Lajmet

Në përfundim të Samitit të SEECP, Begaj kritikon sanksionet ndaj Kosovës: “Janë të padrejta dhe ndëshkojnë qytetarët”

Published

on

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur shqetësimin për sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

Deklarata e tij u bë pas përfundimit të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ku Begaj konfirmoi se Serbia dhe Bosnja e Hercegovina refuzuan të nënshkruajnë deklaratën e përbashkët të Tiranës, ndërsa të gjitha vendet e tjera anëtare e miratuan atë.

“Bashkëpunimi rajonal për ne është i rëndësishëm, sepse çdo zgjidhje paqësore dhe përmes dialogut sjell zhvillim, stabilitet dhe paqe në rajon,” tha Begaj. Ai vlerësoi miratimin e “Deklaratës së Tiranës” si një hap domethënës, edhe pse Serbia dhe Bosnja e Hercegovina refuzuan ta mbështesin.

Në fjalën e tij, Presidenti shqiptar vuri theksin tek nevoja për të hequr sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se ato nuk i drejtohen politikanëve, por qytetarëve, të cilët po privohen nga shërbimet publike cilësore.

“Është një çështje që duhej zgjidhur shumë kohë më parë. Nesër është shumë vonë,” tha ai.

Begaj gjithashtu komentoi mbi pretendimet e Beogradit dhe Sarajevës për çështje sigurie, duke theksuar se koncepti i sigurisë duhet të kuptohet si universal.

“Siguria nuk është vetëm brenda shtëpisë sonë. Çdo zhvillim global, si agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, ka pasoja për të gjithë botën,” tha presidenti.

Në përmbyllje, Begaj ritheksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe vlerave evropiane si rruga e vetme drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme për rajonin.

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Numërohen 31.58% e votave me kusht

Published

on

By

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e numërimit të votave me kusht.

Që nga e hëna mbrëma, kur ka filluar ky proces, janë numëruar 18 nga gjithsej 57 kuti të votimit, apo 31.58 për qind e tyre.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.81 për qind të votave, respektivisht 1,313 vota. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.45 për qind ose 539 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 11.65 për qind apo 307 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.95 për qind, përkatësisht 236 vota.

Nga rezultatet e përmbledhura të të gjitha votave të numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke siguruar edhe një mandat shtesë në Kuvend. Si rezultat, kjo parti parashihet të ketë 57 deputetë, një më shumë sesa 56 sa ishin paraparë në rezultatet preliminare.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës zbret në 22 ulëse nga 23 sa kishte sipas projeksioneve fillestare, me 20.43 për qind të votave.

Continue Reading

Lajmet

​Kolona të gjata në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

Published

on

By

Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Vështirësi në qarkullim e përmbytje janë raportuar në disa komuna, si ajo e Malishevës dhe Gjakovës.

Continue Reading

Lajmet

​Rreziku nga përmbytjet, Komuna e Prishtinës apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Published

on

By

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për rrezik nga përmbytjet duke apeluar për kujdes të shtuar, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se si pasojë e reshjeve qytetarët mund të hasin në vështirësi në qarkullimin rrugor, mbipopullim të kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime si dhe rrezik për rrëshqitje të ujit në zona urbane dhe nënkalime.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

“Institucionet përkatëse të kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.

Continue Reading

Të kërkuara