Lajmet

Ndërlidhja e qytetarit me adresën një hapi i rëndësishëm për Kosovën

Published

on

Nga sot ka filluar ndërlidhja e qytetarit me adresë. Ky projekt ka si qëllim evidentimin e saktë të adresave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në takimin e organizuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia e Regjistrimit Civil me kryetarë të komunave, me temën “Ndërlidhja e qytetarit me adresë zyrtare”, është theksuar se zbatimi i këtij projekti është i rëndësishëm për shtetin, funksionimin e institucioneve, e sidomos edhe për shërbimet e ndryshme për qytetarët.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili u shpreh i kënaqur me arritjen në këtë fazë të këtij projekti, duke shtuar se i njëjti po shkon në vazhdimësi duke u azhurnuar dhe vetëm në këto kohët e fundit janë edhe 70 mijë adresa të reja që janë shtuar.

Ai gjithashtu tha se janë edhe shumë kilometra rrugë të shtuara në kode të reja.

Kam kënaqësinë që kemi arrit në këtë fazë për një projekt që është mjaftë i rëndësishëm për shtetin, funksionimin e institucioneve, e sidomos edhe për shërbimet e ndryshme për qytetarët, qoftë në nivelin lokal, qoftë qendror e që është ndërlidhja e sistemit të adresave me qytetarët. Ky projekt është i rëndësisë jo vetëm për sigurinë, por pothuajse për gjitha shërbimet për qytetarët dhe është projekt i cili kërkon angazhim të madh të gjithëve që mund të kemi të realizuar siç duhet. Agjencia Kadastrale, bashkë me komunat deri tash kanë arrit që pothuaj gjitha rrugëve në vend t’i vendosin emrat, kodet e duhura dhe numrat në adresat e qytetarëve. Ky projekt po shkon në vazhdimësi duke u azhurmu dhe vetëm në këto kohët e fundit janë edhe 70 mijë adresa të reja që janë shtuar, po ashtu edhe shumë kilometra rrugë të shtuara në kode të reja…Pa e pas të qartë secili qytetar ku e ka shtëpinë dhe ku lëviz ai nuk mund të dimë as migrimin e brendshëm të qytetarëve në vend“, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj tha se gjitha detyrat që kanë sipas marrëveshjes, do të bëjnë me kohë, derisa është zotuar se do të kenë bashkëpunim të mirë edhe me agjencionet përkatëse por edhe me komunat në këtë drejtim.

Popullimin dhe përditësimin e të dhënave me ligj dhe akte nënligjore e kanë zyrtarët e gjendjes civile që janë nëpër komuna, ku në këtë rast adresat e sakta zyrtare do t’i marrin nga Agjencioni Kadastral dhe do të bëhet përditësimi i një sistemi i gjendjes civile përkatësisht në regjistrin qendror. Kjo ashtë për herë të parë, kemi të bëjmë me adresat zyrtare që marrim nga Agjencioni Kadastral e jo në kompani publike. Andaj, ne si Agjencion i Regjistrimit Civil gjitha detyrat që kemi sipas marrëveshjes, monitorimin, trajnimin dhe informimin e opinionit publik me sistemin e adresave do të bëjmë me kohë dhe ju garantojmë, do të kemi bashkëpunim të mirë edhe me agjencionet përkatëse por edhe me komunat“, tha ai.

Eksperti për çështjen e adresave në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Ahmet Sogujeva derisa ka prezantuar rezultatet e arritura deri më tani sa i përket krijimit të sistemit të adresave në Kosovë, ka thënë se ndërlidhja e qytetarit me adresë është një prej projekteve kulminante të këtij aktiviteti, derisa ka shtuar se në vazhdimësi do të zhvillojmë edhe një aplikacion për shërbime të brendshme të Kosovës, për kompani të ndryshme dhe komuna me të dhëna zyrtare të adresave me një aplikacion apo navigacion qe mund të shërbejë sa i përket adresave, gjetjes së lokacionit të dëshiruar.

