Botë

Në përpjekje për paqe, Presidenti ukrainas Zelensky viziton Afrikën e Jugut

Published

on

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy mbërriti të enjten në Afrikën e Jugut për bisedime me Presidentin Cyril Ramaphosa mbi bashkëpunimin dypalësh dhe përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

Zelenskiy është përpjekur të ofrojë mbështetjen ndërkombëtare për përpjekjet luftarake të Kievit, mes presionit në rritje nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili tha javën e kaluar se Uashingtoni mund të largohej nëse nuk do të kishte përparim të qartë në një marrëveshje paqeje së shpejti.

Duke komentuar vizitën, Zelenskiy postoi në X se do të takonte Ramaphosa-n si dhe përfaqësues të tjerë politikë dhe civilë. “Është thelbësore për të sjellë një paqe të drejtë më afër,” shtoi ai.

Afrika e Jugut, e cila mban marrëdhënie të mira me Rusinë, ka mbetur neutrale në konfliktin që filloi në 2022.

Vizita i ofron Afrikës së Jugut dhe Ukrainës një mundësi për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe… Ajo gjithashtu do të eksplorojë fushat e bashkëpunimit me objektivin për të mbështetur përpjekjet për të sjellë paqe të qëndrueshme,” tha zyra e Ramaphosa në një deklaratë.

Zelenskiy tha një ditë më pare se duhej të kishte një armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe të pakushtëzuar me Moskën duke përsëritur se Ukraina nuk përjashtoi asnjë format bisedimesh që mund të çonte në një armëpushim.

Vizita e Zelenskiy është e para e një kreu shteti ukrainas në Afrikën e Jugut. Ramaphosa dhe Zelenskiy janë takuar disa herë, përfshirë në Kiev në vitin 2023, si pjesë e një përpjekjeje ndërmjetësimi nga udhëheqësit afrikanë, të cilat nuk arritën rezultate të dukshme.

Aktualitet

REL: S’u morëm vesh kështu”: Trump e paralajmëron Iranin për Ngushticën e Hormuzit në prag të bisedimeve

Published

on

By

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kritikuar ashpër Teheranin lidhur me synimet e tij për Ngushticën e rëndësishme të Hormuzit, pak kohë para se zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë të mblidhen në Islamabad për bisedime të rëndësishme paqeje të premten.

“Irani po bën punë shumë të dobët, disa do të thoshin të pandershme, lidhur me kalimin e naftës nëpër Ngushticën e Hormuzit. Kjo nuk është marrëveshja që kemi!” shkroi Trump në Truth Social të enjten vonë.

“Thuhet se Irani po u vendos tarifa cisternave që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Më mirë të mos jetë e vërtetë kjo dhe, nëse është, duhet ta ndalojnë menjëherë!” shkroi Trump në një postim tjetër.

Mosmarrëveshjet mbi planet e Teheranit për këtë rrugë jetike ujore, së bashku me sulmet e mëdha që Izraeli po i kryen në Liban, vazhdojnë t’i zbehin shpresat se mund të arrihet ndonjë marrëveshje e përhershme për t’i dhënë fund luftës, e cila filloi para më shumë se një muaji.

Ndër kërkesat kryesore të Trumpit si pjesë e një marrëveshjeje për armëpushim dyjavor është transporti i lirë përmes Ngushticës së Hormuzit, të cilën Irani e ka bllokuar qëkurse nisi lufta. Teherani është zotuar për ta rihapur këtë rrugë detare, megjithatë vetëm në bashkërendim ushtrinë iraniane dhe me pagesë.

Anijet nuk janë detyruar kurrë të paguajnë për të kaluar nëpër këtë ngushticë, pasi ajo vlerësohet si rrugë ujore ndërkombëtare dhe jo nën autoritetin e ndonjë shteti.

 

Kriza globale e energjisë

Ngecja e trafikut të cisternave të naftës dhe gazit i shkaktuar nga bllokimi i ngushticës ka çuar në një krizë globale energjetike dhe në rritje çmimesh. Mundësia e vendosjes së tarifave ka tronditur liderët në mbarë botën.

Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Greqia dhe të tjerë e dënuan planin e Iranit për vendosjen e tarifave. Bloomberg raportoi se kompanitë e transportit do të pritej të paguanin deri në 2 milionë dollarë për anije, ndërsa Financial Times tha se pagesat ndaj autoriteteve iraniane do të bëheshin vetëm në kriptomonedha ose në juan kinez.

Gjatë një vizite treditore në Gjirin Persik, kryeministri britanik Keir Starmer hodhi poshtë mundësinë që Teherani të bëjë me pagesë përdorimin e kësaj ngushtice jetike.

“Qëndrimi ynë është se ‘e hapur’ do të thotë e hapur për navigim të sigurt”, tha ai për televizionin britanik. “Kjo nënkupton navigim pa tarifa dhe që anijet të mund të kalojnë”.

Krediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, tha: “I bëjmë thirrje të gjitha palëve ta respektojnë plotësisht armëpushimin në rajon, t’i ndalojnë të gjitha operacionet ushtarake dhe të sigurojnë plotësisht lirinë e navigimit si dhe kalimin e lirë dhe të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, vendi i së cilës merr rreth 95 për qind të furnizimeve me naftë nga Lindja e Mesme, kërkoi në një telefonatë me presidentin iranian Masud Pezeshkian që ai t’i ulë tensionet dhe të garantojë sigurinë e anijeve në ngushticë.

Një deklaratë që i atribuohet liderit suprem të Iranit, Ayatollah Mojtaba Khamenei, dhe e lexuar në televizionin shtetëror më 9 prill, duket se nënvizonte synimin e Teheranit për të kontrolluar ngushticën dhe për të rregulluar trafikun detar në këtë arterie kyçe.

Në deklaratë thuhej se Irani “patjetër do ta çojë menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit në një fazë të re”, por nuk dha hollësi. “Irani nuk kërkon luftë, por nuk do të heqë dorë nga të drejtat e veta”.

Mes thashethemeve për gjendjen e tij, Khamenei nuk është parë që nga shpërthimi i luftës.

Takimet SHBA–Iran në Pakistan

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i dërguari special, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, pritet të mbërrijnë në Islamabad të premten për takime me zyrtarë iranianë. Bisedimet mes tyre mund të jenë vendimtare.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, dhe kryetari i fuqishëm i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, i njohur për deklarata të forta kundër SHBA-së javët e fundit, pritet ta udhëheqin delegacionin iranian.

Nuk është e qartë nëse bisedimet zyrtare do të fillojnë të premten apo të shtunën, por Pakistani ka shpallur dy ditë pushim në kryeqytet para bisedimeve.

Autoritetet shpesh shpallin pushim ose kufizime për ngjarje të mëdha diplomatike për arsye sigurie.

Pavarësisht kërcënimeve të tij, Trump i tha NBC News të enjten se është “shumë optimist” për një marrëveshje paqeje me Iranin dhe se Izraeli po “ulte intensitetin” e sulmeve në Liban.

Trump tha në një intervistë telefonike se liderët e Teheranit janë “shumë më të arsyeshëm” në biseda private, por shtoi se “nëse nuk bëjnë marrëveshje, do të jetë shumë e dhimbshme”.

 

Izraeli dhe Libani drejt bisedimeve

Ndërkohë, përfaqësues izraelitë dhe libanezë do të takohen në Uashington javën e ardhshme, tha Departamenti i Shtetit për Radion Evropa e Lirë (REL).

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar intensifikimin e sulmeve në Liban, ku bombardimet e rënda izraelite që synojnë militantët e Hezbollah e kanë lëkundur marrëveshjen e armëpushimit SHBA–Iran.

Së bashku me dënimin e veprimeve të Hezbollahut – i konsideruar organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – dhe sulmeve të Iranit në gjithë rajonin, shumë liderë botërorë kritikuan gjithashtu Izraelin për sulmet masive në Liban që kanë vrarë më shumë se 300 njerëz gjatë dy ditëve të fundit.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli këmbëngulin se Libani nuk ishte përfshirë në marrëveshjen e armëpushimit me Teheranin, ndërsa zyrtarët iranianë thonë se ishte përfshirë dhe se sulme të mëtejshme ndaj aleatëve të tyre të Hezbollahut mund ta prishin armëpushimin.

Kallas tha të enjten se “veprimet izraelite po e vënë armëpushimin SHBA–Iran nën presion të madh. Armëpushimi me Iranin duhet të shtrihet edhe në Liban”.

Sulmet izraelite në Liban janë “të gabuara” dhe “duhet të ndalen”, tha Starmer gjatë vizitës së tij në vendet e Gjirit/REL/

Continue Reading

Aktualitet

Mbi 170 milionë fuçi naftë të bllokuara: A do t’i japë fund krizës armëpushimi i Trump

Published

on

By

Transportuesit që kërkojnë të rifillojnë kalimin e anijeve cisternë (tankerëve) nëpër Ngushticën e Hormuzit po presin qartësi mbi logjistikën. Shumica e tankerëve të naftës dhe gazit që kanë mbetur të bllokuar qëndruan brenda Gjirit, sipas të dhënave të transportit nga LSEG, pak orë pasi Trump njoftoi armëpushimin dhe tha se SHBA do të ndihmonte me menaxhimin e trafikut të krijuar.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, deklaroi se nëse sulmet kundër vendit të tij ndalen, Teherani do të ndërpresë kundërsulmet dhe do të mundësojë kalim të sigurt në koordinim me forcat e tij të armatosura “dhe duke marrë parasysh kufizimet teknike”.

Agjencia e gjurmimit të anijeve, Kpler, tha se rreth 187 tankerë të ngarkuar me 172 milionë fuçi naftë bruto dhe produkte të rafinuara ishin në lundrim brenda ngushticës që nga e marta.

Me më shumë se 1,000 anije oqeanike të bllokuara brenda gjirit, do të duheshin me gjasë më shumë se dy javë për të evakuuar rradhën e krijuar, madje edhe në kushte normale, tha Daejin Lee, kreu global i kërkimeve në Fertmax FZCO.

“Një dritare prej 14 ditësh është thjesht shumë e shkurtër për të rikthyer nivelin e besimit të duhur për të larguar pasigurinë e rrënjosur — veçanërisht për rrugët e ngarkimit në Gjirin Arabik,” tha ai.

Lee shtoi se detajet mbeten të paqarta, përfshirë veprimet që duhet të ndërmarrin anijet dhe qiramarrësit e tyre për të fituar të drejtën e kalimit. “Shumë pronarë anijesh prestigjioze mund të presin disa ditë për t’u siguruar që armëpushimi mban përpara se të angazhojnë mjetet e tyre,” u shpreh ai.

Dy ndërmjetës anijesh (shipbrokers) thanë se pronarët ka të ngjarë të qëndrojnë në pozicionin “prit dhe shiko” përpara se të lejojnë anijet të hyjnë në Gji. /Reuters/

Continue Reading

Aktualitet

Roli i Pakistanit në sigurimin e armëpushimit të brishtë mes SHBA-së dhe Iranit

Published

on

By

Në orët e fundit para shpalljes së armëpushimit dyjavor mes Iranit dhe SHBA-së, sinjalet e para të shpresës erdhën nga Pakistani. Një burim pakistanez, në kushte anonimiteti, i tha BBC-së se bisedimet po vijonin me ritme të shpejta, me Pakistanin që shërbente si ndërmjetës mes dy vendeve. Grupi negociator nga ana e Pakistanit ishte i kufizuar në një “rreth shumë të ngushtë”, ku atmosfera përshkruhej si “e zymtë dhe serioze”, por me shpresën se ndalimi i armiqësive do të ishte rezultati përfundimtar.

Gatishmëria e Pakistanit për të ndërmjetësuar ka qenë e vazhdueshme javët e fundit, duke shërbyer si urë komunikimi për shkak të raporteve historike dhe kufirit të përbashkët me Iranin, të cilin shpesh e cilëson si një vend “vëlla”. Nga ana tjetër, marrëdhënia me SHBA-në duket e forcuar nga vlerësimi i Presidentit Trump për kreun e forcave të armatosura të Pakistanit, Field Marshall Asim Munir, të cilin e ka quajtur gjeneralin e tij “të preferuar” që e njeh Iranin “më mirë se kushdo”.

Megjithatë, arritja e marrëveshjes ishte larg të qenit e sigurt. Të martën mbrëma, Ministri i Jashtëm pakistanez, Ishaq Dar, deklaroi në parlament se optimizmi i tyre ishte lëkundur pas sulmeve të Izraelit ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjes iraniane ndaj Arabisë Saudite. Edhe Field Marshall Munir ishte kritik, duke thënë se sulmi ndaj Arabisë Saudite “minonte përpjekjet e sinqerta për zgjidhje paqësore”, gjuhë kjo mjaft e ashpër që mund të rriste presionin ndaj Teheranit, duke pasur parasysh paktin e mbrojtjes që Pakistani ka me Arabinë Saudite.

Kthesa nisi pas mesnate, kur Kryeministri i Pakistanit njoftoi në platformën X se përpjekjet diplomatike po ecnin me hapa të sigurt dhe i kërkoi Presidentit Trump të shtynte afatin për dy javë, ndërsa Iranit t’i kërkohej hapja e Ngushticës së Hormuzit për të njëjtën periudhë. Pas sinjaleve pozitive edhe nga ambasadori iranian në Islamabad, Kryeministri pakistanez njoftoi pak para orës 05:00 arritjen e armëpushimit. Ai i ftoi të dyja palët në një takim në Islamabad këtë të premte, më 10 prill, për të negociuar një marrëveshje përfundimtare. Pavarësisht këtij hapi, burimet diplomatike mbeten të matura, duke theksuar se situata mbetet e brishtë dhe se mungesa e besimit mes palëve është ende e theksuar. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

SHBA-Iran: Armëpushim dhe Plan Paqeje

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar arritjen e një armëpushimi dyjavor me Iranin, një vendim që erdhi pas pranimit të një plani 10 pikësh të propozuar nga Teherani.

Ky dakordësim u bë publik pak para skadimit të afatit të fundit të vendosur nga Washingtoni, ndërsa Trump e ka kushtëzuar paqen e përkohshme me lejimin e qarkullimit të lirë të anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Si pasojë e këtij zhvillimi diplomatik, tregjet botërore kanë reaguar menjëherë, me çmimin e naftës që ka rënë nën nivelin e 100 dollarëve për fuçi.

Në anën tjetër, Izraeli ka deklaruar mbështetjen e tij për pezullimin e sulmeve, ndonëse ka specifikuar se ky armëpushim nuk shtrihet në territorin e Libanit. Rolin e ndërmjetësit në këtë krizë e ka marrë Pakistani, i cili ka ftuar përfaqësuesit e të dyja shteteve për bisedime të mëtejshme në Islamabad këtë të premte.

Plani iranian, të cilin pala amerikane e cilësoi si të realizueshëm, synon një ristrukturim të raporteve në rajon.

Ai kërkon tërheqjen e trupave amerikane, heqjen e sanksioneve ekonomike dhe lirimin e aseteve të ngrira, në këmbim të zotimit të Iranit për të mos prodhuar armë bërthamore.

Po ashtu, propozimi përfshin njohjen e të drejtës për pasurimin e uraniumit, ndërprerjen e armiqësive ndaj grupeve të rezistencës dhe arritjen e traktateve të paqes me vendet fqinje nën kornizën e rezolutave të OKB-së.

10 pikat e planit të armëpushimit:

  1. Tërheqja e trupave amerikane nga rajoni.
  2. Kontroll i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit (me lëvizje të rregullt të anijeve).
  3. Kompensimi i dëmeve ndaj Iranit.
  4. Tërheqja e të gjitha sanksioneve (primare dhe sekondare).
  5. Lirimi i aseteve të ngrira iraniane.
  6. Zotimi i Iranit për të mos krijuar armë bërthamore.
  7. Pranimi i së drejtës së Iranit për të pasuruar uranium.
  8. Pajtimi i Iranit për traktatet e paqes me vendet e rajonit.
  9. Ndërprerja e armiqësive kundër të gjitha grupeve të rezistencës në rajon.
  10. Miratimi i dispozitave përmes një rezolute të OKB-së për ta bërë marrëveshjen të detyrueshme.

Continue Reading

Të kërkuara