Lajmet

“Nata e tmerrit” që Mitrovica nuk e harron: Masakër e planifikuar e kriminelëve serbë dhe pa drejtësi

Published

on

Nata ra mbi Mitrovicë, por me të nuk erdhi qetësia. Mes datës 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, qyteti u mbulua nga krisma armësh, britma dhe heshtja e atyre që duhej të mbronin civilët. Për Halil Baranin, kryetar i KMDLNj-së për rajonin e Mitrovicës dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, ajo mbetet “nata e tmerrit”. Brenda shtëpive dhe banesave të tyre, 10 shqiptarë u pushkatuan, mes tyre edhe një fëmijë 13-vjeçar, Nderim Mehmeti. Dhuna nuk u ndal me vrasjet, dhjetëra të tjerë u plagosën e u keqtrajtuan barbarisht, ndërsa mijëra u dëbuan me dhunë.

25 persona u plagosën me armë zjarri, 93 të tjerë u keqtrajtuan fizikisht në mënyrën më barbare, pa dallim moshe apo gjinie. Dy prej të plagosurve nuk i mbijetuan pasojave të dhunës dhe vdiqën më vonë në spitalin e Prishtinës.

Të gjitha këto, sipas dëshmisë së Baranit, në prani të ushtrisë franceze dhe policisë së UNMIK-ut, që mbetën vetëm shikues të një krimi që edhe sot, pas gati tri dekadash, nuk ka marrë drejtësi.

“Nata mes datës 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, përkujtohet jo vetëm nga unë, por nga të gjithë qytetarët e Mitrovicës, përkatësisht të pjesës së okupuar të Mitrovicës, si natë e tmerrit, sepse në prani të ushtrisë franceze dhe policisë së UNMIK-ut, brenda nëpër shtëpi dhe banesat e tyre, janë pushkatuar 10 shqiptarë. Në mesin e tyre, një fëmijë 13-vjeçar, Nderim Mehmeti. Në prani të këtyre forcave që i përmenda më herët, apo ‘paqeruajtësve’, u dëbuan me dhunë nga banesat dhe shtëpitë e tyre, pothuajse të gjithë shqiptarët që jetonin në pjesën e okupuar të qytetit. Natën e tmerrit që, ashtu e kam quajtur me kohë atëherë në 2000-tën, nata e tmerrit, jo vetëm këta 10 të pushkatuar, por kanë qenë edhe 25 të plagosur me armë zjarri, pa dallim moshe e gjinie. Të keqtrajtuar fizikisht në mënyrën më barbare 93 të tjerë, ku dy prej tyre, me 27, përkatësisht me 28 shkurt 2000, kanë vdekur në spitalin e Prishtinës. Të gjitha këto, janë bërë në prani të ushtrisë franceze dhe policisë së UNMIK-ut. Të gjithë, një pjesë e madhe e këtyre shqiptarëve, atë natë kanë kërkuar ndihmë prej francezëve dhe prej policisë së UNMIK-ut. Ata vetëm kanë bërë sehir, nuk u kanë ofruar ndihmë. Kur e kanë kryer kriminelët punën e tyre, kriminelët çetnikë serbë, kur e kryejnë punën e tyre, atëherë i kanë marrë të plagosurit, i kanë çuar në spitalin e improvizuar maroken që ka qenë në lagjen Bair të Mitrovicës. Ndërsa të pushkatuarit apo trupat e pajetë të 10 shqiptarëve, i kanë bartur prej atje, i kanë sjell në pjesën e okupuar, në pjesën tjetër, nga pjesa e okupuar e qytetit, në pjesën tjetër të qytetit të Mitrovicës”, thotë Barani për KosovaPress.

Ai tregon se masakra nuk ishte e rastësishme. Sipas tij, pas luftës së vitit 1999, Mitrovica u shndërrua në strehë për persona që kishin kryer krime ndaj shqiptarëve nëpër Kosovë. Më 2 shkurt 2000, civilë të armatosur serbë hynë në pjesën veriore të qytetit dhe evidentuan banesat ku jetonin shqiptarët. Një natë më vonë, më 3 shkurt, rreth orës 21:00, nisi sulmi që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të 4 shkurtit, duke lënë pas viktima e plagë.

“Po dihet, sepse në Mitrovicë janë grumbulluar menjëherë pas lufte, në vitin 1999, kur kanë hyrë forcat paqeruajtëse në Kosovë, nga të gjitha qytetet e Kosovës krejt ata kriminelë që kanë bërë krime mbi popullatën shqiptare, janë vendosur në Mitrovicë. Po të njëjtit, po tash ai është i pushkatuar vetë nga bashkëkriminelët e tij, Oliver Ivanoviqi, ka qenë prijësi apo kryekrimineli, ata vetë e kanë vrarë më vonë por ai ju ka pri dhe i kanë pushkatuar brenda nëpër banesa. Duhet të ceket se më 2 shkurt, të vitit 2000 kanë ardhur një pjesë e madhe e civilëve të armatosur serbë në pjesën e okupuar të Mitrovicës dhe e kanë bërë evidentimin e banesave dhe shtëpive ku jetojnë shqiptarët. Pastaj me 3 shkurt të viti 2000, prej orës 21 kur ka filluar në mbrëmje masakrimi i shqiptarëve ka zgjatur deri në orën 4 të mëngjesit të datës 4 shkurtit. Brenda kësaj kohe janë pushkatuar, përkatësisht plagosur dhe keqtrajtuar fizikisht në mënyrën më barbare ata shqiptarë”, thotë ai për KosovaPress.

Barani të gjitha deklaratat e dëshmitarëve për rastin e 14 prillit 1999 dhe rastin e 4 shkurtit 2000 i ka deponuar me 25 shkurt 2013 në Prokurorinë e EULEX-it.

Por, edhe pas gati tri dekadash, drejtësia për këtë masakër mungon. Barani thekson se në Kosovë janë kryer mbi 400 masakra dhe se ajo e Mitrovicës mbetet ndër më të rëndat, pikërisht sepse ndodhi në prani të forcave ndërkombëtare. Ai kujton se, ndonëse ka dëshmuar edhe në Hagë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve, askush nuk është mbajtur përgjegjës për atë që ndodhi atë natë në Mitrovicë.

“More nuk është vendosur drejtësi për të gjitha masakrat që janë mbi 400 masakra në mbarë Kosovën, anë e mbanë, se jo për kjo, po kjo është më e llahtarshmja, kjo është më e rëndësishmja sepse është kry masakra në praninë e forcave të ashtuquajtura paqerujtëse, apo policisë së UNMIK-ut dhe ushtrisë franceze. Në shkurt të vitit 2002, unë kam qenë edhe në Hagë si dëshmitar kundër kasapit të Ballkanit për krimet që i ka bo, me ushtrinë dhe policinë dhe civilët e armatosur serb në Kosovë, dhe të gjitha këto janë prezantuar, edhe ato të mëhershmet. Se në Mitrovicë janë 12 masakra gjithsej, ’98, ’99. Po kjo është masakra e fundit që ka ndodh para syve të këtyre që kanë ardh si paqerujtës. Po asgjë. Më vonë, pas vitit 2000, 2002 në realitet, është akuzuar kryekrimineli Oliver Ivanoviq dhe është dënuar me nëntë vite burg. Pastaj është kthyer nga apeli në rigjykim lënda e tij, dhe është liruar ai deri në gjykimin tjetër. Po, e vranë bashkë-veprimtarët, bashkë-kriminelët e tijna vet, kështu që mbet pa u gjykuar askush. Ka edhe të tjerë, kanë me emër e mbiemër kanë qenë në gjyq. Deri më tani, nuk ka asgjë në atë drejtim”, rrugën Barani.

Në qytetin ku, janë vrarë gjithsej 544 shqiptarë civilë, përfshirë fëmijë, gra shtatzëna, të moshuar dhe persona të paralizuar të pushkatuar në shtrat, familjarët e viktimave vazhdojnë të jetojnë me kujtime, dhimbje dhe pritje të pafundme. Sot, ata përkujtohen rrallë, siç thotë Barani, zakonisht vetëm në kohë fushatash zgjedhore, ndërsa “nata e tmerrit” mbetet një plagë e hapur në kujtesën e Mitrovicës dhe të Kosovës.

“Familjarët e viktimave, jo vetëm të këtyre të shkurtit, të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, po edhe ato sepse, para këtyre, sepse në Mitrovicë gjithsej janë vrarë 544 shqiptarë, pa dallim moshe e gjinie. Në mesin e tyre fëmijë, gra shtatzëna, pleq, plaka, pleq dhe plaka të paralizuar, të shtrirë nëpër shtretër dhe janë pushkatuar të gjithë. Të gjithë kanë pritur një kohë të gjatë, por tashmë i kanë humbur shpresat, sepse askush, deri kur të vijnë zgjedhjet, askush nuk i përmend. Ndërsa kur vijnë zgjedhjet, fillojnë me i përmend aty-këtu, po edhe ato shkarazi shkojnë edhe kalojnë këto punë”, thekson ai.

3-4 shkurti i vitit 2000 vazhdon të jetë një kujtesë e gjallë e një krimi. Atë natë u vranë: Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka, Remzije Canhasi, Selime Berisha, Nezir Voca, Shqipe Voca, Bashkim Rrukeci, Nimon Sejdiu, Sebiha Abrashi dhe Muharrem Sokoli.

/Kosovapress/

 

Continue Reading

Lajmet

UNESCO shpall malin Olimp Trashëgimi Botërore

Published

on

UNESCO vendosi këtë të diel, 26 korrik, në Korenë e Jugut, që mali ikonik grek, ai i Olimpit, të shtohet në Listën e Trashëgimisë Botërore

UNESCO vendosi këtë të diel, 26 korrik, në Korenë e Jugut, që mali ikonik grek, ai i Olimpit, të shtohet në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Pjesë e kësaj liste u bënë gjithashtu kryeqytetet e lashta japoneze, Asuka dhe Fujiwara, Peizazhi Migrator Boma-Badingilo i Sudanit Jugor, si dhe plazhet e zbarkimit të Luftës së Dytë Botërore në Francën Veriore.

Përpjekjet e Greqisë për Olimpin që prej vitit 2014

Me një lartësi prej 2.918 metrash, Olimpi konsiderohet në mitologjinë greke si froni i Zeusit, mbretit të perëndive, teksa njëkohësisht është një nga zonat me biodiversitetin më të pasur në Evropë.

Prej vitesh, Greqia i ka kërkuar UNESCO-s përfshirjen e Malit të Olimpit në Listën e Trashëgimisë Botërore. Aplikimi i parë u dorëzua në vitin 2014, duke u mbështetur si në rëndësinë e tij kulturore dhe mitologjike, ashtu edhe në vlerat e jashtëzakonshme natyrore.

Zona u shpall Parku i parë Kombëtar i Greqisë në vitin 1938, për shkak të peizazhit unik, që përfshin pyje të dendura, livadhe alpine, gryka, kanione dhe burime ujore, të gjitha shumë pranë bregdetit. Sipas Homerit, maja e Olimpit ishte “selia e të pavdekshmëve”, vendi ku Zeusi ushtronte pushtetin e tij.

Qyteti më i afërt me malin është Litochoro, vetëm pesë kilometra larg plazheve të Egjeut. Në vitin 1981, UNESCO e shpalli Olimpin Rezervë të Biosferës, ndërsa në vitin 2021 zona fitoi mbrojtje shtesë, duke u shpallur park kombëtar.

Vetëm vitin e kaluar, zona u vizitua nga rreth 500 mijë turistë, e tashmë autoritetet greke presin rritje të numrit të vizitorëve. Shkak për këtë rritje, nuk është vetëm futja e malit në Listën e Trashëgimisë Botërore, por dhe nga filmi “The Odyssey”, i regjisorit Christopher Nolan, një pjesë e së cilit u xhirua në shtetin fqinj.

Autoritetet greke kanë theksuar rëndësinë fetare të kësaj zone, për shkak të një shenjtëroreje në një nga majat më të ulëta të malit. Besohet se kjo është shenjtërorja e përshkruar nga Plutarku në shekullin II pas Krishtit, ku kryheshin flijime në nder të Zeusit.

Në malin Olimp ndodhet edhe kapela ortodokse e krishterë në lartësinë më të madhe në botë, ndërsa në shpatet e tij gjenden manastire bizantine dhe objekte të tjera kulti./ RTM//A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Franca nënshkruajnë dy marrëveshje të reja për bashkëpunim në drejtësi

Published

on

Kosova dhe Franca kanë nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme në fushën e drejtësisë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe kriminalitetit ndërkufitar.

Bëhet fjalë për Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale dhe Marrëveshjen për Ekstradim, të cilat krijojnë mekanizma më efikasë për shkëmbimin e provave dhe informacionit, si dhe për ndjekjen dhe ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia.

Sipas njoftimit, këto marrëveshje pritet të forcojnë kapacitetet e institucioneve të Kosovës dhe Francës në përballjen me format e ndryshme të kriminalitetit ndërkufitar dhe të sigurojnë që personat e kërkuar nga drejtësia të mos gjejnë strehë jashtë kufijve.

Pas marrëveshjes së nënshkruar me Belgjikën në muajin prill, Kosova po zgjeron më tej rrjetin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e drejtësisë edhe me Francën./A.K/

Continue Reading

Lajmet

I mituri dyshohet se ka kërcënuar dhe marrë para nga një tjetër i mitur, arrestohet nga policia

Published

on

Sipas Policisë së Kosovës një mashkull kosovar së bashku me djalin e tij të mitur kanë raportuar se një i dyshuar mashkull kosovar, po ashtu i mitur, në vazhdimësi e ka kërcënuar me fjalë dhe i ka kërkuar e marrë para viktimës së mitur.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjendet pa shenja jete një grua në Rahovec, trupi dërgohet në IML për obduksion

Published

on

Një grua kosovare është sjellë pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rahovec.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 26 korrik 2026, ndërsa vdekja e viktimës është konstatuar nga mjeku kujdestar.

Sipas dëshmitarit, viktima është gjetur e shtrirë në shtëpinë e saj. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara