Lajmet
Nga 1 shtatori vendoset tarifa e rikyçjes për konsumatorët që shkyçen për mospagesë të rrymës
Published
2 hours agoon
By
UBTNewsKompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike KESCO ka njoftuar konsumatorët se nga 1 shtatori 2026 do të fillojë zbatimi i tarifës së rikyçjes nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).
Sipas njoftimit të KESCO-s, kjo tarifë do t’u aplikohet të gjithë konsumatorëve të cilët shkyçen nga rrjeti elektrik për shkak të mospagesës së faturave dhe kërkojnë rikyçjen e furnizimit. Masa bazohet në Rregullën për Shkyçje dhe Rikyçje të miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Tarifa e re e rikyçjes do të aplikohet krahas tarifës së shkyçjes, e cila tashmë është në fuqi. Perveç kanaleve zyrtare të komunikimit, njoftimi do të përfshihet edhe në faturat mujore të rrymës që do të shpërndahen gjatë muajit gusht.
KESCO u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i kryejnë obligimet financiare brenda afateve të përcaktuara në faturë, në mënyrë që të shmangin shkyçjen dhe kostot shtesë. /E.A/
You may like
Lajmet
Kurti takon Zijadin Selën, diskutojnë zhvillimet politike dhe projektet infrastrukturore
Published
2 hours agoon
August 3, 2026By
UBT News
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e partisë Lidhja Shqiptare dhe deputetin në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Zijadin Selën.
Gjatë takimit, Kurti i uroi mirëseardhje Selës në Prishtinë dhe e falënderoi për vizitën, ndërsa bashkëbiseduan për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Në fokus të bisedës ishin përgatitjet për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës, formimin e Qeverisë së re dhe procesin e zgjedhjes së presidentit ose presidentes së vendit.
Palët diskutuan gjithashtu për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, me theks të veçantë te projektet infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e rrugës Prizren–Tetovë dhe aksit Bllacë–Shkup./A.K/
Lajmet
KDI mirëpret vendimin e Supremes për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores së KQZ-së
Published
2 hours agoon
August 3, 2026By
UBT News
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores Zgjedhore nr. 04/2026 për Vëzhguesit e Zgjedhjeve, duke vlerësuar se ato tejkalonin kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Sipas KDI-së, dispozitat e shfuqizuara i jepnin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kompetenca shtesë për të kërkuar informacione mbi burimet e financimit të organizatave, zgjeronin kërkesat për dokumentacion dhe krijonin kritere të paqarta për refuzimin e akreditimit të organizatave dhe mediave, duke lënë hapësirë për vendimmarrje arbitrare.
KDI thekson se rregullorja kufizonte edhe pjesëmarrjen e vëzhguesve që ishin në procedurë hetimore për shkelje zgjedhore, gjë që, sipas organizatës, cenonte parimin e prezumimit të pafajësisë. Po ashtu, kufizoheshin edhe të drejtat e vëzhguesve dhe mediave për të ndjekur mbledhjet publike të KQZ-së dhe Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndonëse karakteri publik i tyre garantohet me ligj.
Sipas KDI-së, vendimi i Gjykatës Supreme konfirmon se të drejtat dhe detyrimet e subjekteve nuk mund të kufizohen apo zgjerohen përmes akteve nënligjore pa mbështetje të qartë ligjore, duke vendosur një standard të rëndësishëm për ligjshmërinë, sigurinë juridike dhe transparencën në administrimin e zgjedhjeve.
Në fund, KDI i ka bërë thirrje KQZ-së që ta zbatojë pa vonesë aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe ta harmonizojë Rregulloren për Vëzhguesit e Zgjedhjeve me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës me konsultim publik të organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe akterëve të tjerë relevantë./A.K/
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 3 gusht 1993-1998?
Published
3 hours agoon
August 3, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Ditorja “Bujku” ndalohej sa herë donte pushteti serb
3 gusht 1993
Arrestime dhe bastisje të reja në Kosovë
Dje, rreth orës 7, në fshatin Bukosh të Suharekës, policët serbë arrestuan Ilaz Kadollin, ndërsa rreth orës 10, një ekspeditë tjetër policore bastisi shtëpinë e Ilazit dhe plaçkitën një palë dylbi, si dhe 250 marka gjermane.
Po kështu rreth orës 11, pesëmbëdhjetë policë të armatosur, bastisën shtëpinë e Hysen Gegajt nga fshati Sellograzhdë i Suharekës, ish i burgosur i ndërgjegjes. Gjatë bastisjes, policët serbë u sollën me një vandalizëm të paparë, me ç’rast demoluan dhe thyen të gjitha orenditë, tavanin dhe dyshemenë, si dhe rrahën në prani të anëtarëve të familjes, vajzën e Hysenit, Ylberen dhe vëllain e tij, Fatmirin.
Pas një orë bastisjeje, policët serbë morën me vete në stacionin e policisë Ylberen dhe Fatmirin, të cilët u mbajtën rreth dy orë në organet e sigurimit, ndërsa merret vesh se Hyseni dhe Ilazi gjenden ende në stacionin e policisë.
Dje, në Prizren rreth orës 11, disa policë serbë me pretekst të kërkimit të armëve bastisën shtëpinë e Behxhet Sedollit, mirëpo gjatë bastisjes nuk gjetën asgjë.
Dje në Dushanovë të Prizrenit, prej orës 23 deri në orën 1 pas mesnate, mëse 50 policë serbë, të përforcuar me një autoblindë dhe katër picgauerë, bastisën shtëpinë e vëllezërve Kastrati. Edhe kjo bastisje u bë me pretekst të kërkimit të armëve. Në prani të anëtarëve të familjes, policia rrahu Skënder Kastratin, e mori në stacion të policisë dhe e liroi pas dy orësh. Gjatë këtij aksioni, policia ishte mjaft agresive, nëpër rrugët e Dushanovës shtiu me armë, por sipas informatave që kemi policia nuk gjeti kurrfarë armësh.
Po ashtu dje rreth orës 4 të mëngjesit në Podujevë, policia serbe bastisi familjet e Rexhep Ajetit, Sallah Shabanit, Enver Shabanit, Ali Mehanës, Nazmi Beqirit, si dhe të plakës së vetmuar, Bahtie Kamberit, e cila nuk gjendej në shtëpi. Komisioni për Informim i LDK-së i Podujevës, njofton se gjatë bastisjes së policisë serbe në shtëpinë e Rexhep Ajetit, policia gjeti një sasi të armëve dhe të municionit, literaturë dhe një pasaportë. Policët gjatë bastisjes, rrahën vajzën e Rexhepit, Miradijen dhe vogëlushin tre vjeçar, Fidanin. Pas bastisjes, policia serbe detyroi disa qytetarë shqiptarë që t’i rrëzojnë dy sanë, pronë e Rexhep Ajetit për të kontrolluar se mos fshihen armë në to. Gjatë kësaj bastisjeje u arrestuan Enver R.Ajeti, Sabri Mehana dhe Enver Shabani. Bastisja zgjati deri në orën 11.
Gjithashtu dje, rreth orës 6 të mëngjesit, policia serbe bastisi familjen e Ismet Mahmutit nga Llapashtica e Podujevës. Në këtë bastisje merrnin pjesë rreth 20 policë dhe tre civilë. Me këtë rast u arrestuan Ismeti si dhe mysafirët e tij, Faik Rexhep Ajeti nga Podujeva dhe Sabri Softolli nga Lladovci. Komisioni për Informim i LDK-së së Podujevës, njofton se ende nuk kanë informata se a është gjetur diçka në këtë familje dhe a është bërë lirimi i personave në fjalë.
Dje në Kërpimeh të Podujevës, rreth orës 5 të mëngjesit, policia serbe bastisi edhe familjen 22-anëtarëshe të Ramadan Xhemajlit. Në këtë bastisje, gjithnjë me pretekst të kërkimit të armëve, morën pjesë 16 policë me shumë automjete.
Po kështu dje rreth orës 5 të mëngjesit, policia serbe rrethoi familjen Hyseni nga Ballofci, me ç’rast u bastisën vëllezërit Shemsi, Hajdar, Ajet, Nezir, Jahir, Zymer, Ajvaz dhe Islam Hyseni. Gjatë bastisjes policët serbë thyen dhe demoluan orenditë e kësaj familjeje, si dhe i plaçkitën 200 marka gjermane dhe pasaportat e vëllezërve Hyseni.
Ndërsa dje në Prishtinë, rreth orës 5 të mëngjesit në lagjen “Kodra e Diellit”, policia serbe bastisi banesën e Nehat Selimit. Policët serbë thyen derën e hyrjes dhe gjatë bastisjes që zgjati deri në ora 8, gjetën një automatik.
