Lajmet

Në Shqipëri protestohet pas vrasjes së 14-vjeçarit

Published

on

Qytetarë të shumtë protestuan në Tiranë më 21 nëntor pas vrasjes së 14-vjeçarit, Martin Cani. Prindër, gjyshër dhe të rinj marshuan nga shkolla “Fan Noli”, pranë së cilës u vra i mituri, në drejtim të ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, ku kërkuan dorëheqjen e ministres, Ogerta Manastirliu.

Martin Cani u vra me thikë më 18 nëntor, pak metra larg shkollës ku ai mësonte. Edhe autori i dyshuar, i së njëjtës moshë, ishte nxënës i kësaj shkolle.

Protesta u organizua me qëllim sensibilizimin e institucioneve dhe shoqërisë që ngjarje si ajo e vrasjes së Martin Canit të mos përsëriten.

Me pankartat ku shkruhej “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”, “Sot Martini, nesër mund të jetë fëmija yt”, si dhe “Heshtja jonë ushqen padrejtësinë” etj, qytetarët fajësuan për ngjarjen institucionet, në veçanti Ministrinë e Arsimit.

Një vajzë, shoqe klase me Martinin, tha se ka parë persona me thikë në ambientet e shkollës.

“Ne kemi humbur një shok të zemrës, që e kemi pasur për nëntë vjet në klasë. Na ka lënduar thellë. Në vend që të jemi të lumtur, jemi të frikësuar për sigurinë që nuk e gjejmë në shkollë. Ne shihnim në shkollë njerëz që vinin me thika e shisnin mend për të treguar se ‘jemi të fortët’. Ku është siguria nga shkolla, oficerja, drejtoresha. Unë kam një motër të vogël në atë shkollë. Frika që unë kam për atë dhe veten time është e madhe”, tha nxënësja.

“Institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi. Oficeri i sigurisë, mësuesja, drejtoresha e shkollës, Ministria e Arsimit nuk e ka bërë detyrën e vet sa duhet. Qeveria që e sheh përgjegjësinë te mbyllja e TikTok-ut tregon se nuk e ka bërë punën si duhet”, tha një prind që mori pjesë në protestë.

Ai iu referua propozimit të bërë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një ditë më parë për mbylljen e platformave sociale TikTok dhe Snapchat, apo për vendosjen e disa filtrave.

Pas vrasjes së 14-vjeçarit, u publikua fotografia e autorit, që tregonte plagën që kishte marrë në dorë dhe ai u shfaq duke ngritur grushtin lart. Foton ai ua kishte dërguar një grupi shokësh në Snapchat. Disa ditë para krimit, ai kishte postuar po në këtë rrjet social një tjetër foto me një thikë në dorë.

“Ne nuk kemi nevojë për mësim fiktiv, të ndalonte mësimi të nesërmen e vrasjes së Martinit dhe të flitej për edukimin, socializimin. Jam nënë dhe bëj dy punë për të mbuluar shpenzimet familjare. Çdo ditë pyes veten, a duhet ta rris fëmijën tim në këtë vend? Pse duhet të jem në këtë dilemë? Nuk duhet të ikim ne nga ky vend, por të papërgjegjshmit, të paaftët”, tha një nënë gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit.

Në protestë morën pjesë edhe mësues. Një nga ta tha se shteti duhet të marrë përgjegjësinë për atë që nuk mundi të bënte në rastin e Martinit.

“Ku ishte ambulanca, ku ishte policia? Po, duhet të merren masa dhe për rrjetet sociale. Unë jam mësuese vetë, jam dakord që raportimi i çdo konflikti duhet të përcillet te prindërit”, tha ajo.

“Të shtohet buxheti për arsimin në nivelin 3.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2025, nga 600 milionë lekë në 850 milionë lekë, duke synuar plotësimin e shkollave me infrastrukturë dhe staf mbështetës. Rritje dhe plotësim i 100% të shkollave me psikologë të paktën një psikolog për shkollë ose një psikolog për 350 nxënës. Qëndrim i nxënësve në hapësirat e shkollës deri në orën 16:00, duke ofruar program, ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat”, ishin disa nga kërkesat kryesore të protestuesve.

Migen Demirxhi, përfaqësues i organizatës “Qendresa Qytetare” i cili bëri publike këto kërkesa, tha se nëse deri ditën e hënë nuk do të ndodhë dorëheqja e ministres së Arsimit, do të mbahet një tjetër protestë.

Ai kërkoi që më shumë prindër dhe nxënës të dalin në protestë për të krijuar një aleancë të madhe në mbrojtje të fëmijëve.

Protestuesit lyen me bojë të kuqe muret e ndërtesës së Ministrisë së Arsimit.

Në protestën e 21 nëntorit u lexua edhe një mesazh nga prindërit e Martinit.

“Nuk mendoj që ka fjalë që e përshkruan dhimbjen. Martini ishte i mbushur me ëndrra e jetë. Ja morën të dyja. Uroj që askush të mos e provojë. Ju falënderojmë të gjithëve nga zemra”, ishte mesazhi i prindërve të Martinit.

Pjesëmarrës në protestë ishin shokë të Martinit dhe tezja e tij, e cila u ndje keq dhe u përcoll me autoambulancë për ndihmë mjekësore./REl/

Lajmet

Shembet pjesërisht një ndërtesë shtatëkatëshe në Stamboll, disa persona mbeten nën rrënoja

Published

on

By

Një ndërtesë shtatëkatëshe është shembur pjesërisht në Stamboll, duke shkaktuar një operacion të madh kërkim-shpëtimi për nxjerrjen e personave që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:40 sipas kohës lokale, në lagjen Cevizli të distriktit Maltepe. Tre katet e para të ndërtesës u shembën, ndërsa banorët e kateve të sipërme u evakuuan në mënyrë të sigurt.

Sipas autoriteteve, ndërtesa ka gjithsej 12 apartamente dhe rreth 33 banorë, ndërsa në katin përdhes ndodheshin edhe disa biznese, përfshirë një punishte tekstilesh.

Ekipet e kërkim-shpëtimit, të ndihmuara edhe nga qentë nuhatës, kanë nxjerrë deri tani gjashtë persona, mes tyre edhe tre fëmijë. Të shpëtuarit janë dërguar në spitalet e afërta për trajtim mjekësor.

Megjithatë, operacioni vijon, pasi besohet se persona të tjerë mund të jenë ende nën rrënoja, transmeton Telegrafi.

Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, tha se autoritetet kanë arritur të vendosin kontakt me gjashtë nga personat që dyshohet se ndodheshin në pjesën e shembur.

“Është një ndërtesë me kat përdhes dhe gjashtë kate. Sipas të dhënave zyrtare, aty jetojnë 33 persona. Katër apartamente janë dëmtuar”, tha Gül.

Ai shtoi se, sipas të dhënave të autoriteteve, dy persona nuk ndodheshin në shtëpi, ndërsa gjashtë të tjerë tashmë janë shpëtuar.

Në vendngjarje janë angazhuar ekipet e zjarrfikësve, shërbimet shëndetësore, forcat e sigurisë dhe AFAD, agjencia shtetërore turke për menaxhimin e emergjencave të mëdha.

Ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, tha se të gjitha institucionet shtetërore janë mobilizuar.

“Puna po vazhdon pa ndërprerje, me shumë kujdes dhe vendosmëri, duke mos lënë asnjë mundësi pa shqyrtuar, në mënyrë që të arrijmë sa më shpejt te qytetarët tanë nën rrënoja”, deklaroi Kurum. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkakun e shembjes së ndërtesës.  /TRT/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Shakira thyen rekord në Amazon Music, koncerti me Dua Lipën më i ndjekuri nga një artiste femër

Published

on

Amazon Music ka bërë të ditur se koncerti i Shakirës, i mbajtur më 3 tetor në Madrid, është bërë performanca e transmetuar drejtpërdrejt më e ndjekur nga një artiste femër në historinë e platformës.

Koncerti u transmetua në Amazon Music, Prime Video dhe Twitch, ndërsa u zhvillua në kuadër të turneut botëror të këngëtares kolumbiane, “Las Mujeres Ya No Lloran World Tour”, si pjesë e rezidencës së saj evropiane në Madrid.

Mbrëmja solli edhe një moment të veçantë për publikun, pasi Shakirës iu bashkua në skenë këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa. Dy artistet interpretuan së bashku, në një version akustik, këngën “Antología”.

Koncerti u mbajt në “Estadio Shakira”, një stadium i përkohshëm i ndërtuar në kompleksin Iberdrola Music, në zonën Villaverde të Madridit.

Transmetimi rekord ishte pjesë e fushatës vjetore të Amazon Music, “Music Connects Us”, e cila këtë vit mban temën “The Women Shaping Latin Music” dhe i kushtohet grave që kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e muzikës latine.

Amazon Music vlerësoi ndikimin e Shakirës në skenën ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një artiste që për më shumë se tri dekada ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit për artistët latinë në tregun global.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Amazon Music, “Dai Dai”, bashkëpunimi i Shakirës me Burna Boy, është kënga më e dëgjuar në botë në platformë gjatë vitit 2026 deri më tani. Shakira është gjithashtu artistja latine më e dëgjuar në Amazon Music gjatë së njëjtës periudhë.

“Las Mujeres Ya No Lloran World Tour është bërë shumë më tepër nga sa mund ta kisha imagjinuar dhe jam shumë krenare për të”, është shprehur Shakira, duke thënë se është e emocionuar që këtë përvojë ta ndajë me fansat në mbarë botën./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mitrovica mirëpret Samitin Ndërkombëtar të Rinisë për Paqe 2026

Published

on

Mitrovica ka mirëpritur “Balkan International Youth Summit for Peace 2026” (BIYSP), një samit ndërkombëtar që mblodhi të rinj nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar mbi paqen, dialogun dhe bashkëpunimin.

Samiti u zhvillua nga 1 deri më 4 tetor, nën temën “Youth as Peace Practitioners: From Dialogue to Action”, ndërsa u mbështet financiarisht nga Ministria e Sportit dhe Rinisë.

Gjatë ditës së dytë, në emër të Ministrisë, fjalë përshëndetëse mbajti këshilltari i lartë i ministrit Blerim Gashani, Drilon Brahimi.

Ndërkaq, Vedat Jashari, udhëheqës i Divizionit për Zhvillimin e Politikave për Rininë, mori pjesë në sesionin “Spotlight: Histori nga terreni”, ku prezantoi përvojën e Kosovës në zhvillimin e politikave dhe programeve për të rinjtë.

Përmes diskutimeve, paneleve dhe shkëmbimit të përvojave, samiti synoi të fuqizojë rolin e të rinjve në ndërtimin e paqes dhe kohezionit shoqëror.

Ministria e Sportit dhe Rinisë ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që fuqizojnë të rinjtë dhe nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

FOTOIST 2026 rikthehet në Prishtinë me 36 ngjarje dhe 12 ekspozita fotografike

Published

on

Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë FOTOIST rikthehet në Prishtinë për edicionin e katërt, duke sjellë një program me 36 ngjarje kulturore dhe 12 ekspozita fotografike ndërkombëtare.

Festivali po zhvillohet nga 29 shtatori deri më 16 tetor 2026 dhe përfshin ekspozita, ligjërata, debate, shfaqje filmash, promovime librash fotografikë, takime me artistë, portfolio reviews, si dhe aktivitete edukative e profesionale.

Hapja solemne e FOTOIST 2026 do të mbahet më 9 tetor, në orën 18:00, në Sheshin e Hotel Grandit, ku do të prezantohet ekspozita “Në Sytë e Tjetrit” e fotografit Korab Basha.

Pas ceremonisë, artistët, fotografët dhe publiku do të zhvillojnë një tur të përbashkët nëpër ekspozitat e festivalit, nga hapësirat e ish-Hotel Grandit deri te Barabar Centre. Autorët do të prezantojnë konceptin dhe procesin krijues të punëve të tyre.

Programi i festivalit ka nisur edhe para hapjes solemne. Më 29 shtator, në Galerinë Qahili, u hap ekspozita “Koha e Thyer” e Osman Demirit, ndërsa më 6 tetor u hap “Drita e Heshtjes” e Blerta Syla Suroit. Në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë prezantohet gjithashtu ekspozita “Kuti(a) e Kujtesës / The Memory Box” e Burim Myftiut.

Programi ekspozues do të përmbyllet më 13 tetor, në orën 19:00, në Paper Gallery, me hapjen e ekspozitës “Ujëgrame Cimatike” të Liona Vorfit.

Përmes 36 ngjarjeve kulturore, FOTOIST 2026 synon ta trajtojë fotografinë jo vetëm si medium artistik, por edhe si dokument, kujtesë, dëshmi dhe mjet komunikimi shoqëror.

Aktivitetet do të zhvillohen në galeri, institucione kulturore, hapësira universitare dhe ndërtesa me rëndësi historike në Prishtinë, duke e shndërruar qytetin në një hapësirë të ekspozimit dhe dialogut kulturor.

Në edicionin e katërt, festivali vazhdon bashkëpunimin me artistë, fotografë dhe institucione nga Kosova, rajoni, Evropa dhe më gjerë, me synimin për ta forcuar rolin e Prishtinës në skenën e fotografisë bashkëkohore në Evropën Juglindore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara