Lajmet

Negociatat LVV-LDK: Kurti dhe Abdixhiku diskutojnë emrat e parë për president

Published

on

Takimi i pestë radhazi i zhvilluar mbrëm mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa një epilog final, por me një hap të rëndësishëm përpara drejt zgjidhjes së nyjës politike. Për herë të parë, dy liderët kanë hedhur në tavolinë emra të përveçëm për postin e presidentit të ri konsensual.

Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të zbulojë emrat e propozuar, meqë janë dakorduar që të ruajnë konfidencialitetin e plotë deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, e cila do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

Pas takimit, kreu i LVV-së, Albin Kurti, e ka vlerësuar bisedën si mjaft serioze dhe ka shpjeguar dinamikën e re të negociatave.

“Diskutimi ishte i hapur, serioz, i sinqertë. Do të vazhdojmë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi biseduar me dhe për emra të përveçëm. Tash negocimi është shumë i vështirë sepse duhet të diskutohet hollësisht dhe gjerësisht… Por lista zvogëlohet kur është e qartë se nuk mund të ketë dakordim për emër të përveçëm”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu sqaroi se personat e propozuar nuk janë pyetur paraprakisht.

“Paraprakisht duhet të dakordohemi ne, andaj në këtë fazë nuk mund të flasim konkretisht për emra të përveçëm që sot për herë të parë jemi duke i trajtuar si emra për president të mundshëm”, shtoi ai.

Sa i përket vonesave në konstituimin e Kuvendit, Kurti ka hedhur poshtë pretendimet për shkelje të Kushtetutës.

“Kushdo që konsideron se ka pasur shkelje kushtetuese, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Deputetët e kanë dhënë betimin, ata janë deputetë të Republikës së Kosovës ndonëse s’ka Kuvend të konstituuar… Neve na duhet marrëveshja politike, nuk besoj se po e shkelim Kushtetutën”, u shpreh Kurti, duke rikujtuar se edhe vitin e kaluar procesi kishte marrë më shumë se gjashtë muaj kohë.

Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se propozimet e bëra përkojnë me kornizën e diskutuar deri më tani.

“Në tërësinë e emrave të prezantuar mund të thëm se të gjithë emrat, dikush më shumë e dikush më pak, janë në vijë me parimet e dakorduara deri më tani dhe në këtë drejtim le të thëmi se ky është një hap përpara. Nuk mund të diskutoj për emra konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të përzgjedhur presidentin e ardhshëm”, deklaroi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së nëvizoi se prania e partisë së tij në këto negociata është konstruktive, por bëri me dije se LDK-ja mbetet me pozicion të pavarur.

“LDK-ja është garanci institucionale. LDK-ja as nuk e konstituon Kuvendin vetvetiu, as nuk e thërret seancën e Kuvendit. Për LDK-në jemi në paqartësi të thella kushtetuese, gjënë e vetme që mund ta bëjë është që të jetë e arsyeshme për zgjedhjen e presidentit. Por nëse dikush ende beson se LDK-ja është vagon i ndonjë partie tjetër, kohët kanë ndryshuar shumë”, nëvizoi ai.

Përderisa LVV dhe LDK kanë zhvilluar takime disa herë , dy partitë e tjera opozitare, PDK dhe AAK, vazhdojnë të refuzojnë përfshirjen në këtë proces. Të dyja këto subjekte insistojnë vetëm në konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit, një opsion ky që sipas LVV-së rrezikon të ripërsërisë skenarin e paszgjedhjeve të dhjetorit 2025, ku mungesa e marrëveshjes për presidentin bllokoi funksionimin e plotë të institucioneve.

Palët pritet të takohen sërish në ditët në vijim për të ngushtuar listën e kandidatëve dhe për të tentuar arritjen e marrëveshjes finale. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Protestat kundër vrasjes së grave vazhdojnë për të dytën ditë, kërkohet dorëheqja e dy ministrave

Published

on

Protestat kundër vrasjes së grave në Kosovë kanë vazhduar edhe sot, për të dytën ditë radhazi, me pankarta që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, duke reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Ata po kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ndjekjen penale të personave që, sipas protestuesve, kanë neglizhuar rastin e Zekajt.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, gjatë fjalimit para ndërtesës së Qeverisë, ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të organizatorëve.

Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferrin. Ndaj tyre është hapur procedurë disiplinore dhe është themeluar një panel hetimor për trajtimin e rastit.

Edhe Policia e Kosovës ka pezulluar nga puna 11 zyrtarë policorë për mënyrën e trajtimit të rastit të Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.

Protestë kundër vrasjes së grave dhe për kërkimin e përgjegjësisë institucionale ishte mbajtur edhe një ditë më parë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi mobiliteti Erasmus+ KA171 në Sapienza University of Rome – Itali

Published

on

By

UBT hap thirrjen për studentët e nivelit Bachelor nga programet Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Juridik, Psikologji, Inxhinieri e Mekatronikës, Studime të Sigurisë, Shkenca Politike, Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë, si dhe Media dhe Komunikim, për mobilitet studentor në Sapienza University of Rome, Itali, në kuadër të programit Erasmus+ KA171, për semestrin pranveror të vitit akademik 2026/2027.

Sapienza University of Rome është një nga universitetet më të mëdha dhe më të njohura publike në Itali, me traditë të gjatë akademike dhe një gamë të gjerë programesh studimore dhe kërkimore.

Linku për aplikim

Afati i fundit për aplikim: 02.11.2026

Kujdes: Thirrja do të qëndrojë e hapur vetëm për 4 ditë!

Pas përfundimit të afatit, aplikimet do të shqyrtohen sipas kritereve të përcaktuara. Kandidatët që kalojnë fazën e parë të vlerësimit do të ftohen për intervistë, ndërsa studentët e përzgjedhur do të nominohen zyrtarisht nga UBT për mobilitet në Sapienza University of Rome.

Ftojmë të gjithë studentët nga programet përkatëse që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të studiuar në një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të zhvilluar më tej kompetencat e tyre akademike dhe profesionale.

Për informacione shtesë, mund të kontaktoni Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në: [email protected].

Continue Reading

lajme

Një dashuri e shkruar në letra dhe e ruajtur nga historia

Published

on

By

Në Reporting House, në Prishtinë, ekspozita “Një mur na ndan ” sjell para vizitorëve një histori të veçantë dashurie, përkushtimi dhe idealizmi përmes mbi 50 letrave të shkëmbyera ndërmjet çiftit të UÇK-së, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci, si dhe eksponateve të tjera që dokumentojnë rrugëtimin e tyre. Letrat u shkruan kryesisht gjatë kohës kur Fehmiu vuante dënimin si i burgosur politik në burgun e Stara Gradishkës në Kroaci.

Përmes fjalëve të shkruara, Xheva dhe Fehmiu ndanin mallin, emocionet dhe ëndrrat për një jetë të përbashkët, pavarësisht largësisë që i ndante. Letrat, të zbukuruara me lule të vizatuara, shkronja të shkruara me ngjyra kuqezi, poezi dhe prozë, dëshmojnë jo vetëm dashurinë e tyre të thellë, por edhe formimin intelektual, bindjet dhe përkushtimin ndaj Kosovës.

Ato pasqyrojnë dy njerëz që, krahas lidhjes personale, i bashkonte edhe ideali për lirinë e vendit. Një element i veçantë i ekspozitës është edhe kostumi i kuq i Xhevës, të cilin ajo e veshi kur u vendos në familjen Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit, pas vendimit për ta pritur Fehmiun gjatë viteve të burgimit.

Kjo veshje shënon një moment të rëndësishëm të jetës së tyre dhe e lidh historinë personale të çiftit me rrugëtimin e tyre atdhetar. Përveç letrave dhe veshjes, ekspozita përfshin edhe eksponate të tjera, ndër to intervistën e Fehmi Lladrovcit të vitit 1998 dhe pamje të burgut ku ai kaloi pesë vjet. Së bashku, këto materiale sjellin një dimension më njerëzor të historisë, duke zbuluar ndjenjat, mendimet dhe përvojat e dy figurave që shpesh kujtohen vetëm përmes rolit të tyre në luftën çlirimtare.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci u vranë më 22 shtator 1998, gjatë luftës në Kosovë. Sot, përmes letrave të tyre të ruajtura dhe të ekspozuara në Reporting House, historia e tyre vazhdon të rrëfehet, duke ndërthurur dashurinë personale me idealet dhe përkushtimin ndaj vendit.

Ekspozita “Një mur na ndan” na kujton se pas figurave historike qëndrojnë njerëz me ndjenja, shpresa dhe ëndrra.

Letërkëmbimi i Xhevës dhe Fehmiut mbetet një dëshmi e rrallë e një dashurie që i rezistoi ndarjes, kohës dhe rrethanave të vështira, si dhe e një lidhjeje të ndërtuar mbi barazinë, besimin dhe idealet e përbashkëta.

(Autore: Adile Muli, studente e vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës suspendon 11 zyrtarë policorë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Policia e Kosovës ka marrë vendim për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Vendimi është mbështetur në Ligjin për Policinë, Udhëzimin Administrativ për procedurat disiplinore dhe rekomandimin e drejtpërdrejtë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Masa e suspendimit përfshin të gjithë zinxhirin komandues dhe hetimor në rajonin e Pejës, përfshirë ushtruesin e detyrës së Drejtorit Rajonal, Shefin e Hetimeve Rajonale, Komandantin dhe Zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, Shefin e Hetimeve, ushtruesin e detyrës së Shefit të Operativës, Komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.

Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se ky hap është ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale lidhur me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast.

“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara