Në nder të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, u organizua një ngjarje, me prezencën e rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Ambasadorit të Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, dhe ekspertes së politikave publike dhe gjinore, Blerinda Idrizi.
Duke konsideruar se edukimi është thelbi për drejtësinë dhe barazinë gjinore, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi theksoi se grave përmes arsimimit u jepet më shumë mundësi për të siguruar dhe mbrojtur vetveten.
“Edukimi është shumë i rëndësishëm në luftën kundër dhunës, veçanërisht kur bëhet fjalë për parandalimin. Kur gratë janë të arsimuara, ato kanë fuqinë të ndjekin ligjet që i mbrojnë ato. Kur ato arsimohen, do të kenë më shumë mundësi për të siguruar jetesën, për të kontribuar në të ardhurat e familjes dhe për të përhapur njohuritë e tyre në të gjithë familjen dhe komunitetin. Ekspertët e dhunës me bazë gjinore arrijnë në përfundim se arsimi është kundërhelmi më i mirë kundër dhunës në familje, veçanërisht dhunës ndaj grave”, ka thënë rektori Hajrizi.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka theksuar se dhuna ndaj grave dhe vajzave është e parandalueshme, dhe se Suedia synon të nxisë një ndjenjë përgjegjësie të papranueshmërisë të status quo-së.
“Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në mbarë botën. Pavarësisht nga këto tendenca dekurajuese, ka më shumë prova se dhuna ndaj grave dhe vajzave është e parandalueshme. Format e ndryshme të dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk janë të pashmangshme. Ato mund dhe duhet të parandalohen. Suedia synon të nxisë një ndjenjë përgjegjësie që nuk zbehet dhe një njohje të re të papranueshmërisë të status quo-së. Të parandalosh dhunën përpara se ajo të ndodhë ose të përsëritet do të thotë që puna jonë duhet të demonstrojë dhe të mësojë se çfarë është pabarazia dhe se si ekzistenca e saj e vazhdueshme po e pengon përparimin”, ka theksuar ambasadori Westerlund.
Ekspertja e politikave publike dhe gjinore, Blerinda Idrizi, potencoi se institucionet në Kosovë kanë mekanizma, të cilat luajnë një rol të veçantë në barazinë gjinore dhe janë një gjetje e dobishme shtetërore që shumë vende të tjera nuk i kanë.
“Kosova ka mekanizma gjinorë, si; komisioni parlamentar për të drejtat e njeriut dhe barazisë gjinore, ka agjencinë për barazi gjinore, ka avokatin e popullit që merret vetëm me çështjet e barazisë gjinore dhe është një gjetje shumë e dobishme dhe efektive. Në çdo komunë dhe ministri keni zyrtaren për barazi gjinore. Këto janë pikat e forta të Kosovës, që vendet e tjera nuk i kanë”, është shprehur Idrizi.
Kjo ngjarje vazhdoi me sesionin e diskutimit me studentët e UBT-së dhe eksperten e politikave publike dhe gjinore, Blerinda Idrizi, duke shtjelluar gjerësisht problematikat që shfaqen në realizimin e barazisë gjinore dhe praktikat më të mira për parandalimin dhe eliminimin e tyre.
UBT është renditur ndër institucionet më të mira në botë nga UI GreenMetric World University Ranking, një ndër vlerësimet globale më prestigjioze për qëndrueshmërinë universitare dhe kampuset e gjelbra. UBT është institucioni i parë në rajon që pozicionohet me sukses në këtë renditje të rëndësishme ndërkombëtare.
Nga mbi 1,800 institucione pjesëmarrëse nga e gjithë bota, UBT është renditur në 50% e institucioneve më të mira, duke konfirmuar angazhimin e tij për krijimin e kampuseve të gjelbra, të qëndrueshme dhe inovative.
Në veçanti, në kategorinë e kampuseve inovative, në mesin e mbi 500 institucione të përfshira globalisht, UBT u rendit në vendin e 169, duke treguar përkushtimin e vazhdueshëm të institucionit ndaj standardeve ndërkombëtare dhe inovacionit në mjedis.
UI GreenMetric përdor një metodologji që vlerëson 39 indikatorë në gjashtë fusha kyçe: mjedisin dhe infrastrukturën, energjinë dhe ndryshimet klimatike, menaxhimin e mbetjeve, ujin, transportin, si dhe edukimin dhe kërkimin.
Rezultatet e këtij viti e pozicionojnë UBT-në si një nga institucionet më të përparuara në rajon për qëndrueshmërinë e kampusit dhe politikat inovative të menaxhimit. Kjo arritje e vendos UBT-në në një pozitë të veçantë në hartën akademike ndërkombëtare dhe përfaqëson një sukses të jashtëzakonshëm për institucionin dhe arsimin e lartë në Kosovë.
Ajo dëshmon se institucionet në Kosovë mund të konkurrojnë me sukses në skenën globale, duke tejkaluar standardet ndërkombëtare në qëndrueshmëri, inovacion dhe zhvillim të përgjegjshëm. UBT ka qenë pjesë e kësaj renditjeje prestigjioze edhe në vitet 2023 dhe 2024, duke treguar një angazhim të vazhdueshëm për qëndrueshmërinë mjedisore dhe ndryshimet klimatike.
Profesori dhe Dekani i Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Prof. Dr. Ferid Selimi, ishte mysafiri i radhës në Podcastin e UBT-së, ku diskutoi gjerësisht mbi gjendjen aktuale të kërkimit shkencor në Republikën e Kosovës.
Në këtë episod, Prof. Selimi foli për terrenin akademik dhe institucional në vend, duke e vlerësuar atë si një hapësirë me potencial të konsiderueshëm, por që ende përballet me sfida strukturore dhe metodologjike. Ai theksoi se zhvillimi i kërkimeve të mirëfillta shkencore kërkon qasje të plotë në të dhëna, transparencë institucionale, infrastrukturë adekuate dhe mbështetje financiare, elemente të cilat në Kosovë shpesh mungojnë ose janë të fragmentuara.
Për më shumë, ndiqni Podcastin në Youtube: PODCASTI
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në Kosova Health Forum 2025, ku u diskutuan zhvillimet, sfidat dhe transformimet e nevojshme për avancimin e sistemit shëndetësor në Kosovë. Gjatë forumit, Rektori Hajrizi solli perspektivën e arsimit të lartë si një komponent thelbësor në formimin e profesionistëve të shëndetësisë dhe në forcimin e kapaciteteve të sektorit.
Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi theksoi se UBT ka luajtur një rol vendimtar në krijimin dhe zhvillimin e programeve të reja shëndetësore, duke ndërtuar kapacitete që dikur nuk ekzistonin në vend. Ai nënvizoi se Kosova ka bërë përparime të rëndësishme në harmonizimin e kurrikulave me standardet dhe direktivat ndërkombëtare, duke arritur një nivel që shpesh krahasohet me vendet evropiane.
“Kosova ka hyrë në një proces të rregullimit të sistemit arsimor dhe të kurrikulave me direktiva të veçanta që e përcaktojnë qartë strukturën e kompetencave, dhe në shumë raste kemi qenë më përpara se disa vende evropiane”, tha Rektori Hajrizi.
Ai foli gjithashtu për sfidat aktuale të tregut të punës në sektorin shëndetësor, duke theksuar se rritja e kërkesës për profesionistë është ndikuar ndjeshëm nga situata në vendet evropiane, të cilat po përballen me plakjen e popullsisë dhe mungesën e fuqisë punëtore.
Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, QKRMT, në bashkëpunim me UBT , organizoi një takim të veçantë me studentët e UBT-së.
Në takim ishte e pranishme Vasfije Buqe Goodman, gruaja që theu heshtjen dhe u bë zëri i parë që i dha dinjitet dhe vend të merituar mbijetuesve të dhunës seksuale gjatë luftës. Ky takim prekës u fokusua në ballafaqimin me të kaluarën – një proces thelbësor për shërim dhe drejtësi.
Vasfija ndau me studentët forcën e saj, rrugëtimin e vështirë drejt së vërtetës dhe mesazhin e saj të fuqishëm për mbështetjen, empatinë dhe rolin jetik të brezit të ri në thyerjen e stigmas dhe në ndërtimin e një shoqërie që nuk hesht më.
Studentët dëgjuan, reflektuan dhe u frymëzuan nga një histori që nuk është vetëm personale, por edhe një thirrje kombëtare për dinjitet, drejtësi dhe ndryshim shoqëror.
Ky aktivitet u mbështet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, duke nxitur përpjekjet e përbashkëta për të siguruar që askush të mos mbetet vetëm përballë dhimbjes së së kaluarës.