Lajmet

​Në kërkim të zgjidhjes, rreth 130 kafshime nga qentë endacakë deri në muajin tetor

Published

on

Përkundër premtimeve e investimeve miliona euro tash e disa vjet për eliminimin e qenve endacakë, ata vazhdojnë të paraqesin problem për qytetarët.

Në hapësirat publike, në të cilat qarkullojnë mijëra persona brenda ditës, qentë endacakë vazhdojnë të ndjellin frikë tek qytetarët. Këta të fundit ankohen për sulmet nga qentë, derisa planet për largimin e tyre, duket se nuk po kanë edhe aq sukses. E Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thekson rëndësinë e rritjes së numrit të inspektorëve veterinarë dhe kritikon autoritetet lokale për menaxhimin e dobët të situatës me këtë lloj të kafshës.

Vetëm nga janari deri në fillim të muajit tetor, rreth 130 qytetarë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Emergjente pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nga kafshimi i qenve endacakë.

Qytetari Xhemajl Dakaj derisa tregon rastin se si i janë vërsulur qentë, potencon se nuk është realizuar premtimi për largimin e tyre.

“Kanë qenë 4-5 qen endacakë dhe trotuarit duke ec edhe unë në të njëjtën anë të trotuarit isha kur i pashë ata, e lakova rrugën dola në anën tjetër. Kur i kalova më janë sulur. Pikonte shi e kisha ombrellën dhe me të i prita, por njëri më kishte dalë mbrapa dhe më kapi në këmbë. Por, për fat nuk shkoi në thellësi në muskuj, por vetëm një gërvishtje që doli gjak. Shkova mora injeksione kundër helmimit… Përparim Rama, ky pikë të parë në fushatën parazgjedhore e ka dhënë këtë premtim për qentë endacakë, më kujtohet shumë mirë. Nuk ka bërë asgjë. Normalisht që duhet të hiqen”, thotë Dakaj.

Enver Neziri thotë se shpeshherë has në grumbullin e qenve endacakë.

“Shko shiko te qeveria janë pesë a gjashtë qen duke fjetur… [A keni qenë ndonjëherë të rrezikuar prej qenve?] Po, kam qenë po i kam trembur, i kam ndjekur. Atë që frikësohet e kapin më shumë… Kam pasur rrezik shumë herë… T’i dërgojnë diku nëpër fshatra, t’i strehojnë diku, ose nëpër qendra. Në shkollë të shkosh ka qen, te xhamia ka qen, gjithkund”,thotë Neziri.

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla në një prononcim potencon se numri i sulmeve nga qentë ka shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar. Ai shton se një numër i konsiderueshëm i rasteve që janë kafshuar nga qentë pa pronar, janë staf shëndetësor.

“Është rritur numri, kohëve të fundit është rritur shumë i pacientëve që kanë kërkuar trajtim këtu tek ne nga sulmi apo kafshimi prej qenve. Deri javën e kaluar që i kemi nxjerrë statistikat janë evidentuar 127 raste prej 1 janarit deri në javën e fundit. Statistikat e fundit janë nxjerrë të premten e kaluar (11 tetor). Por, për fat të mirë, prej këtyre 127 këtë vit, vetëm një ka përfunduar në spital për trajtim më të gjatë. Kurse të tjerët të gjithë janë trajtuar këtu tek ne në qendrën emergjente dhe kanë shkuar në shtëpi pas terapisë së marrë… Vitin e kaluar kanë qenë 86 raste. Një numër i madh (i të sulmuarve nga qentë) kanë qenë profesionistë shëndetësorë edhe vitin e kaluar ka pasur profesionistë shëndetësorë”,tregon Syla.

E në kryeqytet shumë shpejt pritet të funksionalizohet qendra për strehimin e qenve pa pronar.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci zotohet se deri në mars të viti 2025 do të largohen deri në 1 mijë e 500 qen pa strehim nga kryeqyteti.

Ndërsa, në kohën kur ekipi i KosovaPress-it vizitoi qendrën në Hajvali javën e kaluar, aty ndodheshin vetëm katër qen.

“Sipas dinamikës që ne e kemi krijuar, po pretendojmë t’i kapim mes 40 dhe 50 qen brenda javës deri në funksionalizmin e qendrës tonë të strehimit. Më pastaj këtë dinamikë do e rrisim sepse tanimë, është i njohur premtimi im publik që deri në fund të muajit mars të vitit të ardhshëm, të bëjmë largimin e 1300 deri 1500 qenve endacakë nga hapësirat publike. Të njëjtit do të trajtohen, por besojmë që shumica e tyre edhe do të kalojnë në adaptim…Qendra për strehim është e ndarë në dy faza. Faza e parë besoj që maksimalisht edhe dy javë funksionalizohen”,tregon Brestovci.

Ndërkaq, lidhur me raportimet për sulmet nga qentë në QKUK, Brestovci premton se vullnetarisht do t’i largojnë qentë nga aty, porse thekson se nuk është përgjegjësi e komunës.

“Për hapësirat brenda Qendrës së Klinikës Universitare, Komuna e Prishtinës nuk është përgjegjëse për sigurinë brenda për brenda atij lokacioni… Jemi zotuar që deri në fund të këtij muaji, më së largu deri në përfundim të javës së parë muajit nëntor t’i largojmë të gjithë qentë nga QKUK. Po i dalim ndihmë edhe atyre”, shton Brestovci.

Ai tregon se deri më tani janë adaptuar rreth 300 qen.

Udhëheqësja e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, Elza Ramadani thotë se komunat shpenzojnë mijëra euro për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë, porse projektet e tyre janë afatshkurtra.

“Komunat bëjnë disa projekte shumë afatshkurtra dhe të pamenduara për një afat më të gjatë. Strategjia kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronar që është aprovuar në tetor të vitit 2022 e parasheh pikërisht këtë, që të ndërmerret një masë më gjithëpërfshirëse. Deri më tani komunat ku ne si organizatë gjithmonë i kemi kritikuar, ka pasur të bëjë me mungesën e monitorimeve të projekteve. Është bërë kastrimi, sterilizimi me 50 mijë euro, 100 mijë euro ka edhe komuna që kanë shpenzuar 300 mijë euro për qentë endacak . Dhe prapë nuk e kanë asnjë të dhënë si duhet, nuk e dinë se çfarë ndikimi ose çfarë rezultati ka sjellur ai projekt për komunitetin aty”,potencon Ramadani.

Përveç këtyre, Ramadani thekson se duhet bërë më shumë inspektime në këtë drejtim dhe se sipas saj duhet shqiptuar dënime për ata që i braktisin qentë.

Niveli qendror ka nevojë që t’i rrisë inspektorët veterinarë. Të bëjë inspektime më shumë, t’i mbyllë petshopet ilegale, të kontrollojë mbarështimin e qenve, importin e qenve prej vendeve fqinje, identifikimin dhe regjistrimin. Të bëjnë dënime dhe ndëshkime për ata që braktisin dhe shumë aspekte të tjera”, shprehet Ramdani.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e fundit me kryetarët e komunave të Kosovës deklaroi se si qeveri janë të gatshëm të bashkëfinancojnë për ndërtimin e qendrave të strehimit për qentë endacakë. Ai kërkoi nga komunat që të bëjnë analizimin e hapësirave dhe të caktojnë vendin se ku duhet ndërtuar ato.

Rajoni

Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim

Published

on

By

Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.

I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.

Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.

Continue Reading

Lajmet

ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.

ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.

“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.

Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

 

Continue Reading

Vendi

27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën

Published

on

By

Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.

Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.

Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.

Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.

Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara

Published

on

By

Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.

Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.

Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.

Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/

 

Continue Reading

Të kërkuara