Teknologji

“Ndëshkimi i madh i Big Tech”

Nga Hamish McRae.

Published

on

Hamish McRae

Humbja e pasurisë nga cilido që investoi në firmat e mëdha amerikane të teknologjisë vitin e kaluar është tronditëse. Më i famshmi, Elon Musk, i Tesla-s dhe tani i famshëm edhe në Twitter, arriti të humbasë 200 miliardë dollarë. Megjithatë, ai vlen ende rreth 137 miliardë dollarë, kështu që ndoshta nuk duhet të na vijë keq për të.

Por humbjet shtrihen në të gjithë SHBA-në. Apple kishte vlerë 3 trilion dollarë në fillim të vitit të kaluar. Tani ajo vlen 2 trilion dollarë – ende shumë, por një shkatërrim i madh i pasurisë për aksionerët e saj, të mëdhenj e të vegjël.

Jeff Bezos, themeluesi i Amazon, ka humbur gati gjysmën e pasurisë së tij pasi vlera e aksioneve që ai zotëron në Amazon është ulur më shumë se 50 për qind nga kulmi i saj në fund të vitit 2021. Pjesa e tij tani vlen “vetëm” 109 miliardë dollarë. Mark Zuckerberg, themeluesi i Facebook, është ulur nga 127 miliardë dollarë në 47 miliardë dollarë, pasi vlera e aksioneve të Meta-s ra me gati dy të tretat në vitin 2022.

Për këdo që është i interesuar, Bloomberg mban një listë të përditshme të pasurisë së miliarderëve. Meqë ra fjala, në krye të ligës me 164 miliardë dollarë është Bernard Arnault, kreu i grupit luksoz francez LVMH.

Kjo humbje e jashtëzakonshme e pasurisë ngre një pyetje të madhe: a ishte e vërtetë ajo pasuri, që në krye të herës? Musk, Zuckerberg dhe të tjerët u bënë kaq të pasur vetëm për shkak të vlerës së aksioneve të kompanive që ata krijuan, dhe ato vlera u frynë nga një kombinim i parave të kollajta dhe pritshmërive të ekzagjeruara, të perspektivave për Amerikën e Big Tech, pas pandemisë.

Kthehuni me mendje një vit mbrapa, dhe rimëkëmbja nga pandemia dukej e sigurt, inflacioni ishte një re e vockël në horizont që bankierët qendrorë mendonin se do të kalonte, dhe Rusia nuk e kishte pushtuar ende Ukrainën.

Por në botën aktuale të mbushur me pasiguri, tregjet financiare mendojnë qartë se mallrat e luksit përfaqësojnë një bast më të sigurt se teknologjia e madhe. Por kush e di? Ndoshta pas disa vitesh ata do të kenë ndryshuar sërish mendje dhe një industri krejtësisht e ndryshme do të jetë bërë investimi i duhur, duke krijuar një grup të ri miliarderësh.

E gjithë kjo ka rëndësi për ne të tjerët për tre arsye.

Së pari, edhe nëse tani mund ta shohim si diçka që ishte kalimtare, me të vërtetë është shkatërruar shumë pasuri. Familja mesatare britanike vlente 302,500 £ në mars 2020, nga shifrat më të fundit që disponon Zyra për Statistikat Kombëtare.

Dy komponentët më të mëdhenj të kësaj janë pasuria e pensioneve dhe strehimi. Që atëherë, çmimet e banesave janë rritur me të paktën 20 për qind, kështu që familja mesatare pothuajse me siguri do të vlejë më shumë tani. Por tani duket se çmimet e banesave po bien dhe, duke qenë se pasuria e pensioneve ndikohet nga tregjet financiare, kjo mund të jetë gjithashtu në rënie.

Kështu, ndërsa familja tipike britanike (ose irlandeze, amerikane, gjermane, franceze apo çfarëdo tjetër) do të jetë akoma më e pasur se sa ishte disa vite më parë, ka shumë të ngjarë që këtë vit ato të humbasin terren, pasi efekti këtyre rënieve të tregut amerikan përhapet në të gjithë botën e zhvilluar. Shto inflacionin dhe ne mund të jemi tashmë 10 për qind në terma realë.

Mendojeni në këtë mënyrë. Vështirë se ndonjë prej nesh kemi humbur proporcionalisht po aq sa Elon Musk ose Mark Zuckerberg, sepse do të duhet të jesh shumë i pafat ose i pamatur që kjo të ndodhë. Por pothuajse të gjithë ne do të jemi pak më të varfër se një vit më parë. Një pjesë e pasurisë sonë është shkatërruar gjithashtu.

Kjo çon në arsyen e dytë pse kjo ka rëndësi: ndikimi i rënies së çmimeve të aktiveve në ekonomi. Kur njerëzit ndihen më të varfër, ata shpenzojnë më pak para. Kjo është diçka që mund të fillojë të ndodhë, megjithëse ky i ashtuquajtur “efekt pasurie” është i vështirë të ndahet nga të gjitha gjërat e tjera që ndikojnë në shpenzimet tona, siç është rritja e çmimeve të energjisë.

Për shembull, një ndikim i drejtpërdrejtë është nëpërmjet tregut të banesave. Kur njerëzit lëvizin në shtëpi, ata priren të shpenzojnë më shumë për gjëra për të vendosur në të, të tilla si pajisjet e reja të kuzhinës.

Sipas statistikave zyrtare, shifrat e shitjeve të shtëpive nuk kanë rënë ende. Kjo është një qetësi para stuhisë.

Nëse njerëzit ndihen më të varfër dhe shpenzojnë më pak para, kjo e dëshpëron ekonominë në tërësi dhe mediat janë mbushur me raporte mbi recesionin.

Drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, sapo ka paralajmëruar në një intervistë për CNN se një e treta e botës do të jetë në recesion këtë vit. Rënia e çmimeve të aseteve nuk është arsyeja e vetme pse pjesa më e madhe e botës do të futet në recesion, por sigurisht që lidhet me të.

Së fundi, arsyeja e tretë pse kjo ka rëndësi për të gjithë ne, është se ka një rreze drite. Një ekonomi botërore e fryrë nga bankat qendrore që shtypnin shuma të mëdha parash dhe me norma interesi zero ose gati zero, do të përfundonte gjithmonë keq. Kësaj radhe,

janë më të pasurit që kanë humbur më shumë. Ne po fillojmë të kthehemi prapa drejt një bote, ku njerëzit që krijojnë kompani të mëdha shpërblehen mirë, por jo në mënyrë absurde.

Të gjitha flluskat e aktiveve nërfundimisht ekspozohen. Ky ka qenë mësimi i muajve të fundit. Ne do të rikthehemi tek rritja ekonomike e qëndrueshme, pasi të kemi bërë një rrugë të gjatë dhe ndoshta të dhimbshme të rikthimit tek investimet e arsyeshme. / Opinion – Bota.al

Continue Reading

Teknologji

TikTok nënshkruan marrëveshje për ndarjen e aseteve në ShBA

Published

on

By

TikTok ka nënshkruar një marrëveshje të mbështetur nga Presidenti Donald Trump për të ndarë asetet e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të krijuar një entitet të ri të përbashkët, të kontrolluar kryesisht nga investitorë amerikanë.

Lajmi u konfirmua nga CEO i TikTok, Shou Chew, në një memo drejtuar punonjësve të enjten, e siguruar nga CNN. Edhe pse transaksioni nuk është finalizuar ende, marrëveshja e çon platformën një hap më afër sigurimit të së ardhmes së saj afatgjatë në tregun amerikan.

Ky zhvillim vjen pas një ligji të miratuar vitin e kaluar, i cili kërkonte që TikTok në ShBA të shkëputej nga kompania mëmë kineze ByteDance, ose përndryshe të përballej me ndalim. Presidenti Trump e ka shtyrë zbatimin e ligjit disa herë, duke favorizuar një marrëveshje që do ta kalonte kontrollin e aplikacionit në duar amerikane.

Sapo kemi nënshkruar marrëveshje me investitorët për krijimin e një sipërmarrjeje të re të përbashkët TikTok në ShBA, duke u mundësuar mbi 170 milionë amerikanëve të vazhdojnë të zbulojnë një botë me mundësi të pafundme,” shkroi Chew në memo.

Sipas marrëveshjes, 50% e entitetit të ri do të jetë në pronësi të një konsorciumi investitorësh që përfshin Oracle, Silver Lake dhe MGX, një firmë investimesh e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Rreth 30% do të zotërohet nga bashkëpunëtorë të investitorëve ekzistues të ByteDance, ndërsa 19.9% do të mbetet në pronësi të vetë ByteDance.

Chew theksoi se ka ende hapa për t’u përfunduar, por palët synojnë finalizimin e marrëveshjes deri më 22 janar 2026. ByteDance dhe TikTok tashmë kanë rënë dakord për kushtet kryesore të transaksionit.

Administrata Trump njoftoi në shtator se kishte arritur një marrëveshje paraprake për transferimin e kontrollit të operacioneve amerikane të TikTok te investitorë kryesisht amerikanë. Presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv që e cilëson marrëveshjen si një “shitje të kualifikuar” dhe shtyu zbatimin e ndalimit për 120 ditë.

Sipas ligjit amerikan, i cili teknikisht hyri në fuqi në janar, TikTok do të ndalohej nëse ByteDance nuk shiste rreth 80% të aseteve të saj në ShBA investitorëve jo-kinezë.

Entiteti i ri amerikan do të ritrajojë algoritmin e TikTok mbi të dhënat e përdoruesve amerikanë, ndërsa Oracle do të mbikëqyrë ruajtjen e të dhënave dhe sigurinë kibernetike. Gjithashtu, ndërmarrja e re do të jetë përgjegjëse për moderimin e përmbajtjes për përdoruesit në ShBA. Megjithatë, ByteDance pritet të vazhdojë të menaxhojë tregtinë elektronike, reklamimin dhe marketingun global të platformës.

Marrëveshja do të kërkojë gjithashtu miratimin e qeverisë kineze, i cili ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ndërsa Trump ka deklaruar se Presidenti kinez Xi Jinping është dakord me marrëveshjen, Pekini ka mbajtur një qëndrim të rezervuar, duke theksuar se pozicioni i Kinës për çështjen e TikTok mbetet “i qartë dhe konsistent”./CNN/UBTnews

Continue Reading

Teknologji

OpenAI ka prezantuar një gjenerator të ri imazhesh

Published

on

Kompanitë e teknologjisë po avancojnë me shpejtësi në fushën e inteligjencës artificiale, dhe OpenAI sapo ka prezantuar një gjenerator të ri imazhesh të quajtur ChatGPT Images.

Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të imazheve me anë të inteligjencës artificiale, duke u mundësuar përdoruesve të shprehin kreativitetin e tyre në mënyra të reja dhe më të avancuara.

Sipas deklaratave, ky gjenerator është katër herë më i shpejtë se versionet e mëparshme, ndjek udhëzimet që përdoruesit japin dhe bën më pak gabime në detaje.

Ky përmirësim teknik e bën procesin e krijimit të imazheve më të saktë, më efikas dhe më të kënaqshëm për përdoruesit, duke lehtësuar punën kreative dhe duke reduktuar nevojën për redaktime të mëvonshme.

Sam Altman, CEO i OpenAI, kishte paralajmëruar prezantimin e këtij modeli më parë dhe e përshkroi atë si një “model argëtues”, duke lënë të kuptohet se përdoruesit mund të presin një përvojë interaktive dhe kreative.

Krijimi i imazheve me cilësi të lartë bëhet i thjeshtë: mjafton të japësh komandat e duhura, dhe inteligjenca artificiale punon për të gjeneruar rezultatin në mënyrë të shpejtë dhe të saktë. ChatGPT Images synon të thjeshtojë procesin e krijimit të imazheve e të ofrojë një eksperiencë më të shpejtë, më të saktë dhe më argëtuese për përdoruesit.

Përveç përdorimit personal, ky mjet ka ndikim edhe në fusha të ndryshme profesionale, si dizajni grafik, marketingu, arsimi dhe krijimi i përmbajtjes digjitale, duke e bërë AI një partner të dobishëm për inovacion dhe krijimtari. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Gjysma e makinave të Ford do të jenë elektrike ose hibride deri në 2030

Published

on

Industria automobilistike po përshtatet vazhdimisht me kërkesat e tregut.

Pas një përqendrimi agresiv në automjetet elektrike (EV), Ford po ndryshon strategji për shkak të kostove të larta, mungesës së infrastrukturës dhe klimës politike, duke u orientuar më shumë drejt modeleve hibride.

Aktualisht, automjetet hibride dhe elektrike përbëjnë 17% të shitjeve globale të Ford, ndërsa synimi është që kjo shifër të arrijë 50%.

Kjo do të mbështetet nga një platformë e re universale EV dhe më shumë modele hibride e me rreze të zgjatur.

Një kamionçinë elektrike e mesme pritet të hyjë në prodhim në vitin 2027, ndërsa F-150 Lightning EREV do të ofrojë rreth 700 milje autonomi.

Ford po redukton investimet në automjete elektrike të mëdha, të cilat nuk po gjenerojnë kërkesë të mjaftueshme, dhe do të fokusohet në modele më të përballueshme me benzinë, hibride dhe elektrike.

Deri në fund të dekadës, kompania planifikon të prezantojë pesë automjete të reja me çmime më të ulëta.

Gjithashtu, Ford synon të hyjë në tregun e ruajtjes së energjisë, duke përdorur kapacitetet e prodhimit të baterive për qendra të të dhënave dhe banesa.

Këto lëvizje janë pjesë e strategjisë Ford+ dhe përputhen me objektivin për neutralitet karbonik deri më 2050, duke synuar njëkohësisht qëndrueshmëri dhe fitim. /A.Z/UBT News/

 

 

 

Continue Reading

Teknologji

Pamja e ndarë e kamerës vjen në Pixel 9 Pro Fold me përditësimin e ri

Published

on

Me rritjen e vazhdueshme të popullaritetit të telefonave të palosshëm, pritet që gjithnjë e më shumë aplikacione të palëve të treta të optimizohen për këtë faktor forme.

Kjo vlen edhe më tepër për aplikacionet e sistemit. Pikërisht për këtë arsye, Google po përmirëson përvojën e aplikacionit Camera për përdoruesit e Pixel 9 Pro Fold, duke sjellë një veçori të re që debutoi fillimisht në Pixel 10 Pro Fold.

Funksioni në fjalë mundëson shikimin paraprak të fotove në gjysmën e majtë të ekranit të brendshëm, ndërsa pamësi (viewfinder) i kamerës mbetet aktiv në anën e djathtë. Kjo e bën procesin e fotografimit më praktik dhe më efikas,.

Sinqerisht, është disi befasuese që Google-it i është dashur kaq shumë kohë për ta implementuar këtë veçori, pasi pamja e ndarë është tashmë standard në shumicën e telefonave të tjerë të palosshëm.

Për më tepër, ekziston një buton i dedikuar poshtë qepenit, i cili ju lejon të shikoni jo vetëm fotot e realizuara gjatë seancës aktuale, por edhe gjithë galerinë tuaj – një shkurtore praktike drejt Google Photos. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara