Lajmet

Në Bruksel mbahet takimi i Këshillit për MSA-në

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është marrëveshja e parë kontraktuale dhe e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Published

on

Në Bruksel, të martën më 7 dhjetor mbahet takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Delegacionin e Kosovës e udhëheqë kryeministri, Albin Kurti, kurse në atë të BE-së do të jetë shefi i politikës së jashtme të bllokut evropian, Josep Borrell dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Këshilli i Stabilizim Asociimit është formuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe në të analizohet zbatimi i kësaj marrëveshjeje nga të dy palët.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është marrëveshja e parë kontraktuale dhe e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016 dhe e cila synon të mbështesë përpjekjet e Kosovës për forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës.

Në delegacionin e Kosovës po ashtu bëjnë pjesë: zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

Takimi i së martës i Këshillit të Stabilizim Asociimit, sipas burimeve të BE-së, do të jetë një rast për të analizuar raportet mes palëve, situatën aktuale në Kosovë dhe vërejtjet eventuale në përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja.

Por, siç thonë burimet në BE, në këtë takim do të flitet edhe për bashkëpunimin rajonal, përfshirë edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pse ishte paralajmëruar se para fundit të këtij viti mund të mbahet një takim në nivelin e lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në BE kanë thënë se për momentin nuk shohin gatishmëri të palëve për të arritur ndonjë rezultat konkret në dialog. Prandaj, në këto rrethana nuk mund të parashikohet nëse së shpejti do të ketë ndonjë takim në kuadër të dialogut, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Kurti pritet të takohet edhe me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli./REL

Lajmet

KMDLNj: 32 punëtorë humbën jetën në Kosovë gjatë vitit të kaluar, kërkohet më shumë siguri në punë

Published

on

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka ngritur shqetësimin për sigurinë e punëtorëve në Kosovë, duke thënë se mungesa e masave mbrojtëse dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme institucionale po vazhdojnë të shkaktojnë aksidente me pasoja fatale.

Sipas KMDLNj-së, gjatë vitit të kaluar në Kosovë kanë humbur jetën 32 punëtorë, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.

Organizata thekson se edhe gjatë vitit 2026 situata mbetet shqetësuese, ndërsa si shkaqe kryesore të aksidenteve përmend mungesën e pajisjeve mbrojtëse, kushtet e pafavorshme atmosferike, mungesën e kualifikimit profesional, si dhe mbikëqyrjen e dobët nga institucionet përgjegjëse.

KMDLNj ka ngritur shqetësimin edhe për numrin e madh të punëtorëve që vazhdojnë të punojnë pa kontrata, duke ua vështirësuar realizimin e të drejtave të tyre në rast aksidenti apo humbjeje të jetës.

Këshilli ka kërkuar shtim të inspektimeve në terren dhe ka propozuar që gjobat ndaj punëdhënësve që shkelin rregullat e sigurisë të përdoren për krijimin e një fondi për mbështetjen e familjeve të viktimave dhe punëtorëve me pasoja të përhershme shëndetësore.

Sipas KMDLNj-së, gjendja ekonomike shpesh i detyron punëtorët të pranojnë kushte të pasigurta pune, ndërsa institucionet duhet të marrin masa më të fuqishme për garantimin e sigurisë në vendet e punës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Shtatë të lënduar në një aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”

Published

on

Shtatë persona kanë pësuar lëndime si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur pasditen e së mërkurës në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Policia ka njoftuar se rreth orës 17:50 ka pranuar informatën për aksidentin, në të cilin janë përfshirë një kamion dhe dy vetura.

Si pasojë e aksidentit, shtatë persona kanë mbetur të lënduar, por sipas informacioneve fillestare ata janë jashtë rrezikut për jetë.

“Rreth orës 17:54 kemi pranuar informatë për një aksident trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova” saktësisht në Duhël – drejtimi për Prishtinë. Të përfshirë në aksident janë një kamion dhe dy vetura, ndërsa raportohet për 7 persona të lënduar, për momentin jashtë rrezikut për jetë”, ka njoftuar policia. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Google Street View mbërrin në Kosovë, publikohet pamja 360-gradëshe e vendit

Published

on

Kosova është bërë territori më i ri në Ballkan që është përfshirë në shërbimin Google Street View, duke sjellë pamje 360-gradëshe të rrugëve, qyteteve dhe destinacioneve turistike në mbarë vendin.

Pas rreth dy vjetësh fotografime, Google ka publikuar pamjet e realizuara nga korriku 2025 deri në maj 2026, duke mbuluar pjesën më të madhe të territorit të Kosovës.

Pamjet përfshijnë qytetet kryesore si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Mitrovica, Gjilani dhe Ferizaj, si dhe shumë zona të tjera urbane e rurale.

Përdoruesit e Google Maps tashmë mund të eksplorojnë edhe destinacione turistike si Gryka e Rugovës, Parku Kombëtar i Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna, si edhe zona pranë kufijve me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas raportimeve, Google ka përdorur kamera të gjeneratës së katërt dhe, në disa raste, kamera portative për të realizuar fotografimet edhe në kushte të vështira atmosferike.

Publikimi i Google Street View konsiderohet një hap i rëndësishëm për promovimin e Kosovës në platformat digjitale dhe për rritjen e vizibilitetit të saj turistik dhe ekonomik./A.K/

Continue Reading

Lajmet

LDK mban sot kuvendin e jashtëzakonshëm

Published

on

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, i thirrur pas përfundimit të procedurave statutare dhe verifikimit të nënshkrimeve të delegatëve që kërkuan mbajtjen e tij.

Sipas njoftimit të partisë, është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës së delegatëve, duke i hapur rrugë mbledhjes së Kuvendit.

Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së do të mbahet në ora 18:00.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm vjen në një periudhë tensionesh të brendshme në LDK, pasi një grup delegatësh kërkuan shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke theksuar se partia duhet të marrë përgjegjësi politike pas rezultatit në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Në njoftimin zyrtar, LDK ka theksuar se i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje me Statutin e partisë dhe se Kuvendi do të mbahet duke respektuar parimet e demokracisë së brendshme, transparencës dhe vullnetit të delegatëve.

Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së pritet të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme politike brenda LDK-së këtë vit, pasi delegatët do të diskutojnë për situatën në parti dhe hapat e mëtejshëm, ndërsa pritet të shihet nëse do të votohet për shkarkimin e Abdixhikut apo i njëjti do të vazhdojë të udhëheqë LDK-në./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara