Kulturë

Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare regjisori i shquar, Dhimitër Anagnosti

Published

on

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare një prej figurave më të shquara të kinematografisë shqiptare, regjisori i madh Dhimitër Anagnosti.

Lajmin e ka bërë me dije vajza, Juna Anagnosti përmes një postimi në rrjet, e cila ka shkruar se pas një lëngimi të gjatë, iu bind ligjit të jetës.

Anagnosti ishte një nga mjeshtrat më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare. Në karrierën 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, fitoi mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.

Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Ai është regjisor i filmave që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e qytetarëve si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit”, dhe shumë të tjerë.

Anagnosti kishte pasion edhe letërsinë. Ai botoi dy libra, romanin “Koburja nga Europa” (2017) dhe “Ulliri pema e dhembjes” (2019), në të cilin, i cili zbulon dy jetët e tij, atë të shkrimtarit dhe kineastit.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, qëndrimin qytetar si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit” dhe është vlerësuar me dekoratat “Nderi i Kombit” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Përveç artit, ka dhënë kontribut dhe në politikë. Në fillim të viteve të 90-ta, u angazhua edhe në politikë, duke shërbyer si deputet i PD-së (1991-1996). Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post që e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen.

Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.

Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.

Lajmet

Përurohet “Oda e Zejtarëve” në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës

Published

on

Në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës është përuruar “Oda e Zejtarëve”, një projekt i dedikuar promovimit të zejeve tradicionale dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili ka vlerësuar rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin kulturor dhe turistik të komunës.

“Sot, në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, përuruam Odën e Zejtarëve – një projekt i veçantë për qytetin dhe trashëgiminë tonë kulturore”, ka deklaruar Gjini.

Sipas tij, projekti do t’u shërbejë zejtarëve lokalë si një hapësirë e dedikuar për promovimin e zejeve tradicionale, ndërsa të rinjtë dhe vizitorët do të kenë mundësi të njihen më nga afër me këtë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

Investimi është realizuar në kuadër të projektit “Ndërlidhja e turizmit përmes trashëgimisë kulturore dhe zgjidhjeve inteligjente në Lezhë dhe Gjakovë”, i financuar nga Programi IPA Cross-Border Shqipëri–Kosovë.

Kryetari Gjini ka theksuar se zhvillimi i turizmit dhe fuqizimi i ofertës kulturore të Gjakovës mbeten ndër prioritetet kryesore të qeverisjes lokale./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Siparantum Kids sjell mbrëmje artistike në Prishtinë për Festën Ndërkombëtare të Muzikës

Published

on

Në kuadër të Festës Ndërkombëtare të Muzikës, Siparantum Kids organizoi një mbrëmje të veçantë artistike në zemër të Prishtinës, duke sjellë para publikut performanca të zërave të rinj.

Me një program të përzgjedhur muzikor, fëmijët interpretuan këngë korale dhe përcollën mesazhe bashkimi, gëzimi dhe shprese, duke dëshmuar fuqinë e muzikës si një gjuhë universale që lidh njerëzit përtej kufijve.

Sipas Ambasadës Franceze në Kosovë, e cila ka mbështetur këtë aktivitet kulturor, çdo tingull, buzëqeshje dhe duartrokitje e mbrëmjes ishte një festë e talentit, kreativitetit dhe dashurisë për artin.

Ngjarja mblodhi artdashës dhe qytetarë të shumtë, duke e kthyer Prishtinën në një hapësirë feste dhe promovimi të kulturës përmes muzikës.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mbyllet edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë

Published

on

Pas gjashtë ditësh me aktivitete letrare, dje është mbyllur edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.

Panairi mblodhi dhjetëra shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe treva të tjera shqiptare, duke sjellë mijëra tituj librash, promovime dhe takime me autorë. Mysafir nderi i këtij edicioni ishte shkrimtari italo-francez Francesco Rapazzini.

Një ditë para mbylljes, u ndanë edhe çmimet tradicionale të panairit, me të cilat u vlerësuan autorë, përkthyes, studiues dhe vepra të spikatura të vitit.

Përfaqësues të shtëpive botuese vlerësuan interesimin e lexuesve, por theksuan se ndryshimi i datave të organizimit ka ndikuar në numrin më të vogël të vizitorëve krahasuar me vitet e kaluara.

Në kuadër të panairit, lexuesit patën mundësi të përfitojnë nga oferta të shumta, tituj të rinj dhe zbritje të konsiderueshme, ndërsa interesim të veçantë pati për librat akademikë, teknologjinë, inteligjencën artificiale, si dhe literaturën për fëmijë.

Panairin e Librit “Prishtina 2026” e vizitoi edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci./rtk/

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mbrëmje përkujtimore në Bernë për 95-vjetorin e Dritëro Agollit

Published

on

Ambasada e Shqipërisë në Bernë organizoi në bibliotekën Kornhausbibliothek një mbrëmje të veçantë kushtuar 95-vjetorit të lindjes së poetit dhe shkrimtarit shqiptar Dritëro Agolli.

Në aktivitet morën pjesë nxënës shqiptarë, mësues dhe dashamirës të kulturës shqiptare në Zvicër, të cilët u njohën me jetën dhe veprën e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe.

Ambasadori Ermal Dredha e vlerësoi Agollin si një krijues që e shndërroi përvojën e njeriut të zakonshëm në art, duke theksuar se veprat e tij mbeten aktuale për shkak të trajtimit të vlerave universale si dinjiteti njerëzor, dashuria dhe raporti i njeriut me kohën.

Mbrëmja u pasurua me recitime nga nxënësit e shkollave shqipe në Zvicër, interpretime muzikore nga Mimoza Nazarko dhe nxënësit, si dhe me materiale filmike dhe incizime nga zëri i vetë Agollit.

Ambasada falënderoi Brikela Andera, bibliotekën Kornhausbibliothek dhe Muzeu Kadare–Agolli për kontributin në realizimin e aktivitetit, i cili mundësoi ekspozimin e dorëshkrimeve dhe materialeve krijuese të autorit.

Pas Bernës, aktivitetet e Vitit të Agollit dhe Kadaresë do të vazhdojnë në Gjenevë, ku gjatë vjeshtës pritet të organizohet një veprimtari kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara