Ace Frehley, kitaristi i parë dhe një nga themeluesit e grupit legjendar “Kiss”, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare.
Sipas agjentit të tij, Frehley u shua të enjten, i rrethuar nga familja në Morristown, New Jersey. Në një deklaratë, të afërmit thanë se janë “thellësisht të tronditur dhe me zemër të thyer”, duke kujtuar gjithmonë “të qeshurën dhe mirësinë e tij”, raportoi Associated Press.
Grupi “Kiss”, i njohur për hitet “Rock and Roll All Nite” dhe “I Was Made for Lovin’ You”, u bë simbol i viteve ’70 me koncertet e tij spektakolare, efektet teatrale, gjakun artificial dhe grimin e veçantë të anëtarëve.
Frehley, i njohur si “Space Ace” apo “Spaceman”, spikaste për grimin kozmik dhe performancat e tij me kitarë që lëshonte tym e raketa.
Në një reagim të përbashkët, anëtarët Gene Simmons dhe Paul Stanley thanë: “Jemi të tronditur nga humbja e Ace Frehley. Ai ishte një ushtar i pazëvendësueshëm i rokut dhe një pjesë thelbësore e historisë së ‘Kiss’. Ai do të mbetet përgjithmonë pjesë e trashëgimisë sonë.”
Ace Frehley u lind në New York dhe filloi të luante kitarë që në moshën 13-vjeçare. Para se të bashkohej me “Kiss”, performonte në grupe lokale dhe në moshën 18-vjeçare kishte punuar si ndihmës gjatë turneve të Jimi Hendrix.
“Kiss” arriti kulmin në mesin e viteve ’70, duke shitur dhjetëra miliona albume e kthyer imazhin unik në një markë globale. Kënga “Beth” mbeti suksesi më i madh në SHBA, duke u renditur në vendin e 7-të të Billboard Hot 100 në vitin 1976.
Më 2024, grupi shiti katalogun, emrin dhe të gjitha të drejtat intelektuale kompanisë suedeze Pophouse Entertainment Group, për mbi 300 milionë dollarë. Po atë vit, “Kiss” u nderua nga Qendra Kennedy nën drejtimin e presidentit amerikan Donald Trump.
Megjithëse Frehley kishte pasur përplasje me Simmons dhe Stanley, ai mbeti i dashur për fansat.
Pas largimit të tij në 1982, u rikthye në mesin e viteve ’90 për ribashkimin historik të grupit, një moment që u mirëprit edhe nga breza të rinj muzikantësh si Nirvana, Weezer dhe Melvins, që e përmendnin “Kiss” si frymëzim.
Pas largimit të dytë në 2002, Frehley dhe grupi u përfshinë sërish në polemika, veçanërisht gjatë përfshirjes në Rock & Roll Hall of Fame në vitin 2014, kur “Kiss” refuzoi të performonte për shkak të mosmarrëveshjeve për përbërjen e anëtarëve.
“Frehley dhe Criss nuk meritojnë më të bëjnë grimin. Grimi fitohet, nuk mjafton vetëm të kesh qenë aty në fillim,” pati deklaruar Simmons.
Pavarësisht gjithçkaje, ndikimi i Ace në muzikë ishte i jashtëzakonshëm. Ai frymëzoi breza muzikantësh, përfshirë grupet Mötley Crüe dhe Poison. Bret Michaels, shkroi: “Ace, vëllai im, faleminderit për vitet e muzikës, festivalet e paharrueshme dhe kitarën tënde legjendare.”
Admirimi për të erdhi edhe nga Metallica, Pantera dhe artistë si Garth Brooks, i cili bashkëpunoi me “Kiss” më 1994 për një version të ri të “Hard Luck Woman”.
Në vitet e fundit, Frehley ishte shfaqur në disa koncerte të veçanta të grupit, përfshirë performancën madhështore në Madison Square Garden në vitin 2023, e shpallur si koncerti i fundit i “Kiss”.
Edhe pse Simmons dhe Stanley kanë thënë se nuk do të bëjnë më turne, ata kanë lënë të hapur mundësinë për shfaqje të tjera në nder të trashëgimisë së grupit dhe të figurave që e bënë të pavdekshëm – si Ace Frehley. /A.Z/UBT News/