Shumica e tregjeve në Gjirin Persik po e përmbyllin ditën e hënë me rënie, të udhëhequra nga humbjet e thella në Dubai, ndërkohë që lufta amerikano-izraelite kundër Iranit po vazhdon. Çmimet e naftës u rritën me mbi 11% për shkak të ndërprerjeve të furnizimit dhe frikës nga bllokimi i zgjatur i qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të shtunën se nuk është i interesuar për negociata me Iranin, duke sugjeruar se lufta do të përfundojë vetë kur Irani të mos ketë më një ushtri funksionale apo udhëheqje në pushtet. Shpresat për paqe u zbehen edhe më shumë të hënën, kur Irani emëroi Mojtaba Khamenein si udhëheqës suprem për të pasuar babanë e tij, Ali Khamenei, duke sinjalizuar se linja e ashpër vazhdon të dominojë pushtetin.
Tregjet e energjisë janë veçanërisht të rrezikuara sepse kriza po zhvillohet rreth Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon zakonisht rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë.
Rriten kostot e sigurimit të borxhit (CDS)
Indeksi kryesor i aksioneve në Dubai mbylli ditën me një rënie prej 2.8%. Kompanitë e mëdha si “Emaar Properties” pësuan rënie prej 4.7%, ndërsa operatori i rrugëve me pagesë “Salik” ra me 4.9%. Ky indeks, i cili rinisi tregtimin të mërkurën pas një pezullimi dyditor, ka rënë më shumë se 11% gjatë katër seancave të fundit. Edhe kompania ajrore “Air Arabia” shënoi rënie prej 5%.
Në Abu Dhabi, indeksi ra me 0.4%, duke shënuar seancën e gjashtë radhazi me humbje. Bursat e Dubait dhe Abu Dhabit njoftuan javën e kaluar se do të pezullojnë tregtimin për aksionet që pësojnë rënie prej 5% ose më shumë.
Kostoja e sigurimit kundër dështimit të borxhit sovran (Credit Default Swaps – CDS) për disa vende të rajonit u rrit sërish ndjeshëm të hënën. Bahrejni shënoi rritjen më të lartë në tre vjet, ndërsa rritje u shënuan edhe për Egjiptin, Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Indeksi referencë i Arabisë Saudite ra me 1.6%, duke ndërprerë serinë pesëditore të rritjes. Banka “Al Rajhi” humbi 3.9%, ndërsa gjiganti “Saudi Aramco” u rrit me 0.7% në prag të raportit vjetor të fitimeve. Sipas analistëve, investitorët pritet të zhvendosen në sektorë më pak të ekspozuar ndaj tensioneve rajonale. Përpjekjet e Arabisë Saudite për të riorientuar eksportet e naftës përmes portit Yanbu kanë zbutur disi shqetësimet për bllokimin e Hormuzit.
Në Katar, indeksi humbi 2.6%, ku pothuajse të gjitha kompanitë mbyllën me rezultate negative. Edhe bursat e Bahrejnit dhe Kuvajtit shënuan rënie, ndërsa bursa e Omanit arriti të avancojë me 3.1%. Jashtë Gjirit, indeksi kryesor i Egjiptit ra me 0.8%, duke zgjatur humbjet nga seanca e kaluar.