Deri më tani në Kosovë i kemi identifikuar rreth 22 mijë rrugë të cilat 99 për qind të këtyre rrugëve janë të emërtuara, përpos njëra prej komunave që ende nuk e ma bërë aprovimin e këtyre rrugëve në Asamblenë Komunale, dhe ekzistojnë rreth 540 mijë pika të adresave, ose numra të adresave në sistemin tonë zyrtar të adresave…Njëri prej aktiviteteve është matja e rrugëve në terren për rrugët e reja që nuk kanë ekzistuar në sistemin tonë, ne e kemi bërë një projekt e kemi realizuar në bashkëpunim me komunat. Kompletimi i emrave të rrugëve dhe numrat e adresave me tabela adekuate, që d.m.th ne jemi në fazën e realizimit të këtij projekti. Ndërlidhja e qytetarit me adresë është një prej projekteve kulminante të këtij aktiviteti dhe ne vazhdimësi ne do të zhvillojmë edhe një aplikacion për shërbime të brendshme të Kosovës, për kompani të ndryshme dhe komuna me të dhëna zyrtare të adresave me një aplikacion apo navigacion qe mund të shërbejë sa i përket adresave, gjetjes së lokacionit të dëshiruar…Planifikimi për sinjalizimin e adresave është që në komunat të cilat Agjencia Kadastrale nuk ka ofruar mbështetje, të ofrojë tashmë mbështetje dhe janë planifikuar rreth 1 mijë e 530 tabela të emrave të rrugëve për t’u vendosur në katër komuna dhe planifikohet edhe vendosja e rreth 380 mijë tabela të numrave, adresave deri në 22 komuna të cilat nuk kanë tabela të numrave“, tha ai.

Shefja e kabinetit të MPB-së, Jeta Delaj ka thënë se ky projekt është i një rëndësie të veçantë edhe për rritjen e sigurisë publike.

Deklarimi i adresave zyrtare është jetik, thelbësor për institucionet shtetërore, për gjitha komunat, si dhe i një rëndësie të veçantë edhe për institucionet e sigurisë dhe drejtësisë duke garantuar kështu se informacioni për adresat e qytetarëve të regjistrohet saktë në sistemet shtetëror. Për MPB-në është i një rëndësie të veçantë edhe për rritjen e sigurisë publike, por, pa dyshin edhe për ofrimin më të shpejtë edhe të shërbimeve emergjente. Si ministri edhe do të vazhdojmë më tutje të ofrojmë gjithë infrastrukturën ligjore, teknike për zbatimin e marrëveshjes dhe natyrisht në fazën e mëvonshme do të fillojmë me organizimin e trajnimit për gjithë zyrtarët e gjendjes civile të cilët do të jenë në shërbim të implementimit të kësaj nisme“, tha ajo.

Procesi i ndërlidhjes së qytetarit me adresë zyrtare dhe unike realizohet në dy mënyra: duke deklaruar adresën zyrtare në platformën E-Kosova. Me ç’rast qytetarët do të pajisen fillimisht me “Formularin për Identifikim të adresës”, përmes së cilit pastaj do të përditësohet adresa zyrtare në Sistemin e Gjendjes Civile, dhe duke deklaruar adresën zyrtare në zyrat e gjendjes civile komunale.

Të dhënat e adresës zyrtare (komunës, rrugës, numrit të adresës etj.) do të mblidhen nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, ndërsa të dhënat e qytetarëve do të mblidhen nga Agjencia e Regjistrimit Civil.

Ndërkaq, përftimet e qytetarëve me përdorimin e adresës zyrtare janë se pas realizimit të këtij procesi, në sistemin e gjendjes civile, të njëjtit do të kenë adresën zyrtare dhe unike, përmes së cilës do të ketë shumë përfitime, si, adresë unike në të gjitha shërbimet komunale (faturat e ujit, rrymës, mbeturinave etj), planifikimi i shërbimeve shëndetësore adekuate sa më afër qytetarëve, planifikimi i duhur i çerdheve dhe shërbimeve tjera komunale, pranimi i dokumenteve të ndryshme si letërnjoftim, pasaportë, në adresë./UBTnews/

Vendi

Filmi “Dua” i Blerta Bashollit triumfon në Kanë me çmimin “SACD”

Published

on

By

Filmi “Dua”, me regji dhe skenar nga Blerta Basholli, ka shënuar një sukses të madh ndërkombëtar duke fituar çmimin “SACD” në kuadër të programit prestigjioz “Semaine de la Critique” në Festivalin e Filmit në Kanë.

Ky çmim ndahet nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë në Francë dhe vlerëson veprat me skenar origjinal, vizion autorial dhe qasje të veçantë artistike. Me këtë nderim, “Dua” renditet ndër produksionet më të spikatura të këtij edicioni në një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në botë.

Vlerësimi për filmin e Bashollit konsiderohet një tjetër dëshmi e fuqisë krijuese dhe ngritjes së vazhdueshme të kinematografisë kosovare në arenën ndërkombëtare. Suksesi i “Dua” vjen pas rrugëtimit të suksesshëm të regjisores kosovare, e cila tashmë është bërë një nga emrat më të njohur të filmit nga Kosova në skenën botërore.

Ky çmim pritet të rrisë edhe më tej vëmendjen ndërkombëtare ndaj filmit dhe industrisë së filmit në Kosovë, duke konfirmuar potencialin e artistëve kosovarë për të konkurruar në platformat më prestigjioze globale.

Continue Reading

Aktualitet

Pesë shtete të BE-së me plan për integrim gradual të Ballkanit Perëndimor

Published

on

By

Pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë propozuar një model të ri të integrimit gradual për vendet e Ballkanit Perëndimor, me synimin që ato të afrohen më shpejt me tregun e përbashkët evropian dhe të kufizohet ndikimi rus në rajon.

Sipas një dokumenti konfidencial të siguruar nga mediumi “Euractiv”, Austria, Çekia, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia i kanë kërkuar Komisionit Evropian të rishqyrtojë mënyrën se si vendet kandidate përfshihen në tregun unik të BE-së.

Në dokument thuhet se për të ruajtur ritmin e zgjerimit dhe për të avancuar integrimin evropian, nevojiten “stimuj të fortë dhe tërheqës” për vendet aspirante. Propozimi parasheh që qasja në tregun e përbashkët të bëhet gradualisht dhe në bazë të meritës, sektor pas sektori.

Modeli, i quajtur “integrim sistematik sektorial”, synon që vendet e Ballkanit Perëndimor – përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – të përfshihen në më shumë programe të BE-së, paralelisht me harmonizimin e legjislacionit të tyre me atë evropian.

Sipas dokumentit, integrimi gradual duhet të nisë sapo një vend kandidat të arrijë nivel të lartë përafrimi me rregullat e BE-së në sektorin përkatës. Po ashtu, propozohet krijimi i mekanizmave mbrojtës për rastet kur një shtet që ka fituar qasje të veçantë në tregun evropian bën hapa prapa në reforma.

Ndër sektorët që mund të përfshihen në këtë model janë transporti, energjia, tregu i energjisë elektrike, tregu digjital, konkurrenca dhe politikat për lëndët e para. Dokumenti përmend edhe marrëveshjen për lëvizjen e të rinjve ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së si një model që mund të aplikohet për Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, propozimi nuk përfshin disa ide të ngritura nga Shqipëria. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, kishte sugjeruar javën e kaluar që vendet kandidate të fitojnë status vëzhguesi në institucionet e BE-së gjatë procesit të mbylljes së kapitujve negociues.

Ndërkohë, analistë të çështjeve evropiane vlerësojnë se dokumenti nuk sjell risi të mëdha krahasuar me idetë e mëhershme për integrim gradual. Studiuesi i Këshillit Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, Milan Niq, ka deklaruar se propozimi duket si një version më i avancuar i koncepteve ekzistuese për integrim të pjesshëm.

Autorët e dokumentit i kanë bërë thirrje komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, që të hartojë ide të reja për këtë qasje, duke argumentuar se ajo do ta forconte tregun unik evropian dhe do t’i afronte më shumë vendet kandidate me BE-në.

Kosova mbetet vendi më pak i avancuar në procesin e integrimit evropian në rajon. Edhe pse aplikoi për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, aplikimi i saj ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat dhe nuk përmendet në diskutimet aktuale për zgjerimin.

Në anën tjetër, Mali i Zi dhe Shqipëria konsiderohen më të avancuara në negociatat me BE-në, pasi kanë hapur të gjithë kapitujt negociues. Maqedonia e Veriut ka nisur zyrtarisht negociatat, ndërsa Serbia vazhdon procesin prej vitesh, megjithëse ai është ngadalësuar për shkak të kritikave lidhur me sundimin e ligjit dhe raportet me Rusinë.

Continue Reading

Vendi

Rikthehen “Akordet e Kosovës”, RTK sjell edhe festivalin për fëmijë

Published

on

Radiotelevizioni i Kosovës dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit kanë nënshkruar marrëveshje të re bashkëpunimi për rikthimin dhe zhvillimin e festivalit tradicional “Akordet e Kosovës”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës shqipe në vend.

Marrëveshja u firmos nga ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu dhe ministrja Saranda Bogujevci, në prani të kryetarit të Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, ushtruesit të detyrës së drejtorit të Televizionit, Rilind Gërvalla dhe këshilltarit të lartë të ministrisë, Muhedin Nushi.

Sipas marrëveshjes, nën ombrellën e “Akordeve të Kosovës” do të organizohet Festivali i Këngës në RTK, ndërsa risi kryesore do të jetë rikthimi i festivalit për fëmijë, i cili për herë të parë do të organizohet nga RTK. Institucionet vlerësuan se ky bashkëpunim do të ndikojë në fuqizimin e skenës muzikore vendore, promovimin e talenteve të reja dhe rritjen e prezencës së Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës.

RTK ka bërë të ditur se synon pjesëmarrjen në “Eurovision Song Contest” dhe “Junior Eurovision Song Contest”, të organizuara nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), duke e konsideruar festivalin si një platformë të rëndësishme për promovimin e artistëve kosovarë. Marrëveshja paraqet vazhdimësi të bashkëpunimit trevjeçar mes RTK-së dhe Ministrisë së Kulturës, ndërsa detajet për datat, formatin dhe aplikimet pritet të publikohen në ditët në vijim.

“Akordet e Kosovës”, i themeluar më 1963 nga Radiotelevizioni i Prishtinës, konsiderohet ndër festivalet më të rëndësishme të muzikës shqipe, duke kontribuar në afirmimin e shumë këngëtarëve dhe kompozitorëve ndër vite.

Në tri edicionet e fundit të Festivalit të Këngës në RTK, fitues kanë qenë La Fazani me këngën “Oj Kosovë”, Endrit Krasniqi me “Flas me gjethen” dhe Arsi Bako me këngën “Rreze zjarri”.

Continue Reading

Lajmet

17 raste me fruth në Kosovë, IKShPK apel urgjent për vaksinimin e fëmijëve

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 20 maj 2026 janë konfirmuar gjithsej 17 raste me fruth në vend.

Sipas të dhënave zyrtare, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Ferizaj me gjashtë raste, pasuar nga Prishtina me katër raste, Kaçaniku me tre raste, ndërsa nga një rast është raportuar në Lipjan, Fushë Kosovë, Gjilan dhe Shtime.

IKShPK bëri të ditur se të gjitha rastet e konfirmuara janë persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubella. Po ashtu, të prekurit kanë pasur nevojë për trajtim spitalor, çka sipas institutit tregon rrezikun serioz që paraqet kjo sëmundje dhe komplikimet që mund të shkaktojë.

Duke pasur parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit, IKShPK u ka bërë thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen që ata të vaksinohen në qendrat e mjekësisë familjare.

Instituti rekomandon gjithashtu shmangien e kontakteve të panevojshme me persona që shfaqin simptoma të dyshimta si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë. Çdo person me shenja të mundshme të fruthit duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore.

Sipas IKShPK-së, institucionet shëndetësore po monitorojnë nga afër situatën epidemiologjike dhe në terren po ndërmerren masa konkrete për identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontaktimin e prindërve dhe organizimin e ekipeve mobile për vaksinim, veçanërisht në zonat me mbulueshmëri më të ulët.

Instituti rikujtoi se vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik, duke paralajmëruar se çdo vonesë në vaksinim rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjes dhe komplikimeve serioze, sidomos tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar.

 

Continue Reading

Të kërkuara