Sport

Në shtatëvjetorin e anëtarësimit të KOK-ut në KON, premtohet mbështetje e madhe për sportistët

Ndryshe, pas paraqitjeve të suksesshme në “Tokio 2020”, nga sot nisin përgatitjet për Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Published

on

Me rastin e 7-vjetorit të anëtarësimit të Komiteti Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, KOK ka ndarë premiot për kampionet olimpike Tokio 2020, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, trajnerin Driton Kuka, si dhe të gjithë sportistët tjerë pjesëmarrës.

Gjithashtu të enjten është bërë nënshkrimi i kontratave me 22 sportistë të rinj për t’i mbështetur deri në Lojërat Olimpike Paris 2024.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, trajneri i xhudos Driton Kuka, Nora Gjakova si medaliste e artë në Lojërat Olimpike dhe shumë sportistë të tjerë.

Me këtë rast, mInistri i sportit Hajrullah Çeku deklaroi se pas shtatë viteve anëtarësim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Kosova ndihet krenare me sukseset e arritura brenda një kohe kaq të shkurtër dhe tani më vendi ynë nuk shkon vetëm sa për të marr pjesë, por me objektivin e fitoreve të mëdha. Ai siguroi të gjithë sportistët se ministria që ai drejton dhe Qeveria e Kosovës do të jenë gjithmonë në mbështetje të tyre.

“Sot, pas shtatë vitesh, me krenari dhe dinjitet mbajmë tre medalje olimpike me vetëm dy pjesëmarrje në Lojëra Olimpike verore. Muajve në vazhdim, për herë të dytë do të përfaqësohemi edhe në Lojërat Olimpike dimërore…Gjenerata të shumta të sportistëve kosovarë nuk e kishin këtë mundësi, andaj tani në këtë periudhë së bashku duhet të shkojmë në garat ndërkombëtare jo vetëm për pjesëmarrje por për të fituar. Ne shkojmë për të fituar sepse kemi dëshmuar që mundemi”, tha Çeku.

Ndërsa, presidenti i KOK ut Ismet Krasniqi tha se anëtarësimi i KOK ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar hapi rrugën që Kosova të fitojë medalje në arenën ndërkombëtare dhe njëkohësisht u ndal diskriminimi ndaj sportistëve të Kosovës. Ai shtoi se që nga sot e tutje nis puna për pjesëmarrje sa më dinjitoze në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

“Sot shtatë vite më parë u thye izolimi shumëvjeçarë i sportit kosovarë, u ndal diskriminimi i sportistëve tanë të cilëve iu hapën dyert e garimit dhe përfaqësimit të barabartë me sportistët tjerë. Anëtarësimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar na mundësoi që sot të kemi medalje olimpike, jo vetëm kaq, por tri medalje dhe që të tria të arta. Majlinda, Nora dhe Distria e kanë vënë Kosovën në hartën e shteteve më të fuqishme botërore…Me mbylljen e Tokio 2020, sot po e hapim rrugën drejtë Parisit 2024, ku do të nënshkruajmë bursat me 22 sportistë të përzgjedhur nga komisioni i sportistëve, listë kjo që mund të ndryshojë varësisht nga performanca e tyre e cila do të monitorohet vazhdimisht nga ky komision”, tha Krasniqi.

Shumë i kënaqur me mbështetjen që shteti dhe Komitetit Olimpik po iu japin sportistëve të rinj u shpreh trajneri i xhudos Driton Kuka. Ai tha se tashmë kushtet janë shumë më të mira se para disa vitesh dhe u zotua se do ta sjellë së paku një medalje nga Lojërat Olimpike Paris 2024.

“Arsyeja më e madhe pse jam unë këtu është numri 22. Është kënaqësi që Komiteti Olimpik sivjet plotë 22 sportista po i drejton drejtë Lojërave Olimpike në Paris dhe kjo është vlera e kësaj dite sepse nuk mund të ankohen që nuk kanë përkrahje. Sportistët e trajnerët t’i përveshin mëngët dhe të punojnë sepse shteti i Kosovës, Komiteti Olimpik dhe federata qëndrojnë shumë më mirë se sa para dhjetë vitesh edhe po besoj që ky numri 22 së paku një 10-she të mirë ta kemi të kualifikuar në Lojëra Olimpike e unë si trajner zotohem se do të punojë së paku për një medalje”, tha Kuka.

Në emër të të gjithë sportistëve foli xhudistja Nora Gjakova e cila tha se kjo është hera e tretë që ajo nëshkruan për pjesëmarrje në Lojëra Olimpike dhe inkurajoi sportistët e rinj që të punojnë shumë dhe të bëhen gati për sfida të mëdha.

“Kjo është hera e tretë që po nënshkruajë për pjesëmarrje në Lojëra Olimpike, ndihem me fat që e kemi pasur gjatë gjithë kësaj kohe mbështetjen e Komitetit Olimpik. Si njëra ndër garueset më me eksperiencë në pjesëmarrje në Lojëra Olimpikë unë iu dëshirojë të gjithë sportistëve që po dëshirojnë ta fillojnë këtë rrugëtim fat dhe shumë shëndet dhe le të jenë të gatshëm të përballen me sfida të shumta sepse nuk do të jetë e lehtë”, tha Gjakova.

Ndryshe, pas paraqitjeve të suksesshme në “Tokio 2020”, nga sot nisin përgatitjet për Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Sport

Vedat Muriqi vazhdon formën e mirë, shënon sërish për Fenerbahçen

Published

on

By

Vedat Muriqi ka vazhduar me formën e mirë në fanellën e Fenerbahçes, duke shënuar sërish në kampionatin elitar të Turqisë.

Sulmuesi i Kosovës realizoi në minutën e tretë në fitoren 2:0 të Fenerbahçes në udhëtim ndaj Samsunsporit, në kuadër të xhiros së tretë të Superligës turke.

Muriqi u tregua i saktë nga zona, duke e kaluar skuadrën e tij në epërsi 1:0 që në minutat e para të takimit. Sulmuesi kosovar u zëvendësua në minutën e 64-t.

Ky ishte goli i tretë radhazi për Muriqin, i cili kishte shënuar edhe ndaj Konyasporit në kampionat dhe ndaj Lyonit në ndeshjen kthyese të plejofit për Ligën e Kampionëve. Në duelin ndaj Konyasporit, ai kishte regjistruar edhe një asistim.

Kështu, Muriqi ka realizuar tri gola dhe ka dhënë një asistim në tri ndeshjet e fundit.

Në fitoren ndaj Samsunsporit, golin e dytë për Fenerbahçen e shënoi Oguz Aydin në minutën e 50-të, pas asistimit të të cilit erdhi edhe goli i Muriqit.

Pas tri ndeshjeve të zhvilluara në kampionat, Fenerbahçe ka grumbulluar gjashtë pikë.

D.L

Continue Reading

Sport

Besfort Zeneli shkëlqen ndaj Anderlechtit, gol dhe asistim në fitoren e Union SG

Published

on

By

Mesfushori kosovar Besfort Zeneli ka zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer të dielën me fanellën e Union Saint-Gilloise, duke qenë protagonist në fitoren e thellë 3:0 ndaj Anderlechtit.

Në ndeshjen e vlefshme për javën e katërt të elitës së futbollit belg, Zeneli realizoi golin e parë të takimit në minutën e 38-të, duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij.

Në fund të pjesës së parë, mesfushori kosovar ishte përsëri në qendër të vëmendjes, këtë herë duke asistuar për golin e dytë të Union SG.

Zeneli qëndroi në fushë deri në minutën e 87-të dhe ishte ndër lojtarët më të mirë të ndeshjes, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në fitoren e skuadrës së tij ndaj një prej emrave më të mëdhenj të futbollit belg.

Pas kësaj fitoreje, Union SG ka grumbulluar shtatë pikë nga tri ndeshje të zhvilluara në kampionat.

D.L

Continue Reading

Sport

Një e artë, një e argjendtë dhe katër të bronzta për Kosovën në Taranto 2026

Published

on

By

Kosova i ka përfunduar garat në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 me gjashtë medalje, një të artë, një të argjendtë dhe katër të bronzta. Përfaqësuesit kosovarë garuan në disa sporte, ndërsa medaljet u fituan në boks dhe xhudo.

Medalja e artë erdhi nga boksi, përmes Donjeta Sadikut, e cila triumfoi në finalen e kategorisë së saj përballë boksieres nga Serbia, duke i siguruar Kosovës medaljen e artë në këto Lojëra Mesdhetare.

Në xhudo, Kosova fitoi pesë medalje. Fatjona Kasapi, Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Shpati Zekaj fituan medalje të bronzta, ndërsa Laura Fazliu u stolis me medalje të argjendtë në kategorinë deri në 63 kilogramë. Fazliu u ndal në finale nga italiania Carlotta Avanzato. Për të, kjo ishte medalja e dytë në Lojërat Mesdhetare, pas medaljes së artë të fituar katër vjet më parë në Oran. Për Shpati Zekajn, ndërkohë, medalja e bronztë ishte e para në një edicion të Lojërave Mesdhetare.

Kosova u përfaqësua edhe në sporte të tjera gjatë Taranto 2026, ndërsa gjatë fundjavës u zhvilluan garat në pingpong, basketbollin 3×3 dhe futbollin e femrave U18.

Në basketbollin 3×3, Kosova garoi në konkurrencën e meshkujve dhe femrave. Te meshkujt, Kosova u mposht fillimisht nga Portugalia me rezultat 17:12, ndërsa në ndeshjen vendimtare të fazës së grupeve pësoi humbje 21:11 nga Turqia, duke e përfunduar garimin pa kaluar në çerekfinale.

Në konkurrencën e femrave, Kosova u mposht nga Greqia me rezultat 18:9 dhe më pas nga Italia 18:7, duke e përfunduar kështu garimin në Taranto.

Në futbollin e femrave U18, Kosova e mbylli pjesëmarrjen me barazim 1:1 ndaj Sllovenisë. Golin për Kosovën e shënoi Adela Sinani në minutën e gjashtë. Pas humbjeve ndaj Marokut, Portugalisë dhe Italisë, përfaqësuesja e Kosovës e përfundoi garimin me një pikë.

Edhe në pingpong u zhvilluan garat gjatë fundjavës, duke kompletuar kështu programin e garave të sportistëve kosovarë në Taranto 2026.

Me përfundimin e të gjitha garave, Kosova e mbyll pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 me gjashtë medalje, një të artë në boks, një të argjendtë dhe katër të bronzta në xhudo.

D.L

Continue Reading

Sport

Prishtina në ritmin e 3×3

Published

on

By

Kryeqyteti i Kosovës ka qenë dje në qendër të vëmendjes me një aktivitet të veçantë të basketbollit 3×3, ku u zhvilluan ndeshje 1 kundër 1, të organizuara nga Fis Juniku dhe 3×3 Prishtina.

Përveç përballjeve sportive, aktiviteti solli edhe atmosferë festive, me aktivitete të ndryshme dhe performanca nga këngëtarë, duke e kthyer ngjarjen në një spektakël për të gjithë të pranishmit.

Interesimi i madh u përqendrua te gara 1 kundër 1, ku basketbollistët patën mundësinë të tregojnë aftësitë e tyre individuale. Për fituesin ishte rezervuar edhe një shpërblim prej 1,500 eurosh.

Por aktiviteti i djeshëm është vetëm një tjetër dëshmi e zhvillimit të basketbollit 3×3 në Kosovë. 3×3 Prishtina ka përfaqësuar Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare, duke marrë pjesë në FIBA 3×3 World Tour Challenger, një prej platformave të rëndësishme të basketbollit 3×3 në botë.

Organizimi i ngjarjeve të tilla në Prishtinë është një lajm i mirë për sportin kosovar. Fakti që gara të nivelit të lartë po zhvillohen në kryeqytet dhe ekipet nga Kosova më pas po përfaqësojnë vendin në garat ndërkombëtare, tregon potencialin që ka basketbolli 3×3 në Kosovë.

Me organizime të tilla, Prishtina po synon të krijojë një traditë të re sportive dhe ta afrojë edhe më shumë basketbollin 3×3 me publikun kosovar dhe skenën ndërkombëtare.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara