Leckat e mikrofibrës janë bërë një ndihmë e pazëvendësueshme në pastrimin e shtëpisë, pasi kapin pluhurin, papastërtitë dhe bakteret më mirë se çdo material tjetër.
Falë strukturës së tyre të veçantë, mund të thithin disa herë më shumë lëng se pesha e tyre e pastrojnë sipërfaqet pa përdorur kimikate shtesë. Janë ekologjike, të ripërdorshme dhe ekonomike, leckë cilësore mund të përballojë deri në 500 larje nëse trajtohet si duhet.
Ato prodhohen nga fibra sintetike ultra të holla, kombinim poliesteri e poliamidi, që janë deri 100 herë më të holla se qimet e njeriut.
Në vetëm një inç katror gjenden mbi 200.000 fibra, të cilat kapin edhe grimcat më të vogla të pluhurit. Për këtë arsye, leckat e mikrofibrës janë të buta, të qëndrueshme dhe nuk lënë gjurmë në sipërfaqet më të ndjeshme, si xhami, pasqyra apo ekrane.
Si përdoren dhe sa shpesh duhet t’i lajmë?
Fuqia epastruese i bën ideale për çdo sipërfaqe: dysheme, mobilie, xhama, sipërfaqe pune, madje edhe makina.
Mund të përdoren për pastrim të thatë ose të lagur, si dhe për lustërim.
Për të ruajtur efikasitetin, lecka duhet të lahet rregullisht, pas çdo përdorimi ose pas përdorimit të tretë.
Fibra mbajnë baktere, pluhur dhe lagështi që mund të shkaktojnë erë të keqe dhe të ulin aftësinë thithëse.
Nëse nuk lahen si duhet, sipërfaqet mund të mbeten me njolla dhe vija të vështira për t’u hequr.
Larja – dorazi apo në makinë?
Leckat e mikrofibrës duhet të lahen veçmas nga rrobat tjera, pasi tërheqin pushin dhe grimcat tjera. Para larjes, tundni për të hequr grimcat më të mëdha. Për lecka shumë të ndotura përdorni ujë të ngrohtë; për ato më pak të ndotura, ujë të ftohtë.
Përdorni detergjent të butë, asnjëherë zbutës rrobash, sepse mbyll mikroporet e fibrave dhe pengon thithjen.
Për njolla të forta, mund t’i lini të njomura në ujë të ngrohtë me pak detergjent për 10–15 minuta para larjes.
Larja me dorë: mbushni lavamanin me ujë të ftohtë, shtoni disa pika detergjent, lini lecka të zhyten 15 minuta, pastaj fërkoni lehtë. Shpëlajini mirë dhe shtrydhni ujin e tepërt. Mos përdorni ujë të valë, pasi dëmton fibrat.
Tharja dhe ruajtja
Pasi të lahen, më së miri lecka të thahen natyralisht, të shtrira në sipërfaqe të rrafshët ose të varura, larg diellit. Nëse përdorni makinën e tharjes, vendosni temperaturë të ulët. Para dhe pas tharjes, pastroni filtrin e pushit për të shmangur ngjitjen e grimcave përsëri.
Kur të jenë tharë plotësisht, palosni e ruani në vend të thatë, larg pluhurit dhe lagështisë. Nëse vëreni se nuk thithin më si më parë, janë bërë të ashpra ose kanë erë të pakëndshme që nuk largohet pas larjes, është koha për t’i zëvendësuar.
Me mirëmbajtje të duhur, një leckë cilësore mund të zgjasë deri në dy vjet ose të përballojë 300–500 larje. /A.Z/UBT News/