Lajmet

​“Ne nuk harrojmë”, protestohet kundër kthimit në rigjykim të rastit të vrasjes së Marigona Osmanit

Protestuesit para Pallatit të Drejtësisë kanë mbajtur pankartat ”Ne nuk harrojmë”, “Drejtësi për Marigonën”, “Siguri dhe Drejtësi për gra”.

Published

on

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka kundërshtuar sot përmes një proteste vendimin e Gjykatës së Apelit për ta kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

Protestuesit para Pallatit të Drejtësisë kanë mbajtur pankartat ”Ne nuk harrojmë”, “Drejtësi për Marigonën”, “Siguri dhe Drejtësi për gra”, duke shprehur kështu revoltën ndaj vendimit të Apelit.

Bjeshkë Guri, anëtare e Kolektivit, ka kritikuar vendimin e Apelit, duke thënë se gjykata asnjëherë nuk adresoi çështjet më problematike në rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

“Të dashur qytetarë, jemi mbledhur sot këtu pranë Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar edhe njëherë praktikat e sistemit të drejtësisë në Kosovë, i cili është duke na e vërtetuar çdo herë e më shumë se nuk funksionon për gratë, duke ua pamundësuar atyre çfarëdo lloj drejtësie. Vendimi i Gjykatës së Apelit që ta dërgojë në rigjykim lëndën e vrasjes së Marigona Osmanit na revolton tej mase meqë përtej këtij rasti reflekton një praktikë të shpeshtë në rastet e dhunës ndaj grave, e cila e kthen rastin në pikën zero, duke krijuar pasiguri për gratë në Kosovë dhe rrezikun që Marigonës t’i bëhet padrejtësi edhe për së vdekuri”, tha Guri.

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burg të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasjen e Marigona Osmanit. Guri thotë se përfshirja e motivit të vrasjes, e cila po ashtu është problematike në vetvete, nuk e përjashton se vrasja është kryer në mënyrë mizore.

“Në vitin 2023, Gjykata Themelore në Ferizaj e dënoi me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasjen e Marigona Osmanit si dhe me 15 vjet burgim Arbër Sejdiun për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rënd. Ky vendim u rikthye në rigjykim me arsyetimet dhe kërkesat e Gjykatës së Apelit, ku ndër të tjera vihet në pikëpyetje mënyra mizore me të cilën Dardan Krivaça, me ndihmën e Arbër Sejdiut e kanë vrarë Marigonën. Kjo është tejet shqetësuese për ne, përfshirja e motivit të vrasjes, e cila po ashtu është problematike, në vetvete nuk e përjashton se vrasja është kryer në mënyrë mizore. Një sugjerime i tille e rivendose theksin te motivet e vrasjes dhe jo akti për se, çka për ne është e papranueshme. Tutje, është shqetësuese se si Gjykata e Apelit asnjëherë nuk e adreson qasjen problematike te Gjykatës Themelore ne trajtimin dhe vlerësimin e dhunimit si vepër penale”, u shpreh Guri.

Guri potencoi se rastin e Marigonës nuk do ta lejojnë që të zvarritet në gjykata dhe t’ua thellojnë dhimbjen familjarëve të saj.

“Dhunimi seksual është detyrimi në kryerjen e aktit seksual pa dhënien e pëlqimit. Mirëpo, Gjykata Themelore nuk e ka të qartë se çka do të thotë kjo, dhe gabimisht nxjerr konkluzione duke u mbështetur vetëm në provat e lëndimit fizik gjenital. Prezenca e lëndimeve fizike nuk është vendimtare për përcaktimin e dhunimit. Nga ana tjetër, gabimet dhe lëshimet e njëpasnjëshme nga gjykatat themelore, të cekura nga Apeli, pasqyrojnë neglizhencën e grave nga ky sistem, çka është duke i bërë këto raste barrë të familjeve të viktimave dhe të mbijetuarave. Ne jemi të indinjuara dhe të revoltuara me këtë vendim të Gjykatës së Apelit që pasqyron një problem më të thellë. Sistemi dhe neglizhenca e theksuar institucionale e jetës së grave, prandaj thërrasim në organizim dhe vëmendje për këto rast. Nuk mund të lejojmë që rasti i Marigonës të zvarritet në ndërtesat e gjykatave dhe eventualisht t’ua thellojë edhe më tej dhimbjen familjarëve të saj. Nuk mund të lejojmë që praktika të tilla ku bëhet fjalë për jetët e grave të bëhen normale. Sot e çdo ditë tjetër protestojmë dhe kërkojmë drejtësi për Marigonën dhe çdo grua tjetër, të gjallë a të vdekur”, tha Guri.

Guri ka përmendur se Marigona Osmani kishte të thyera 12 brinjë si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj saj.

“Mizoria është konstatuar në momentin që është konstatuar që Marigona ka pasur dymbëdhjetë brinjë të thyera. Aty do të ishte vendi ku duhej të ndalemi dhe jo të mbesin përpara tavolinës efekte dhe elemente të tjera siç është xhelozia, pasi kjo vetëm e heq fokusin qenësor që duhet të qëndrohet te mizoria dhe kjo i dekurajon viktimat të tjera të vijnë të raportojnë dhunën dhe këto raste që po ndodhin shpesh në shoqërinë tonë”, tha Guri.

Ndryshe, 18-vjeçarja Marigona Osmani ishte vrarë në gusht 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça. Në aktgjykim e Themelores u tha se Krivaça, më 21 e 22 gusht të dy vjetëve më parë, për motive të xhelozisë e me vetëdije, ka ushtruar dhunë ekstreme ndaj së ndjerës, me të cilën po bashkëjetonte në banesën e tij. Më 23 shkurt, Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim çështjen ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të dënuar nga Themelorja për vrasjen e Marigona Osmanit.

Lajmet

Rizvanolli me mesazh të prerë në Komunitetin e Energjisë: Serbia shpërfilli afatin e 1 korrikut, nuk do të qëndrojmë duarkryq

Published

on

By

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova nuk do të qëndrojë duarkryq përballë refuzimit të Serbisë për të zbatuar vendimin e Komunitetit të Energjisë, i cili e obligon Beogradin të vërë në dispozicion kapacitetet ndërkufitare për tregtinë e energjisë me Kosovën.

Gjatë takimit joformal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, i cili këtë vit kryesohet nga Kosova, Rizvanolli akuzoi hapur Serbinë se ka shpërfillur plotësisht afatin e caktuar të 1 korrikut 2026 për hapjen e këtyre kapaciteteve.

Në këtë forum, ministrja Rizvanolli shpalosi tri prioritetet kryesore të udhëheqjes së Kosovës: përshpejtimin e integrimit të tregut të rrymës sipas legjislacionit të BE-së, harmonizimin e politikave klimatike për zvogëlimin e emetimeve të karbonit dhe bashkëpunimin e shtuar rajonal për shfrytëzimin e kapaciteteve ekzistuese transmetuese e gjeneruese.

Megjithatë, ajo theksoi se ky bashkëpunim po sabotohet direkt nga pala serbe.

“Serbia jo vetëm që nuk e ka mbërritur këtë afat, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap përgatitor për të zbatuar obligimin e vet. Operatori i transmisionit të Serbisë vazhdon të refuzojë bisedimet e drejtpërdrejta me operatorin tonë KOSTT, ndërsa komunikimi është i domosdoshëm për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal”, deklaroi Rizvanolli.

Sipas saj, duke penguar shfrytëzimin komercial të interkoneksionit, Serbia po mbingarkon rrjetin e Kosovës dhe të vendeve fqinje, duke u vendosur një barrë financiare të panevojshme të gjithë konsumatorëve të rajonit. “Pasojat e kësaj i kemi ndier shumë afër dhe shumë rëndë në vitet e kaluara. Ne nuk mund dhe nuk do të qëndrojmë duarkryq”, paralajmëroi ajo.

Në këtë takim morën pjesë edhe zyrtarë të lartë evropianë, të cilët rikonfirmuan se integrimi i Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm energjetik të BE-së është një prioritet strategjik.

Yolanda Garcia Mezquita, Shefe e Njësisë për Bashkimin Evropian, përçoi një mesazh të prerë për rajonin.

“Mesazhi ynë sot është i qartë: siguria energjetike e Evropës nuk ndalet në kufijtë e Bashkimit Evropian. Ajo varet nga një hapësirë më e gjerë energjetike evropiane, e cila është e integruar, e ndërlidhur mirë dhe e bazuar në rregulla të përbashkëta”.

Nga ana tjetër, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, vuri në pah një sfidë specifike gjeografike dhe infrastrukturore të vendit tonë. Ai saktësoi se Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka interkoneksione (linja të drejtpërdrejta të transmetimit) me ndonjë shtet anëtar të Bashkimit Evropian.

Lorkowski shtoi se, përkundër këtyre sfidave, BE-ja tashmë u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të rajonit që të integrohen plotësisht në tregun energjetik evropian, pa pritur anëtarësimin e tyre politik në bllok. /Ekonomia online/ /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e imamit në Dragash

Published

on

Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për përfshirjen në vrasjen e imamit në Zlipotok të Dragashit.

Në kërkesën e Prokurorisë një ditë më parë, thuhej se ekziston dyshimi i bazuar se më 29 qershor 2026, rreth orës 23:00, i pandehuri B.H. ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T., pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme që lidhej me shfrytëzimin e një prone, përkatësisht një livadhi.

Ndërkaq, i pandehuri I.H., (babai i të pandehurit B.H.) dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.

Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit, thuhet se me masën e paraburgimit do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe se do të mund të zhvillohen normalisht dhe pa pengesa procedura penale.

Tutje thuhet se është marrë parasysh edhe fakti se i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes çka për Gjykatën rezulton se me lënien në liri ekziston rreziku i ikjes dhe arratisjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, andaj masa e paraburgimit në këtë fazë është e domosdoshme./A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Suharekë: Dyshohet se u godit nga rrufeja, vdes një person

Published

on

By

Një person në Suharekë ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur nga rrufeja.

Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, rasti po trajtohet si “hetim i vdekjes”.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë autoritetet kompetente, si dhe ekipi mjekësor, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull kosovar.

“Lidhur me rastin, vdekjen e viktimës mashkull kosovar i cili dyshohet se është goditur nga rrufeja e ka konstatuar mjeku kujdestar.

Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë”, njofton Policia.

Hetimet po vazhdojnë nga njësitet përkatëse, ndërsa raporti i obduksionit pritet të konfirmojë zyrtarisht shkakun e vdekjes. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjendet pa shenja jete një person në Podujevë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me gjetjen e një trupit të pajetë të një burri në Podujevë. Ngjarja ka ndodhur të martën, më 30 qershor 2026, rreth orës 13:05.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës, shtetas kosovar.

Për rastin është njoftuar menjëherë prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit janë ndërmarrë masat e para procedurale për zbardhjen e rrethanave.

“Lidhur me rastin është gjetur trupi i pajetë i viktimës mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion”, bëhet e ditur në njoftim.

Rasti po trajtohet nga organet e hetuesisë si “hetim mbi vdekjen”, ndërsa rezultatet e autopsisë pritet të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes së viktimës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara