Lajmet

NATO: Aktualisht kemi prezencë të mjaftueshme në Kosovë

“KFOR-i aktualisht ka kapacitetet e nevojshme për të ofruar siguri dhe lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët, bazuar në mandatin që ka…”

Published

on

Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) tha se nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga Kosova për shtimin e numrit të trupave në misionin e saj, KFOR.

Një zyrtar i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se KFOR-i aktualisht ka kapacitetet e nevojshme për të ofruar siguri dhe lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët, bazuar në mandatin që ka.

“KFOR-i mbetet plotësisht i aftë për të përmbushur misionin në përputhje me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara”, tha zyrtari i NATO-s.

Ky qëndrim pason thirrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili kërkoi që NATO-ja të shtojë numrin e trupave paqeruajtëse në Kosovë, pas tensioneve të fundit me Serbinë.

“Një rritje substanciale e ushtarëve të NATO-s dhe pajisjeve ushtarake në shtetin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti për gazetën gjermane, Die Welt më 1 janar.

I pyetur nëse NATO-ja do ta shqyrtonte një kërkesë eventuale zyrtare të Qeverisë së Kosovës për shtimin e kapaciteteve, zyrtari i NATO-s tha se “çdo ndryshim në prezencën e NATO-s bazohet në rrethana dhe kushte të caktuara”.

“Trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes janë në rrezik”, tha zyrtari i NATO-s për REL-in.

Duke iu referuar thirrjes së kryeministrit Kurti, ky zyrtar tha se NATO-ja ka qenë e përkushtuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor për dekada dhe se misioni i KFOR-it, me afro 4.000 trupa, është “demonstrimi më i prekshëm i këtij angazhimi”.

Forcat e misionit paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, u vendosën në Kosovë pas përfundimit të luftës më 1999 me synim që të garantojnë sigurinë.

Qeveria: Rritja e prezencës së KFOR-it, spraps planet serbo-ruse

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, tha se rritja e prezencës ushtarake të KFOR-it në Kosovë do të kontribuonte në sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Qeveria e Kosovës tha se kërkesa e kryeministrit lidhet me “situatën e krijuar pas ngritjes së 16 barrikadave në katër komunat në veri të vendit nga grupe kriminale atje, përfshirjes së personave me lidhje direkte apo indirekte me ‘Wagner’ dhe ‘Ujqit e Natës’ dhe deklaratave kërcënuese të Serbisë”.

“Prania shtesë e NATO-s në Kosovë zmbraps planet e errëta Beograd-Moskë për Ballkanin Perëndimor”, thanë nga Qeveria për Radion Evropa e Lirë.

Ekzekutivi shtoi se rritja e prezencës së KFOR-it, do të ishte mundësi e mirë për rritje e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta.

Njohësi i fushës së sigurisë në Kosovë, njëherësh ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Ibishi, tha se kërkesa e kryeministrit Kurti për rritjen e prezencës së KFOR-it në Kosovë, është e bazuar në vlerësimet që bëjnë institucionet e sigurisë.

Ai tha se situata në pjesën veriore të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – mbetet e tensionuara dhe se, sipas tij, ka dyshime për infiltrime të individëve dhe grupeve të rrezikshme, sidomos të atyre të lidhura me Rusinë.

“Inteligjenca ruse, diplomacia, pastaj edhe këto qendra që janë vendosur gjithandej në Serbi, në Nish, por edhe në Beograd, thirren [se janë] humanitare porse kanë krejt qëllim tjetër, duke përfshirë elemente destruktive me qëllim të krijimit të një krize të re që do ta tërhiqte vëmendjen nga lufta në Ukrainë. Këtu ka një aleancë në mes të Serbisë dhe Rusisë. Serbia po luan rolin e një Rusie të vogël dhe po tenton të zhvillojë një lloj lufte hibride në Kosovë dhe rajon”, tha Ibishi.

Në fundin e dhjetorit, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, akuzoi Rusinë se po nxit Serbinë që të destabilizojë Kosovën. Por, këto akuza të Sveçlës u hodhën poshtë nga Kremlini zyrtar.

Ndërkaq, Ibishi shtoi se çdo rritje e kapaciteteve të KFOR-it, do të ishte një garanci më e madhe për paqe, jo vetëm në Kosovë, por për tërë Ballkanin Perëndimor.

Nga 10 dhjetori deri më 29 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës. Por, ndryshimi i masës së sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak për Dejan Pantiqin, hapi rrugë që serbët të hiqnin barrikadat, duke argumentuar se kërkesat e tyre janë plotësuar.

Gjatë kohës kur barrikadat ishin të vendosura në veri të Kosovës, Serbia ngriti në gjendjen më të lartë të gatishmërisë ushtrinë e saj.

Në një rast, Serbia rreshtoi ushtrinë në vijën kufitare me Kosovën, që Prishtina zyrtare e cilësoi si “kërcënim direkt”.

Megjithatë, KFOR-i tha se Serbia ka të drejtë të kryejë lëvizje ushtarake në territorin e saj, por duhet të qëndrojë larg territorit të Kosovës për të paktën 1 kilometër e gjysmë.

Këtë shkelje, sipas KFOR-it, nuk e bëri ushtria serbe që u pozicionua në Rashkë, në jugperëndim të Serbisë.

Çfarë i parapriu kërkesës së kryeministrit?

Situata në pjesën veriore të Kosovës u tensionua në pjesën e dytë të vitit 2022.

Por, tensioni kulmoi më 6 dhjetor kur u sulmuan zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës në Zubin Potok dhe në Mitrovicë të Veriut.

Si të dyshuar për organizimin e sulmeve, Policia e Kosovës arrestoi ish-policin Dejan Pantiq. Autoritetet thanë se ai dyshohet për veprime terroriste kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Arrestimi i tij nxiti grupe të serbëve lokalë të vendosnin barrikada në rrugët kryesore që çojnë drejt pikave kufitare, mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Për 20 ditë rresht, grupe të serbëve qëndruan në barrikada duke bllokuar qarkullimin.

Gjatë një proteste në Rudarë të Zveçanit, serbët paraqitën kushte për largimin e barrikadave. Ndër to ishte edhe lirimi i Dejan Pantiqit dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për shkak të bllokimit të rrugëve në veri, forcat e rendit e kishin të pamundur ta transferonin Pantiqin në një qendër ndalimi. Ai u mbajt në stacionin policor në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë deri më 28 dhjetor, kur Gjykata Themelore e Prishtinës, me kërkesë të Prokurorisë ia zëvendësoi masën e paraburgimit më atë të arrestit shtëpiak.

Më 5 janar, Prokuroria kërkoi që Dejan Pantiqit t’i zgjatet arresti shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë./REL

Rajoni

Koncert Koral në kuadër të Ditëve të Artit dhe të Dizajnit dhe 25-vjetorit të UBT-së

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe të Dizajnit dhe shënimit të 25-vjetorit të themelimit të UBT-së, u mbajt një koncert koral i veçantë, i cili solli para publikut fuqinë e muzikës, artit dhe bashkëpunimit artistik.

Të pranishmit patën kënaqësinë të shijojnë performancën e Korit të Fakultetit të Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhmentit në UBT, nën dirigjimin e profesoreshës dhe dirigjentes, Lindita Isufi. Me përkushtimin dhe profesionalizmin e saj, kori prezantoi një program të pasur artistik, rezultat i punës së vazhdueshme, disiplinës dhe dashurisë së studentëve për muzikën.

Pjesa e parë e koncertit iu kushtua krijimtarisë shqiptare, duke sjellë interpretime të veprave:

  • Dashnor tu bana – Shime Deshpali
  • Ishin dy kunata – Rafet Rudi
  • Po vijnë krushqit – Tish Daija
  • Unë biri yt Kosovë – Feim Ibrahimi

Përmes këtyre veprave u pasqyruan tradita, kultura dhe identiteti ynë muzikor, duke përcjellë emocione të veçanta te publiku.

Në pjesën e dytë, kori solli disa nga këngët më të njohura të repertorit ndërkombëtar:

  • Creep – nga Radiohead
  • Mamma Mia – nga ABBA
  • Siyahamba
  • Shkon djali termale – Çesk Zadeja

Koncerti dëshmoi edhe një herë rëndësinë e artit dhe muzikës si ura komunikimi ndërmjet kulturave, duke bashkuar zërat, emocionet dhe shpirtin krijues në një harmoni të vetme.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Politikat institucionale dhe praktikat artistike në fokus të diskutimit në Ditët e Artit dhe të Dizajnit në UBT

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe të Dizajnit, Fakulteti i Artit dhe Medias Digjitale në UBT organizoi panelin me temë “Politikat Institucionale dhe Praktika Artistike”, një aktivitet që mblodhi artistë, përfaqësues institucionesh kulturore, restauratorë dhe studentë për të diskutuar mbi sfidat dhe zhvillimet e artit bashkëkohor në Kosovë dhe më gjerë.

Aktiviteti u mbajt në Bibliotekën e Kampusit Inovativ të UBT-së në Lipjan, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe përvojave mbi funksionimin e institucioneve të artit, proceset e aplikimit, koleksionet publike, konservimin e veprave artistike dhe raportin ndërmjet artistit dhe institucioneve kulturore.

Dekania e Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale në UBT, Ariana Gjoni, në fjalën hapëse vlerësoi rëndësinë e organizimeve të tilla për studentët dhe komunitetin artistik, duke potencuar se UBT vazhdon të krijojë hapësira të nevojshme për debat profesional dhe zhvillim kreativ.

Të ftuara në panel ishin edhe Alisa Gojani-Berisha, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës, si dhe Arlinda Hajrullahu, drejtoreshë e Muzeut të Artit Bashkëkohor, të cilat ndanë përvojat e tyre mbi menaxhimin institucional të artit dhe zhvillimin e politikave kulturore.

Pjesë e diskutimit ishte edhe restauratorja dhe konservatorja me përvojë ndërkombëtare, Elena Prieto Bello, e cila foli mbi rëndësinë e konservimit të trashëgimisë artistike dhe sfidat profesionale në këtë fushë.

Ky aktivitet u organizua nga profesori Burim Berisha, në kuadër të aktiviteteve të shumta që po zhvillohen gjatë Ditëve të Artit dhe të Dizajnit në UBT, me fokus promovimin e dialogut ndërdisiplinar, artit bashkëkohor dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Continue Reading

lajme

Dr. Xhida Lumi ndan përvojën klinike dhe shkencore me studentët e Fakultetit të Psikologjisë në UBT

Published

on

By

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për të ofruar një edukim bashkëkohor dhe të ndërlidhur me praktikën profesionale, Fakulteti i Psikologjisë në UBT organizoi një ligjëratë të veçantë për studentët e programit Master, në kuadër të lëndës “Psikologji e Avancuar Zhvillimore”, të udhëhequr nga prof. Fatbardha Qehaja Osmani.

E ftuar ishte Dr. Xhida Lumi, psikiatre dhe psikoterapiste me veprimtari profesionale në Zvicër, e cila ndau me studentët përvojën e saj shumëvjeçare në fushën e shëndetit mendor, psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve, si dhe në edukimin dhe trajnimin profesional të specialistëve të rinj.

Përmes ligjëratës me temën “Zhvillimi, Shëndeti dhe Rezilienca tek Fëmijët (Si t’i njohim, forcojmë dhe shoqërojmë fuqitë e brendshme)”, Dr. Lumi trajtoi aspekte të rëndësishme të zhvillimit psikologjik të fëmijëve, faktorët që ndikojnë në mirëqenien e tyre emocionale dhe mënyrat për të nxitur reziliencën dhe potencialin e tyre individual.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe fenomenit të migrimit dhe ndikimit që ai mund të ketë në zhvillimin emocional, social dhe psikologjik të fëmijëve, duke ofruar perspektiva profesionale dhe raste konkrete nga praktika klinike ndërkombëtare.

Studentët patën mundësinë të angazhohen në diskutime interaktive, të shtrojnë pyetje dhe të njihen nga afër me qasje moderne terapeutike dhe klinike, duke përfituar njohuri të vlefshme që ndërlidhin teorinë akademike me realitetin profesional.

Aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e Fakultetit të Psikologjisë në UBT për të krijuar një mjedis studimi dinamik, ku studentët kanë mundësi të mësojnë nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të zhvillojnë kompetenca profesionale të avancuara dhe të përgatiten për sfidat e profesionit në një kontekst global.

Continue Reading

Lajmet

Pas zgjedhjeve, Kurti udhëton në Austri: Do të takojë kancelarin Stocker

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Austri, vetëm një ditë pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra e Kryeministrit, gjatë kësaj vizite dyditore, kreu i qeverisë në detyrë do të zhvillojë takime të rëndësishme të nivelit të lartë shtetëror dhe ekonomik. Ndër të tjera, ai do të pritet në takim nga Kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker, si dhe do të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik të Vjenës (Vienna Economic Forum).

Ky udhëtim zyrtar i Kurtit zhvillohet pikërisht në kohën kur në Kosovë sapo është përmbyllur procesi i numërimit të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë ka përfunduar 100% numërimin e kutive të votimit (2,498 nga 2,498 vendvotime), duke nxjerrë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Sipas të dhënave përfundimtare të kësaj faze nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forca e parë politike në vend duke siguruar 42,91% të votave (299,152 vota). Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,12% (147,220 vota), e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17,58% (122,575 vota). Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka grumbulluar 7,16% të votave, ndërsa Lista Serbe ka marrë 6,18%. Në këto zgjedhje, pjesëmarrja e përgjithshme e qytetarëve me të drejtë vote arriti në 37,05%, teksa rezultatet pritet të certifikohen pasi të përmbyllen procedurat e numërimit të votave të diasporës dhe ato me postë.

 

Continue Reading

Të kërkuara