër terrorizmit Kuba Jaloszyński beson se pajisjet dhe armët e tij tregojnë se ai po përgatitej për sulm. Deri më tani, policia nuk ka konfirmuar veçmas se ai mbante veshur një jelek antiplumb balistik.

Zëdhënësja e policisë së Krakow, Katarzyna Cislo, konfirmoi për TVN24 se disa armë zjarri dhe municione të tjera u gjetën në veturën e sulmuesit.

Mediat polake raportojnë gjithashtu se vetura është ekzaminuar nga ekspertët e policisë për eksplozivë. Ende nuk është njoftuar saktësisht se çfarë arme ishte, sa u gjetën ose si e siguroi sulmuesi atë.

Sulmi ndodhi sot rreth orës 3 pasdite në qendrën historike të Krakov. Një burrë e drejtoi veturën e tij në sheshin kryesor të qytetit, Rynek Główny, dhe filloi të qëllonte kalimtarët. Ndërsa udhëtonte nëpër qytet, ai qëlloi gjithashtu në një tramvaj të transportit publik, duke thyer dritaren e kabinës së shoferit.

Policia qëlloi dhe plagosi sulmuesin gjatë ndërhyrjes, pas së cilës ai u arrestua dhe u dërgua në spital, ku thuhet se është në gjendje kritike. Dy oficerë policie u plagosën gjithashtu në shkëmbimin e zjarrit. Njëri prej tyre pësoi tri plagë me armë zjarri dhe është në gjendje kritike.

Policia konfirmoi se sulmuesi është shtetas polak dhe mohoi thashethemet se një polic u vra dhe se një sulmues i dytë është në kërkim. Identiteti i të dyshuarit nuk është publikuar ende zyrtarisht. Mediat polake raportojnë se ai është një burrë i moshës 25-vjeç. Policia ende nuk e ka përcaktuar motivin e sulmit.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

7 nëntor 1992

Katër të vrarë e shumë të plagosur nga policia maqedonase

Bilanci tragjik i ndërhyrjes së policisë maqedonase në lagjen e banuar me shqiptarë Bit Bazar të Shkupit, është së paku dy persona të vrarë e me dhjetëra të plagosur.

Shërbimi për Informim i Partisë për Prosperitet Demokratik na njoftoi se dje pasdite, rreth orës l6, policia maqedonase ndërhyri kundër qytetarëve shqiptarë në Bit Pazar, që është qendër tregtare e shqiptarëve. Me këtë rast, policia maqedonase rrahu brutalisht një fëmijë, rreth 14 vjeç.

Ky veprim shkaktoi indinjatë, dhe pastaj reagime të shqiptarëve. Në mesin e qytetarëve të tubuar në Bit Pazar, u përhapën fjalë se fëmiu shqiptar kishte vdekur në spital. Duket se kjo u bë me qëllim që të rritet zemërimi i qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin informata të sakta për gjendjen e fëmiut të rrahur dhe sqarime nga autoritetet maqedonase.

Ndërkohë, rreth orës 20, pa kurrfarë paralajmërimi policia maqedonase e cila kishte vënë gjendje të plotë shtetrrethimi në këtë lagje të banuar kryesisht me shqiptarë, ndërhyri egërsisht, duke përdorur bomba lotsjellësi, shkopinj gome, e, edhe armët e zjarrit. Sipas disa mjeteve të informimit, policia kishte për qëllim shpërndarjen e masës së madhe në grupe të vogla. Siç informojnë zyrtarët e Partisë për Prosperitet Demokratik, nga të shtënat e policisë u vra Safet Sejfullahu, 25 vjeçar. Mjetet e informimit pohojnë se janë vrarë dy persona. Me dhjetëra janë të plagosur nga armët e zjarrit, ose të lënduar nga intervenimi brutal i policisë. Mbi 85 qytetarë shqiptarë janë arrestuar mbrëmë dhe po mbahen ende në polici. Bëhet me dije se janë demoluar vetura e lokale të shumta në këtë lagje.

Ndërkaq, sot RadioShkupi, në emisionet e veta informative në gjuhën maqedonase, duke u mbështetur në informatat zyrtare, njofton se gjatë mbrëmë në Bit Pazar, janë vrarë dy shqiptarë, një grua maqedonase dhe një person i paidentifikuar ende.

Informata të hollësishme për këtë intervenim të policisë kundër popullësisë shqiptare nuk dhanë as organet zyrtare të Maqedonisë, e as partitë politike shqiptare në Maqedoni, ose degët e tyre në Shkup.

Gjatë natës të gjitha lidhjet telefonike me Shkupin ishin të bllokuara.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, i deklaroi Qendrës për Informim se tërë kjo që ndodhi në orët e pasditës dhe të mbrëmjes në Bit Pazar ishte një skenar për destabilizimin e gjendjes në Maqedoni, përkatësisht në territoret ku jetojnë shqiptarët.Me këtë akt, policia maqedonase deshi të provokonte pakënaqësinë e grumbulluar për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike, kulturore në mesin e popullatës shqiptare. Ne do të insistojmë, tha ai më tutje, që e vërteta për tërë ngjarjen të dalë në shesh dhe që shkaktarët të mirren në përgjegjësi. Ai theksoi se momentalisht situata nuk është dramatike si mbrëmë. Veprimtarët e kësaj partie janë në kontakt me qytetarët shqiptarë dhe po bëjnë përpjekje që të ndërprerjnë daljen e situatës nga kontrolli. Gjendja e të plagosurve dhe e të lënduarëve nuk është në rrezik. Z. Halili shpreson se do të lirohen së shpejti të arrestuarit.

Nga burime të ndryshme, sidomos nga qytetarët shqiptarë që udhëtuan mbrëmë e sot nga Shkupi për në Kosovë, mirret vesh se policia maqedonase po bën një kontroll shumë të rreptë, sidomos në Shkup.

Brenda ditës së sotme pritet që me vlerësime e qëndrime zyrtare të dalin partitë politike shqiptare dhe organet maqedonase.

Qeveria e Maqedonisë, në të cilën shqiptarët kanë pesë ministra, dhe përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni, që përbën rreth 40% të popullsisë, deri më tash nuk kanë arritur marrëveshje për rregullimin e shtetit maqedon dhe statusin e shqiptarëve. Në janar të vitit l992 shqiptarët organizuan një referendum, në të cilin u deklaruan par autonomi politikoterritoriale. Në bisedimet e drejtëpërdrejta me autoritetet maqedonase, si edhe në bisedimet që janë bërë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Konferencës së Hagës e të Gjenevës, përfaqësuesit e shqiptarëve kanë kërkuar për shqiptarët statusin e kombit shtetformues. Mirëpo, deri më tash këto kërkesa nuk janë përfillur dhe bisedimet nuk kanë dhënë rezultat. Incidenti i djeshëm mund t’ i rëndojë këto marrëdhënie.

 

7 nëntor 1994

Represioni gjatë nëntë muajve në Istog

Gjatë nëntë muajve të kaluar në komunën e Istogut u bastisën 77 familje, u bënë pesë intervenime në institucionet legale, u morën në pyetje 96 shqiptarë, u shënuan dy raste plaçkitjeje ndërsa katër personave u janë marrë pasaportat.

Në raportin periodik të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Istog thuhet se janë maltretuar 54 persona, 10 të tjerë janë mbajtur në stacionet e policisë deri në 3 ditë, procedura për ndëshkim është inicuar kundër 7 personave, 71 janë rrahur, 2 shqiptarë janë dënuar, ndërsa jtanë kthyer 13 refugjatë.

