Kulturë

Muzeu i harresës: Një rrugëtim për të rigjallëruar artin nigerian

Published

on

Në një kënd të harruar të Lagosit, Muzeu Kombëtar i Nigerisë qëndron i respektuar, por i pashkruar në histori. Ky institucion, themeluar në vitin 1957, para pavarësisë së vendit, mban brenda mureve të tij thesarë kulturorë si kokat prej bronzi të Ife, pllakat e arta të Beninit dhe maskat e Ibibio. Megjithatë, vizitorët e tij janë të paktë, dhe shumë ndihen të huaj në ambientet e tij, të mbushura me objekte që shpeshherë nuk kanë kontekstin e nevojshëm për t’u kuptuar.

Olugbile Holloway, i sapoemëruar si kreu i komisionit që administron muzeun, ka një vizion të ri për të. Ai dëshiron që artefaktet e këtij muzeu të nxirren nga harresa dhe të udhëtojnë për t’u parë aty ku kanë origjinën. “Sa organik është ky koncept i muzeut për Afrikën, apo a është një ide e imponuar?” pyet Holloway.

Me ironi, posti i tij nuk do të ekzistonte po të mos ishin ngritur strukturat e antikitetit nga qeveria koloniale, e cila dërgoi njerëz nëpër Nigeri për të mbledhur këto pasuri. Shumë objekte, ndryshe, mund të ishin shkatërruar nga besimtarët e krishterë që i shihnin si simbole të së keqes.

Një çift amerikanësh, Charlie Cushman dhe Herbert “Skip” Cole, u dërguan në Nigeri në vitin 1967 për të mbledhur artefakte. “Ishte një mundësi e pabesueshme,” thotë Cushman tani 90-vjeçar. Ata zbuluan se shumë njerëz në fshatra ishin të gatshëm të ndanin me ta maska dhe objekte që kishin kaluar nëpër breza.

“Çmimi monetar nuk kishte rëndësi,” shprehet Cole. “Objektet shërbenin për ceremonitë, për nderimin e paraardhësve dhe shpirtërave të natyrës.” Këto objekte ishin thelbësore për jetën e komuniteteve, dhe shitja e tyre për disa dollarë nuk kishte asnjë vlerë për vendasit.

Gjatë udhëtimit të tyre, Cushman mbajti ditarë të detajuar për ngjarjet, për ceremonitë dhe takimet e tyre me njerëzit. Ata përballeshin shpesh me besimtarë të krishterë që dëshironin të shkatërronin këto objekte, duke i parë si simbole të paganizmit. Cole përpiqej të shpjegonte se ata ishin atje për të ruajtur këto objekte për brezat e ardhshëm.

Kjo histori e mbledhjes së arteve është një dëshmi e përpjekjeve për të shpëtuar trashëgiminë kulturore të Nigerisë. Ndërsa muzeu vazhdon të qëndrojë i braktisur, vizioni i Holloway dhe kujtimet e Cushman dhe Cole përbëjnë një shpresë për një të ardhme ku arti nigerian të kthehet në vendin e tij, duke rikthyer dinjitetin dhe historinë e tij të humbur./UBTNews/

Nga BBC, në përkthim dhe përshtatje të D.E.

Continue Reading

Lajmet

Nis edicioni i 8-të i “Mitrovica Guitar Days”

Published

on

Ka nisur edicioni i tetë i festivalit “Mitrovica Guitar Days”, i cili po sjell në Mitrovicë artistë dhe kitaristë të njohur ndërkombëtarë, koncerte dhe aktivitete të ndryshme artistike që po e pasurojnë jetën kulturore të qytetit.

Festivali është hapur me një performancë nga artistja me renome botërore Carlotta Dalia, e cila ka sjellë një mbrëmje të veçantë me interpretime mbresëlënëse për publikun.

“Mitrovica Guitar Days” vazhdon të afirmohet si një prej festivaleve më të rëndësishme të kitarës në vend, duke krijuar hapësirë për shkëmbim artistik, zhvillim profesional dhe promovim të muzikës.

Ngjarja mbështetet nga Ministria e Kulturës përmes një financimi trevjeçar, me synim zhvillimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të festivalit. Në koncertin hapës ka marrë pjesë edhe zëvendësministrja Nora Arapi-Krasniqi./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Koncert festiv “Liria na Bashkon” në Gjakovë për Ditën e Çlirimit

Published

on

Në shënim të Ditës së Çlirimit, tre ansamble kombëtare shqiptare do të bashkohen në koncertin festiv “Liria na Bashkon”, duke sjellë një mbrëmje me këngë, valle dhe interpretime nga kultura shqiptare.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Kosova, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore nga Shqipëria, si dhe Ansambli Nacional i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Koncerti do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, më 12 qershor 2026 në ora 19:00. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “KFOR and Kosova +25” hapet sot në Bibliotekën Kombëtare

Published

on

Në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” hapet ekspozita fotodokumentare “KFOR and Kosova +25”.

E realizuar në bashkëpunim me organizatën Heartstone, ekspozita sjell përmes fotografive të dokumentaristit britanik Nick Sidle një rrëfim mbi Kosovën në vitet e para të pasluftës, duke pasqyruar angazhimin e KFOR-it, por edhe jetën, sfidat dhe shpresat e qytetarëve gjatë periudhës së rindërtimit.

Ekspozita ishte prezantuar fillimisht në vitin 2001 dhe rikthehet tani, 25 vjet më vonë, në një version të restauruar dhe të zgjeruar, me synimin për të nxitur kujtesën, reflektimin dhe dialogun mbi paqen dhe bashkëjetesën.

Hapja do të mbahet sot nga ora 16:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti pret në takim shkrimtarët dhe kuratorët Dan Hicks e Françoise Vergès

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shkrimtarët dhe kuratorët Dan Hicks dhe Françoise Vergès, të shoqëruar nga studiuesja letrare Diona Budima.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti i përgëzoi mysafirët për diskutimin e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në kuadër të programit “Në bisedë”, të moderuar nga Budima.

Dan Hicks është profesor i arkeologjisë bashkëkohore në Universitetin e Oksfordit dhe kurator në Pitt Rivers Museum, ndërsa Françoise Vergès njihet si aktiviste feministe, shkrimtare, kuratore e pavarur dhe autore e shumë botimeve mbi kulturën, historinë dhe drejtësinë shoqërore.

Sipas njoftimit, të dy kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në debatet ndërkombëtare mbi trashëgiminë kulturore, kujtesën historike dhe rolin e institucioneve kulturore në shoqëri./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara