Lajmet

Në UBT nisi punimet Kongresi i VII-të Ndërkombëtar TURKIC COSE 2025

Published

on

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, u hap zyrtarisht Kongresi i VII-të Ndërkombëtar TURKIC COSE 2025 (Turkic World Congress on Science and Engineering), një nga ngjarjet më të rëndësishme shkencore në rajon që ka bashkuar dhjetëra rektorë universitetesh, profesorë, studiues dhe përfaqësues institucionalë nga shumë vende të botës.

Ky kongres prestigjioz po zhvillohet nga 13–15 nëntor 2025, nën organizimin e përbashkët të UBT-së, Niğde Ömer Halisdemir University (NOHU) nga Turqia, Azerbaijan Technical University (AzTU) nga Azerbajxhani, Kyrgyz-Turkish Manas University nga Kirgistani dhe Ahmet Yesevi University (AYU) nga Kazakistani.

Në ceremoninë solemne të hapjes morën pjesë personalitete të larta akademike dhe institucionale, përfshirë Rektori e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Prof. Dr. Hasan Uslu, Rektor i Universitetit Niğde Ömer Halisdemir (Turqi), Prof. Dr. Alpaslan Ceylan, Rektor i Universitetit Kirgiz-Turk Manas, Prof. Dr. Vilayət Məmməd oğlu Vəliyev, Rektor i Universitetit Teknik të Azerbajxhanit, Prof. Dr. Naci Genc, Zv/rektor i Universitetit Ahmed Yesevi (Kazakistan); si dhe përfaqësues nga Universiteti Teknik i Kievit dhe institucione të tjera ndërkombëtare nga Evropa, Azia dhe Afrika.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u shpreh se kongresi përfaqëson një platformë të rëndësishme për bashkëpunim akademik dhe shkëmbim shkencor ndërmjet vendeve të botës turke dhe rajonit të Ballkanit.

“Është kënaqësi dhe nder i veçantë që mirëpresim sot në UBT një ngjarje të tillë ndërkombëtare si TÜRK-COSE 2025. Ky kongres bashkon mendjet më të ndritura në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe inovacion, dhe synon të ndërtojë ura të reja bashkëpunimi ndërkombëtar. UBT është i përkushtuar të mbetet qendër ekselence ku teoria dhe praktika, arsimi dhe industria, si dhe vizioni akademik e zhvillimi shoqëror, takohen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë”, theksoi ai.

Pas rektorit Hajrizi, fjalën e mori Prof. Dr. Hasan Uslu, Rektor i Universitetit Niğde Ömer Halisdemir (NOHU), i cili theksoi rolin e këtij kongresi në forcimin e bashkëpunimit shkencor ndërmjet vendeve të botës turke:

“Sot, shumë shkencëtarë të shquar nga bota turke, si dhe nga Azia, Afrika dhe Evropa, janë mbledhur këtu në Prishtinë për të ndarë dijen dhe për të promovuar bashkëveprim akademik. TURK-COSE 2025 fokusohet në tema strategjike si inteligjenca artificiale, Interneti i Gjërave, nanoteknologjia, qytetet e mençura dhe energjia e rinovueshme. Kjo ngjarje është dëshmi e unitetit akademik dhe shkencor mes kombeve tona”, u shpreh ai.

Ndërsa Prof. Dr. Alpaslan Ceylan, Rektor i Universitetit Kirgiz-Turk Manas, në fjalimin e tij vuri theksin te roli transformues i shkencës dhe teknologjisë në epokën e inteligjencës artificiale:

“Jetojmë në një kohë kur shkenca nuk mjaftohet më me vëzhgimin e natyrës, por krijon sisteme që mësojnë dhe mendojnë. Inteligjenca artificiale është bërë gjuha e përbashkët e gjithë shkencave. Kongrese si ky janë laboratorë idesh, ku lindin zbulimet e së ardhmes dhe ku ndërtohen ura bashkëpunimi midis brezave të shkencëtarëve”, theksoi ai.

Në vijim, Prof. Dr. Naci Genc, zv/rektor i Universitetit Ahmed Yesevi, vlerësoi rëndësinë e konferencës për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar:

“Ngjarje si TÜRK-COSE jo vetëm që nxisin ndarjen e dijes akademike, por edhe forcojnë miqësinë dhe partneritetin mes kombeve tona. Jam i bindur se idetë, prezantimet dhe bashkëpunimet që do të lindin këtu do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin shkencor dhe teknologjik të rajonit”, deklaroi ai.

Organizatori kryesor i kongresit, Prof. Dr. Murat Barut nga Universiteti Niğde Ömer Halisdemir, theksoi se edicioni i sivjetëm përfshin një program të pasur me mbi 14 sesione tematike që mbulojnë fusha të gjera si: inxhinieria dhe teknologjia, arkitektura dhe mjedisi i qëndrueshëm, mjekësia dhe bioteknologjia, inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital, shkencat natyrore dhe energjia e rinovueshme.

Në kuadër të kongresit do të prezantohen mbi 150 punime shkencore, me pjesëmarrje fizike dhe virtuale të studiuesve nga Turqia, Kosova, Azerbajxhani, Kirgizia, Kazakistani, Ukraina dhe vende të tjera të rajonit euroaziatik.

Me organizimin e këtij kongresi, UBT dëshmon edhe njëherë rolin e tij si një qendër ndërkombëtare e ekselencës akademike dhe inovacionit, duke forcuar pozicionin e Kosovës si një nyje e rëndësishme në rrjetin global të bashkëpunimit shkencor dhe teknologjik.

Lajmet

Sabedini: Opozita pa alternativë, Kurti përfituesi kryesor i krizës politike

Published

on

By

Profesori universitar, Musa Sabedini, ka shprehur shqetësimin e tij për ngërçin e zgjatur politik në Kosovë, duke vlerësuar se vendi po përballet me një krizë serioze institucionale, e cila, sipas tij, rrezikon stabilitetin e brendshëm dhe kredibilitetin ndërkombëtar të shtetit.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Sabedini thekson se klasa politike mban përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar, duke e cilësuar të papranueshme vazhdimin e bllokadës institucionale dhe mungesën e një vullneti real për zgjidhjen e krizës.

Sipas tij, Kosova tashmë po paguan një kosto të lartë politike dhe diplomatike, ndërsa besimi i qytetarëve dhe i partnerëve ndërkombëtarë ndaj institucioneve të vendit është në rënie.

“Është e lehtë të bllokosh një proces të rregullt institucional, por është krejtësisht e pakuptimtë që kjo gjendje të vazhdojë për një kohë kaq të gjatë. Zgjedhjet e reja nuk do të prodhonin domosdoshmërisht një rezultat ndryshe, sepse opozita nuk ka arritur të krijojë alternativa bindëse dhe të rrisë mbështetjen qytetare. Ndërkohë, Albin Kurti, pavarësisht kritikave dhe zhvillimeve politike, vazhdon të mbetet përfituesi kryesor i kësaj situate”, deklaron Sabedini.

Profesori universitar vlerëson se përgjegjësinë më të madhe për krizën aktuale e mban kryeministri Albin Kurti, ndërsa opozitën e konsideron të pafuqishme për të ofruar vizion dhe zgjidhje konkrete.

Ai rikujton se kishte paralajmëruar më herët zhvillime të brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke shtuar se tensionet në këtë subjekt politik, sipas tij, po ndodhin në një moment shumë të ndjeshëm për skenën politike dhe njëkohësisht po i shkojnë në favor pozitës aktuale.

Sabedini thekson se Kosova nuk ka më luksin të vazhdojë me eksperimente politike, në një kohë kur sfidat ekonomike, diplomatike dhe të sigurisë po bëhen gjithnjë e më të mëdha.

“Albin Kurti po dëshmohet një negociator i vështirë për kompromis politik, ndërsa opozita po vazhdon të mbetet pasive dhe pa iniciativa serioze. Zgjidhja më e mirë, jo sepse e meriton Albin Kurti, por sepse e meriton Kosova, është që vendi të gjejë rrugën e daljes nga kjo krizë përmes zgjedhjes së një presidenti kredibil dhe ndërtimit të institucioneve funksionale. Në këtë kontekst, unë konsideroj se Ramush Haradinaj i plotëson tiparet e një lideri me besueshmëri, përvojë dhe përgjegjësi politike”, shprehet ai.

Sipas Sabedinit, çdo ditë e humbur pa institucione funksionale reflektohet drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, investimet e huaja dhe mbështetjen ndërkombëtare që Kosova ka gëzuar ndër vite.

Ai paralajmëron se zhvillimet e fundit gjeopolitike, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme dhe përplasjet ndërmjet fuqive ndërkombëtare, mund të kenë pasoja edhe për Kosovën, duke e bërë edhe më të domosdoshëm stabilitetin e brendshëm politik.

Profesori universitar vlerëson se ngërçi institucional dhe politik do t’i kushtojë shtrenjtë Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tij, zvarritja e proceseve shtetërore po reflektohet në dobësimin e besimit institucional, në zvogëlimin e mbështetjes financiare dhe në mungesën e donacioneve e investimeve që dikur Kosova i siguronte me përkrahjen e pakushtëzuar të shteteve mike.

“Zhvillimet e fundit gjeopolitike, përfshirë tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, si dhe konfliktet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, vendi ka nevojë urgjente për dialog politik, komunikim konstruktiv dhe një marrëveshje që do të rikthente stabilitetin institucional dhe besimin e qytetarëve, të cilët sot ndihen të lodhur dhe të zhgënjyer nga kriza e zgjatur politike. Në këtë fazë, çelësi i zgjidhjes mbetet te kryeministri Albin Kurti. Ai duhet të dëshmojë lidership shtetëror dhe të kuptojë se një kompromis në funksion të interesit publik nuk është dobësi politike, por përgjegjësi ndaj shtetit, rinisë dhe së ardhmes së Kosovës”, ka deklaruar Sabedini.

“Përballë këtyre rrethanave, dialogu, kompromisi dhe përgjegjësia shtetërore janë domosdoshmëri. Shoqëria kosovare ka nevojë për qetësi, institucione funksionale dhe rikthim të besimit qytetar. Çelësi i zgjidhjes, në këtë fazë, mbetet te kryeministri Albin Kurti, i cili duhet të dëshmojë gatishmëri për të vendosur interesin e shtetit dhe të qytetarëve mbi kalkulimet politike”, përfundon profesori universitar Musa Sabedini. /Ekonomia online/

Continue Reading

Lajmet

Ambasada britanike mirëpret emërimin e kryeprokurorit Zejnullah Gashi, kërkon pavarësi dhe llogaridhënie

Published

on

By

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka mirëpritur emërimin e Zejnullah Gashit në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke e cilësuar këtë si një hap shumë të rëndësishëm pas një periudhe disavjeçare pa një udhëheqës me mandat të plotë.

Përmes një reagimi zyrtar, ambasada i ka uruar sukses Gashit, duke theksuar se pret reforma që sigurojnë një sistem prokurorial të pavarur, transparent dhe llogaridhënës, i cili lufton në mënyrë efektive krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Përveç Britanisë, këtë emërim e ka mirëpritur edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke vënë në dukje se ky vendim i jep fund një periudhe më shumë se katërvjeçare gjatë së cilës institucioni u drejtua vetëm me ushtrues detyre.

Zejnullah Gashi ka pranuar zyrtarisht detyrën të mërkurën, pasi u dekretua një ditë më herët nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Ajo sqaroi se vendimi erdhi pas një shqyrtimi të hollësishëm të dokumentacionit të Këshillit Prokurorial, raporteve të sigurisë dhe vlerësimeve nga monitoruesit e shoqërisë civile.

Ky zhvillim pason një proces të gjatë e të ndërlikuar, që nisi me shpalljen e konkursit më 18 maj të këtij viti, i cili u përcoll edhe me sfida ligjore nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj. Ky i fundit kishte kërkuar pezullimin e konkursit në gjykata, por kërkesa e tij u refuzua nga Gjykata Administrative dhe ajo e Apelit.

Kujtojmë se bllokada disavjeçare në këtë institucion nisi që nga tetori i vitit 2023, kur presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, refuzoi dekretimin e Isufajt për shkak të shkeljeve të evidentuara në procedurën e përzgjedhjes. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Studio të ardhmen e gjelbër: UBT hap dyert për liderët e rinj në Inxhinierinë e Agrikulturës dhe Mjedisit

Published

on

By

Në një kohë kur ndryshimet klimatike, siguria ushqimore dhe mbrojtja e mjedisit janë kthyer në sfidat më të mëdha globale, UBT po ofron rrugë të reja për të gjithë të rinjtë që duan të bëhen pjesë e zgjidhjes.

Përmes programit inovativ të Inxhinierisë së Agrikulturës dhe Mjedisit, UBT synon të edukojë dhe të përgatisë brezin e ri të profesionistëve të cilët do të luajnë një rol kyç në avancimin e praktikave të qëndrueshme bujqësore dhe në ruajtjen e resurseve tona natyrore.

Ky program modern është i ndërtuar mbi shtyllat e mësimdhënies bashkëkohore, kërkimit shkencor me ndikim të drejtpërdrejtë dhe menaxhimit strategjik, duke u ofruar studentëve një platformë të shkëlqyer për të zhvilluar një karrierë të suksesshme dhe me ndikim të madh në shoqëri.

Studentët që zgjedhin të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi kanë mundësinë të profilizohen në dy drejtime tejet të kërkuara nga tregu i punës, siç janë Prodhimtaria Bimore dhe Menaxhimi i Mjedisit në Bujqësi.

Gjatë studimeve, ata do të pajisen me shkathtësi praktike për të mbikëqyrur dhe udhëhequr programe që lidhen me kultivimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e bimëve, si dhe me parimet e kultivimit të perimeve në fusha të hapura dhe në mjedise të mbrojtura.

Për më tepër, programi u jep rëndësi të veçantë vlerave ushqyese dhe shëndetësore të produkteve me origjinë bimore, duke i aftësuar studentët të kuptojnë rolin e ushqimit në ruajtjen e shëndetit dhe mbështetjen ushqimore gjatë gjithë jetës.

Përmes punës praktike në terren dhe hulumtimeve, të rinjtë do të mësojnë të përgatisin dhe vlerësojnë të dhëna reale mbi gjendjen e kulturave bujqësore dhe të ndajnë gjetjet e tyre në konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare.

Përtej aspektit teknik dhe shkencor, ky program ka një impakt të jashtëzakonshëm ekonomik dhe është i lidhur ngushtë me rritjen e PBB-së dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë dhe rajon.

Përmes lëndëve specifike si Ekonomia Bujqësore, Menaxhimi i Biznesit Bujqësor dhe Politikat Mjedisore, studentët trajnohen të bëhen ndërmarrës të suksesshëm dhe të menaxhojnë projekte që nxisin zhvillimin e tregjeve bujqësore dhe mbrojtjen e mjedisit.

UBT mbetet e përkushtuar që t’u japë studentëve një perspektivë globale dhe t’u zhvillojë atyre aftësi udhëheqëse të bazuara në profesionalizëm dhe etikë të lartë pune. Duke u regjistruar në Inxhinierinë e Agrikulturës dhe Mjedisit, ju nuk po zgjidhni thjesht një fakultet, por po investoni në një profesion fisnik dhe fitimprurës që do të formësojë të ardhmen e qëndrueshme të vendit tonë.

Regjistrimet kanë filluar, këtu gjeni linkun për aplikim!

 

Continue Reading

Lajmet

KURIOZITETET E DITËS

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Kafshët mund ta përjetojnë kohën ndryshe nga njerëzit. Për kafshët më të vogla, bota përreth tyre lëviz më ngadalë krahasuar me njerëzit. Salamandrat dhe hardhucat, për shembull, e përjetojnë kohën më ngadalë se macet dhe qentë. Kjo ndodh sepse perceptimi i kohës varet nga shpejtësia me të cilën truri mund të përpunojë informacionin hyrës.

 

  1. Uji mund të mos jetë i lagësht. Kjo ndodh sepse shumica e shkencëtarëve e përcaktojnë lagështinë si aftësinë e një lëngu për të mbajtur kontaktin me një sipërfaqe të ngurtë, që do të thotë se vetë uji nuk është i lagësht, por mund t’i lagë objektet e tjera.

 

  1. Shumica e njerëzve i përkëdhelin macet në mënyrën e gabuar. Hulumtimet tregojnë se ato shpesh e tolerojnë atë vetëm për ushqim dhe vëmendje. Pikat më të sigurta? Nën mjekër, faqe dhe bazën e veshëve. Më e keqja? Barku dhe baza e bishtit të tyre – nëse prekni atje, ka më shumë të ngjarë t’i bezdisni sesa të lidheni me to.

 

  1. Një pulë dikur jetoi për 18 muaj pa kokë. Ngjarja e pabesueshme e pulës Mike u regjistrua në vitet 1940 në SHBA. Ai mbijetoi pasi vena e tij jugulare dhe pjesa më e madhe e trungut të trurit të tij mbetën kryesisht të paprekura, duke siguruar që funksioni i trurit të mbetej mjaftueshëm për mbijetesë. Në shumicën e rasteve, një pulë pa kokë ngordh brenda pak minutash.

 

  1. Të gjitha bakteret e botës, të grumbulluara njëra mbi tjetrën, do të shtriheshin për 10 miliardë vite dritë. Së bashku, mikrobet e Tokës me gjatësi 0.001 mm mund të mbështillen rreth Rrugës së Qumështit mbi 20,000 herë.

 

Continue Reading

Të kërkuara