Lajmet

Në Ditën Botërore të Mjekut Familjar ofrohet mbështetje për mantelbardhët

Dita Botërore e Mjekut Familjar për herë të parë në Kosovë ka nisur të festohet nga viti 2021.

Published

on

Në Ditën Botërore të Mjekut Familjar u ofrua mbështetje në fuqizimin e shërbimeve shëndetësore në Kujdesin Parësor Shëndetësor, derisa u theksua nevoja për shtim të stafit mjekësor në këto njësi.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha u shpreh se Mjekimi Familjar ka ndihmuar në menaxhimin e pandemisë dhe në rezultatet e mira për procesin e vaksinimit kundër COVID-19.

Berisha tha se është hera e parë pas 20 vitesh që është rritur granti specifik për mjekësinë familjare për 30%, dhe nga viti i ardhshëm në Kujdesin Parësor do të jenë të punësuar 299 punëtorë shëndetësorë.

“MSh përkatësisht Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe po ndërmerr hapa të nevojshëm për të fuqizuar në praktik implementimin e konceptit të mjekësisë familjare duke filluar edhe me plotësimet e nevojshme në legjislacionin e shëndetësisë për vitin 2022… Është hera e parë që pas 20 vitesh është krijuar një formulë e veçantë për gratin specifik dhe së bashku me departamentin për kujdesin parësor shëndetësor… kemi punuar që granti specifik të rritet në vitin 2023 për 30%. Nga 62 milionë sa ka qenë në 2022, granti specifik për kujdesin parësor do të ketë rreth 80 milionë. Çka nënkupton kjo se kemi përdorur të ekipës familjare mjekëve dhe infermierëve dhe vitin e ardhshëm do të jenë plus 299 punëtorë shëndetësorë mjekë familjarë dhe mjekë të përgjithshëm dhe infermierë të punësuar në Republikën e Kosovës”, theksoi ai.

Kurse, Nicu Fota, udhëheqës i projektit “AQH” Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor tha se ky projekt është i shpërndarë në 20 komuna dhe mbështet përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në kujdesin parësor shëndetësor.

“Mbështet përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në kujdesin parësor shëndetësor. Pas të gjitha këtyre projekteve në kujdesin parësor shëndetësor në Kosovë, ne kemi vetëbesim të përmendim progresin që është bërë në mjekësinë familjare dhe mund të nënvizojmë rolin e rëndësishëm që luajnë mjekët familjarë… Projekti mbështet të gjitha palët në kujdesin parësor shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve që u ofrohen pacientëve në kujdesin parësor shëndetësor, të të gjitha komuniteteve që marrin shërbime nga institucionet e kujdesit parësor shëndetësor, pra i gjithë ky progres, dhe të gjitha këto arritje nuk do të ishin të mundshme pa kontributin e madh të ekipeve të mjekësisë familjare dhe mjekëve të mjekësisë familjare në kujdesin parësor shëndetësor”, u shpreh ai.

Kurse, Albana Shabani nga Divizioni i Kujdesit Parësor Shëndetësor teksa foli për punën që bëjnë profesionistët shëndetësor në mjekësin familjare u shpreh se në këto institucione duhet të shtohet numri i stafit mjekësor. Ajo tha se të jesh mjek familjar është nder dhe përgjegjësi sepse je porta e parë për mirëqenien dhe mbrojtjen e pacientëve.

“Koncepti i mjekësisë familjare konsiston që të gjithë banorëve tu ofrojë shërbime shëndetësore gjithpërfshirëse, efikase dhe në vazhdimësi individit dhe familjes në të gjitha fazat e jetës bazuar në të dhëna shkencore përmes mjekut familjar si mjek i përzgjedhur i cili do të jetë portë hyrëse për të gjithë kërkuesit e shërbimeve në sistemin shëndetësor dhe njëherësh pikë referuese për specialistët konsultat në kujdesin parësor shëndetësor dhe nivelet tjera shëndetësor… Që nga viti 2000 e deri më tani janë përafërsisht 800 specialistë të mjekësisë familjare të cilët e kanë përfunduar, fillimisht kanë qenë gjenerata që qenë specializimi njëvjeçar tani është një specializim 3-vjeçar me pjesën e nivelit spitalor dhe kujdesin parësor shëndetësor. Por sot në vendin tonë janë të punësuar përafërsisht 550 mjek familjar që për të arritur standardin për të mbuluar shërbimet për popullatën e ekipës mjekësisë familjare një mjek në 2 mijë banor nevojitet edhe një numër i madh i mjekëve. I kemi 84 specializantë në vitin e dytë por ende kemi shumë punë për të bërë”, theksoi ajo.

Dita Botërore e Mjekut Familjar për herë të parë në Kosovë ka nisur të festohet nga viti 2021.

Vendi

Viktima në Pejë kishte paralajmëruar institucionet tri ditë para ngjarjes

Published

on

By

Tri ditë para se të vritej në fshatin Vitomiricë të Pejës, e ndjera A.Z. u kishte dërguar një letër paralajmëruese me karakter urgjent institucioneve të drejtësisë, ku kërkonte mbrojtjen e jetës së saj dhe ekzekutimin e urdhrave gjyqësorë. Së fundmi, ky rast ka nxitur reagime të ashpra nga krerët e partive politike në vend, të cilët kërkojnë hetim të pavarur, llogaridhënie dhe dorëheqje nga zyrtarët përgjegjës.

Kronologjia e ngjarjes dhe paralajmërimi i viktimës

  • Më 22 tetor: Viktima A.Z. i dërgoi një parashtresë kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar masa urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave dhe po e ekspozonin ndaj rrezikut për jetën. Në letrën e cilësuar si “shpresa e saj e fundit”, ajo shkruante: “Urime që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri.”
  • Të dielën, ora 19:00: Viktima raportoi një rast të dhunës në familje në Stacionin Policor në Pejë. Pas intervistimit, bashkëshorti i saj u arrestua dhe u ndalua për 48 orë.
  • Kthimi në shtëpi: Sipas Policisë së Kosovës, viktima u dërgua në shtëpinë e saj në Vitomiricë me vullnetin e saj të lirë.
  • Ora 21:10: Policia pranoi njoftimin se e njëjta u gjet pa shenja jete. Sipas të dhënave fillestare, ajo ndërroi jetë si pasojë e goditjeve me mjet të fortë, ndërsa i dyshuar kryesor është kunati i saj, i cili ndodhet në arrati.

Sqarimi i Prokurorisë Themelore në Pejë

Pas publikimit të letrës në media, Prokuroria Themelore në Pejë bëri me dije se parashtresa e datës 22 tetor u regjistrua për trajtim mbi veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Dokumenti iu përcjell urgjentisht Policisë, Gjykatës Themelore dhe Qendrës për Punë Sociale për verifikimin e lëshimeve të mundshme. Sa i përket vendimit gjyqësor për shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria deklaroi se ai ishte ekzekutuar nga prokurorja kujdestare në bashkëpunim me Policinë.

Njoftimi për detajet e rastit ka nxitur reagime nga subjekte të ndryshme politike në Kosovë, të cilat kanë kërkuar llogaridhënie institucionale:

Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se vrasjet e përsëritura kanë tejkaluar çdo limit njerëzor dhe se drejtësia duhet të ashpërsohet. Haradinaj nësuroi se është jetike që organet kompetente të japin përgjegjësi të plotë për çdo neglizhencë apo dështim në mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kërkoi hetim të plotë dhe të pavarur për çdo veprim apo mosveprim të institucioneve. Ai theksoi se përgjegjësia duhet të ketë emër dhe mbiemër individual, duke shtuar se secili zyrtar që ka trajtuar kërkesën e viktimës duhet të japë llogari për detyrimet e papërmbushura.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, po ashtu reagoi lidhur me rastin, duke kërkuar llogaridhënie dhe dorëheqje të menjëhershme nga personat përgjegjës që kishin detyrë ligjore dhe institucionale ta mbronin jetën e viktimës.

 

Continue Reading

Magazinë

Katy Perry feston 42-vjetorin e lindjes, nga hitet botërore te koncerti në Kosovë

Published

on

Këngëtarja amerikane Katy Perry festoi dje, më 25 tetor, 42-vjetorin e lindjes, duke shënuar një tjetër vit në jetën e një prej emrave më të njohur të muzikës pop bashkëkohore. Me këngë që kanë shoqëruar breza të tërë, videoklipe plot ngjyra dhe një identitet artistik të veçantë, Perry ka ndërtuar një karrierë që e ka vendosur ndër figurat më të spikatura të skenës ndërkombëtare.

E lindur si Katheryn Elizabeth Hudson në Santa Barbara të Kalifornisë, ajo e nisi rrugëtimin muzikor me muzikën gospel, përpara se të gjente identitetin e saj artistik në muzikën pop. Albumi One of the Boys, i publikuar në vitin 2008, shënoi kthesën e madhe në karrierën e saj, ndërsa kënga I Kissed a Girl e solli në vëmendjen e publikut ndërkombëtar.

Suksesi i saj vazhdoi edhe në vitet pasuese, veçanërisht me albumin Teenage Dream, të publikuar në vitin 2010. Ky album solli disa nga hitet më të njohura të këngëtares, përfshirë California Gurls, Firework, E.T. dhe Last Friday Night (T.G.I.F.).

Albumi shënoi një moment historik në karrierën e saj, pasi Katy Perry u bë artistja e parë femër që arriti të kishte pesë këngë nga i njëjti album në vendin e parë të listës amerikane Billboard Hot 100. Ky sukses e forcoi edhe më shumë pozitën e saj në industrinë muzikore dhe e shndërroi në një prej emrave dominues të muzikës pop të asaj periudhe.

Në vitin 2013, me albumin Prism, Perry vazhdoi suksesin ndërkombëtar, duke sjellë këngë si Roar dhe Dark Horse, të cilat u kthyen në hite të njohura në shumë vende të botës. Në veçanti, Roar u bë një nga këngët më përfaqësuese të repertorit të saj, duke u lidhur me mesazhe të fuqizimit personal dhe vetëbesimit.

Përtej muzikës, Katy Perry është dalluar edhe për paraqitjet e saj skenike, kostumet shumëngjyrëshe, videoklipet kreative dhe spektaklet që ndërthurin muzikën me elemente vizuale. Stili i saj i veçantë ka ndihmuar në krijimin e një identiteti artistik lehtësisht të dallueshëm në skenën ndërkombëtare.

Gjatë karrierës së saj, këngëtarja ka publikuar edhe albumet Witness në vitin 2017, Smile në vitin 2020 dhe 143 në vitin 2024, duke vazhduar të eksperimentojë me tinguj dhe koncepte të ndryshme muzikore. Ajo gjithashtu u bë e njohur për publikun televiziv përmes angazhimit si anëtare e jurisë në spektaklin amerikan American Idol, ku qëndroi për disa sezone.

Një kapitull i veçantë në karrierën e saj u shkrua edhe në Kosovë. Më 31 korrik 2026, Katy Perry performoi për herë të parë në Prishtinë, si një nga emrat kryesorë të Sunny Hill Festival, duke tërhequr mijëra adhurues të muzikës së saj.

Gjatë koncertit, artistja interpretoi disa nga hitet që kanë shënuar karrierën e saj, ndërsa skenografia me tematikë hapësinore i dha performancës një dimension të veçantë vizual. Një nga momentet që tërhoqi vëmendjen ishte edhe ngritja e flamurit të Kosovës gjatë paraqitjes së saj.

Një tjetër moment emocionues i mbrëmjes ishte takimi me një vajzë të vogël që po festonte ditëlindjen. Perry u afrua pranë saj dhe këndoi së bashku këngën Roar, duke krijuar një kujtim të veçantë për vogëlushen dhe për të pranishmit në festival.

Pas performancës, këngëtarja e përshkroi paraqitjen e saj të parë në Kosovë si një përvojë magjike, duke falënderuar Dua Lipën dhe organizatorët e festivalit për ftesën.

Në 42-vjetorin e lindjes, karriera e Katy Perry-t mbetet dëshmi e ndikimit që muzika pop mund të ketë në kulturën bashkëkohore. Me hite që vazhdojnë të dëgjohen edhe vite pas publikimit, performanca të paharrueshme dhe një identitet artistik të veçantë, ajo ka lënë gjurmë në muzikën ndërkombëtare gjatë dy dekadave të fundit.

Nga Firework te Roar, këngët e saj vazhdojnë të jenë pjesë e repertorit të dashur për miliona dëgjues në mbarë botën, ndërsa koncerti në Prishtinë shënoi një moment të rëndësishëm për fansat e saj në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vritet një grua në Pejë: I dyshuar kunati, ngjarjes i parapriu arrestimi i bashkëshortit

Published

on

By

Mbrëmjen e së dielës në fshatin Vitomiricë të Pejës u vra një grua, ndërsa i dyshuar kryesor për vrasjen është kunati i saj, i cili ndodhet në arrati dhe dyshohet se e ka qëlluar për vdekje me sëpatë.

Rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë u njoftua për një rast të dhunës në familje në Vitomiricë. Viktima u shoqërua në stacion dhe u intervistua, ndërsa bashkëshorti i saj u arrestua dhe u ndalua për 48 orë.

Pas intervistimit, sipas Policisë, viktima me vullnetin e saj kërkoi të kthehej në shtëpinë e saj në Vitomiricë dhe u dërgua atje.

Rreth orës 21:10, Policia mori informatën se e njëjta u gjet pa shenja jete, e vrarë si pasojë e goditjeve me mjet të fortë, përkatësisht me sëpatë, nga kunati i saj i cili u arratis menjëherë pas ngjarjes. Prokurori i Shtetit doli në vendin e ngjarjes dhe autoritetet nisën hetimet për kapjen e të dyshuarit.

Në aspektin e veprimeve të mëparshme institucionale, Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi se më 22 tetor kishte pranuar një parashtresë nga e ndjera A.Z., e cila pretendonte se zyrtarët e institucioneve përgjegjëse kishin dështuar në detyrat e tyre lidhur me rastin e saj dhe moszbatimin e një vendimi gjyqësor për shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë.

Kryeprokurorja kishte urdhëruar regjistrimin e parashtresës për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe e kishte përcjellë për trajtim urgjent në Polici, Gjykatë dhe Qendrën për Punë Sociale, ndërsa vendimi gjyqësor për shtëpinë ishte ekzekutuar paraprakisht nga prokurorja kujdestare në bashkëpunim me Policinë.

Lidhur me rastin ka pasur edhe reagime publike, ku avokatja Adelina Hoxha ka akuzuar publikisht institucionet për dështim në mbrojtjen e viktimës, ndërsa Prokuroria ka deklaruar se të gjitha rrethanat dhe veprimet e ndërmarra do të hetohen me seriozitet të plotë profesional e ligjor. /E.A/

 

 

 

 

Continue Reading

Vendi

Zake Prelvukaj hap sonte ekspozitën personale me 26 vepra artistike

Published

on

Artistja e njohur kosovare Zake Prelvukaj hap sonte ekspozitën e saj personale në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Ekspozita përfshin 14 piktura dhe 12 vizatime të realizuara gjatë periudhës së fundit të krijimtarisë së artistes. Ajo është kuruar nga Arta Agani, ndërsa tekstin e ekspozitës e ka shkruar Eqrem Basha.

Ekspozita do të hapet në orën 18:00 dhe do të shoqërohet me citate që ndërlidhen me konceptin e pikturave, me fokus në thënien: “E djeshmja më tregoi të ardhmen për ta jetuar të sotmen”.

Zake Prelvukaj është një nga artistet më të njohura në Kosovë dhe më gjerë, ndërsa aktualisht është akademike në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara