Lajmet

Nagavci: Edukimi parafillor do të bëhet i obliguar nga viti i ardhshëm

Kështu ka thënë ajo gjatë prezantimit të Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme.

Published

on

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci deklaroi se edukimi parafillor do të bëhet i obligueshëm nga viti i ri shkollor 2024/2025. Sipas saj, ky ligj specifikon qartësisht edhe dënimin e çfarëdo forme të dhunës.

Kështu ka thënë ajo gjatë prezantimit të Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, ku shtoi se do të shtohet cilësia e kujdesin dhe edukimit në fëmijërinë e hershme.

Në lansimin e këtij ligji, ministrja Nagavci tha se faza e fëmijërisë kërkon vëmendje të veçantë.

“Fëmijëria është pjesa më e ndjeshme e jetës së njeriut. Dhe si e tillë është një fazë që kërkon vëmendje të veçantë dhe kujdes të vazhdueshëm nga familja, shoqëria dhe natyrisht edhe nga politikëbërësit. Vitet e para të jetës së secilës fëmijë, janë thelbësore për zhvillimin fizik të individit, për zhvillimin psikologjik dhe emocional, sepse në atë periudhë ndërtohet dhe ndikohet si asnjëherë më shumë nga ambienti përreth duke perceptuar dhe përpunuar informacione të panumërta që lënë ndikim dhe gjurmë të pashlyeshme në secilin individ”, u shpreh Nagavci.

Nagavci shtoi se edukimi parafillor do të bëhet i obligueshëm nga viti i ardhshëm shkollor.

“Ligji i ri për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme i sjell disa risi të theksuara në krahasim me kuadrin ligjor ekzistues. Unë do të përmend disa shkurtimisht disa prej tyre. Por dua të veçoj faktin se edukimi parafillor do të bëhet i obligueshëm nga viti i ardhshëm shkollor. Se ligji mbështet edhe edukimin në familje dhe ofron familjet për familjet ndihmëse në kujdesin dhe edukimin e fëmijëve. Se rrisin në mënyrë të gjithanshme cilësinë e kujdesit dhe edukimin në fëmijëri të hershme. Se shtohet bashkëpunimi i gjithë institucioneve dhe natyrisht edhe përgjegjësia për të gjithë të rriturit që do të punojnë me fëmijë, përfshirë edhe dënimin e çfarëdo forme të dhunës, e cila jo që nuk është e ndaluar edhe me ligjet tjera por specifikohet qartësisht edhe në këtë ligj”, shtoi Nagavci.

Shefja e UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman tha se përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm nuk është i kënaqshëm.

“38 për qind e 3-4 vjeçarëve në Kosovë kanë qasje në edukimin e hershëm. Dhe ende jemi larg nga targetët e BE-së që është 95 për qind. Ky ligj na ofron një udhërrëfyes të mirë, që është cak i planit strategjik në arsimin në Kosovë. Kjo rritje mund të ndodhë shpejt dhe në mënyrë të barabartë, përmes krijimit të klasave të reja dhe ofrimin e arsimit në fëmijërinë e hershme. Ligji i ri po ashtu ka për qëllim që të përmirësojë cilësinë me rolin e kurrikulës dhe inspektimet e cilësisë”, theksoi ajo.

Udhëheqësja e Divizionit për Edukimin Parashkollor në Ministrinë e Arsimit, Labëri Luzha tha se ky ligj do të zbatohet në të gjitha institucionet e edukimit në fëmijërinë e hershme, për fëmijët prej lindjes deri në moshën gjashtë vjeçare.

“Ky ligj ka për qëllim ofrimin e shërbimeve cilësore, gjithëpërfshirëse në të gjitha format e organizimit të edukimit në fëmijërinë e hershme në Kosovë. Si dhe përcakton normat për organizimin, funksionimin, mbikëqyrjen, përgjegjësitë institucionale, profesionale të të gjithë akterëve që ofrojnë edukimin në moshën e hershme. Ky ligj zbatohet për të gjitha institucionet në fëmijërinë e hershme, prej lindjes deri në moshën gjashtë vjeçare, deri kur ata fillojnë edukimin fillor në klasën e parë. Të drejtën e të gjithë fëmijëve për edukim cilësor gjithëpërfshirës bazuar në nevojat individuale të tyre; shëndetin, mirëqenien dhe mbrojtjen e fëmijëve; krijimin e mekanizmave për sigurimin e ofrimit të shërbimeve të integruara; Përcaktimin e detyrave dhe përgjegjësive të ofruesve të shërbimeve në Edukimin në Fëmijërinë e Hershme; mentorimin, monitorimin, inspektimin, financimin dhe sanksionimin e ofruesit të shërbimeve”, përfundoi ajo.

Në korrik të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës është miratuar Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme.

Lajmet

Kuvendi themelon Komisionin Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të hetosh veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin e përgjithshëm të dhunës ndaj grave e fëmijëve në familje.

Komisioni do të përbëhet nga 11 anëtarë dhe do të ketë një mandat punë prej maksimalisht gjashtë muajsh. Udhëheqja i është besuar Burim Ramadanit nga AAK në pozitën e kryetarit, ndërsa zëvendëskryetar do të jetë Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pjesë e këtij trupi hetimor nga Lëvizja Vetëvendosje do të jenë Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani. Partia Demokratike e Kosovës do të përfaqësohet nga Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani, Lidhja Demokratike e Kosovës nga Doarsa Kica-Xhelili, ndërsa nga radhët e komuniteteve janë caktuar Jovana Radosavljeviq dhe Emilija Rexhepi.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj. Vetëm tri ditë para ngjarjes tragjike, ajo u kishte dërguar letër zyrtare institucioneve për t’i paralajmëruar se jeta e saj ndodhej në rrezik serioz. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

FSK pasurohet me 12 kamionë të rinj ushtarakë

Published

on

By

Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar sot 12 kamionë ushtarakë të tipit UNIMOG 5T, 4×4, të blerë për nevojat logjistike të ushtrisë. Në ceremoninë e pranimit morën pjesë Kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe ambasadori gjerman Rainer Rudolph.

Kryeministri Kurti bëri të ditur se me këto prurje të reja, si dhe me 8 kamionët e tjerë KX 8×8 të blerë së fundmi nga “Rheinmetall”, numri i përgjithshëm i mjeteve të pranuara të këtyre kategorive arrin në 35. Ai paralajmëroi se dhjetëra kamionë të tjerë të blerë të këtyre tipave do të arrijnë gjatë vitit 2027.

Sipas Kurtit, një forcë moderne nuk ndërtohet vetëm përmes armatimit, por edhe përmes kapaciteteve që mundësojnë lëvizshmëri dhe furnizim efikas. Mjetet e reja janë të projektuara për terrene të vështira e malore dhe rrisin dukshëm mbështetjen logjistike të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s.

Kreu i Qeverisë e vlerësoi këtë si një javë të suksesshme për ushtrinë, duke kujtuar se pas betimit të 515 rekrutëve të rinj të premten e kaluar dhe nisjes së trajnimit për 209 të tjerë në fillim të javës, pranimi i këtyre kamionëve përmbyll me sukses përpjekjet për fuqizimin e mbrojtjes dhe sigurisë në vend./E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

KPK pezullon nga detyra kryeprokuroren e Pejës pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka votuar sot unanimisht për suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.

Vendimi erdhi pas rekomandimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, lidhur me trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.

Ngjarja e rëndë ka nxitur reagime të shumta dhe pikëpyetje mbi dështimin e institucioneve të drejtësisë për t’i ofruar mbrojtje viktimës.

Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj. Vetëm tri ditë para se të vritej, ajo i kishte dërguar një letër zyrtare kryeprokurores Vuçetaj, ku e njoftonte se jeta e saj ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton rishikimin e buxhetit për vitin 2026 midis kritikave të opozitës

Published

on

By

Me 62 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rishikimin e buxhetit për vitin 2026. Nga shtatë amendamentet e propozuara gjithsej, mbështetjen e shumicës parlamentare e morën vetëm dy prej tyre, ndërsa të gjitha propozimet e opozitës u rrëzuan.

Miratimi u parapri nga një debat i ashpër në sallë. Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e cilësoi propozimin e Qeverisë si një mbulesë për 120 milionë euro të vendosura që në fillim të vitit, duke theksuar se ligji ka probleme procedurale dhe përmbajtësore.

Po nga kjo parti, deputetja Hykmete Bajrami kërkoi sqarime nga Ministria, duke pretenduar se ndryshimi po bëhet për të mbuluar koston e pagës së 13-të. Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, i quajti ndryshimet e propozuara ligjore si dinakëri të ministrit të Financave.

Të gjitha këto pretendime e akuza u hodhën poshtë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili mbrojti rishikimin e buxhetit para deputetëve.

Continue Reading

Të kërkuara