Pas bastisjes së banesës së Nehat Selimit, policët bastisën edhe lokalin e agjencisë së tij, me ç’rast konfiskuan një kompjutor dhe një telefaks.
Po ashtu dje në Prishtinë, rreth orës 10 në lagjen “Kodra e Trimave”, rreth 30 policë serbë të armatosur gjer në dhëmbë me pretekst të kërkimit të armëve, bastisën shtëpinë e Isak Rexhës. Pas dy orë e gjysmë, sa zgjati bastisja, policët arrestuan Fitim Isak Rexhën (1971) dhe dajën e tij që ishte në vizitë, Sylejman Begollin (1963) nga fshati Tërnavë i Podujevës. Merret vesh se Fitimi u dërgua në sigurimin shtetëror në Prishtinë dhe mbahet në paraburgim.
Në Prishtinë u arrestua edhe Hamit Zeqiri, kryetar i Degës së Tretë të Forumit Rinor të LDK-së
Ndërsa dje, në orën 13, në rrugën “M. Gubeci” në Prishtinë, një ekspeditë prej 15 policësh bastisi shtëpinë e Osman Ademit, me pretekst të kërkimit të armëve. Gjatë bastisjes policët plaçkitën disa paisje teknike për xhirim. Policia u soll në mënyrë brutale dhe urdhëroi atë që brenda dy ditësh të paraqitet në polici.
Sot paradite në fshatin Domanek të Malishevës një ekspeditë e policisë serbe, që erdhi nga Rahoveci, bastisi familjet e Rifat A.Krasniqit dhe Malush D.Krasniqit. Bastisja u bë me pretekst të kërkimit të armëve. Në prani të anëtarëve të tjerë të familjes policët rrahën Rifatin dhe Malushin. Policia arrestoi Rifat Krasniqin (1966), Ibrahim Krasniqin (1969), Maksut Krasniqin (1951) dhe djalin e tij Mahmutin (1971). Ata ende gjenden në polici.
Nga Malisheva njoftohet se qysh nga dje në arrest po mbahet kryetari i Sindikatës së pavarur të SPB të Rahovecit, Sylë Krasniqi.
3 gusht 1994
Në Brainë të Podujevës u bastisën 11 familje
Më 31 korrik, një ekspeditë serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi 11 familje në Brainë të Podujevës, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Podujevë.
U bastisën familjet e Muhamet e Ilmi Salihut, Muharrem Beqirit, Selim, Ramë e Hasan Dërgutit, Avdi Avdiut, Ramë Rrahmanit, Adem Halitit, Idriz Ajetit dhe atë të Bahtir Osiqit.
Njoftohet se pas bastisjes, policia personave të lartëshënuar ua la thirrjet që të paraqiten në stacionin e policisë në Orllan, gjoja për t’i dorëzuar armët që u kërkohen.
Fshati Brainë është një fshat malor dhe gjendet afër kufirit me Serbinë.
Siq kemi informuar në numrin e djeshëm të Informatorit, më 31 korrik në këtë fshat policia bastisi familjen e Faik Haxhës dhe rrahu gruan e tij Shukrijen.
Pse nuk u botua “Bujku” sot
“Bujku”, gazetë e vetme e përditshme në gjuhën shqipe në Republikën e Kosovës, nuk u botua sot.
Redaksia e gazetës “Bujku” njofton lexuesit se gazeta nuk u shtyp për shkak të mungesës së letrës për fotoradhitje në shtypshkronjë. Kështu u arsyetuan organet e dhunshme serbe në shtypshkronjën e “Rilindjes”. Mirëpo, për mungesë të letrës nuk është informuar paraprakisht redaksia e “Bujkut”.
Siç njoftohet nga redaksia, për nesër është premtuar botimi i gazetës.
3 gusht 1995
Dhuna e përditshme në Kosovë
Gllogovc: – Më 26 korrik rreth orës 17:00, tre policë serbë ishin në shtëpinë e Idriz Zekës (1930), bujk nga fshati Nekoc i Gllogovcit, të cilin e morën me dhunë dhe shkuan në shtëpinë e Kamber Zekës (1954), mësues nga ky fshat. Kamber Zeka nuk gjendej në shtëpi,ndërsa policët e keqtrajtuan më pas fizikisht Idriz Zekën.
Skënderaj: – Më 18 korrik, policia serbe e postkomandës së Runikut, me pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpinë e Dibran Durakut në fshatin Brojë.
Më 19 korrik, policia e postkomandës së lartëshënuar, kërkoi nga Ajet Hajra që të dorëzojë një pushkë. Armë policia kërkoi edhe nga Kajtaz Osmani që të dy nga fshati Izbicë.
Më 25 korrik, policia serbe kërkoi nga Xhafer Babaj nga fshati Llaushë që të dorëzojë një revole.Aitj policia ia la thirrjen që të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Skënderaj.
Junik: – Më 29 korrik, rreth mesnatës, pasi thyen dyert e oborrit, disa policë të veshur në rroba civile, hynë në odën e Islam Mustafë Hebibit nga Juniku. Njoftohet se ata hynë gjoja për të vërtetuar nëse kishte mysafirë brenda, por kur panë se Islami ishte vetëm në odë, ata dolën, pa dhënë kurrfarë shpjegimi.
Viti: – Edhe pas dorëzimit të armës që e kishte bërë ditë më parë, policia serbe armë po kërkon sërish nga Sadri Xhaferi nga fshati Drobesh i Vitisë. Pasi ai më parë dorëzoi një revole, nga ai policia tash kërkon që të dorëzojë armë.
Gjatë bastisjes, policia u soll me vandalizëm, me ç’rast demoloi orendi dhe gjatë bastisjes kërcënonte anëtarët e familjes. Më pas policia e mori Sadri Hakiun (23), i cili u dërgua në stacionin e policisë në Viti. Ai u keqtrajtua fizikisht dhe u detyrua që të kërkojë ndihmë mjekësore në shtëpinë e shëndetit në Viti.
Prishtinë: – Më 11 korrik, sipas urdhërit, në polici u paraqit Gani Miftari nga Prishtina. Në polici ai u pyet për djalin e tij Naimin (1967), i cili ndodhet në botën e jashtme. Sipas deklaratës së Gani Miftarit, policia për ta kërkuar Naimin, ka bastisur shtëpinë e tij edhe më 9 janar dhe më 24 shkurt të këtij viti, kur edhe ka maltretuar djalin tjetër nëntëvjeqar të Ganiut.
Policët e kanë kërcënuar Ganiun se nëse nuk e dorëzon djalin në polici do të pësojë keq.
Kaçanik: – Më 19 korrik, tre policë serbë bastisën shtëpitë e vëllezëve Kadri e Mejdi Krasniqi në fshatin Dubravë të Kaçanikut.
Pas bastisjes, policia ua la thirrjet që të paraqiten të nesërmën në polici, me ç’rast vëllezërve Krasniqi iu morën pasaportat.
Më 21 korrik, u thirrën që të paraqiten në stacionin e policisë në Kaçanik edhe Mustafë Imishti dhe Hajrush e Halit Baftiu. Mustafës e Hajrushit policia ua mori pasaportat.
Më 20 korrik rreth orës 9:00, në fshatin Gabrricë të Kaçanikut, me pretekst të kërkimit të një revolje, policia ndërhyri në një të pame dhe mori Musli Asajn, të cilin në stacionin e policisë në Kaçanik, e keqtrajtuan fizikisht rreth një orë. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish në polici më 24 korrik, por këtë herë në stacionin e policisë në Ferizaj. Ai u keqtrajtua edhe në SPB në Ferizaj dhe u lirua me kusht që sërish të paraqitet më 27 korrik në stacionin e policisë në Kaçanik.
Më 23 korrik, dy policë serbë ishin në fshatin Gabrricë dhe kërkuan Isuf Kurtajn, i cili nuk gjendej në shtëpi. Policët nga djali i tij, Qazim Kurtaj kërkuan që të dorëzojë një pushkë. Ai ua dorëzoi pushkën e gjuetisë, ndërsa policët ia lanë thirrjen që të paraqitet të nesërmen në polici dhe të dorëzojë një pushkë tjetër.
Po këtë ditë, në të njejtin fshat, dy policë ishin edhe në shtëpinë e Eshref Kurtajt, nga i cili kërkuan që të dorëzoj një revole. Pas deklarimit të Eshrefit se nuk ka armë, atij iu la thirrja që të paraqitet më 27 korrik në stacionin e policisë në Ferizaj.
Më 25 korrik, tri automjete të policisë serbe ia mësyen fshatit Dubravë me ç’rast në disa lagje bastisën disa shtëpi. Pretekst i këtyre bastisjeve ishte kryesisht kërkimi i druve, por policia kërkoi edhe armë. Kështu nga Veli Krasniqi, policët kërkuan dru, por meqë nuk gjetën asgjë, e keqtrajtuan fizikisht atë. Nga Ramush Berisha policia plaçkiti 7 metra dru, rreth 500 copë parmakë për shkallë, si dhe një motosharrë. Ai u urdhërua që të paraqitet të nesërmen në polici.
Më 27 korrik, policia thirri që të paraqiten vëllezërit Rufki, Afrim e Rexhep Hajdari nga fshati Dubravë. Ata u thirrën me pretekst të dorëzimit të armëve, ndërsa Refkiu dhe Afrimi u urdhëruan që të paraqiten në polici sërish më 31 korrik.
Po këtë ditë, në polici u thirrën edhe Ymer e Remzi Dullovi nga të cilët u kërkua armë. Njoftohet se ata janë keqtrajtuar në polici.
Po këtë ditë, dy policë serbë ishin edhe në shtëpinë e Nezir Zenelit në fshatin Bob të Kaçanikut. Nga Neziri policia kërkoi të dorëzojë një revole dhe 75 fishekë. Ai u dërgua në stacionin e policisë në Kaçanik, ku u mbajt rreth 2 orë dhe pasi dha një deklaratë, u dërgua në stacionin e policisë në Ferizaj, ku u mbajt rreth një orë.
Më 29 korrik, ditën kur po martonte djalin e tij, sipas urdhërit, në stacionin e policisë në Kaçanik u paraqit Zija Hoxha nga Kaçaniku. Pasi u mbajt rreth 15 minuta në polici, ai u lirua. Njoftohet se një patrullë e policisë, rreth orës 23:00, mori flamurin kombëtar nga shtëpia ku po bëhej dasma.
Bëhet me dije se, me pretekst të kërkimit të armëve, policia ka bastisur disa familje në fshatrat Strazhë e Gjurgjedell.
3 gusht 1997
Ushtria serbe vrau dy të rinj nga fshati Zhub i Gjakovës
Ushtria serbe vrau parmbrëmë rreth orës 21,30 gjatë një aksioni pa paralajmërim Tomë Ndrecë Komanin (21) dhe Bernard Marjan Komanin (17) nga fshati Zhub i Gjakovës dhe plagosi rëndë Gazmend Pjetër Kqirajn (25) nga po ky fshat. Fshati Zhub gjendet rreth 1500 metra këndej kufirit me Shqipërinë. Të vrarët dhe i plagosuri ishin lënë në vendin e krimit deri dje në rreth orës 11,00. Të ndjerët u sollën dje pasdreke në morgun e spitalit të Gjakovës.
Një delegacion i Kryesisë së Degës së LDK-së dhe i Nënkëshilit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në këtë rajon e vizitoi dje të plagosurin Gazmend Kqiraj, i cili tha se ushtria serbe kishte qëlluar kundër tyre pa asnjë paralajmërim.
Kryetari i Degës së LDK-së Aqif Shehu i deklaroi sot QIK-ut se trupat e të vrarëve ende gjenden në morgun e spitalit. Ai tha se situata në zonën kufitare, që kontrollohet këndej nga forcat okupuese serbe, është shumë e tensionuar.
Me pretekst të kinse ndalimit ose parandalimit të qarkullimeve ilegale ushtria e policia serbe kanë ndërmarrë në vazhdimësi aksione represive kundër shqiptarëve të zonat kufitare, duke vrarë e plagosur dhjetëra njerëz në pronat e tyre ose gjatë kryerjes së punëve të përditshme.
Javët e fundit shtypi serb sikur e paralajmëronte një aksion të këtillë duke shfaqur ankime për gjoja kalimet ilegale nëpër kufirin që ndan shqiptarët.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Prishtinë ka regjistruar 25 raste të vdekjes nga dhuna e represioni i forcave serbe në Kosovë gjatë gjashtë muajve të fundit. Në raport thuhet se dy shqiptarë vdiqën nga torturat në stacionet e policisë; pesë u vranë nga policia; një u vra nga kufitarët e armatës serbe; gjashtë shqiptarë u vranë në “rrethana të pasqaruara”; një u therr nga një civil serb; dy shqiptarë bënë vetëvrasje nga represioni policor; në “rrethana të pasqaruara” gjetën vdekjen tetë persona. Sipas KMDLNJ-së në mënyra të ndryshme gjatë gjashtë muajve të kaluar janë plagosur 14 persona.
3 gusht 1998
Edhe sot, në zonat e përfshira nga lufta në Kosovë
Vazhdon ofensiva e forcave serbe
Forcat serbe kanë vazhduar edhe sot sulmet e rrepta në shumë anë të Kosovës. Njoftimet nga terreni bëjnë me dije se po granatohen fshatra të komunës së Deçanit, Gjakovës, Skënderajt, Klinës, Lipjanit, Suharekës etj.
Deçan: Fshatrat e komunës së Deçanit prej sot në mëngjes janë vënë në një rrethim të hekurt të forcave serbe dhe po granatohen. Popullata ka ikur nga fshatrat e sulmuara dhe ajo rrezikohet nga masakrat e forcave serbe.
Dega e LDK-së në Deçan bën apel për ndërhyrje të ngutshme ndërkombëtare për të shpëtuar banorët e rrezikuar.
Gjakovë: Rreth orës 3 të mëngjesit forcat serbe kanë filluar granatimin e fshatrave të rrethit të Dushkajës, Smolicës e fshatrave deri në Junik të Deçanit. Granatime ka edhe në fshatrat e anës së Hasit.
Skënderaj: Sulmi i forcave serbe ka vazhduar sot edhe në fshatrat e komunës së Skënderajt. Para orës 7 të mëngjesit forcat serbe kanë filluar granatimet në Polac dhe në fshatrat përreth.
Bëhet me dije se po sulmohen edhe fshatra të tjera të kësaj komune, por tash për tash nuk ka informacioner më të plota.
Klinë: Sulmi i forcave serbe vazhdoi sot edhe në komunën e Klinës. Mbi 30 fshatra të kësaj komune përjetuan deri tash nga ofensiva shkatërrimtare e forcave serbe.
Dje u dogjën dhe u shkatërruan fshatrat Cerovik, Qabiq, Zabërgjë, Dobërdol, Ujmir, Shatricë. Deri tash dihet për dy të vrarë, por dyshohet se ka edhe të tjerë.
Është vështirë të përshkruhet për të gjitha ato që kanë ndodhur dje në fshatrat e komunës së Klinës. Fshatrat e mbuluara nga tymi dhe flaka nga shpërthimet e fuqishme të granatave dhe gjyleve dhe nga zhurma e dhjetra tanksave e autoblindave dhe kolonave të panumërta të njësiteve të motorizuara. Kjo ofensivë shkatërruese dhe më e rënda deri tash u ndërmorrë kundër fshatrave Cerovik, Çabiq, Dobërdol, Siqevë dhe Ujmirë. Ndërkaq në shënjestër të ushtrisë jugosllave ishin edhe fshatrat Gllarevë, Rixhevë, Stapanicë, Jashanicë, Pogragjë, Dush, Gjurgjevik i Madh, Kërrnicë, Jellovc, Resnik, Gjurgjevik i Vogël, si dhe fshati Açarevë i Skënderajt.
Sulmi ka filluar dje rreth orës 5,00 të mëngjesit dhe ka vazhduar gjatë tërë ditës por shkrehje armësh ka pasur edhe gjatë natës por edhe në orët e sotme të mëngjesit.
Operacionet shkatërrimtare të forcave të ushtrisë dhe policisë serbe të cilat kanë qëlluar fshatrat e lartëshënuara nga Kijeva, Dollci, Gllareva dhe nga punkti ushtarak në Jashanicë.
Fshatrat që i cituam më lartë edhe sot nuk shihen nga tymi e flaka që i ka mbuluar ato. Pas plaçkitjeve dhe granatimeve ushtria serbe po i djeg ato.
Në fshatin Jashanicë është vrarë Fatmir Hoti, kurse në fshatin Çabiq Hysni Arif Gashi rreth 80 vjeçar.
Në disa fshatra të komunës ka edhe mjaft civilë të plagosur shqiptarë. Në po këto fshatra gjatë ditës së djeshme janë stacionuar shumë tankse dhe autoblinda, ndërsa vetëm në fshatin Çabiq janë stacionuar 12 sish.
Popullata duarthatë shqiptare e cila ndiqet vazhdimisht nga qindra granata të artilerisë serbe, tash disa javë po qëndron nën qiellin e hapur pa ushqime dhe pa barna. Popullata e këtushme shqiptre është e rrethuar nga të gjitha anët dhe ekziston frika e një masakri të mundshëm.
Në këto fshatra nuk dihet për fatin e shumë shqiptarëve.
Lipjan: Që prej orës 3,00 të mëngjesit po dëgjohen granatime të forta nga Carraleva në drejtim të Magurës dhe Shalës së Drenicës. Policia serbe ka ndërprerë çdo qarkullim në linjën Lipjan-Magurë dhe Lipjan-Shtime. Kjo do të thotë se prej orëve të mëngjesit në këto drejtime nuk qarkullojnë as autobusët urbanë e as makinat tjera private, njofton KI i Degës së LDK-së në Lipjan.
I njëjti burim konstaton se organet policiore serbe sot nuk kanë lejuar hapjen e tregut të bagëtive që mbahet për çdo të hënë në këtë lokalitet.
Disa informacione të paverifikuara mirë thonë se granatimet serbe kanë filluar në orët e mëngjesit edhe kundër fshatit Kleçkë.
Suharekë: Sot është dita e katërt me radhë kur policia serbe e pozicionuar në fshatin Bllac dhe Duhël, po i plaçkit shtëpitë e qytetarëve shqiptarë në mënyrën më barbare. Vlera e gjësendeve të plaçkitura kalon dhjetra mijëra marka. Forcat e policisë serbe gjësendet e plaçkitura po i bartin me traktorë, kamionë e mjete tjera transportuese. Pas plaçkitjes, policia serbe shtëpive shqiptare po u hedh benzin dhe më pas po i djeg ato. Dje forcat serbe shtinë me armë në drejtim të disa banorëve të këtyre fshatrave që tentuan të kthehen në shtëçitë e tyre.
Ndërkohë është gjithnjë më i madh numri i banorëve për fatin e të cilëve nuk dijet asgjë. Kështu, Ibrahim Hamëz Hoti kërkon të dijë për familjen e vet, Xhemile Ibrahim Hotin, Rrahim Hamëz Hotin, Mehmet Tahir Hotin, Sylejman Ibrahim Hotin, Litafete Hotin etj.
Në Izbicë janë rrethuar nga forcat serbe mbi 800 qytetarë
Forcat serbe kanë vënë sot në rrethim të plotë edhe fshatin Izbicë të Skënderajt, në të cilin ndodhen rreth 800 banorë të këtij fshati dhe të fshatrave të tjera.
Deri tash nuk ka njoftime nëse në këtë fshat kanë hyrë forcat serbe por druhet se këta banorë mund të pësojnë nga ndonjë askion i mundshëm.
Nga ofensiva serbe në Malishevë së paku 17 të vrarë
Banorët e dhjetëra fshatrave të komunës së Malishevës shtatë ditë pas ofansivës barbare të forcave policore e ushtarake serbe po përballen me probleme nga më të ndryshmet.
Si pasojë e ofenzivës mbi fshatra shqiptare janë vrarë së paku 17 vetë, kryesisht njerëz të moshuar dhe gra, janë plagosur edhe disa të tjerë, të cilët kanë mbetur edhe 40 orë pa ndihmë mjekësore.
Në Bubavec janë vrarë Fetah Bali Gashi, Hazir Selman Kryeziu dhe Murat Rexhep Kryeziu, Hysen Krasniqi e Ismail Morina, ndërsa është plagosur Habib Kryeziu, e nuk dihet për fatin e një gruaje, si edhe të vajzave të Skënder Selman Kryeziut, Hajdin Demush Kryeziut e Bajram Ali Kryeziut.
Në Carrallukë është vrarë Ramadan Salih Hoti, dyshohet edhe për vrasjen e Demush dhe Jashar Krasniqit e s’dihet gjë për fatin e Ajet, Bekë, Rasim dhe Hasan e Sherif Hotit.
Në Astrazub janë vrarë Islam Rexhep Morina e studenti Muharrem Hasan Hoxha nga Dushanova.
Në Dragobil është vrarë Jashar Paçarizi dhe është plagosur nipi i tij Lumniu. Nuk dihet që pesë ditë asgjë për fatin e Hazir ose Haxhi Ramiz Mazrekut nga Malisheva.
Numri i të vrarëve, i të plagosurve dhe i të zhdukurve dyshohet se është më i madh.
Fushata e fundit serbe kishte për qëllim gjencidin dhe spastrimin etnik. Kjo u dëshmua me hedhjen e granatave, djegien me benzinë të shumë shtëpive në dhjetra fshatra në Kijevë, Bubavec, Mleçan, Balincë, Vërmicë, Llazicë, Lubizhdë dhe Malishevë, Carrallukë, Maxharë, Bajë, Bellanicë etj. Nuk u kursyen as grunajat e shumta, objekte shkollore e fetare. Janë djegë edhe shumë grunaja.
Forcat serbe ua vunë mbrëmë flakën të gjitha objekteve të banimit dhe dyqaneve në Malishevë.
Popullësia e zhvendosur nga shtëpitë e veta po mbijeton me sakrifica të mëdha, pa bukë, ujë e artikuj tjerë të domosdoshëm për jetesë.
Popullata bashkë me ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po respektojnë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin, siç i respektojnë edhe institucionet shtetërore me në krye presidentin e Republikës dr. Ibrahim Rugova, por janë të mllefosur dhe të revoltuar tepër me karrieristët që gjatë disa muajve të fundit e udhëhoqën mbrapsht UÇK-në, duke synuar madje përçarjen e saj. Për popullatën vendosur në fshatrat e shumta malore dje një ndihmë humanitare ka arritur edhe nga bamirësit e Hasit, përkatësisht nga Krusha e Madhe.
Njoftohet gjithashtu se shumë familje, duke ikur nga sulmet e forcave serbe janë shpërndarë dhe kanë humbur lidhjet mes veti. Kështu, lidhjet me familjet i kanë humbur edhe Tafil Gashi nga Balinca e Malishevës dhe Bajrush Hoti nga Malisheva. Ata njoftojnë se janë mirë dhe nuk kanë pësuar gjë, di dhe kërkojnë informacione për familjet e tyre.
Lajmet
Ariana Grande tërhiqet përkohësisht nga skena publike pas përfundimit të turneut
Published
3 hours agoon
August 3, 2026By
UBT News
Ariana Grande ka vendosur të tërhiqet përkohësisht nga jeta publike pas përfundimit të turneut të saj “Eternal Sunshine”, ndërsa ka hequr dorë edhe nga debutimi i planifikuar në skenën West End.
Vendimi vjen pas presionit të vazhdueshëm publik dhe komenteve të shumta në lidhje me peshën dhe pamjen e saj. Përfaqësuesi i këngëtares ka konfirmuar se ajo dëshiron të marrë një pauzë pas përfundimit të angazhimeve artistike.
“Ariana do të tërhiqet nga jeta publike pasi të përfundojë turneun e saj Eternal Sunshine”, ka deklaruar përfaqësuesi i saj për revistën People.
Sipas tij, këngëtarja synon ta mbyllë turneun në mënyrën më të mirë të mundshme, duke qenë “e shëndetshme dhe e lumtur”, dhe më pas të marrë një pushim nga kritikat dhe vëmendja e vazhdueshme ndaj jetës së saj personale dhe profesionale.
Pavarësisht presionit mediatik, përfaqësuesi ka theksuar se turneu ka qenë një përvojë shumë pozitive për artisten, e cila ka shijuar performancat dhe lidhjen me fansat e saj.
Ariana Grande, një nga figurat më të njohura të muzikës pop, pritet që pas kësaj pauze t’i kushtojë më shumë kohë vetes dhe projekteve jashtë vëmendjes publike./A.K/
Rrudhani dhe Imeri në formacionin e javës në Superligën e Zvicrës
Kurti takon Zijadin Selën, diskutojnë zhvillimet politike dhe projektet infrastrukturore
Kosova publikon listat e volejbollisteve dhe volejbollistëve për Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”
KDI mirëpret vendimin e Supremes për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores së KQZ-së
Nga 1 shtatori vendoset tarifa e rikyçjes për konsumatorët që shkyçen për mospagesë të rrymës
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 3 gusht 1993-1998?
Ariana Grande tërhiqet përkohësisht nga skena publike pas përfundimit të turneut
“Varg e Vi” sjell artin bashkëkohor dhe humorin në Kamenica Summer Fest 2026
Uellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoYll Limani falënderon fansat pas dy netëve koncert në Tiranë
-
Sport3 days agoKëshilltari i lartë i Gianni Infantinos jep dorëheqje mes polemikave për planin e FIFA-s
-
Lajmet1 week agoSHBA vendos tarifa ndaj 60 vendeve për punën e detyruar
-
Lajmet3 days agoHamasi pranon marrëveshje për çarmatim, Trump e cilëson hap historik drejt paqes në Gaza