 

7 nëntor 1995 

Në qendër të Prishtinës u dogjën disa lokale

Dje në qendër të Prishtinës në një ndërtesë dykatëshe shpërtheu një zjarr, i cili u lokalizua pas tri orëve, por stihia e zjarrit dogji tri lokalet e një ndërmarrjeje private. Pas intervenimit të zjarrfikësve u pengua përhapja e zjarrit, i cili kishte përfshirë edhe lokalet e tjera përdhese dhe katin e sipërm të ndërtesës, ku banojnë familje. Sipas njoftimeve të shtypit serb, zjarri shpërtheu për shkak të instalimeve të dobëta të rrymës.

 

 7 nëntor 1996

Dhuna e përditshme në Kosovë

Viti: – Dje, rreth orës 6:00 të mëngjesit, policia serbe ia la thirrjen Musa Misinit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Viti që të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Viti.

  1. Misini u paraqit në polici, kur për rreth gjashtë orë u mor në pyetje për aktivitetin e tij politik.

Kamenicë: – Më 4 nëntor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve, thirri Muharrem Avdylin (66) nga Kromenata, i cili edhe u keqtrajtua fizikisht. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish dje në polici, ndërsa bëhet e ditur se nga keqtrajtimi fizik i është lënduar syri.

 

7 nëntor 1997

Mitrovicë: Policia mori në pyetje dhe plaçkiti një të ri shqiptar

Dje, rreth orës 12:00 në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policia serbe mori Berat R. Rrahmanin (18) nga Mitrovica, i cili u dërgua në stacionin e policisë serbe në Mitrovicë, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Njoftohet se Berat Rrahmani merret me shitjen e cigareve dhe ai gjatë një ore sa u mbajt në polici, u pyet se kush ka armë në lagjen e tij në “Tavnik”, ndërsa policët edhe i plaçkitën cigare në vlerë prej 320 dinarësh.

Sot, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, policia serbe në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, legjitimuan dhjetëra të rinj shqiptarë.

 

7 nëntor 1998

Njoftohen emrat e 5 shqiptarëve të vrarë dje në Opterushë të Rahovecit

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Prizren bëti sot të ditur emrat e pesë të rinjve shqiptarë, të vrarë dje nga forcat serbe në Opterushë të Rahovecit.

Të vrarit janë Xhelal Hajda (31) e Selajdin Mullaabazi (30) nga Rahoveci, Bektesh Halili nga Gllavatini i Vushtrrisë, Hamdi Hajrizi nga Strofci i po kësaj komune dhe Nezir Ymeri nga Jezerci i Ferizajt, të gjithë pjesëtarë të UÇK-së. 

Foto: Shkupi

Continue Reading

Vendi

Ekspertja e Hollywood-it ligjëron para studentëve të studimeve të sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.

Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.

Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.

Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.

 

 

Continue Reading

Vendi

Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave në Prizren, synonin marrjen e pasurisë prej 1 milion eurosh

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe ndaj të pandehurit A.K., i cili akuzohet për fajde në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e tutje, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë para me kamata dukshëm jo proporcionale. Përmes kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i pandehuri ka përfituar mbi 400,000 euro nga viktima.

Për më tepër, E.K. e ka detyruar viktimën të paguajë kamatat dhe të mos e denoncojë rastin në polici përmes kanosjeve serioze me vrasje ndaj tij dhe familjes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., nga i cili të pandehurit E.K. dhe A.K. kanë kërkuar shumën prej 550,000 eurosh shkak të grumbullimit të kamatave.

Përpjekja për marrjen e pronave: I pandehuri i ka kërkuar viktimës t’i kalojë në pronësi lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë prej rreth 1 milion eurosh për mbulimin e kamatave.

Arrestimi nga Policia: Më 11 mars 2026, gjatë kohës kur të pandehurit po shoqëronin viktimën te përmbaruesi privat dhe noteri për kalimin e pronave, Policia e Kosovës ka ndërhyrë përmes masave të veçanta hetimore dhe i ka arrestuar ata në vendngjarje.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për “Pastrim të parave”, ka ngrirë disa patundshmëri, si dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve dhe dokumenteve noteriale. Prokurori i çështjes i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtore të të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara